Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
avatar
Legjenda
Anetar i perjashtuar
Anetar i perjashtuar
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 40
<b>Postime</b> Postime : 5560
<b>Hobi</b> Hobi : FUTBOLL
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : ne vendi e dashur quhet tetova
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 19/02/2012

JAKUP KRASNIQI: NJË ËSHTË SHQIPËRIA Empty JAKUP KRASNIQI: NJË ËSHTË SHQIPËRIA

Wed 14 Mar 2012 - 1:36
Çështja shqiptare është e gjërë dhe komplekse. Është një çështje kaherë e shtruar për zgjidhje dhe kërkon zgjidhje të drejt e të qëndrueshme. Një zgjidhje të drejtë, por të pjesme shqiptarëve iu ofroi lufta çlirimtare e organizuar nga SHP i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, rrugë që nuk u pasua në përmasat meritore pas qershorit të vitit 1999 me procedura demokratike të kohës.

Tani kemi një dokument të një kompromisi të dhimbshëm të njohur ndërkombëtarisht me të cilin nuk do të merrem kësaj radhe. Në këtë shënim të shkurtër do të ndalemi rreth emërtimit dhe shtrirjes së trojeve shqiptare në Ballkan. Kjo çështje si problem në vete na del sidomos pas viteve 1912-1913, bash atëherë kur për gjysmë qe ndarë Shqipëria nga një Konferencë, vendimet e së cilës nuk u përfillën, veç vendimit për coptimin e Shqipërisë Etnike. Vendimet e Konferencës së Ambasadorëve në Londër arritën ta kufizojnë Shqipërinë me shqiptarët në tërë kufirin e saj kontinental. Këtu fillon laramania për emërtimin e trojeve dhe të popullit shqiptar, laramani që është në përdorim edhe sot e kësaj dite. Para viteve të përmendura për të gjitha trojet shqiptare në Ballkan ka pasur një emër - Shqipëri. Këtë e vërtetojnë burimet historike si të lindjes ashtu edhe të perëndimit. Për një Shqipëri kanë shkruar edhe rilindasit tanë të urtë.

Termi „Shqipëri e madhe“ është pjellë sidomos e shovinizmit serbomadh i cili më 1912-1913 pushtoi e mbajti të okupuar Kosovën deri në qershorin e vitit 1999. Ky shovinizëm me të tjerët për rreth çdo përpjekje të shqiptarëve për bashkim kombëtarë e quajtën përpjekje për krijimin e Shqipërisë së Madhe. Në të vërtet shqiptarët as kanë kërkuar, as kanë luftuar e as kanë hartuar plane dhe elaborate për të rrëmbyer toka të huaja e as për të robëruar e shfarosur popuj të tjerë.

Me fjalë të tjera kërkesa e shqipëtarëve për bashkim kombëtarë, për ruajtjen e tërësisë tokësore, s`mund të cilësohen si kërkesa për krijimin e Shqipërisë së Madhe, veçse kërkesë për krijimin e një Shqipërie Etnike, aty ku shqiptarët edhe sot janë shumicë.



Shqipërie Etnike

Besoj se faktet që do t`i sjellim më poshtë e që janë burime të jashtme, do ta vërtetojnë atë që thamë më lartë. Historiani Freng, Philippe de Mezieres, në një vepër të tij të shkruar pas betejës së Kosovës 1389 shkruan: “Me mëshirën e zotit u pengua shpata e Muratit. Në këtë vit (1389) Sulltani pësoi disfatë plotësishtë në Shqipëri“. Kjo do të thotë se shqiptarët jo vetëm morën pjesë dhe luftuan heroikisht në atë betejë - në Betejën e Kosovës, por ajo u zhvillua në trojet e tyre, në Shqipëri, pra as heroizmi i Millosh Kopiliqit nuk qe i rastësishëm. Millosh Kopiliqi, edhe pse më vonë do të përvetësohet nga serbët si hero i tyre kombëtar, ai ishte shqiptar nga Kopiliqi i Drenicës. Kurse një burim osman i fundit të shekullit XIV, tokat shqiptare i ndan në 10 sanxhaqe:

1. Shkodra,

2. Ohri,

3. Vlora,

4. Janina,

5. Elbasani,

6. Delvina,

7. Shkupi,

8. Dukagjini,

9. Vushtria,

10. Perzereni.

Në të mirë të kësaj është edhe dëshmia e gjeografit dhe e udhëpërshkruesit, që ndoshta ishte edhe nënpunës i lartë në administratën osmane, Elvia Çelebiu i cili në vitet 1660-1662 ishte për inspektim (udhëtim) në Elajetin e Rumelisë, ishte edhe në Shqipëri. Në veprën e tij shkruan: “Lumi llab (Llapi) që kalon nëpër fushën e Vushtrisë, vjen nga Shqipëria (Arnavutlluku)”. Nga kjo del se si rrjedha e sipërme e lumit Llap, edhe fusha nëpër të cilën kalonte ishte Shqipëri.

Edhe një dokument Anglez i fundit të shekullit XVII, ardhjen e gjeneralit austriak Pikolomin e përshkruan kështu: “Pikolomini edhe pse nën ethe, vazhdon udhëtimin për Prezeren ku pritet nga arqipeshkëvi i Shqipërisë dhe patriku i kelmendasve”.

Këtu me siguri është fjala për Pjetër Bogdanin tonë të famshëm. Edhe kufijtë që përshkruhen nga udhëtarët e shek XIX J.G.Han dhe H Bue përfshijnë kryesisht tokat që ishin të banuara me shqiptarë edhe para shek XIX, por që janë edhe sot. I solla këto fakte për të dëshmuar se para viteve 1912-13, Shqipëria ishte e pushtuar por s`ishte e coptuar. Këto dëshmi duhet t`i kenë ditur edhe rilindasit tanë të cilët edhe në veprat poetike përcaktojnë kufijtë e Shqipërisë. P.sh. Pashko Vasa në poemën e tij të njohur “Mori shqypni e mjera shqypni” thotë se Shqipëria shtrihet:

Qysh prej Tivarit e deri n`Pervezë

gjithkund lëshon dielli vap` dhe rrezë

asht tok`e jona, të parët na e kanë lanë,

kush mos na e preki, se desim t`tanë.

Gjersa Ndre Medja, në poezinë “Gjuha Shqipe” kushtuar gjuhëtarit gjerman Gustav Meyerit, për të cilin E.Çabej thotë se “është themeluesi i albanistikës”, sikur e plotëson bashkëvendasin e tij kur shkruan:

Prej Tivarit e n`Prevezë

Nji e gjuha e kombi nji.



Geg`e Toskë, Malci Jellia

Janë nji komb, m`u nda s`duron

Fund e majë nji a Shqipnia

E një gjuhë t`gjithve n`a bashkon.

Kur Naim Frashëri, në poemën “Bagëti e Bujqësi”, me të mirën e letërsisë shqipe këndon:

O malet e Shqipërisë, e ju o lisa të gjatë,

Fushat e gjëra me lule,

q`u kam ndër mend ditë e natë.

Këtu Naimi ju këndonte “maleve, lisave e fushave të gjëra me lule”, të asaj Shqipërie që siç thonin poetët shtrihej nga Tivari e në Prevezë, por edhe nga Manastiri në Vlorë, e nga Besiana në Janinë, në ato troje ku toka dhe nëntoka flisnin e flasin shqip.

Edhe rilindasit tanë, që luftuan me pushkë e pendë, janë përpjekur për jetësimin e tri ideve të mëdha të Programit Politik të Rilindjes sonë Kombëtare:

a) Për një Shqipëri

b) Për një Komb dhe

c) Për një Gjuhë

Kërkesa e jonë për t´u bashkuar në një shtet ku shqiptarët përbëjnë shumicën e domosdoshme etnike, nuk ka qenë as nuk është kërkesë për krijimin e “Shqipërisë së Madhe”, por kërkesë për një Shqipëri, as të madhe as të vogël. Për këtë ne shqiptarët as duhet të skuqemi e as të kemi droje se po gabojmë. Le të skuqen ata që na mohojnë ende këtë të drejtë - TË DREJTËN E ÇLIRIMIT DHE BASHKIMIT KOMBËTARË. Le të skuqen ata që kërkojnë krijimin e identiteteve të “reja” në mes të shqiptarëve, ata që në një anë janë për globalizmin me gjithë të tjerët jashtë qenjes kombëtare, kurse janë për parcializime e coptime të reja në mes të shqiptarëve.

Nëse të gjitha kombet e Evropës kanë të drejtë të jetojnë në shtetet e tyre etnike, pse një gjë e tillë t`ju mohohet Shqiptarëve që aq shumë sakrifikuan për bashkimin Kombëtarë? Politika 100 vjeçare serbe për dëbimin dhe shfarosjen e shqiptarëve të Kosovës dhe trojeve tjera shqiptare të pushtuara ka bërë që sot, jashtë kësaj hapësire, në Anadoll, në Evropën Perëndimore e SHBA etj., të jetojnë më shumë shqiptar se sa që jetojnë në Kosovë dhe troje tjera etnike. Jo vetëm ky fakt, duhet ti bëjë shqiptarët kudo që janë të mendojnë globalisht edhe për veten e tyre. Të kuptojmë se atdhetarizëm nuk është vetëm përpjekja për gjuhë e flamur në tokën tënde e në shtet të huaj?!

(Autori është Sekretar i Përgjithshëm i PDK-së)
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi