Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Shenjat që lëmë pas sa herë kemi festa! Empty Shenjat që lëmë pas sa herë kemi festa!

Sun 25 Mar 2012 - 21:56
Magdalena Alla / Valeria DedajElementi më i dukshëm ndër të tjerët; po e njëjta turmë. Po aq e stërmadhe, saqë çdo vit në Ditën e Verës mbush për së gjeri e për së gjati gjithë bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe degëzimet e tij. Po kështu edhe rrugët e Elbasanit e shumë qyteteve të tjera në vend. Mori njerëzish, sa të hareshëm e gjallërues me daljet e tyre gjigandeske në një ditë pushimi, për fat plot me diell, aq edhe shtrëngues në përplasjet deri edhe trup me trup. “Ç’mu desh që dola, të keqen mami!”, dëgjon në telefon një gjyshe t’i ankohet së bijës, teksa shtyn një karrocë me fëmijë. Dhe sa karroca të panumërta a fëmijë përdore kanë përpara vetes këtë ditë familjarët teksa shëtisin, por të cilëve nëpër kryqëzime iu duhet të ‘përleshen’ rrezikshëm edhe me morinë e makinave, ku të dy palët i shkelin rregullat bashkarisht.

Por edhe pse ‘vuajnë’ pasojat e festës më popullore dhe më të rrëmujshme të vitit, kryeqytetasit rëndom i gëzohen tjetërkund festës. ‘Kemi nevojë të thyejmë rutinën”; “Shyqyr që bëri dhe kohë e bukur!”, “Është bukur kur dalin të gjithë”; “Ka shumë aktivitete, ushqime të shijshme në minipanair, në rrugë”; “Mund të kthesh një gotë birrë me shoqërinë, të ulesh në lëndinë etj”. Thonë njerëz të ndryshëm në qejf të tyre, që sikur lulëzojnë bashkë me natyrën në ditën e lulëzimit dhe ripërtëritjes së saj. Në ditën e diellit, tokës, pemëve, luleve, por edhe barit, të cilave deomos duhet t’iu qasen që t’i ndiejnë.

Por iu qasen aq shumë, dhe pa kujdes, saqë edhe i dëmtojnë. Të shohësh parkun ‘Rinia’ në festë në Ditën e Verës, do të thotë të shohësh njeriun të harmonizohet deri diku ëmbël me natyrën, por edhe të armiqësohen mes vedi nga shtriqjet aq pa kujdes dhe delikatesë ndaj tokës, sa përnjimend ndjen dhimbjet e tokës sikur ajo të ishte vetë trupi.

Grupe-grupe, shoqërore apo familjare, shtruar këmbëkryq apo shtrirë, për shtatë pale qejfe, kaq dendur dhe të shumtë në ato pak hapësira të gjera publike që ka Tirana. Mbi barin, në ato momente të sheshuar dhe venitur nën këmbët a të ndenjurat e njerëzve. Aq më tepër kur në rrëpira-rrëpira prej këmbëve të përditshme tashmë ai në park edhe mungon fare. Të rrallë ishin ata qytetarë që kishin marrë ndonjë batanije të vogël dhe shijonin ulur familjarisht më bujarë me natyrën copëza të saj në kryeqytet.

Po mbi bar, edhe mbeturinat e ushqimeve mbi lëndinë një tjetër neveri estetike më vete. Aq sa grumbuj njerëzish gjendeshin, aq edhe grumbuj plehrash rreth e qark gjithsecilit. E njëjta situatë edhe tek miniparku i Galerisë Kombëtare të Arteve, nga Liqeni Artificial ku përfundonin ‘dallgët’ me njerëz, e me radhë.

Lehtësia me të cilën hidhen mbeturinat përtokë është ritual i përditshëm, jo vetëm festiv, por përmasat kolosale i merr sidomos në raste festash. Jo vetëm mbështjellëse buke, sanduiçësh, byrekësh, ballokumesh, por edhe shishe uji, dhalli, kanaçe pijesh, të gjitha hidhen përtokë. Teksa mungojnë edhe koshat më të shumëfishuar në rast festash, bëhet edhe më e lehtë. Por edhe fletëpalosjet që ndajnë në kësi rastesh mbi trotuarë kompani të ndryshme, duke përfituar nga ‘klientët’ e vërshuar në rrugë, hidhen më pas përtokë edhe ato. Vallë ngaqë nuk ka kosha edhe në Bllok?! Ato e kanë fajin apo mungon koncepti i ngulitur mirë i ‘koshit’, pastërtisë së mjedisit në ndërgjegje? ‘Eh, në Ditën e Verës nuk u shkon mendja as për mua. S’kam nxjerrë lekë sot. Vetëm për ndonjë Bajram, edhe kushedi japin!”, thotë Sonila, lypësja obese në hyrje të Bllokut, që u zë rrugën kalimtarëve bashkë me vajzat e saj minorene, duke shpresuar se moria e njerëzve, do të ishte mori qindarkash për të.

Diku më poshtë, ngrë kryet lart, dhe e papushtuar nuk ka mbetur As Piramida ‘e gjorë’, e cila përveç ‘gijotinës’ që po i qëndron mbi kokë, ndjen përsipër edhe lukuni njerëzish, që nga poshtë-larg shëmbëllejnë edhe si rreshta milingonash. Pavarësisht dhunimit estetik, ndoshta Piramida vetë mund të jetë më e kënaqur kështu, që së paku preket e gjallërohet nga jetë njerëzore, se sa të mbijetojë duke imagjinuar fundin e saj.

Po pranë Piramidës, fëmijët më akrobatë, me radhë kacavirren kokë e këmbë te Këmbana e Paqes. Duke luajtur, si pa dashje kambana kumbon tamam si për festë, si bekimi i Zotit për mbarësi në Ditën e Verës, e cila e përmban dhe thërret sidomos atë.

Sipër kokave në këtë festë njerëzit patën dekorin risi të luleve shumëngjyrëshe të bulevardit. Por të cilat kontrastonin me një lloj tonaliteti të errët në të zi, mbizotërues në veshjet e njerëzve, edhe pse nuk mungonin as ngjyrat pranverore. Herë duke shëtitur ngeshëm, herë duke përtypur ballokume, e po aq sa ballokume edhe akullore nëpër duar, e herë duke shijuar në bare apo restorante, sidomos në ambientet jashtë, plot diell. Tek minipanairi tek pedonalja e ‘Toptanëve’ shijet shumohen me mish në zgarë, bukë me vaj ulliri, qumësht, djath, mjaltë etj, që prodhuesit shqiptarë i ofrojnë falas për t’i provuar e jo vetëm provuar.

Nëse të duhet të kthehesh mbrapsht, përsëriten të njëjtat pamje. Gjithë filmimet apo fotografimet e peizazhit, krijojnë një pështjellim shijesh, sa të gëzueshme e plot jetë që frymëzon festa popullore, aq edhe antifestë në shpirt prej të metave që lë nga pas.

Jo çudi këto, jo stereotipe të papara, por sa herë kemi festë për kë i koncepton më të arrira festat, ka festa e festa! Mjerë pastrueset e shkreta ç’heqin më pas! Ia kishin dalë, megjithatë, që diku nga pasditja të pastronin mjaft nga mjediset e keqtrajtuara sa herë kemi festa!



Konica për Ditën e Verës

Kur shkrin dimri, kur qaset vera e buzëqeshur, e hollë dhe e gjatë si në pikturë të Botiçelit, zemra e njeriut shkarkohet nga një barrë, shijon një qetësi, një lumturi të ëmbël. Në këtë gëzim stërgjyshërit tanë ndjenin një detyrë, t’u faleshin perëndive që sillnin këto mirësira. Dhe ashtu leu festa hiroshe që e quajnë Dita e Verës….”





Kodrat e Liqenit

Prej së largu dëgjohej melodia e valles dhe haresë, e cila me një forcë të pakuptuar të bënte të ndalje hapat e të hidhje një vështrim andej nga vinin tingujt e ëmbël. Atmosfera pranverore të drejton për të thyer kureshtjen drejt, “Kodrave të Liqenit”. Ballokumet, tollumbacet, tingujt e valles shqiptare dhe etnosit tonë gjendeshin dhe aty. Me ç’duket “Dita e Verës” ngelet një ndër traditat më të papërsëritshme të identitetit tonë kombëtar dhe për këtë nuk ka rëndësi vendi se ku festohet. Vallet e përcjella me dajre dhe këngë që shquhen për lirizëm brilant, i gjeje si lëvizje të pakursyera dhe të harmonizuara estetikisht nga valltarët apo qytetarët interpretues.

Shumë qytetarë të Tiranës, por dhe persona të ardhur nga rrethet, kanë zgjedhur të festojnë aty. Që të kalonin disa momente me të afërmit e tyre, apo për të bërë një shëtitje ndryshe nga herët e tjera. Argëtimet e fëmijëve kanë qenë të shumëllojshme që me kllounët, tollumbacet, hedhjet me litarë, lojërat me top apo dhe këngët e kënduara prej tyre. Vendi ështe i preferuar për të gjithë brezat, të moshuarit, të rinjët dhe fëmijët. Ilir Beqaj nga Fushë-Kruaja thotë: “Kam ardhur këtu për dy nipërit e mi të mrekullueshëm”, e teksa thotë këto fjalë fëmijët i qëndronin pranë për të luajtur më të. Ndërsa fytyrën e tij paksa e rrudhur e përshkronte një ndjenjë miqësore. Shumë të tjerë kishin zgjedhur që t’i mernin gatimet me vete apo dhe të uleshin nëpër baret që ishin rrethë e rrotull. Por liqeni ka qenë një zgjedhje e zgjuar edhe për tregëtarët. “Sot të paktën, ndyshe nga ditët e tjera do të çojmë disa të ardhura më tepër në familje”, thotë Maria. Ajo aty shiste lodra për fëmijë së bashku me djalin e vet. Ata ofronin gjellë dhe gatime të shumëlloshme, që nga ato tradicionale, ballokumja e deri tek qoftet në zgarë.

Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi