“Pharmakon” thyen tabutë e seksit, prapaskenat e Kastro Zizos, linte xhirimet për të marrë serum
Sun 8 Apr 2012 - 16:37
Premiera në kinematë shqiptare e filmit “Pharmakon”, është më 11 prill ndonëse ka gati katër vjet që është prodhuar. Filmi do të shfaqet në kinematë e Tiranës dhe interesi i publikut duket se është i lartë. Një nga protagonistët e këtij filmi është këngëtari i njohur Klevi Bega, ndryshe në emrin e artit, Kastro Zizo, në një bashkëpunim me aktoren Olta Gixhari.
Kastro në këtë intervistë tregon për filmin, rolin e tij, por përtej një roli të thjeshtë mbi të gjitha aty trajtohet historia e shumë të rinjve “të humbur”, plot me dilema ekzistencialiste. “E ndiej shumë në mishin tim, pasi filmi përveç historisë së dashurisë midis dy të rinjve trajton dhe një problematikë reale në shoqërinë tonë. Ajo e shitblerjes së barnave në tregun shqiptar. Aq më tepër që nëna ime e vuan një pasojë të tillë, më bëri më shumë të reflektoj mbi realitetin e hidhur ku jetojmë”, – thotë Kastro gjatë intervistës me gazetën Mapo. Ndërkohë në këtë film, i cili është një realizim mjaft i arrirë, kemi edhe skena erotike mes Gixharit e Zizos, për të cilat këngëtari thotë se kanë qenë pjesa më e vështirë e xhirimeve. Filmi trajton tema të forta, si përplasja e brezave, dilema shoqërore dhe ekzistenciale e të rinjve, si dhe biznesi i pistë i “bluzave të bardha”. Regjisori i ri Joni Shanaj e jep gjithë këtë tablo të fortë e të hidhur të një realiteti 20-vjeçar shqiptar nëpërmjet historisë së një të riu që punon në një farmaci pranë Kopshtit Zoologjik të Tiranës. Ai aty dashurohet me një vajzë të bukur, e cila bën lojë të dyfishtë mes tij e të atit. Një rol që e luan mjeshtërisht aktorja simpatike, Olta Gixhari.
Intervista – Regjisori Ramjon Shanaj sjell një nga temat më të nxehta të shoqërisë sonë, shkëputjen nga tutela e së shkuarës
Një nga filmat më të rinj, që është realizuar në Shqipëri, është edhe ai i regjisorit Ramjon Shanaj, “Pharmakon”, në të cilin përfshihen histori që identifikojnë shoqërinë tonë dhe më gjerë. Me anë të një bashkëpunimi e kolegët e tij koreanë dhe izraelitë, Shanaj ka mundur të realizoj një gërshetim kulturash për të sjellë para publikut filozofinë e filmit të tij. Ajo që ka bërë më shumë kurioz publikun për filmin, i cili sapo ka përfunduar xhirimet, janë skenat erotike, të cilat, sipas regjisorit, janë të vërteta. Në këtë film, ai ka zgjedhur me kujdes personazhet që do të luajnë në rolet e tij, që janë Olta Gixhari, e cila provon për herë të parë kontaktin me kamerat, Kastro Zizon, i cili njihet për karakterin e tij shpërthyes, si dhe Niko Kanxheri. Filmi pritet të jetë para publikut brenda vitit 2009.
Mund të flisni për filmin të cilin sapo e keni përfunduar?
Xhirimet e filmit “Pharmakon”, zgjatën 7 javë. Në qendër të filmit është historia e dashurisë midis Brankos, e cili luhet nga Kastro Zizo, një farmacist i ri, dhe studentes së mjekësisë Sara që interpretohet nga Olta Gixhari. Është një dashuri e pjesshme, e mbushur me dyshim dhe paranojë. Filmi flet për një brez të ri, i cili e ka të pamundur të shkëputet nga tutela dhe ndikimi i një rendi shoqëror të sëmurë. Sado që Branko përpiqet të kalojë ndikimin e një të shkuare të molepsur në marrëdhëniet që e rrethojnë, ai gradualisht zbulon një botë të ndërlikuar dhe të pabesueshme në dredhitë e saj. Babai i tij, doktori i respektuar, Sokrati, që interpretohet nga Niko Kanxheri, duke u munduar të mbrojë të birin nga disa të vërteta, e ka lënë atë krejtësisht të pambrojtur nga realiteti. Pjesë e labirinteve ku hyn i biri është ai vetë. Pra, filmi flet se si dëshira për ego dhe pushtet e babait pa dashje godet të birin. Në këtë rrethanë, në bërthamë të filmit gjendet një baba dhe një bir, duke e sjellë filmin në fushën e një beteje të heshtur midis dy brezave, secili në luftë për jetën. Pra, përtej një historie dashurie filmi “Pharmakon” vizaton një luftë të hapur mes dy botëve, e cila nuk mund të ketë zgjidhje që të kënaqë të gjithë palët.
Sa e prekshme është kjo temë nga shoqëria shqiptare dhe më gjerë?
Megjithëse jam nisur të bëj një film për shoqërinë tonë, por edhe me një shtrirje më të përgjithshme, pasi tema që trajtojmë fare mirë mund të kishte ndodhur në çfarëdo qyteti të botës, me cilët do njerëz në rruzull. Kjo ka qenë një nga nismat e mia, dhe sinqerisht mendoj se filmi shqiptar duhet të orientohet më tepër drejt temave universale. Mendoj se e kemi sjellë dhe se kemi bërë punë të mirë e të veçantë, shumë shqiptare dhe shumë universale njëkohësisht. Duke qenë se vetë vij nga shkolla suedeze e filmit, kërkova bashkëpunëtorë dhe bashkëpunim me influencë nga Lindja. Kërkova në këtë mënyrë të afrohem pak me qendrën, ku mund të themi është shija e publikut tonë, por edhe më gjerë. Për këtë film kam bashkëpunuar me një korean që është drejtori i fotografisë dhe një izraelit, ndaj mendoj se filmi përcjell e gërsheton disa kultura. Mendoj që edhe pse bashkëpunëtorët kryesorë vinin nga kultura të ndryshme, arrita të koordinoj që filmi të dilte sipas vizionit tim. Di të them që një pjesë e madhe jona ka dhënë maksimumin. Në këtë film një pjesë e madhe bashkëpunëtorësh e kishin për herë të parë aktivizimin në film. Këtë e bëra në mënyrë të vetëdijshme, duke dashur t’u japë dorë një pjese të rinjsh. Kjo solli natyrisht edhe vështirësi, pasi filmi kërkon njerëz me eksperiencë dhe që e njohin punën dhe ngarkesën që xhirimet e një filmi kanë. Të gjithë ata që kanë punuar me mua për realizim e këtij filmi kanë një meritë të madhe, pasi edhe buxheti me të cilin ai është bërë ka qenë modest. E rëndësishme është që xhirimet, me gjithë vështirësitë që kishin, mbaruan dhe tani pret faza pas produksionit, që zgjat disi më shkurt se faza parapërgatitore, por ka edhe kjo kohën e saj.
Pse i jeni futur rrugës së artit, ka ndikuar familja juaj në këtë zgjedhje?
Familja duhet të ketë ndikuar, por nuk e mbaj mend se si. Me siguri duhet të më jetë “larë truri”. Mund të kenë ndikuar dhe shumë gjëra të tjera. Sidomos në shekullin e kaluar, kur kemi lindur ne, i cili na ka mbushur mendjen se shumë prej zgjidhjeve i kemi bërë vet, por unë besoj shumë pak në këtë. Unë jam partizan i botës së mendimit. Arti është një fraksion i rëndësishëm i saj. Bota e mendimit është familja ime ”sekrete”.
Sa e vështirë ju është dukur kjo rrugë deri tani?
Arti dhe mendimi mund të jenë sa afër aq edhe larg njëri-tjetrit. Flas për mënyrën se si mund të perceptohet arti në zhargon. Filmi nuk është detyrimisht art. Është shumë e vështirë të bësh një film të hyjë në art. Ky është synimi im. Rruga e artit është e vështirë në aspektin privat, në atë human, pasi ka kosto të tjera anësore. Rruga e mendimit pastaj është paralele, por më e gjatë. Megjithatë, çdo profesion nëse do të tejkalosh normalen është i vështirë. Kjo vlen sidomos për ndonjë njeri obsesiv, si puna ime që e merr shumë seriozisht.
A ju jep mundësi ky profesion në Shqipëri të ndërtoni një jetë luksoze, siç ndodh në botë?
Nuk besoj se artistët në përgjithësi në botë bëjnë jetë luksoze. Do më pëlqente të bëja një jetë të tillë, por për këtë duhet të kisha zgjedhur ndonjë profesion tjetër.
Si ka lindur ideja e filmit që jeni duke e përfunduar ndërkohë?
Kam plan që “Pharmakon” ta nxjerr edhe në formë teksti. Është një projekt i imi personal i nisur qysh me kohën e shkrimit të skenarit. Pra, “Pharmakon” do të dalë edhe në formë libri. Për këtë do të flas më vonë, pasi puna të jetë gati. Në lidhje me filmin, ai e ka gjenezën në një kohë të vështirë të miqve të mi në Tirane para disa vjetësh dhe më vonë në disa gërshetime të caktuara filozofike që nisin nga Derrida e më tej në post strukturalizëm. Mendoj se kam hedhur në film një semiotikë të caktuar, e cila përcjell një pjesë idesh, disa të tjera i insinuon tërthorazi disa më direkt. Filmi ka qenë një ndërthurje midis personazheve, vendndodhjes dhe një plethore motivacionesh në formë idesh dhe qëllimi. “Pharmakon” është një nocion i caktuar filozofik i lidhur ngushtë me mendimin post-modern. Një nga idetë fillestare ishte për shembull që filmin do ta zhvilloja në një farmaci. Filmi ka në qendër besimin. Në përgjithësi besimi i verbër i njerëzve te medikamentet më ka intriguar, pasi ia kalon atij fetar që ndodh në kishë dhe e zbret me këmbë në toke, duke e trivializuar ose jo.
Si i keni zgjedhur aktorët pjesëmarrës dhe a jeni i kënaqur nga puna e tyre tani që xhirimet kanë përfunduar? Për aktorët, tani pasi faza e parë është e kryer, besoj se kam bërë zgjidhjen më të mirë të mundshme. Nuk ka qenë e vështirë t’i zgjedhje. Besoj se ata e kanë realizuar mjaft mirë rolin që kanë pasur, këtë pritet ta vërtetojë publiku.
Kemi dëgjuar që në këtë film ka skena erotike, sa e vërtetë është kjo dhe si i keni realizuar këto skena? Po, filmi ka skena dashurie, pak a shumë, më tepër apo më pak dashurie kur e mendoj pasi jo gjithmonë skenat e dashurisë janë skena dashurie në jetë, por ka skena dashurie. Filmi flet për një ambivalencë në dashuri. Dhe nuk e di a mund të quhet dashuri diçka që nuk është dashuri. Ndoshta termi “erotik” në këtë këndvështrim është më i saktë. Erotizmi është pjesë e madhe e jetës dhe që në fillim kam dashur të kem një film sa më të vërtetë. Ndoshta në thelb kam bërë një film ”erotik”. Shpresoj po aq erotik sa ”Vertigo” e Hitchcockut. Me vjen të qesh kur e them këtë sepse nuk është e vërtetë. Ka skena të tilla, por mos prisni të bëhet nami.
Si e keni siguruar buxhetin e këtij filmi, a ju ka ndihmuar MTKRS? Buxheti është siguruar si të gjithë filmat e tjerë shqiptarë të realizuar në këto vite. Risia në konkurrimin tim ishte se QKK kishte akorduar një fond të veçantë për filmin alternativ dhe për filmat që do të ishin vepër e parë e autorit. Kjo besoj ka qenë politika më e mirë dhe për t’u përshëndetur që ka bërë QKK vitet e fundit dhe personalisht kryetari i saj, Xhevdet Ferri. Uroj që të mos i zhgënjejmë dhe kam bindjen e plotë se kjo nuk do të ndodhë.
Ku janë realizuar xhirimet e filmit? Xhirimet janë realizuar në Tiranë dhe Durrës. Kam zgjedhur vende të veçanta. Herë-herë vende që në Tiranë që jam i sigurt ju nuk e dini që janë kaq pranë.
Mund të na tregoni ndonjë moment të veçantë gjatë xhirimeve?
Gjatë filmit ka pasur momente mjaft të vështira, por të veçanta, kështu një prej tyre ka qenë edhe dhënia e makinës nga ana e Kastro Zizos, e cila ishte një eksperiencë e veçantë për stafin në tërësi. Një ndodhi tjetër ishte se një natë Kastro, diku nga ora 5 e mëngjesit, la xhirimin duke shkuar në urgjencë për të marrë serum, gjë që në fillim s’e besova, por ishte e vërtetë.
Sa i përfshirë jeni në “Çështjen e Akademisë Marubi”, dhe çfarë zgjidhje mund t’i jepni kësaj çështjeje? Për sa i përket kësaj çështjeje, mendoj se Kujtim Çashku e meriton shkollën që ka ngritur.
***
Intervista, Kastro Zizo: Skenat erotike, fillimi qe pak i vështirë
Kastro, jeni bërë pjesë e një filmi që shumë shpejt do të jetë premierë në Tiranë. A është ky një hap tjetër në botën e artit veç muzikës?
Në fakt nuk është eksperienca ime e parë në fushën e aktrimit, pas disa roleve në teatër dhe në filma me metrazh të shkurtër. Ky film ku jam protagonist, është një film me metrazh të gjatë, me regji të Joni Shanajt.
“Pharmakon” ju vë në qendër të një situate tipike të shoqërisë shqiptare. Si e ke përjetuar rolin?
Roli im në këtë film është i një personazhi problematik me veten e tij, të mbushur plot me dilema ekzistencialiste. Gjë që reflekton në mënyrë tipike atë të një të riu në botën shqiptare. Rolin e kam përjetuar shumë mirë, pavarësisht se shumë pak ka nga vetja ime.
A je ndjerë ndonjëherë në një rrugëtim të tillë në jetën tënde reale?
Besoj se jo vetëm në jetën time por edhe në atë të shumë të rinjve, këta të fundit janë përballur me një situatë të tillë. Mendoj që gjëja më e mirë për t’u bërë është ajo e një reflektimi të thellë dhe të gjatë në vetëdije për të arritur paqen dhe kontaktin me krijuesin.
Filmi, nga sa kemi parë nga traileri duket i realizuar shumë mirë. Si e ke ndjerë veten në shesh të xhirimeve?
Nuk kam pasur veçanërisht pjesë të vështira për të realizuar, përveç disa skenave erotike, por shumë mirë të justifikuara nga regjisori.
A të shpëton dashuria Kastro nga gjithë cinizmi dhe korrupsioni, pse jo edhe nga kalbja e shoqërisë?
Dashuria është një mjet iluziv shpëtimi dhe në thelb mbetet emocion i cekët i natyrës njerëzore. Mendoj se më shumë se të shpëton është një skud iluziv mbrojtës, që njerëzit ia bëjnë vetes në kërkim të paqes supreme.
Sa reale e ndjen komplet ngjarjen e këtij filmi?
E ndiej shumë në mishin tim, pasi filmi përveç historisë së dashurisë midis dy të rinjve trajton dhe një problematikë reale në shoqërinë tonë. Ajo e shitblerjes së barnave në tregun shqiptar. Aq më tepër që nëna ime e vuan një pasojë të tillë, më bëri më shumë të reflektoj mbi realitetin e hidhur ku jetojmë.
Mund të na thuash diçka më shumë për bashkëpunimin me regjisorin Joni Shanaj?
Joni Shanaj është një regjisor i ri, por me një kapacitet që shumë shpejt pritet të shpërthejë në botën kinematografike, në tregun shqiptar dhe më tej. Është krijuar për të dalë klisheve të kinemasë sonë.
Pas këtij filmi mendon të kesh një karrierë më aktive si aktor Kastro?
Artisti është gjithmonë në pritje të ofertave, flas për ato të mirat. Sigurisht që e shoh dhe madje më intrigon gati-gati më shumë se muzika.
Bashkëpunimi me Olta Gixharin si ishte?
Me Oltën ishte një bashkëpunim shumë i mirë dhe korrekt. Ajo është një aktore profesioniste dhe plot talent. Kur punon me profesionistë, sigurisht që ndihesh më i qetë dhe më efektiv në punë.
Keni pasur vështirësi në realizimin e skenave erotike?
Fillimi qe pak i vështirë, por pastaj kur kupton që janë domosdoshmëri të filmit, ato thjesht rrjedhin…
Mendon se filmi do të ketë më shumë sukses jo vetëm për historinë në thelb, por pikërisht edhe për “kureshtjen” e këtyre skenave në film?
Nuk di ç’të them! Mendoj se ajo faza e shqiptarëve të etur për seks ka kaluar dhe besoj se filmi do të vlerësohet për atë çfarë është në thelb. Po, sigurisht edhe për skenat e trajtuara me finesë.
Kastro, mund të na thuash dhe diçka tjetër? Si po e përjeton faktin që do bëhesh sërish baba?
Për pak kohë unë bëhem sërish me një fëmijë, me një mrekulli, me një princeshë të vogël. E përjetoj në mënyrën më sublime... bukur, pastër dhe plot dashuri!
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi