Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

"ARBERESHA" Zbulohet opera e parë shqiptare Empty "ARBERESHA" Zbulohet opera e parë shqiptare

Tue 10 Apr 2012 - 19:23
"ARBERESHA" Zbulohet opera e parë shqiptare 53199Nga: FATMIRA NIKOLLI


TIRANË- Ata janë 10! Muziktarët rilindas, që hodhën themelet e tingujve shqip pothuaj një shekull më parë, vijnë tok në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, për të na dhënë emocione të jashtëzakonshme. Vepra të rralla, dorëshkrime të panjohura që kanë fjetur, janë fshehur, janë harruar apo janë ndaluar në këtë shekull "të rrëmujshëm" shqiptar, rizgjojnë kohët e epokat në një mbrëmje dedikuar rilindasve. Nën titullin "Pena e muziktarëve rilindas", koncerti i së martës në mbrëmje në Opera, në një pjesë të mirë të repertorit sjell ekzekutime që vijnë për herë të parë nga pena e: Palok Kurtit, Frano Ndojës, Fan S. Nolit, Lec Kurtit, Martin Gjokës, Thoma Nasit, Murat Shehut, Mikel Koliqit, Prenk Jakovës dhe Kristo Konos. Në koncert do të ndiqet edhe dokumenti i parë i muzikës shqiptare (1881) "Bashkimi Shqipërisë", "Himni i Organizatës Vatra" deri tek krijimet e viteve 1930-1940. Në koncertin që vjen si bashkëpunim mes Ministrisë së Kulturës dhe Sporteve dhe Teatrit të Operës, interpretojnë solistët: Irini Nikolla, Ylber Gjini, Vikena Kamenica, Sonila Baboçi, Shpresa Beka, Eriona Gjyzeli, Irida Dragoti, Denis Skura, Solen Alla. Kori dhe Orkestra Simfonike e T.K.O.B. Në piano janë Lindita Kotorri dhe Ardita Bufaj; kormaestër Dritan Lumshi; dirigjent Zhani Ciko (Mjeshtër i Madh).

E rralla "Arbëreshë"
Nuk dihet në ç'rrethana është shkruar, madje nuk dihet nëse është vënë ndonjëherë në skenë, por me siguri dihet se ajo është opera e parë shqiptare. "Arbëreshja" titullohet vepra e shkruar prej Lec Kurtit në vitin 1915. Ajo është pjesë e koncertit të veçantë me titull "Pena e muziktarëve rilindas", që vihet në skenë të martën në mbrëmje, ora 19:00. Prof.Zhani Ciko, shpjegon se opera e panjohur e diplomatit shkodran, është e para e shkruar nga një kompozitor shkodran, pra më e hershmja, edhe pse nuk dihet nëse e ka prekur skenën. "Lec Kurti është mjaft interesant dhe pse për të është folur pak ose aspak. Gjatë viteve mes dy luftërave ai ka qenë diplomat dhe gjendej nëpër ambasada. Më tej erdhi në Shqipëri si patriot për të kontribuar për vendin e tij. Ka qenë i djathtë, nga bindjet politike dhe bashkë me Mit'hat Frashërin, qe një nga themeluesit e Ballit Kombëtar", - sqaron Ciko, ndërsa e vlerëson figurën e tij. Por, veçse një diplomat karriere e kontribuues për Shqipërinë, ai qe edhe i biri i Palok Kurtit, një ndër më të parët kompozitorë shqiptarë. Nga dorëshkrimet e mbetura mësohet se Lec Kurti kompozoi muzikë deri në vitet 1916 dhe më pas iu kushtua tërësisht diplomacisë dhe politikës. Nga opera "Arbëreshja", një nga krijimet e rëndësishme të Lec Kurtit, kanë mbetur vetëm 11 fashikuj nga akti i parë. Historikisht "Arbëreshja" është opera e parë e shkruar nga një kompozitor shqiptar. Nuk dihet nëse vepra është ekzekutuar ndonjëherë qoftë dhe pjesërisht. "Ne do të vëmë në skenë të martën vetëm një pjesë, monologun dramatik të saj. Nuk e kemi të plotë operën, por mund të them se nga aq sa kemi kuptohet se është një vepër patriotike nga konteksti, ku përmendet Skënderbeu. Ajo është e lidhur pazgjidhshmërisht me fatin e Shqipërisë", - tregon Ciko. I pyetur se ku është ruajtur deri më tani, maestro përgjigjet se vepra është mbajtur dhe i është dhënë operës nga nipi i Lec Kurtit, Albert Kurti, në Shkodër. "Gjatë komunizmit as vepra, as vetë Lec Kurti nuk u përmendën. Për herë të parë për të më ka folur Tinka Kurti, që kishte lidhje farefisnore", -rrëfen Ciko.

Kompozitorët rilindas
Palok Kurti ( 1860-1920) ka lindur në Shkodër. Ishte kompozitori dhe muziktari i parë që dha sinjalin e lindjes së artit shqiptar të kultivuar. Kompozoi "Bashkimi i Shqipnis" në 1881, që konsiderohet vepra më e hershme e muzikës së kultivuar shqiptare. Me anë të krijimeve përpunimeve dhe aranzhimeve të këngëve popullore kryesisht qytetare vuri gurin e parë në evolucionin e gjinive të ndryshme të muzikës shqiptare. Palok Kurti ishte një ndër 31 orkestrantët e të parës orkestër frymore në qytetin e Shkodrës, më 1878. Disa nga këngët më të njohura shkodrane si: "Marshallah bukurisë sate"; "Për mu paska ken kismet", "Karajfili kuq si gjaku", "Kur fillon dita me dalë", "Ta dish ta dish" janë krijime të tij. Palok Kurti shkroi vepra të tilla si: Kuadrilja "Saksi im"; Polka për klarinetë "Dallëndyshja", marshin "Turqit në Maqedoni" etj. Për sa i përket muzikës liturgjike më të njohurat janë: "Mesha për nder të Shna`Ndout", "Litani" etj. Përshtati për formacion orkestral pjesë nga literatura botërore, nga operat: "Trovatore", "Ballo me maska", "Norma" etj. Frano Ndoja (1867-1923) lindi në Shkodër në një familje zanatçinjsh. Krijimet e tij më të goditura muzikore janë: "Kënga e Konstitucionit 1908; "Gjama e Tomorrit"; "Vdekja e Pirros"; (këto të dyja janë pjesë melodramatike për solistë shoqëruar me piano), marrë nga drama me të njëjtin titull të patriotit Mihal Gramenos. Karakteri shoqëror e patriotik ishin tipare të krijimtarisë muzikore të Fran Ndojës. Banda muzikore e qytetit të Shkodrës e drejtuar nga ky mjeshtër ishte ajo që në vitin 1920 i priu vullnetarëve që shkuan në luftën e Koplikut kundër forcave shoviniste serbo-malazeze. Fan S. Noli (1882-1965) dha një kontribut të çmuar në thesarin e kulturës shqiptare. Në periudhën 1925-1930 krahas veprimtarisë patriotike, politike zhvilloi edhe një punë të dendur krijuese, shkroi vjersha, shqipëroi disa kryevepra të letërsisë botërore, botoi artikuj etj. Duke iu përkushtuar krijimit të Kishës autoqefale shqiptare u mor dhe me muzikë, ku kontribuoi për krijimin e liturgjisë ortodokse në gjuhën shqipe. Ai ka kompozuar: Poema simfonike "Skënderbeu" (1937); Rapsodi shqiptare (1937); Uvertura me tema bizantine (1939); Sonatë për violinë e piano (në një kohë) (1940); Baladë për tenor dhe orkestër "Gaspari i varfër" (1937); Antologji me këngë për Kishën Ortodokse shqiptare në SHBA (1937); "Psalmi 137" për kor acapella (1938). Lec Kurti (1884-1948) lindi më 9 maj 1884 në Shkodër. Si bir i kompozitorit të shquar Palok Kurti ishte e natyrshme të vazhdonte dhe ai në fushën e muzikës. Në vitin 1909 filloi studimet në liceun e Pesaros dhe më vonë krahas kompozicionit studion dhe për diplomaci në Venecia. Krijimtaria e tij vazhdon me Sonatë për piano (1915), Kuartete harqesh, cikli me Romanca dramatike, Trio pianistike, prelude, korale etj. Në të gjitha këto gjini ai është autori shqiptar më i hershëm historikisht. Krijimtaria e tij mbeti tërësisht e panjohur deri në vitet '90-të, për shkak të përfshirjes së tij në politikë, largimit nga atdheu në prag të vendosjes së regjimit komunist dhe persekutimit të familjes së tij nga ky regjim. Vetëm në vitin 2008 nën kujdesin e Znj. Jozefina Topalli botohet vëllimi "Musica Albanica" me disa nga veprat më të zgjedhura të autorit.
Martin Gjoka (1890-1940) lindi në Tivar dhe është ndër kompozitorët më me ndikim të muzikës shqiptare. Shkoi në Shkodër që në moshën 15 vjeç ku futet në shkollën e etënve françeskan[. Në moshën 18 vjeç eprorët me largpamësi e nisin për në Salzburg të Austrisë ku përveç filozofisë e teologjisë, ndjek dhe shkollën muzikore nën drejtimin e prof. Hartman ku fillon dhe kompozimet e para. Kompozoi muzikë polifonike dhe korale dhe la të papërfunduar një simfoni "Dy lule mbi vorr të Skënderbeut". Me muzikën e At M. Gjokës u krijuan dhe u vunë në skenë veprat: Juda Makabe" dhe "Shqyptarja e Qytetnueme" me tekst të At Gjergj Fishtës, si dhe vepra të tjera me tekste të At Vinçenc Prenushit dhe At Leonardo de Martinos.
Thoma Nasi (1892-1964) lindi në Dardhë të Korçës dhe emigroi në SHBA. Kreu studimet e larta muzikore në konservatorin e New Englandit. Në vitin 1915-1916 themeloi dy formacione orkestrale me shqiptarë të Amerikës, orkestrën "Dodona" dhe bandën "Vatra", në krye të së cilës më 1920 ai erdhi për të marrë pjesë në luftën e Vlorës, ku lindi dhe kënga patriotike shumë e njohur "Vlora Vlora" me vargje të Ali Asllanit. Në vitet 1920-1925 kaloi në Korçë duke ia kushtuar të gjitha energjitë aktivitetit muzikor. Aty krijoi, bashkë me artistët Vangjush Mio dhe Mihal Ciko, Shoqërinë e Arteve të Bukura e përkrahur nga patrioti Hil Mosi, prefekt i Korçës aso kohe. Kompozoi këngë lirike dhe disa pjesë instrumentale si: "Fyelli i bariut", " Bilbili", "E qarë", "Katër valle"etj. Më pas u vendos në Tiranë ku krijoi bandën e parë kombëtare. Thoma Nasi u largua nga Shqipëria në 1926 dhe u vendos sërish në SHBA ku vazhdoi të punonte si dirigjent i orkestrave frymore. Krijimtaria e tij përfshin pesë rapsodi, "Marshin e Skënderbeut", "Polka", mbi 30 këngë të ndryshme lirike etj. Himni i Shoqatës "Vatra" ekzekutohet për herë të parë dhe regjistrimi i tij me artistët e T.K.O.B do t'i dhurohet Shoqatës "Vatra" në SHBA me rastin e festimit të 100-vjetorit të krijimit të saj.
Murat Shehu (1897-1978) ka lindur në Berat dhe emigroi herët në SHBA ku punoi si një punëtor i një fabrike lëkure në Filadelfia për shumë vite me radhë. Pasi mbaroi studimet me sukses në fushën e muzikës krahas punës në fabrikë, netëve krijon veprat muzikore. Ëndrra e tij ishte të bëhej kompozitor. Veprat e tij mbështeten kryesisht në thesarin e këngës popullore shqiptare, të cilën ai e ruajti në kujtesën e tij. Kompozoi mbi 30 këngë të ndryshme lirike ndër të cilat spikasin: "Lulja e Shqipërisë", "Mëma jonë", "Zog Gjyzari", "Gocë e lalës", "Kur mu qase pranë", "Një natë në Shqipëri" etj. si dhe mjaft pjesë muzikore, kryesisht me temën e mallit për atdhe, siç janë edhe tre poema simfonike me titull "Rapsodi shqiptare". Ato u ekzekutuan nga orkestra të ndryshme në SHBA. Veprat e këtij kompozitori, ruhen në selinë e përfaqësisë sonë në OKB dhe në Bibliotekën muzikore të Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë.
Mikel Koliqi (1902-1997) lindi në Shkodër. Studimet fillore dhe të mesme i kreu në Itali dhe pastaj ndërpreu studimet e larta në degën e inxhinierisë politeknike dhe iu përkushtua studimeve teologjike në Milano. Më vonë, me rekomandim të Ipeshkvit, Mikeli shkoi në Austri ku perfeksionoi njohuritë e tij në fushën e kulturës e artit. Pas kthimit organizon korin e katedrales në Shkodër duke i vënë emrin "Scola Cantorum". Kompozoi rreth 30-40 pjesë të ndryshme korale, shumica me subjekt kishtar. Realizoi në skenë tri melodrama me theks të fortë patriotik si "Rozafa"(1936), "Rrethimi i Shkodrës" (1937) dhe "Ruba e Kuqe" (1937), të gjitha këto vepra me libret të Dom Ndre Zadesë. Pas një persekutimi të gjatë 40-vjeçar në burgjet e diktaturës mundi të mbijetojë. Në vitin 1992 ai mori titullin "Pishtari i demokracisë".
Prenk Jakova lindi në 27 qershor 1917 dhe vdiq më 16 shtator 1969 në Shkodër. Shkollën fillore dhe gjimnazin i kreu në qytetin e tij të lindjes dhe qysh në këtë moshë shfaqi prirje të spikatura për muzikë. Në vitin 1936 formoi Bandën Muzikore të qytetit "Ilyricum" me fëmijë në moshat 9-14 vjeç, ku ndër to ishin dhe Tonin Harapi, Çesk Zadeja, Tish Daija, Simon Gjoni, Tonin Rrota etj që në vitet e mëvonshme do të bëhen ndër kompozitorët më të shquar shqiptarë. Studimet e tij muzikore për klarinetë i ndoqi për pak kohë në konservatorin "Santa Cecilia" të Romës në vitin 1943. Prenk Jakova është krijuesi i operas së parë shqiptare, të vënë në skenë fillimisht në Shkodër drejtuar nga vetë autori, "Mrika", në vitin 1958, mbështetur në veprimin skenik "Dritë mbi Shqipëri". Krijimtaria e tij kulmoi në vitin 1968 me operan "Skënderbeu".
Kristo Kono (1907-1991) ka qenë kompozitor i brezit të parë të krijuesve profesionistë shqiptarë. Aktivizohet që në moshë të vogël në Shoqëritë Kulturore të Korçës, ku në vitin 1920 bën pjesë në Bandën e Bashkisë dhe tre vjet më vonë është klarinetist në Bandën "Vatra" me Thoma Nasin. Ndjek studimet e larta në konservatorin "Giuseppe Verdi" të Milanos, të cilat i përfundon në vitin 1932. Në këtë periudhë kompozon këngë të ndryshme për korin "Lyra" të cilin e drejton vetë. Në vitin 1936 bashkëpunon me sopranon Tefta Tashko dhe kompozon tri këngë popullore të përpunuara si: "Kur më vjen burri nga stani"; "Sy larushja"; "Mes`hollë këputura" etj , të cilat edhe sot janë mjaft të njohura. Në vitin 1954 kompozon operetën e parë shqiptare "Agimi" dhe më pas operan "Lulja e Kujtimit". Opera e mëvonshme e tij "Prometheu" u ndalua të vihet në skenë. Kristo Kono për aktivitetin e tij është nderuar me titullin e lartë "Artist i Popullit".
(el.me/GazetaShqiptare/BalkanWeb)
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi