Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Hana Këlcyra: Ja Amaneti I Eqerem Bej Vlorës Empty Hana Këlcyra: Ja Amaneti I Eqerem Bej Vlorës

Tue 17 Apr 2012 - 3:12
Hana Këlcyra: Ja Amaneti I Eqerem Bej Vlorës Hana-Kelcyra-300x230Në politikë nuk ka as miq, as armiq. Sipas politikës ndërrojnë edhe aleancat. Këtë thënie të Ali Bej Këlcyrës, vajza e tij, Hana e kujton sot e kësaj dite, teksa komenton figurën e Ahmet Zogut, një “armik” politik i të atit. E ftuar në emisionin “Arena” të gazetarit Roland Qafoku, Hana Këlcyra rrëfen lidhjet me familjet e mëdha të Shqipërisë, të shumëkomentuarin pakt Dalmazzo-Këlcyra, apo takimin me Zogun në pallatin e tij në Egjipt. Ajo komenton edhe nismën e kryeministrit Berisha për kthimin e eshtrave të figurave të shquara në atdhe, apo vdekjen në duart e saj të Eqerem Bej Vlorës.

A e ka rikthyer Shqipëria traditën e familjeve të mëdha pas viteve ’90?

Sipas dijenisë sime, këto familje jo vetëm injorohen nga qeveria shqiptare, por mund të them se ato quhen çifutët e Shqipërisë. Ne kemi pasur dhjetë familje të mëdha, por kam përshtypjen se ne jemi të izoluar, sepse nuk gjej në asnjë vend që të ketë pozitë në shoqërinë shqiptare. Asnjë deputet në Parlamentin shqiptar nuk vjen nga këto familje. Me sa di unë, dy deputetë i përkasin minoritetit grek, por asnjë deputet nuk përfaqëson me të vërtetë të djathtën.

Si ndjeheni kur shikoni një rezyme të historisë së familjes Këlcyra, babait tuaj, apo dhe ju vetë?

Unë nuk jam një personalitet që hyn e del nëpër shtëpitë e shqiptarëve nëpërmjet televizionit. Kjo është hera e dytë që jam një intervistë në TV, e para ka qenë ajo me Blendi Fevziun. Megjithatë, unë jam e gatshme të kontribuoj që të njihet historia e Shqipërisë, sidomos ajo e kaluar, e cila është në heshtje shpeshherë dhe jo e saktë.

Pse duhet që shqiptarët të dinë historitë e familjeve të mëdha, çfarë duhet të na interesojë ne për to?

Ju intereson apo nuk ju intereson, unë këtë nuk e di. Por duhet ta dinë sepse këto familje kanë bërë Shqipërinë. Ato kishin mundësi për ta bërë, mundësitë kulturore, ekonomike por edhe kishin mbetur të tilla edhe pas 500 vjetëve të sundimit osman. Për sa i përket familjes sonë, ne kemi qenë të krishterë, para ardhjes së Turqisë. Këtu bëhet fjalë për rreth viteve 1272, me Andrea Muzhakën.

Si e keni të vërtetuar këtë?

Eqerem Bej Vlora më ka thënë që në arkivat e Napolit është dekreti që i ka dhënë Andrea Muzhakës titullin Konte ti Clissania dhe kishin si detyrë të mbronin e të ruanin udhën e vjetër romake, që lidhte Shqipërinë me Bizantin apo Stambollin e sotëm.

Ju folët për familjet e mëdha, por çfarë i ka dhënë më konkretisht në aspektin historik dhe patriotik familja Këlcyra, pra në atë që quhet çështja kombëtare?

Me sa di unë, me prishjen e sarajeve u dogjën edhe dokumentet që i përkisnin familjes dhe në to kishte dokumente në kohën që familja ka qenë e krishterë dhe këtë e di me siguri. Kjo sepse kur babi i vogël, kurioz, pyeste se çfarë kishin brenda disa hambarë që ishin në shtëpi, të tjerët i përgjigjeshin “kur kemi qenë ashtu”, pra nuk donin të thoshin “kur kemi të qenë të krishterë” .

Ju quheni vajza e Ali Bej Këlcyrës, edhe pse ky emërtim nuk ju pëlqen…

Mua më vjen për të qeshur sepse babai, jo vetëm ka hequr dorë nga titulli “Bej”, por kërkoi që të gjithë bejlerët të mos e mbanin këtë titull. Jo vetëm se ky ishte një titull osman, por edhe sepse me këtë titull lidheshin edhe shumë detyrime.

A e dëgjuan bejlerët e tjerë babain tuaj?

Jo, përkundrazi, babai u kundërshtua shumë nga bejlerët dhe deri sot kam dëgjuar shumë njerëz që e akuzojnë se ka tradhtuar klasën e tij. Kjo më bën shumë për të qeshur, por nuk më prek. Komunistët, rreth viteve ’41, atëherë kur filluan të konfrontoheshin me fjalë, nuk e kanë harruar kurrë titullin ‘Bej’ për ta quajtur atë si armik. Por idetë teorike të komunizmit afroheshin shumë me idetë e babait tim, por vetëm një gjë i ka ndarë dhe ajo ishte Kosova.

Për të gjitha ata që nuk ju njohin mirë, a mund të na tregoni lidhjet e familjes suaj me familjet e tjera të mëdha?

Familja e Këlcyrës ka pasur të bëjë me oxhakun e Frashërit, jo me vëllezërit Frashëri, por me oxhakun e bejlerëve dhe me Mehdi benë, që ishte më i njohuri prej tyre. Stërgjyshja ime apo gjyshja e babait, Hanko Shega vjen nga ajo familje. Familja ka pasur lidhje edhe me Libohovajt, pasi sarajet janë bërë nga Hebejtulla Hanemi, e cila është mbesa e Ali Pashë Tepelenës, ose vajza e motrës. Ajo ka qenë martuar në familjen Libohova. Lidhje kemi pasur edhe me familjen e Faik Konicës, edhe pse ai kundërshtonte shumë familjen tonë. Ndërkohë kemi qenë të lidhur edhe me Vrionasit. Nëna ime ishte pjesë e kësaj familjeje, duke qenë vajza e Sali Pashë Vrionit nga Berati. Motra e madhe e mamasë u martua me Muhamed bej Këlcyrën, që ishte xhaxhai i babait. Diferenca mes motrës së madhe dhe mamasë sime ishte 17 vjeç, ndaj dhe ato u martuan me xhaxhanë dhe me nipin brenda familjes Këlcyra. Ndërkohë, dy motrat e mesme të mamasë janë martuar me bejlerët e Vlorës dhe përkatësisht me Eqerem Bej Vlorën dhe me Safa Bej Vlorën. Pra Eqerem Bej Vlora ka qenë burri i tezes sime, por ka qenë njëkohësisht edhe kushëriri i dytë i imi. Sepse mamaja ime me nënën e Eqerem beut ishin kushërira të para, kështu Eqerem Bej Vlora me gruan e tij ishin shumë të lidhur. Lidhje kemi pasur edhe me Zogollajt, pra me familjen e Ahmet Zogut. Nëna e mamasë rrjedh nga familja Biçaku e Elbasanit. Ajo kishte për nënë, motrën e Xhemal Pashë Zogollit, e cila bëri një djalë, Dervish benë. Ai kishte dy vajza që i martoi të Vrionët dhe kështu gjyshja ime nga ana e mamasë ishte kushërirë e parë me Ahmet Zogun.

Në jug ka një shprehje “A bëheni ju me të gjithë këta”?

Po, i kam takuar aq sa kam mundur. Për 50 vjet ne kemi qenë të ndarë dhe ata që jetoni jashtë Shqipërisë i takoja, ndërsa këta që ishin këtu nuk kisha mundësi, madje as të dërgoja letra.

Po tani i takoni?

Po, gjithnjë e më shumë.

Shumë është folur dhe shkruar përpara vitit ’90, por edhe pas tij për babanë tuaj, Ali Këlcyra, një personazh shumë interesant, por edhe kontradiktor. Ai u dënua me vdekje si nga Ahmet Zogu dhe Enver Hoxha. Për ne që jetojmë në demokraci, shumë pak e njohim këtë ngatërresë kaq të madhe. Pse babi juaj krijoi gjithë këtë histori kaq të ngatërruar dhe sa e vuajtët ju si familje këtë?

Unë besoj që njëfarë influence ka luajtur edhe shkolla që ka bërë në Gallatasaraj, e cila nuk ishte gjë veçse një lice francez. Kështu, ai ishte i frymëzuar me idetë e shkrimtarëve dhe filozofëve francezë. Një tjetër çështje është se babai im njihte vetëm oxhakun e Këlcyrës, sepse ai në moshën 9-vjeçare shkoi në Turqi dhe gjykonte vetëm familjen që me të vërtetë në atë kohë ishte klasë e mesme, sepse familja kishte ende trima me fustanella në oxhak. Pra, mbase së bashku me Markagjonët në veri ishte familja më e prapambetur nga të gjitha të tjerat në ato kohë. Babai ka pasur një vokacion shumë të madh për politikën dhe Shqipërinë që në moshë të vogël. Lidhjen me vendin e ka pasur edhe prej xhaxhait të tij, Muhamed beut, i cili ishte beu i fundit i Këlcyrajve dhe nuk ka qenë babai im. Im atë është i fundit i Këlcyrajve, por jo beu i fundit, sepse ai nuk ka vepruar kurrë si i tillë. Babai i përket Shqipërisë, ai ka qenë demokrat dhe kurrë nuk ka qenë marksist.

Habia më e madhe është që edhe mbreti Zog dhe Enver Hoxha e dënuan me vdekje babanë tuaj…

Ju e dini që si mbreti Zog ashtu edhe babai im kanë qenë deputetë në parlamentin e parë që është zgjedhur me vota direkte. Unë kam folur me mbretin Zog, duke i bërë një intervistë të vogël. Kjo intervistë më duhej për një shkollë, si detyrë në seminar. Atë e kam bërë rreth vitit ’50, në pallatin e tij në Egjipt.

A ia bëtë ju pyetjen se përse kishte dënuar babanë tuaj me vdekje?

Jo, kurrë, sepse nuk ishte interesante për mua. Në atë kohë isha shumë e re, dhe nëse do të kisha pasur më shumë mend do t’i kisha bërë shumë intervista, sepse ai ishte i gatshëm të fliste. Unë kam pasur një simpati për mbretin Zog.

Si mund të kishit simpati për dikë që u kishte dënuar babanë me vdekje?

Sepse babai më ka thënë se në politikë nuk ka as miq, as armiq. Sipas politikës, ndërrojnë edhe aleancat. Më parë mendohej se babai do të ishte një ndalesë për lidhjen që donin të bënin emigrantët shqiptarë. Po im atë tha që ai nuk kishte pasur rivalitet personal me Zogun. “Unë gjykoja politikën e jashtme që Zogu ndiqte dhe e konsideroja jo të dobishme për Shqipërinë”, – thoshte babai. Në kohën që u krijua kjo besëlidhje dhe ata u takuan, mbreti Zog që ditën që ishte larguar nga Shqipëria dhe deri atë ditë, ka pasur një qëndrim në favor të Shqipërisë dhe nuk i ka bërë asnjë dëm këtij vendi.

A e dënoni ju largimin e Ahmet Zogut pas pushtimit italian?

Unë nuk jam as historiane dhe as analiste për të folur për këtë çështje. Por mund të them se babai mendonte se pas lindjes së mbretëreshës, Ahmet Zogu mund ta dërgonte atë jashtë shtetit dhe vetë të tërhiqej në malet e Matit. Këtu nuk ishte çështja nëse do të fitonte apo jo, por të paktën do të bënte një farë rezistence. Largimi i tij mbase ka qenë një gabim, por Shqipëria ishte aq e vogël, sa ai pati frikë se më pas mund ta internonin apo gjëra të këtij lloji.

Si ju duk Ahmet Zogu në atë intervistë që ju i keni marrë?

Sigurisht shumë i zgjuar, ndërkohë që kishte një zë jo shumë të fortë.

A e keni të regjistruar këtë intervistë?

Jo, e mora me shënime, sepse me duhej vetëm për shkollë dhe as nuk e kam ruajtur. Ishte shumë interesante kur më tregoi si kishin kaluar një urë, në një anë të së cilës ishin italianët dhe në anën tjetër shqiptarët. Zogu kërkoi të bënte një kontakt të drejtpërdrejtë me gjeneralin italian dhe u takuan në gjysmën e urës. Duke mbajtur afër gjeneralin, Zogu u kishte dhënë urdhër shqiptarëve të qëllonin ushtarët italianë. Këta të fundit e kishin të pamundur të kthenin zjarrin, mund të vrisnin komandantin e tyre, kjo tregon një hile strategjike të Zogut.

Si keni jetuar ju dhe babai juaj me idenë që ai ishte i dënuar me vdekje?

Unë isha mësuar…edhe kur e kritikojnë babanë, jam shumë gjakftohtë, sepse në politikë duhet të jesh i gatshëm për kritika dhe sharje. Megjithatë, kujtoj se njëherë jam ndier shumë keq, pasi më ra në dorë në maj të 2007 një gazetë me titullin “Ndryshe”. Në të shkruhej: “Ali Këlcyra, tradhtari i madh i kombit”. Deri këtu nuk më bëri përshtypje se isha mësuar, por kur të shkruhej se babai im nuk është shqiptar dhe familja e tij gjithashtu, apo se gjyshi im nuk bënte dot fëmijë. Sipas kësaj historie, gjyshi ka shkuar në Kurdistan, në një befotrof për të marrë babanë dhe për ta sjellë atë në Shqipëri. Gjithashtu, në gazetë shkruhej se gjyshi kishte harxhuar shumë para për ta shkolluar babanë në Itali dhe kështu babai ishte bërë filo-italian. Për këtë dua të them se gjyshi im ka bërë 13 fëmijë dhe babai im ishte i dyti nga fëmijët.

Megjithatë, në historinë e babait tuaj ka një moment të errët dhe të pandriçuar. Këtu e kam fjalën për marrëveshjen Dalmazzo-Këlcyra, që është një njollë e errët e historisë. A mund të na e sqaroni këtë marrëveshje, pasi nëse do t’i kthehemi librave të historisë, babai juaj paraqitet si tradhtar.

Ky fakt më del gjithmonë përpara dhe më çudit, pasi nëse ka një kohë të jetës politike e babait që është e qartë si uji që pi, është ajo kohë me Dalmazzon. Didie, i cili ka shkruar biografinë e Titos, në një faqe, për herë të parë ka shkruar për babanë ashtu siç thatë ju, si tradhtar etj. Gjeneral Dalmazzo, gjatë kësaj kohe rronte ende dhe kështu që babai im i shkroi një letër duke e sqaruar për librin dhe iu lut që të thoshte se çfarë dinte Dalmazzo për këtë gjë. Kështu, Gjeneral Dalmazzo ka shkruar se ajo nuk ka qenë një marrëveshje, por një propozim. Bëhet fjalë për vitin 1943, kur Italia ishte drejt kapitullimit dhe në këtë kohë propozimi ishte që udhët e brendshme në Shqipëri të mos përdoreshin më nga ushtarët italianë. Këtë propozim, Italisë nuk mund t’ia bëje në 1939-ën, sepse ajo ishte fuqiplotë, por në ’43-in ishte e mundur. Ndërmjetësi i këtij propozimi ka qenë kryeministri Maliq Bushati dhe gjenerali Dalmazzo i ka thënë një gjë të tillë: unë personalisht nuk mund as ta pranoj, as ta refuzoj, sepse është një çështje shumë delikate.

Çfarë përfaqësonte babai juaj në këtë rast?

Babai përfaqësonte Ballin Kombëtar dhe ky propozim është nënshkruar nga Nuredin Bej Vlora dhe babai. Nuredini nuk ka qenë i ekspozuar dhe aq energjik as babai, dhe çuditem kur dy persona e kanë nënshkruar këtë dhe vetëm njëri bëhet përgjegjës. Përgjigjja nga qeveria italiane për këtë propozim nuk erdhi kurrë, sepse ajo shumë shpejt kapitulloi. Por unë them se edhe nëse qeveria italiane do ta kishte pranuar, unë e konsideroj një tradhti, sepse ai ishte vetëm një propozim strategjik për Shqipërinë.

Si e përjetuat humbjen e babait tuaj?

Ai ishte një shok madje, sepse si baba ishte ende i ri, shumë energjik dhe jo i sëmurë. Gjysmë ore para se të vdiste ka bërë gjimnastikë, është larë vetë, ashtu siç ishte veshur e kanë futur në arkivol. Unë kam qenë gjithmonë e përgatitur që ai do të vdiste, por jo nga Zoti, por nga rreziku se atë mund të vrisnin. Kur ishim në Shqipëri kishim frikë se mos e vrisnin komunistët, në kohën e mbretit Zog i janë bërë dy atentate. Njëri ka qenë me Koço Tasin në Athinë dhe tjetri në Paris.

Pas largimit nga Shqipëria në 1944 ekzistonte sërish rreziku?

Në fillim, sigurisht. Por në më pas qeveria shqiptare e kuptoi se këta që ishin jashtë nuk ishin më të rëndësishëm për Shqipërinë. Pra kjo qeveri ishte aq e fuqishme sa nuk i interesonte nëse babai im ishte gjallë apo vdekur.

A u bënë tentativa apo atentate pas ’44 për ta vrarë?

Jo, vetëm Sigurimi jashtë kishte informata mbi babain. Madje, disa shqiptarë që ishin spiunë i thanë babait të kishte vëmendjen kur të fliste me dikë, sepse ai do të raportonte në Shqipëri, por babai iu përgjigj: “Shumë mirë që ma thatë, se tani që e mora vesh do të flas edhe më shumë”.

Babai juaj vdiq në Romë dhe aje ka dhe varrin e tij. Kohët e fundit ka një nismë nga z. Berisha për të rikthyer në atdhe eshtrat e disa personaliteteve që i kanë dhënë shtetit shqiptar. Ideja është që do të bëhet një memorial për 100-vjetorin e Pavarësisë. A duhet të ishte babai juaj në këtë listë?

Babai i përket Shqipërisë, por unë nuk mund t’i jap urdhra z. Berisha për të sjellë eshtrat e tij. Im atë është një njeri që nga 1912 deri në 1944 ka dhënë një kontribut në çdo fazë që ka kaluar Shqipëria.

A nuk keni frikë se pas kthimit të këtyre eshtrave mund të ketë reagime nga ish-komunistë, pasardhës së tyre?

Dua të them diçka, babai nuk pati frikë kur ishte gjallë dhe jo më të ketë frikë tani që është i vdekur. Ai nuk ka thënë asnjë fjalë se çfarë do të bëhej me trupin e tij pas vdekjes, kjo ishte një gjë që nuk i interesonte. Idenë e kthimit të eshtrave ma ka thënë për herë të parë Mero Baze, pasi është një diskutim i hershëm që prej 5 vitesh. Kisha menduar se mbase qeveria shqiptare do të kërkonte leje për sjelljen e eshtrave të tij në Shqipëri, edhe pse nuk e di nëse do të donte apo nuk do të donte. Por unë si bija e tij mendoj se do të ishte një akt i bukur për Shqipërinë.

Zonja Këlcyra, flasim pak për figurën e Eqerem Bej Vlorës, që e kemi njohur nëpërmjet kujtimeve të tij, të cilat me aq sa kam njohur, jua ka lënë juve ato kujtime?

Jo, ato kujtime ai i ka shkruar pjesërisht në shtëpinë time në Vjenë. Eqerem Beu ka vdekur pa i mbaruar ato, ndërsa unë isha ajo që ia dorëzova Institutit dhe patëm probleme se qeveria komuniste shqiptare i ndaloi. Instituti që ia kishte kërkuar kujtimet Eqerem Beut, dëshironte që ai të shkruante kujtimet deri në 1944 për të sqaruar dhe pak politikën dhe kohën gjermane në Shqipëri, të cilën ju e përshkruani si shumë të egër. Nuk mund të krahasohet Italia me Gjermaninë, pasi Italia erdhi me idenë për të na pushtuar, ndërsa për Gjermaninë, Shqipëria ishte vetëm rruga për të kaluar në Greqi.

A mund të na tregoni momentet e fundit të Eqerem Bej Vlorës?

Momentet e fundit të tij nuk kanë qenë dhe aq të mira sa me babain tim. Ai banonte me mua në Vjenë dhe gjithë ditën shkruante kujtimet e tij. Në momentin e fundit i shkova në dhomë dhe pashë që ishte mbushur me djersë, ndërsa më tha që nuk ndihej mirë. Unë thirra urgjencën për ta çuar në spital dhe gjëja më e çuditshme ishte se ai me mua fliste shqip, ndërsa më doktorin gjermanisht. I habitur, doktori më tha se nuk ka mundësi që një njeri në këto kondita të flasë dy gjuhë. Para se të vdiste, Eqerem Beu më tha sesi duhej ta bëja varrimin e tij.

A kërkoi që eshtrat e tij të vinin në Shqipëri?

Këtë nuk ma tha, edhe pse me siguri do të kishte dashur. Por ajo çfarë nuk kërkonte ishte të vdiste në Itali.

Sa veta banonin në kullën e madhe të Këlcyrajve?

118 trima, që ishte si një ushtri e vogël, më pas ishin 40 shërbëtorë, dhe më pas gjyshi me fëmijët e tij.

A keni ndërmend t’i merrni të gjitha ato toka që janë në Këlcyrë, si pjesë e sarajeve të dikurshme?

Unë jo vetëm që nuk i kam marrë, por kërkojnë nga unë një dokument që janë tokat tona, por të gjitha dokumentet janë djegur së bashku me sarajet. Çdo fëmijë merr pronat e prindërve, ashtu siç babi im kërkoi pronat në ’39-ën pasi ia kishte zaptuar mbreti Zog.

Po me familjet që kanë ngritur shtëpi në ato toka, si do të bëhet znj. Hana?

Ai nuk është problemi im, por tokat i përkasin familjes. Por duke qenë se ato toka ishin shumë, si për babain ashtu edhe për mua që nuk kam fëmijë, unë në fillim kisha menduar që të ndërtoja një çerdhe dhe një azil dhe të bëja një fondacion të familjes Clissura.

Cila mendoni se është figura më e rëndësishme në këto 100 vjet shtet shqiptar?

Janë shumë figura, por sigurisht i pari ishte Ismail Bej Vlora. Gjithashtu do të veçoja edhe Ahmet Zogun për rangun që mori. I pari solli pavarësinë, i dyti krijoi një shtet shqiptar.shqiperia sot
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi