Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Shenjat paralajmëruese të depresionit Empty Shenjat paralajmëruese të depresionit

Sat 21 Apr 2012 - 3:31
A jeni ju apo ndonjë i afërm i juaj depresiv apo janë vetëm emocione që do të kalojnë? Nuk është gjithmonë lehtë të vërehet dallimi në mes depresionit dhe pikëllimit, veçanërisht nëse ka arsye të mirë për një disponim të tillë siç është humbja e punës, vdekja e një personi të afërt ose sëmundja. E rëndësishme është të dini se si pikëllimi është emocion, ndërsa depresioni sëmundje. Nëse simptomat janë aq intensive, pengojnë jetën tuaj të përditshme dhe zgjasin më gjatë se 2 javë, ka mundësi që bëhet fjalë për depresion.

Shenjat vijuese paralajmërojnë që personi nuk po kalon nëpër emocionet normale, por që vuan nga depresioni. Kini parasysh që simptomat ndryshojnë nga individi në individ. Personi depresiv me siguri nuk do t’i ketë të gjitha simptomat në të njëjtën kohë. Nëse ju apo dikush i afërm me ju ka disa nga simptomat dhe madje më gjatë se 2 javë, ndoshta duhet të kërkoni ndihmën e mjekut.

Ndjenja konstante e pikëllimit, ankthit dhe mospërmbushjes
Kjo simptomë shpesh duket vetëm si disponim i keq, por nëse disponimi i keq zgjat më shumë se 2 javë, dhe për këtë nuk ka shkak të arsyeshëm, me siguri fjala është për një problem më serioz.

Vështrimi i zbrazët, humbja e interesimit, paaftësia për të shprehur emocionet janë shenja të pikëllimit, ankthit dhe mospërmbushjes. Më së shpeshti personat që vuajnë nga depresioni nuk janë as të vetëdijshëm për këto simptoma. Nëse vëreni një sjellje të tillë tek personat e afërm, gjithsesi provoni të bisedoni.

Ndjenja e dëshpërimit, pavlefshmërisë dhe pafuqisë
Personi që vuan nga depresioni nuk mund të mendojë në mënyre racionale. Shpesh e fajëson veten për të gjitha situatat e këqija. Te depresioni i lehtë të pranishme janë ndjenja të ngjashme, por dukshëm më pak ekstreme.

Paaftësia e të menduarit pozitiv dhe ndjena që humbet kontrolli ndaj të gjitha situatave dhe vendimeve janë shenjat e para të depresionit. Nëse ai person shpesh thotë që nuk ka shumë mundësi, fat dhe se ndihet i padobishëm dhe i pakuptimtë, gjithsesi ka nevojë për ndihmë profesionale. Këto simptoma shumë shpesh bëhen edhe më intensive dhe personi fillon t’i kujtojë të gjithë gabimet e bëra në të kaluarën, për çka vazhdimisht e fajëson veten.

Të qarat e shpeshta
Qarja ndonjëherë është mënyrë e shkëlqyeshme që të lirohemi nga të gjithë emocionet negative, por nuk është normale nëse qarja është e pranishme çdo ditë. Nëse vëreni te personi i afërm që sytë i ka shpesh të kuq dhe të ënjtur, me siguri bëhet fjalë për qarjen e shpeshtë.

Një hulumtim ka treguar që femrat janë më të prira ndaj kësaj sjelljeje, për dallim nga meshkujt. Qarja nuk është gjithmonë tregues i depresionit, por episodet e shpeshta dhe të shkurtra janë.

Shqetësimi konstant dhe nervozizmi
Disa njerëz që vuajnë nga depresioni shpesh janë në ndonjë mënyrë hiperaktivë, nervozë dhe të paqetë. Nëse vëreni që personi i afërm për një periudhë më të gjatë ka shpërthime në temperament, shpesh është nervoz, ulet dhe çohet i shqetësuat, gjithsesi provoni ta ndihmoni. Personi depresiv shumë shpesh i zmadhon të gjitha problemet. Kjo shenjë nuk është vetëm një nga të metat, nuk është vetëm pesimizëm, por rruga drejt shqetësimit dhe parehatisë konstante.

Lodhja kronike dhe mungesa e energjisë
Lodhja dhe mungesa e energjisë mund t’ju ndodhë të gjithëve, por nëse pa arsye të fortë zgjat më shumë se 2 javë, në pyetje është një problem më i madh. Njerëzit depresiv, që nuk tregojnë shqetësim dhe parehati, më së shpeshti vuajnë nga javashllëku dhe dembelia e shtuar. Personi i ngadaltë shpesh ankohet që është joproduktiv dhe ka mungesë të energjisë. Lodhja kronike është problem serioz i shpirtit dhe trupit. Disponimi i keq dhe mungesa e motivimit janë dy forca që fuqizohen kur janë të pranishme njëkohësisht.

Humbja e interesimit
Personi më nuk ka interesim për aktivitetet të cilat e kanë përmbushur më herët siç janë ushtrimet, gatimi, leximi, shikimi i televizorit ose shëtitja. Mund të fillojë të refuzojë çfarëdo aktiviteti, të dalë nga shtëpia ose të takohet me miqtë ose anëtarët e familjes. Po ashtu disa njerëz depresivë humbin interesimin për seks, ndërsa për njerëzit e tjerë depresivë seksi është si ikje nga problemet, në mënyrën e njëjtë në të cilën njerëzit depresivë kthehen nga alkooli dhe droga.

Ndryshimet kognitive
Të menduarit e paqartë është një nga shenjat më të shpeshta të depresionit. Nëse personi shpesh harron takimet, emrat, shtyn obligimet dhe marrjen e vendimeve të rëndësishme, ka mundësi që bëhet fjalë për një problem më serioz. Ndryshimet kognitive, siç janë çrregullimet e koncentrimit dhe harresa e shpeshtë janë jashtëzakonisht të lidhura me dementian, ndërsa është dëshmuar që njerëzit që vuajnë nga dementia janë më të prirë ndaj depresionit.

Çrregullimet në gjumë
Gjumi i tepërt ose i pakët është i lidhur ngushtë me depresionin. Depresioni shpesh manifestohet si pagjumësi, por shpesh është e pranishme edhe sasia e tepërt e gjumit. Është normale nëse përkohësisht flemë më pak ose më shumë, por kur kjo shpeshtohet dhe zgjat më shumë se 2 javë, duhet të kërkoni ndihmën e mjekut.

Rutinat e gjumit janë kryesisht të çrregulluara. Personat e tillë zakonisht qëndrojnë të zgjuar deri në orët e vona, nuk janë në gjendje të zgjohen herë dhe me kohë, shpesh ankohen për netët pa gjumë dhe janë më të prirë ndaj gjumit të tepruar të pasdites. Nëse vëreni këto simptoma te personi i afërt, provoni të flisni dhe ndihmoni.

Çrregullimet në ushqim
Apetiti i dobët ose ngrënia e shpeshtë e tepërt është shkak i shpeshtë i ngrënies emocionale. Personi i cili ushqimin e sheh si zgjidhje për emocionet, është më së shpeshti depresiv. Personat e tillë shpesh gënjejnë për konsumimin e ushqimit, humbin interesimin për ushqim, madje edhe të ushqimeve të preferuara, ushqehen në mënyrë të çrregullt, shumë shpesh humbin dhe shtojnë në peshë.

Depresioni është shkak i shpeshtë i çrregullimeve, siç janë anoreksia, bulimia dhe ngrënia e tepërt. Duheni të dini që depresioni mund të çojë deri te çrregullimet në ushqim, por edhe që çrregullimet e ushqimit shpesh shkaktojnë depresion. Nëse ju apo ndonjë i afërm i juaji kalon nëpër çrregullimet e tilla, gjithsesi kërkoni ndihmën e mjekut.

Mendimet për vdekjen dhe vetëvrasjen
Depresioni është arsyeja më e shpeshtë e vetëvrasjeve, çka kryesisht duket si formë logjike për t’u dhënë fund dhimbjes dhe vuajtjes. Madje 90 për qind të atyre që kanë bërë vetëvrasje kanë qenë depresivë në mënyrë klinike. Personat e tillë shpesh kanë probleme me varësitë siç janë alkooli dhe droga, që redukton vetëkontrollin dhe rrit rrezikun nga vetëvrasjet.

Nëse mendoni që ndonjë person i afërt i juaji është duke menduar për vetëvrasjen gjithsesi provoni të flisni me të. Në vend se ta pyesni “A mendon për vetëvrasjen”?, bëni pyetje si “Ndihesh i depresionuar?” ose “Ndihesh i pashpresë?”, e rëndësishme është të flisni, por të mos sulmoni. Po ashtu e shkëlqyeshme do të ishte nëse do të kishit pasur sukses ta nxisni personin të kërkojë ndihmë profesionale.

Dhimbjet që nuk ndalen
Depresioni është stresues, shkakton ndryshime në gjumë, apetit dhe nivele të energjisë, çka mund të shkaktojë një varg të problemeve shëndetësore. Dhimbjet që janë të pranishme pavarësisht shërimit mund të jenë simptoma të depresionit. Nëse personi shkon shpesh te mjeku ose refuzon të shkojë, pavarësisht dhimbjeve, me siguri është fjala për depresion.

Sigurisht që dhimbjet mund të jenë të vërteta, respektivisht mund të tregojnë për ndonjë sëmundje fizike. E rëndësishme është që të shkoni te mjeku për të kryer hulumtimet e nevojshme apo zbuluar burimin e problemeve.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi