- LunaKomplet
- Gjinia :
Shteti :
Postime : 11704
Vendndodhja : Iη sυηsεт
Anetaresuar : 14/10/2010
Tingujt e lahutës shkrihen në vepra bashkëkohore
Wed 30 May 2012 - 12:12
Prishtinë, 30 maj - Instrumenti burimor i shqiptarëve, lahuta, është kombinuar me piano, violinë e perkusione. Ato janë përthekuar në veprën “Epos” të kompozitorit të ri kosovar, Rifat Zymberi. E pikërisht kjo vepër i ka vënë kapak “Podiumit të hapur” që është mbajtur mbrëmjen e së martës në sallën e një hoteli në Prishtinë. Tradicionalisht festivali ndërkombëtar i muzikës së re “ReMusica” një koncert të tillë ua dedikon kompozitorëve dhe interpretuesve të rinj të Kosovës. Bazuar në muzikën popullore shqiptare, ky festival tash katër vjet radhazi stimulon kompozitorët që të shkruajnë muzikë për instrumente të ndryshme. Në kandër të festivalit, “Podiumi i hapur” nuk ka qenë i vetmi aktivitet. “Koncerti pedagogjik” është mbajtur pasditen e së martës në ambientet e Filarmonisë së Kosovës.
Kompozitori i ri, Drinor Zymberi, është shprehur i kënaqur që vepra e tij “Epos” është dhënë premierë në “Podiumi...” të “ReMusicas”. Ai thotë se ka qenë ide e kamotshme e tij që të inkorporojë muzikën folklorike në muzikën e re, e kjo po ashtu ka qenë një porosi nga profesori Rafet Rudi, njëherësh drejtor i festivalit.
“E kam zgjedhur lahutën sepse është instrument i preferuar imi. Po duket se ka dalë mjaft mirë. U krijua një dialog i dy botëve të ndryshme”, ka thënë ai.
Në lahutë ka luajtur i ati i tij, Rifat Zymberi ndërsa është përcjellë Gëzim Latifi në violinë, Neritan Hysa në piano e Patris Berisha në perkusione.
“Epos” nuk ka qenë vepra e vetme e një kompozitori të ri kosovar që është interpretuar në “Podium...”. Koncerti ka nisur me “Gardh përmbi gardh” të Muhamed Bislimit, për t’i lënë vend veprës “Dream” dhe “Fantazia” të Hajrullah Sylës. Nga ky kompozitor “Ansambli Atacca” ka interpretuar edhe veprën “Clapping Music”. Një vepër për kuartet harkor e Ardian Halimit, një tjetër për trio frymore e Kushtrim Gashit janë interpretuar po ashtu në koncertin që ka zgjatur më shumë se një orë. Është interpretuar edhe vepra “Dialog” e kompozitores Dafina Zeqiri e “Ophelia” e kompozitores Lyra Kastrati, ndërsa vend kanë zënë edhe veprat e kompozitorëve botërorë me nam si “Syrinx” e Claude Debussy e “Super Flumina Babylonis” e Giovanni Pierluigi Palestrina. Visar Kuçi, Besa Llugiqi, Misbah Kaçamaku e Marigona Qerkezi kanë qenë vetëm disa nga emrat e interpretuesve të rinj që kanë defiluar në këtë podium.
Drejtori i festivalit Rafet Rudi, ka treguar se tradicionalisht “Podiumi ...” mbahet në ditët e fundit të festivalit, kur realizohen veprat e reja të kompozitorëve të rinj.
“Ata mjerisht e kanë vetëm ‘Remusican’ shans për t’u prezantuar. S’kanë kurrfarë shansesh tjera që mendoj se është e metë e të gjithëve”, ka thënë ai.
E për koncertin pedagogjik, Rudi ka thënë se ka ardhur pasi është vërejtur se literatura muzikore shqiptare në shkollat tona mungon. Vitin e parë është krijuar literatura muzikore për klarinetë, vitin e dytë dhe të tretë për piano, e sivjet është kombinuar për violinë e piano.
“Deri tash kemi në listë deri në 100 copëza që i kanë munguar literaturës sonë, e që janë të gatshme për botim dhe të shpërndahen në shkollat e Kosovës”, ka thënë Rudi.
Kanë qenë nxënësit nga shkollat e muzikës në Pejë, Gjakovë, e Mitrovicë, ata që kanë interpretuar veprat e kompozitorëve Mendi Mengjiqit, Zeqirja Ballata, Valton Beqiri, Rafet Rudi, Hajrullah Syla, e të tjerë.
Për Rreze Gjukën (14) nga Peja, e cila nuk e ka pasur për herë të parë interpretimin e këngëve “Ç’u mbush mali” e “Ç’u ballë kuqe”, ka pasur jo pak emocione në Prishtinë.
“Pata shumë emocione derisa interpretova”, ka thënë Gjuka. Koncerti është hapur me “Hapi sytë e zezë” të interpretuar nga Melisa Imeri në piano e Edmond Latifi në violinë. Këto dy koncerte janë mbajtur në ditën e parafundit të festivalit. “Remusica” mbyllet më 3 qershor me koncertin e flautistes Lydia Oshavkova nga Bullgaria dhe pianistit grek Angelos Tsanakas.
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi