- SilvanaPrinceshe Forumi
- Gjinia :
Mosha : 32
Postime : 9370
Hobi : moda,leximi,poezia..ecc
Vendndodhja : In Italia
Anetaresuar : 03/10/2011
Babai i 13-vjeçarit që vrau shokun: Me fat po të më vrisnin mua e të falnin djalin
Mon 9 Jul 2012 - 18:46
Flet Xhemal Kamaj, i ngujuar, në pritje të gjakmarrjes.
Babai i 13-vjeçarit që vrau shokun: Yzeiri ende s’e di që Xheviti ka vdekur.
E quan veten fajtor dhe vetëofrohet për gjakmarrje, edhe pse është i biri minoren që vrau shokun e klasës dhe të lojës. Xhemal Kamaj, babai i Yzeirit 13 vjeç dhe Edisonit 21 vjeç, dy djemve të arrestuar për vrasjen e Xhevit Lamajt 13 vjeç, ku i pari është i dyshuar si autor dhe i dyti si bashkëpunëtor, “dorëzohet” para familjes së viktimës. “U ulem në gjunjë për mëshirë dhe u shtrij dorën për falje, pasi djali im akoma nuk e di se çfarë ka bërë. Kujton që vetëm e ka plagosur Xhevitin dhe ndodhet në spital. Madje, duke qarë thotë që është penduar dhe se kërkon që ta ketë prapë shok. Por, edhe nëse nuk duan ta falin djalin tim, familjen time, sërish i kuptoj. Janë të lirë të më vrasin mua, apo edhe tim bir”, thotë Xhemal Kamaj, i cili që prej dy ditësh është ngujuar në shtëpinë e tij, në fshatin Usoj, që ndodhet më pak se një kilometër larg qytetit të Ballshit. Burri rreth të 50-tave, me një fizik të fortë, shfaqet krejt i dobët dhe shpërthen në lot, teksa e pyesim lidhur me ngjarjen tragjike…
Si e morët vesh lajmin që djali juaj, i vogli i familjes, vetëm 13 vjeç, vrau shokun e tij të klasës, gjatë një ndeshjeje futbolli?
Nga bashkëshortja. Djali im i madh, Edisoni, ka marrë të ëmën në telefon dhe duke ulëritur i ka thënë: “O ça ka bërë Bushi (Yzeiri, Bushi është emri përkëdhelës që i thërrasin në familje)… O ç’na bëri ai, ç’na bëri”. Me pak fjalë i ka treguar për vrasjen, pastaj e ka mbyllur telefonin.
Në këto pak fjalë, çfarë ka treguar djali lidhur me motivin e vrasjes?
Që Bushi (Yzeiri) vrau Xhevitin, djalin e Bilbil Lamajt. Që e ka qëlluar me thikë, pasi Xheviti e kishte sharë Bushin nga nëna dhe motra.
Ju thoni që e ka vrarë djali juaj i vogël, Yzeiri, por është edhe një variant tjetër i policisë, që 13-vjeçari Xhevit Lamaj është vrarë nga djali juaj i madh, Edisoni, 21 vjeç. Madje, edhe familjarët e viktimës kështu thonë, duke theksuar se vrasësi është “këmbyer” mes vëllezërve, pasi ligji nuk “e kap dot” Yzeirin për shkak të moshës së mitur…
Kjo nuk është aspak e vërtetë. Kur ka ndodhur ngjarja kanë qenë shumë persona të pranishëm që mund ta dëshmojnë këtë. Unë nuk dua të justifikoj vrasjen, absolutisht. Por nuk e ka vrarë Edisoni, por Yzeiri. Unë djem i kam të dy dhe më dhimbsen njëlloj, nuk kam pse të mbroj njërin e të shes tjetrin. Megjithatë, pyesni vetë më mirë dëshmitarët.
Po ju, i keni pyetur?
Unë i kam pyetur menjëherë pas vrasjes. Dhe më pas, kam pyetur edhe djemtë e mi, pasi ata u gjetën disa orë më vonë.
Nuk i arrestoi policia në vendngjarje?
Jo. Siç më kanë thënë dëshmitarët, por edhe Edisoni, menjëherë pas ngjarjes, ka tërhequr zvarrë Bushin (Yzeirin) dhe e ka futur në makinë. Janë larguar me shpejtësi nga vendngjarja dhe e vetmja lidhje me ata për disa orë ka qenë telefonata e shkurtër me bashkëshorten time. Pastaj, Edisoni e ka zbritur Bushin (Yzeirin) në dalje të Ballshit, ndërsa vetë ka ikur të fshihet diku tjetër. Unë, së bashku me policinë, nisëm që t’i kërkonim gjithandej.
Si i gjetët?
Pas gati 3 orë kërkimesh, gjetëm fillimisht Bushin (Yzeirin) të fshehur pas ca shkurreve rrëzë një kodre, të frikësuar, të mbledhur sa një grusht dhe që qante vazhdimisht. Nuk rezistoi dhe as tha gjë tjetër, përveçse kërkoi falje dhe dëneste që “nuk doja ta qëlloja”. Më tej nuk e di, pasi e mori policia në pyetje.
Po Edisoni?
Edisoni erdhi dhe u dorëzua vetë në polici, rreth orës 02:00 të mëngjesit.
Pse u fsheh Edisoni, derisa ai nuk është autori i vrasjes?
Është ndier i frikësuar, plus edhe shumë i tronditur. I ka ngelur peng që nuk arriti t’i merrte thikën Bushit (Yzeirit) nga dora, për çështje sekondi. E quan veten fajtor, se pse nuk u tregua më i shkathët. Fajtorë po ndihemi si familje.
Nga dëshmitë paraprake është mësuar se Edisoni është grindur para dy javësh me djalin tjetër të familjes Lamaj, që quhet Kadri. Pra, sherri i tyre ka qenë pikënisja drejt ngjarjes fatale, duke u “transferuar” te më të vegjlit. A keni qenë ju në dijeni të këtij konflikti?
Jo, nuk kemi pasur dijeni. Këtë gjë e kemi mësuar sot (dje) nëpërmjet medias. Që nga momenti i arrestimit të dy djemve kam folur pak me ta, pasi po pyeten me detaje nga policia.
Po arsyen pse janë grindur dy të mëdhenjtë e dini?
Për lojë futbolli kam dëgjuar, por nga vetë goja e Edisonit akoma nuk kam marrë vesh gjë. Po ta kisha ditur se ata janë grindur, nuk do të kisha ndenjur duarkryq. As unë, as babai i tyre, Bilbili, nuk kemi ditur gjë. Jam i sigurt, sepse jam takuar ditët e fundit me të.
Familja e viktimës ka deklaruar se do të hakmerret. Si do të veproni ju?
Ne nuk do të veprojmë dhe as do të reagojmë. Do të pranojmë çdo vullnet të tyre. Çdo vendim që të marrin, sepse jemi fajtorë. Unë i pari, si prind. Fajësoj veten në radhë të parë për ngjarjen tragjike. Është shumë e dhimbshme, pasi Xheviti ishte shok klase me tim bir, Bushin (Yzeirin). Janë rritur së bashku dhe kanë lozur së bashku, deri të premten në mbrëmje. Që të dy, djemtë më të vegjël të familjeve tona. Dhe si të tillë, që të dy, me përkëdheli janë thirrur “Bushi”. Nga ana tjetër, unë me babain e Xhevitit, Bilbilin, kemi dekada miqësi. Kemi pirë shpesh kafe bashkë, herën e fundit ishim para një jave. Po ashtu, kemi krushqi e shoqëri të përbashkët. Jam i dorëzuar para atij (Bilbilit). I ulem në gjunjë për mëshirë dhe i shtrij dorën për falje, pasi djali im akoma nuk e di se çfarë ka bërë. Kujton që vetëm e ka plagosur Xhevitin dhe ndodhet në spital. Është penduar dhe kërkon që ta ketë prapë shok, duke këmbëngulur që ta lënë për vizitë në spital. Të njëjtën gjë i ka thënë edhe psikologes, që ia kanë çuar në burg. Por, edhe nëse nuk duan ta falin djalin tim, familjen time, sërish i kuptoj. Janë të lirë të më vrasin mua, apo edhe tim bir. Do të isha me fat të më vrisnin mua… Nëse më falin djalin, ua kam falur jetën time.
A keni tentuar deri tani të komunikoni me familjen e viktimës?
Personalisht jo. Por edhe nëpërmjet personave të tretë na u duk pak shpejt, pasi duhet të kalojnë të paktën pesë ditë nga varrimi. Edhe ne po e qajmë këtu Xhevitin. Po qajmë për së gjalli gjithashtu edhe djalin tonë. E diskutuam gjatë me të afërmit për të marrë pjesë ose jo në varrim dhe arritëm në përfundimin negativ. Kishim hall se mos e acaronim më shumë gjendjen me prezencën tonë në mort, pa marrë leje më parë.
A ju ka sjellë Yzeiri herë tjetër probleme?
Jo, ishte hera e parë. Bushi nuk është se shkëlqente me mësime, por ishte një djalë i mbarë. Nuk e di se si iu morën mendtë dhe e vrau Xhevitin. Ai nuk e di se çfarë ka bërë, ndaj Zoti e faltë. Familja e Xhevitit e faltë. Na falçin të gjithëve ne, që nga e hëna jemi ngujuar këtu në shtëpi. Jo më shumë nga frika, se sa nga turpi.
Binjakët T.M. dhe A.M. tregojnë momentet e sherrit
Dy dëshmitarët 12-vjeçarë: Xheviti e shau nga nëna, Yzeiri i nguli thikën
“Xheviti e shau disa herë nga nëna dhe motra. Yzeiri u nxeh dhe i nxori thikën, duke i thënë të pushonte, por Xheviti e shau sërish. Atëherë Yzeiri i nguli thikën në zemër”. Është kjo një pjesëz dëshmie për gazetën “Panorama” nga dy binjakët 12-vjeçarë, T.M. dhe A.M., të cilët kanë parë të gjithë ngjarjen fatale. T.M. duket se e ka parë edhe më mirë, pasi ka qenë ngjitur me Yzeirin dhe Xhevitin, por edhe ka asistuar pranë sherrit dy javë më parë, ku dy vëllezërit e tyre janë grindur duke lozur futboll. “Kadriu, vëllai më i madh i Xhevitit dhe Edisoni, vëllai i madh i Yzeirit, u zunë në fushë para dy javësh, për punë topi. Por vetëm me fjalë. Të premten po loznim ne fëmijët, ndërsa të mëdhenjtë po shihni më nga larg. Mbaruam lojën dhe një moment dëgjuam që Xheviti po e shante Yzeirin. Yzeiri i thoshte që ta qepte gojën, por Xheviti e shau prapë. I dëgjoi dhe Edisoni dhe erdhi me vrap. I kapi të dy për qafe dhe u përpoq që t’i afronte kokë më kokë, duke u thënë se ata ishin shokë dhe duhej të pajtoheshin. Por, kur Edisoni u afrua te Xheviti, Kadriu që ishte më larg, kujtoi se ai donte ta rrihte atë, pasi nuk e dëgjoi se çfarë tha. Kadriu kapi një shishe birre dhe ia gjuajti Edisonit e Yzeirit, por nuk i zuri. Edisoni u kthye nga Kadriu duke e pyetur me zë e shenja duarsh se “çfarë pati” dhe bëri të nisej drejt tij për t’u sqaruar. Ndërkaq, Xheviti shau prapë. Atëherë Yzeiri nxori një thikë dhe e kërcënoi që “ta çaj barkun, po pusho”. Xheviti i tha që “nuk më qëllon dot, o ta…” dhe Yzeiri ia nguli thikën në zemër”, tregon T.M. Sipas tij, por edhe disa dëshmitarëve të tjerë, Edisoni e ka parë me vonesë thikën në dorën e vëllait, pasi kishte hedhur disa hapa në drejtim andej ku ishte ulur Kadriu. Ai ka tentuar që t’ia ndalë dorën të vëllait, por ai i ka rrëshqitur. “Brenda pak sekondash, trupi i Xhevitit u mbulua me gjak dhe Edisoni i bërtiti Yzeirit: ‘Ç’na bëre, o të bëfsha gropën’ dhe ia fut në grushte dhe në shkelma. Pastaj e tërhoqi zvarrë deri te makina, duke e sharë dhe rrahur vazhdimisht, e futi brenda dhe u zhdukën me shpejtësi”, thotë T.M. Sa i përket vëllait të viktimës, Kadriut, ai ka shkuar menjëherë pranë trupit të Xhevitit, duke u përpjekur që të gjejë shenja jete. Por, tepër vonë…
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi