Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Ata, te huajt qe zgjodhen jeten e Tiranës Empty Ata, te huajt qe zgjodhen jeten e Tiranës

Tue 7 Aug 2012 - 17:25
Life Style-Një këngëtar nga Kosova, një balerin nga Italia, nga i njëjti vend si dhe një fotograf…që kanë vendosur të jetojnë në Tiranë…duke marrë përsipër edhe çështjen e dokumenteve, për një qëndrim të ligjshëm në Shqipëri.Kur u nis për një udhëtim pothuajse aventuresk drejt Tiranës, bashkë me tre shokë të tij, Vedat Ademi as që e çonte dot nëpër mend se do të vinte shumë shpejt dita kur ai do të shpërngulej prej Mitrovicës. Ndërsa tani që kanë kaluar plot tetë vjet që prej atëherë, nuk çon dot nëpër mend me u kthy andej nga ka ardh. Madje jo pak herë, mes miqve të tij thotë si pa të keq se “Tirana më është bërë si qyteti im. Më duket sikur jam rritur këtu e jo në Mitrovicë”. Ndjehet shpejt si në faj pastaj, sepse i duket sikur i hyn disi në hak qytetit të tij, por ja që të vërtetën nuk e zhbën dot. Ai këtu po jeton, këtu ka krijuar familjen e tij (është në pritje për t’u bërë së shpejti baba), këtu ka krijuar bandën e tij e ka zaptuar furishëm dhe suksesshëm tregun muzikor, e madje sapo ka marrë dhe pasaportën shqiptare. Është bërë me pak fjalë si djali i shtëpisë këtu në Tiranë, ndërsa atje në Mitrovicë, vazhdon të mbetet sugari (kështu i thonë kosovarët më të voglit të familjes) që nuk harron kurrë të kthehet.

I duket si çudi si i rrodhën gjërat kështu, pikërisht atij që dikur nuk qëndronte dot as edhe një ditë larg prindërve. “Në fillim kur nisa studimet për gjuhë- letërsi në Prishtinë zura një shtëpi me qira, por duke qenë se ishim vetëm gjysmë ore larg me Mitrovicën, më vinte për mbarë të kthehesha në shtëpi për të ngrënë e për t’u larë. Nuk është se s’dija të kujdesesha për veten, përkundrazi më jepej madje edhe për të gatuar por arsyeja kryesore që më çonte drejt shtëpisë ishte se nuk rrija dot larg prindërve. Kështu që pas një viti e lashë shtëpinë me qira dhe për tre vjet me radhë e ndoqa shkollën duke bë vajtje-ardhje mes dy qyteteve.”

Atëherë nuk kishte si ta dinte se shumë shpejt trajektorja e vajtje-ardhjeve në shtëpi do të zgjatej në më shumë se gjysmë ore, e do të merrte drejtimin përtej kufirit. “Isha në vitin e tretë në universitet kur u nisëm një ditë me shokët për të vizituar për qejf Tiranën, për të cilën kishim dëgjuar shumë e ishim kuriozë me e pa nga afër. Më pëlqeu shumë. Qëndruam tre ditë”. Kaq do të mjaftonin për t’u njohur me njerëzit e duhur, që do ta tërhiqnin më pas, pak e nga pak, krejt për fare në këtë qytet. “ Një nga shokët e mi njihte Dorelën, vajzën që më pas do të bëhej bashkëshortja ime dhe, një shoqen e saj. Përmes tyre u njohëm me disa grupe muzikantësh, ndër ta edhe Dorian Gjonin. Ishte pikërisht koha kur në Top Channel po kërkoheshin këngëtarë”. Pra vizita e tij në Tiranë kishte qëlluar në kohën e duhur. “Në netët kur kthehesha nga shkolla në shtëpi e ndiqja shumë Top Show-n dhe ëndërroja me veten, ah sikur të këndoja edhe unë ndonjëherë atje. Ndërkohë e kisha krijuar grupin tim muzikor “Tema” dhe këndoja live jo vetëm në Mitrovicë por edhe në Prizren e Prishtinë.” Tirana ishte thjesht një ëndërr deri në ditën kur e pa me sy e kur hyri në studion e Dorian Gjonit për të regjistruar bashkë me Gent Bushpepajn, këngën që do t’i hapte rrugën për në Top Channel. “Kështu filluan vajte- ardhjet e mia Prishtinë- Mitrovicë- Tiranë. Udhëtoja një herë në dy javë e më pas një herë në muaj. S’e kisha të lehtë sigurisht sepse atëherë udhëtohej me autobus e rruga nuk ishte kaq komode si sot.” E veç të tjerash, ndjente se e kishte prapë të vështirë me ndenjtë larg familjes. Mirëpo Tirana po i ecte aq për mbarë saqë brenda vitit do ta ndjente pashmangshmërisht të nevojshme të mendonte qëndrimin këtu. “Sepse bashkë me Top Channel filluan dhe ofertat për të kënduar live në shumë vende në Tiranë, po lëvizja shumë mirë në këtë treg, aq sa nuk po arrija dot me ik më andej, e madje u detyrova të ndërpres në mes dhe studimet në Prishtinë. Kështu që vendimi për të qëndruar erdhi krejt natyrshëm.” Nëse me veten nuk do ta kishte dhe aq të vështirë ta merrte këtë vendim (sepse ndërkaq e kishte konsoliduar lidhjen me Dorelën, e kishte krijuar rrjetin e miqve të rinj), momenti më i vështirë do të ishte kur do t’ia kumtonte babës këtë lajm. “Për herë të parë i thashë babës në telefon se për gjashtë muaj nuk do kem mundësi të vij në shtëpi. Ai filloi të qante dhe më tha- për një copë buke nuk ke pse qëndron në Tiranë- Jam prekur aq shumë dhe u përpoqa me i shpjegu se do i kisha shumë më të mëdha mundësitë këndej në Tiranë.” Atëherë bisedën me babën e mbylli duke e qetësuar se do të kthehej shumë shpejt në shtëpi. Pa e ditur as vetë në fakt se pas atyre qëndrimeve nëpër hotele apo shtëpi me qira, pas punëve të para provizore, do vinin kontratat e tjera afatgjata, se do të ndante mendjen të bashkëjetonte e mandej të martohej me vajzën që njohu që në ditët e para kur shkeli në Tiranë e se do t’i ngulte përfundimisht këmbët në këtë qytet. “Në fillim sigurisht më mungonin gjërat e njerëzit që kisha lënë në Mitrovicë, nuk bëja dot humor e batuta si mes miqve të mi atje. Mërzitesha shpesh kur më bënin të ndjehesha si i huaj, kur kuptoja se përpiqeshin të më prishnin punë, kur nuk më paguanin aq sa duhej. Fillimet, pa dashur të ndaloj në detaje, kanë qenë sa të mbara aq edhe të vështira. Nuk e di sa do t’ia kisha dalë pa mbështetjen e atyre që u bënë miqtë e mi të vërtetë”. Dorela, sigurisht që është ajo që i ka dhënë mbështetje në çdo çast e çdo ditë të transferimit të tij, që ia ka bërë të lehtë ikjen nga shtëpia, djalit që s’kishte guxuar të largohej kurrë më parë, djalit që përlotet edhe sot e kësaj dite, sa herë takohet me të tijtë, (sidomos më të ëmën që e ka pikë të dobët).

Ndonëse s’kanë kaluar pak por plot tetë vjet që nga dita kur ai erdhi në Tiranë, thjesht për qejf, pa e ditur se kështu po vendoste destinacionin e tij të ri e (ndoshta) të fundit.

Si i thonë “permesso di soggiorno” në gjuhën tuaj?

Nëse për gjithë të tjerët Simone Pigliacelli është balerini italian i “Dancing with the Stars Albania” me të qeshurën 32 dhëmbëshe, për punonjësit e zyrave të emigracionit deri pak ditë më parë, ai ka qenë qytetari italian që po kërkonte të merrte lejen e qëndrimit në Shqipëri ose siç e quajnë bashkatdhetarët e tij “il permesso di soggiorno”. Dhe nuk mund të të mos hutojë për një çast kjo, për arsyen se për vite me radhë, “permesso di soggiorno”-n e kërkonin shqiptarët në Itali, ndërsa tani skenari është kthyer kokëposhtë. Sepse ai ka vendosur të jetojë këtu! Formulari që duhej plotësuar, dëshmi penaliteti për t’u përkthyer dhe legalizuar në zyrat diplomatike, certifikata, vërtetim i banesës aktuale dhe i punës që bën, deklarata nga punëdhënësi-që duheshin përkthyer dhe noterizuar- foto, një pagesë për t’u bërë pas së cilës duhej të tërhiqte mandatin dhe të gjitha, bashkë me pasaportën, ishin dokumentet që ai tërhiqte me vete pasi duhej t’i paraqiste në zyrat e emigracionit për të tërhequr lejen njëvjeçare të qëndrimit. Dhe për këtë, tregon se, disa ditë zgjohej që në orën gjashtë e gjysmë “për të qenë në kohë nëpër zyrat, në të cilat ka kaq burokraci…fiks si në Itali”. E tregon historinë e jetuar nga shumë shqiptarë në vendin e tij, për “Mapo Weekend”, tek rri këmbëkryq mbi krevatin e dhomës ku banon, tek resorti “Stela”, ngjitur me strukturën e palestrës dhe sallës së kërcimit, ku ai bashkë me balerinën Olta Ahmetaj, japin mësime dansi (sigurisht, gjendja e tij është shumë më komode se sa ajo e shumicës së shqiptarëve në Itali). “Unë, bashkë me Oltën dhe Fabin, të fejuarin e Oltës, kishim diskutuar disa herë për të hapur një shkollë kërcimi. Mësuam se “Tek Stela” do hapej një kompleks, ku do duheshin edhe balerinë si instruktor për kurset e kërcimit dhe pasi biseduam me pronarin e këtij kompleksi, çdo gjë shkoi mirë. U hap shkolla Ritëm, dance with Olta & Simone”. Kështu Simone vendosi të qëndrojë në Tiranë, diçka që kishte kohë që e bluante në kokë.

Pothuaj që nga koha kur erdhi në Shqipëri për sezonin e dytë, dhe të parin e tij, të “Dancing with the Stars Albania”, nuk është shkëputur për shumë kohë nga Shqipëria. “Pasi mbaroi sezoni vitin e shkuar, në gusht bëra disa ditë pushime në Dhërmi me Agnesën dhe vëllain tim që erdhi nga Italia. Në tetor, pastaj, shkova në Kosovë”.

Të gjithë e mbajmë mend balerinin dhe partneren e tij të kërcimit, Agnesën, edhe në serinë e reklamave të Albtelekom që u shfaqën pas Dancing. Ishte zyrtare: Simone ishte bërë një personazh i dashur në Shqipëri. U largua në Itali, në Romë ku ka familjen, por dhe në Milano për disa regjistrime programesh e reklamash, projekte që vijojnë dhe tani, deri sa mori ftesën për sezonin e tretë të Dancing. Këtë herë partnere kishte Zhakun dhe do shkonte përsëri deri në finale. Ishte zyrtarisht, zyrtare: Simonen në Shqipëri e donin shumë.

Ai këtë e ka ndjerë me siguri dhe e gjithë atmosfera e ka bërë të vendosë që, dy vjet që nga koha kur as nuk kishte shkelur ndonjëherë në Shqipëri e madje as kishte dëgjuar gjë për të (“në shkollë nuk kemi mësuar asgjë për Shqipërinë, por as balerinët shqiptarë nuk më kishin folur”), ta bënte këtë vend, vendin ku do donte të jetonte. “Nuk dija pothuaj asgjë për Shqipërinë. Kisha katër vjet që nuk isha larguar nga Italia dhe mendova se ishte çasti i duhur. Kur erdha në Shqipëri më pëlqeu shumë dhe kuptova se gjithçka duhet ta provosh vetë për të pasur një mendim të saktë. Tani nuk di se çfarë saktësisht më bëri të vendosja për të qëndruar këtu. Di që ndihem mirë. Sigurisht e mendova shumë herë. Dhe jam i sigurt se sikur të më jepej mundësia do bëja këtë zgjedhje edhe 1000 herë të tjera. Pastaj, këtu balerinëve u dëgjohet fjala. Unë mund të them atë që është mirë apo jo, për sa i përket çështjeve që lidhen me profesionin tim, ndërsa në Itali kjo nuk ndodh gjithmonë”. Edhe pse jep mësime dansi prej 7 vjetësh në Itali (ka filluar baletin kur ishte 5 vjeç, 13 vjeç është vlerësuar si nënkampion i botës në kërcim dhe një vit më vonë ka nisur të japë mësime dansi) dhe vlerësohet gjithashtu si një balerin i talentuar, ja, është pikërisht në Shqipëri ku ndihet më i vlerësuar se kudo.

Por nuk është vetëm profesionalisht, që Shqipëria e bën të ndihet mirë, është dhe për atmosferën, e cila ka magjepsur jo vetëm Simonen, por dhe babain e tij, që ndryshe nga bashkëshortja, jo vetëm e mbështet të birin, por është gati të ndjekë modelin e tij. “Mami nuk ka qenë shumë dakord që unë të vija të jetoja këtu sepse tani jemi larguar të dy, unë në Tiranë, ndërsa vëllai në Parma. Ai është katër vjet më i vogël se unë dhe është futbollist. Këtë vit ka shkuar të luajë në Parma, kështu që mami me babin janë vetëm. Por është një mundësi, të vijnë të jetojnë në Shqipëri. Babit i pëlqen shumë-shumë Shqipëria”. Sepse ata njohin pjesën më të mirë të Shqipërisë dhe gjejnë këtu gjithë përkushtimin e simpatinë që shqiptarët nuk ua kursejnë të huajve. Dhe për t’u ambientuar nuk e ka pasur të vështirë. Ka mësuar të hajë shumë perime, si speca, apo patëllxhanë, që nuk i hante fare në Itali, ka gjetur miq shqiptarë, “pak, sepse unë nuk dal netëve nëpër pub-e dhe nuk zë miq të rinj çdo natë, por miq të mirë”. Duket se njerëzit mikpritës ia kanë bërë më të lehtë çdo gjë, pastaj nuk duhet harruar se këtu shumë flasin gjuhën e tij, por dhe ai po mëson shqip dhe për të na siguruar nxjerr metodën e mësimit të shqipes për të huajt nga një cep i dhomës së tij. Është vërtet hapësirë e vogël në apartamentet “Tek Stela”, por fundja fare ai vetëm sa fle aty. “Hë për hë ishte një zgjidhje shumë e mirë. Këtu është pishina, njerëzit që pushojnë, muzika, shpesh mbrëmjeve ka dhe party. Më duket se jam me pushime. Ftoj dhe miqtë e mi shpesh këtu”. Edhe atë që mund të quhet me plot gojë puna e tij, shkollën “Ritëm, dance with Olta & Simone”, e ka dy hapa larg, në një godinë tjetër të kompleksit, kështu që nuk ka arsye për t’u ankuar. Sidomos tani që është në rregull dhe me letrat…

I pari ishte Francesco…

Për disa vite e ka quajtur veten emigranti i parë italian në Shqipëri. Sot gjashtë vjet pasi vendosi të jetonte këtu, fotografi nga Salerno, Francesco Acone, e quan veten “i shqiptarizuari i parë”. Sigurisht, gjashtë vjet më parë, të njohurit e tij e merrnin për të çmendur, që ai vendosi të linte Italinë e të jetonte në Shqipëri. Në fakt, as ai vetë nuk e di se çfarë e bëri të vendoste të jetonte në Shqipëri. “Gati s’di pse. Ishte fati ndoshta”. Në fillim ishte klandestin në Shqipëri, më pas u bë një emigrant i rregullt, ndërsa tani flet shqip, ka miq shqiptarë “njerëz të thjeshtë, por dhe nga ata që dalin në televizor”, ka hapur ekspozita, më e fundit vetëm pak muaj më parë në Universitetin Europian të Tiranës që përmbante fotografi detajesh unike nga pesë qytete, Tirana, Selaniku, Vjena, Genova dhe Salerno…Është për t’u theksuar që ekspozitën e tij të parë, Francesco e ka hapur pikërisht në Shqipëri. Më pas, artisti italian ka çuar fotografi nga Shqipëria nëpër ekspozita ndërkombëtare. “Sot një foto nga Shqipëria gjendet në një muze në Itali”, tregon ai.

Janë krijuar ca nyje plot kuptim, që nuk e lidhin pas Shqipërisë sepse ai është një shpirt i lirë, por ama e bëjnë edhe më të dashur këtë vend për të. Sot ama më e rëndësishmja nga të gjitha ato që e bashkojnë me Shqipërinë është i biri, djali gati 9 muajsh, Daniel, lindur në Shqipëri nga partnerja Silvana Bardhi, bizneswoman shqiptare, pas njohjes me të cilën motivet për të dashur vendin e huaj janë bërë sigurisht më të mëdha për fotografin italian. E pas kësaj njohjeje erdhi dhe djali, që si thotë i ati “është praktikisht tirons”. Nuk ka asnjë arsye për të mos i ardhur mirë që i biri ka lindur e po rritet në Shqipëri në vend të Italisë. Përkundrazi. Fotografi italian e pëlqen mjedisin shqiptar, atë njerëzor. Ishin shqiptarët që e bënë të qëndronte këtu.

“Më pëlqejnë njerëzit. Janë shumë komunikues. Janë të thjeshtë e të dashur, është një atmosferë e ngjashme me jugun e Italisë”. Kështu që nëse i biri do rritet këtu, shumë mirë. “Nuk ndjej asnjë shqetësim që Daniel të rritet në Shqipëri, i kemi mundësitë që ai të përfitojë më të mirën e Italisë dhe Shqipërisë dhe më vjen mirë që të formohet si shqiptarët, që janë të vërtetë”. E po… viva Albania!/ikub/
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi