Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Shqiptare
Shqiptare
Princeshe Forumi
Princeshe Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
<b>Postime</b> Postime : 4177
<b>Hobi</b> Hobi : shqiptaria
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : Shqiperi
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 24/07/2011

“Kot harxhon lekë me atë…” (?!!) Empty “Kot harxhon lekë me atë…” (?!!)

Wed 22 Aug 2012 - 22:12
“Kot harxhon lekë me atë…” (?!!) Nazime
Luela Myftari/ Entela Resuli/ Emanuela Sako -

Sajmir Fiolla është ish-i fejuari për 6 muaj i 18-vjeçares Visha nga Vilza e Zall-Bastarit, fshati i fundit mes maleve që ndan Tiranën nga Burreli. Sajmiri nuk jeton në Shqipëri dhe në një rrëfim për ngjarjen nga emigracioni ai është shprehur se gjatë muajve të fejesës me vajzën, ka marë SMS dhe kërcënime nga viktima Fiqiriu. Kur pyetet për çfarë bëhet fjalë ai jep një dëshmi që nuk është thjesht dëshmi, por hedh dritë mbi një mentalitet të tërë: “…Fiqiriu nisi të më merrte vetë në telefon dhe më kërcënonte që ta lija (Nazimen). Ai njeri ishte i çmendur. Ndërroja numrat dhe mi gjente. Derisa hoqa dorë fare nga celulari. U bezdisa shumë dhe ndava njëherë e mirë muhabetin me Nazimen, kur më erdhi një SMS nga Fiqiriu. Më shkruante: “Nazimja ka më shumë se 3 vjet që është gruaja ime. Kot harxhon lekë me atë, hiq dorë njëherë e mirë…”. “Kot harxhon lekë me atë…” është një shprehje shokuese që dëshmon një mentalitet primitiv, një raport të sëmurë që nuk është veçori vetëm e këtij rasti. Kjo fjali meriton pak më shumë analizë se diarreja e fjalëve dhe dëshmive që janë botuar e stërbotuar për këtë rast. “…Në këtë kulturë tranzicioni njerëzit janë bërë më materialistë, duke humbur vlerat kulturore dhe romantike. Në këtë kuptim shoqëria po stimulon një treg të marrëdhënieve shoqërore ku prioritet kanë ofertat materiale për meshkujt dhe seksuale për femrat. Ndërkohë kërkesat e tregut gjithnjë e më shumë pakësohen në lidhje me kompensimet shpirtërore, romantike, idilike…” – thotë në një bisedë me “Shekullin” mbi ngjarjen në fjalë, sociologu i njohur Edmond Dragoti. Edhe kolegia e tij, Entela Binjaku, është e të njëjtit mendim: “Aktualiteti ynë, me ngjarjet e kohëve të fundit, po tregon se raporti ekonomik po merr kaq shumë rëndësi sa po zbeh çdo ndjesi tjetër që duhet të lidhë anëtarët e një shoqërie apo një familjeje”. Një revoltë ndaj shoqërisë, ndaj kulturës së traditës, mjedisit ku është rritur dhe ku dhuna nuk mungon. Në përpjekje për të shpëtuar prej saj, ajo veproi po njësoj: duke vrarë, - mendon prof. Edmond Dragoti për rastin e së resë Nazime Visha.

Profesor, si e shihni ju rastin e vajzës 18- vjeçare, çfarë po ndodh sipas jush?

Është një rast ku përzihen të gjitha kulturat. Kultura periferike dhe kultura e urbanizuar që po ndryshon kohët e fundit. Në rastin konkret, vajza donte të dilte nga kultura e traditës, por duke qenë në moshë të vogël dhe duke u abuzuar, ajo reagoi në të njëjtën mënyrë. Duke vrarë, në këtë rast. Për mua, veprimi minimal i saj është një revoltë ndaj shoqërisë dhe një nevojë për t’u shkëputur prej mjedisit të saj.

Rast i izoluar apo më shumë se kaq?

Nuk është rast i veçuar se janë mijëra të rinj dhe të reja që kthehen në dilemë shoqërore. Aq më tepër kur u mungojnë zgjidhjet me alternatika paqësore. Mosfunksionimi i institucioneve shtetërore ose funksionimi i sistemit korruptiv nuk ofron një zgjidhje për të rinjtë tanë.



“Jemi shoqëri e shurdhët, krimi na e ka paralajmëruar ardhjen e tij”

“Vërtet shoqëria e gjerë mëson për krimin vetëm pasi ai ka ndodhur, por krimi në fakt e ka paralajmëruar ardhjen e tij. (shih tabelën). Po të krahasojmë e analizojmë, ajo që del është që vitet e fundit janë raportuar shifra në rritje të krimit, por edhe të denoncimit”, - analizon sociologia Entela Binjaku.

Znj. Binjaku, si e shihni rastin e fundit të vajzës 18-vjeçare që vrau të dashurin, pse ndodhi?


Edhe pse kishte një lloj njohjeje, siç po dëshmojnë të gjithë ata që kanë qenë në dijeni të raportit midis vajzës së re dhe viktimës, sërish askush nuk mundi ta parandalonte ngjarjen fatale. Kjo sepse shoqëria jonë nuk ka mekanizma bashkëpunues në parapritë të saj. Shoqëria civile ka ardhur duke u mpakur ndërsa shteti është dorëzuar tërësisht.

Dhuna dhe krimi me rrethana si në rastin që po flasim janë vështirë për t’u gjurmuar sepse edhe për hir të traditës sonë, ajo çfarë ndodh brenda shtëpisë, nuk duhet të dalë jashtë…?

Ashtu është, por po të shohim tabelën me të dhënat statistikore të numrit të denoncimeve në strukturat e policisë, për vitet e fundit, konstatojmë se vërtet shoqëria e gjerë mëson për krimin vetëm pasi ai ka ndodhur, por krimi në fakt e ka paralajmëruar ardhjen e tij. (shih tabelën). Po të krahasojmë e analizojmë, ajo që del është që vitet e fundit janë raportuar shifra në rritje të krimit, por edhe të denoncimit.

Mendoni që mund të parandalohen këto krime të përditshme?

Po. Por vetëm në rast se shoqëria do të kontribuonte me mekanizmat e saj të shoqërisë civile, me organizimet në mbrojtje të dinjitetit të njeriut, të së drejtës për jetën, të edukimit për një jetës civile dhe në paqe, me kontribute në ngritje të kapaciteteve kulturore të shoqërisë, si dhe në rast se shteti do të tregohej i ashpër ndaj dhunuesve, ndaj atyre që kryejnë krime duke ju dhënë ndëshkimin ligjor për veprën e kryer, atëherë edhe vetë shoqëria jonë do të ishte më në harmoni. Nga ana tjetër edhe familja, shkolla, organizimet vullnetare në dobi të jetesës civile nëse funksionojnë realisht do të ndihmonin shumë në parandalimin e këtyre ngjarjeve.



Maja e ajsbergut dhe pyetja “ndjehet e dhunuar” apo “është e dhunuar”?

Sociologu Florian Kulla mendon se raste abuzimi që 14 vjeç si rasti i Nazime Vishës, janë të shumta në këto zona dhe mjedise, por studimet serioze mungojnë.

Z.Kulla, rasti i Nazimes është rast i izoluar dhune, apo zonat e thella janë të mbushura me të tilla raste?


Studimet janë jo vetëm të pakta, por edhe të dizenjuara dhe shkruar keq, duke lënë mënjanë thelbin e realitetit të fëmijëve në këto zona. Si pasojë, ato na vijnë pak në ndihmë. Pjesa më e mirë e informacionit na vjen nga ato studime përgjithësuese që janë kryer kryesisht nga organizata ndërkombëtare që punojnë për fëmijët dhe të rinjtë në çështje të tilla studimore si: dhuna në shkolla dhe në familje, martesat në moshën e adoleshencës, praktikat e prindërimit etj, që janë kryer edhe në zona të tilla rurale dhe prekin tërthorazi edhe këto fenomene e realitete. Këto pak studime na tregojnë se në të tilla realitete ky nuk është një rast i izoluar, por maja e një ajsbergu të thellë. Rrënjët dhe zgjidhjet e tij duhen kërkuar në disa dimensione.

Pse, ajo që bie pre e abuzimit nuk e denoncon këtë rast që në hapat e para kur ndihet e dhunuar?

Ajo (a të tjerë si ajo) nuk “ndjehet e dhunuar”, por “është e dhunuar”. Kjo çështje duhet parë pak më thellë e më gjerë:

1. Një fëmijë është i aftë të denoncoje dhunimin kur ai edukohet që herët nga familja dhe shkolla mbi të drejtat e tij. Përpara se të denoncojë, një fëmijë (dhunimi ka vite që ka nisur, që kur ajo ishte fëmijë) duhet të jetë i aftë të njohë dhe të kuptojë se kur dhunohet. Fëmijët, sidomos në këto zona, dhunohen dhe abuzohen sistematikisht (fizikisht, emocionalisht) nga vetë familja dhe mësuesit. Të denoncosh dhunën mësohet shumë më herët se ç’mendojmë ne në përgjithësi.

2. Studimet tregojnë se fëmijët e dhunuar (veçanërisht seksualisht dhe nga njerëz të familjes) tentojnë të ruajnë sekretin, sepse pjesë e viktimizimit ndaj dhunës (sidomos seksuale) është edhe ruajtja e ‘sekretit’, izolimi, ndjenja e fajit dhe e turpit për atë që ka ndodhur, pamundësia për ta verbalizuar etj.

3. Në përgjithësi, viktimat e abuzimit, për shkaqe nga me të ndryshmet, e kanë shumë të vështirë të reagojnë ndaj dhunës. Sa më shumë kohë të kalojë, dhe sa më i vetëm të ndjehet fëmija i dhunuar, dhe sa me pak të drejtë t’i jepet në të drejtën e tij, aq më pasiv dhe mosreagues bëhet ai. Në rastin kur dhunuesi është brenda familjes, apo i besuari i saj (dhe dihet që në këto zona, miku i shtëpisë ka më shumë rëndësi dhe peshë sesa fëmija i familjes) denoncimi (apo qoftë dhe hapja e gojës) bëhet edhe më e vështirë.

4. Është detyrë e prindërve dhe e të rriturve pranë fëmijës, ta dëgjojnë dhe besojnë denoncimin e tij. Sigurisht edhe të mbështesin pa kushte ‘rrëfimin’ e fëmijës, sado i vështirë të jetë për ta. Një fëmijë që nuk mbështetet dhe nuk i jepet e drejtë nga vetë familja, por ‘këshillohet’ të ‘mbyllë gojën’, e ka shumë të vështirë të denoncoje në institucione të tjera mbrojtëse për të.

5. Në vendet e zhvilluara, të cilat aplikojnë sisteme të kujdesshme për parandalimin dhe trajtimin e dhunës (çfarëdolloj dhune) ndaj fëmijëve dhe adoleshentëve, sistemi lehtëson maksimalisht mundësinë e fëmijës për denoncim, ndërkohë që në vendin tonë, këto sisteme mbështetje nuk aplikohen. Më shumë se fëmija që shkon të denoncojë ‘te sistemi’ është sistemi që ‘shkon’ dhe stimulon ‘fëmijën’ të denoncojë.

6. Sa të besueshme janë në sytë e një fëmije, institucione të tilla si; shkolla, shërbimi policor? Sa profesionale janë këto shërbime ? Sa shërbime të tjera ka në ndihmë të këtyre fëmijëve?

7. Si përfundim, fëmijës së dhunuar i duhet të thyejë shumë barriera përpara se të shkojë të denoncojë dhunuesin e tij. Barrierat personale, të familjes dhe komunitetit si dhe institucioneve.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi