Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

“Po dashuria, ku është?! Empty “Po dashuria, ku është?!

Wed 27 Oct 2010 - 2:24
Zëra Femërorë
“Jam një djalë njëzetëvjeçar. Student për mjekësi. Prindërit e mi janë intelektualë. (Intelektualë nga ata që janë munduar për ta marrë këtë titull). Paraditet i kaloj në shkollë, pasditet në ‘Facebook’, e kafe me ndonjë shok.

- Jo, të dashur nuk kam... Eh, po nuk kam as makinë...”

Fenomeni i nisur njëzetë vjet më parë duket se vazhdon fuqishëm edhe sot. Shumë prej vajzave të reja, nuk preferojnë të lidhen me shokët e tyre moshatarë, studentë, apo kolegë pune, por parapëlqejnë t’i hedhin sytë matanë gardheve të shkollës, atje ku rreshtohen meshkujt me makinat luksoze e me xhepat e mbushur plot. Studentët e fakultetit vazhdojnë të kenë në xhep pesëmijë lekëshin e përditshëm nga fondi prindëror, ja ndonjëherë edhe dhjetëmijë lekë (të vjetra), por përsëri këto nuk mjaftojnë për të tërhequr vëmendjen e “bukurosheve të klasës” apo të shkollës. Me aq lekë, atyre mund t’u ofrosh vetëm një kafe dhe kola, aty tek lokalet rreth fakultetit. Ndërsa ato kërkojnë më shumë: pije energjike e akullore paradite. E nëse ke fatin t’i takosh ndonjëherë pasdite, duan lokale të shtrenjta dhe vetëm kokteje me përmbajtje alkoolike. Duan fundjava jashtë kryeqytetit, mundësisht jo në Durrës, sepse “Durrësi është për fshatarë”, por vetëm në Vlorë e tutje, apo jashtë shtetit. Padyshim duan edhe dhurata, me gur zvarovski, çanta dhe këpucë firmato.

Të gjendur përpara këtyre kërkesave, çunat bukuroshë njëzetvjeçarë tërhiqen në shoqërinë e tyre mashkullore dhe në rrjetin e ‘Facebook’-ut. Askush nga vajzat nuk do t’ia dijë as për paraqitjen e tyre të bukur mashkullore, as për faktin se vijnë nga një familje e miredukuar e me tradita, e as për faktin që mund të jenë të zgjuar, hokatarë, e shumë të këndshëm në bisedë. Të gjitha këto nuk mjaftojnë për t’i pranuar si “të dashur” djelmoshat studentë. Kërkohet makinë dhe kuletë e fryrë. Nuk ka rëndësi, pse shpeshherë ndodh që sa më e bukur të jetë makina nga jashtë, aq më i shëmtuar mund të jetë personi brenda.

Ky fenomen thuajse është bërë mbizotërues në rininë shqiptare, dhe me të drejtë ngrihet pyetja “Po dashuria, ku është? A kanë dëgjuar ndonjëherë këto bukuroshe për dashurinë? A kanë ndier ndonjëherë t’u tronditet shpirti për dikë tjetër? A kanë parë ndonjëherë filma romantikë dhe kanë ndier ndonjëherë nevojën e domosdoshme për të qenë të dashuruara, për të përjetuar atë ndjenjë që i bën të gjithë të fluturojnë? Vallë kaq e fuqishme është paraja, sa të mbysë të gjitha këto dëshira e tërheqje që për shekuj me radhë kanë tronditur me mijëra shpirtra njerëzorë?

Pyes. Po vallë, sa zgjat kënaqësia nga një drekë e pasur me peshk e fruta deti? E sidomos kur partneri është vetëm një person që ka ca lekë, e ndoshta jo falë intelektit të tij, (pa dashur të paragjykojmë askënd). Por sa mund të zgjasë kënaqësia e xhiros në një makinë të bukur e luksoze? Pas këtyre çfarë mbetet? Kur shkojnë në shtëpi këto vajza, çfarë mendojnë papara se të mbyllin sytë? A nuk shumëzohen të gjitha këto “bukuri” me zero?

E sa mund të zgjasë një lidhje e tillë, ku asgjë nuk është e bazuar mbi tërheqjen fizike, shpirtërore apo mendore? Nga çfarë është parë deri më tani, lidhje të tilla zgjasin vetëm dy-tre muaj, e më pas rituali nis nga e para. Padyshim që kushdo ka të drejtë të jetojë siç i pëlqen e të bëjë zgjedhjet që dëshiron. Por lidhje të tilla nuk bëjnë gjë tjetër, veç e varfërojnë jetën e brishtë të këtyre vajzave. Madje në vend që të zbukurohen, padashur shëmtohen më shumë në sytë e të gjithëve. Bukuria e tyre, edhe pse tani e veshur me gur e me shkëlqim, e ka humbur rrëzëllitjen fillestare. Është bërë si gur fals me shkëlqim të rremë. Mikeshat e mia të shtrenjta, ju siguroj se rendja pas makinave të bukura, e pas pushimeve të shtrenjta, nuk ju bën as më të bukura, e as më të pasura. Vetëm sa ju harxhon dhe ju gërryen nga brenda e nga jashtë, duke ju bërë të ktheheni në shkarpa të thata, e pa lëng. Kapërcimi nga një makinë në tjetrën, nuk do t’ju pasurojë. Mund t’u shtojë ca fustane në gardërobën tuaj, por në fund do ndiheni të poshtëruara, të dhunuara e të nëpërkëmbura. Dikush që blen trupin tuaj me para, nuk do mundet kurrë t’ju vlerësojë shpirtin. Por do t’ju shohë gjithmonë si një mall i blerë në treg, ashtu siç shikoni ju një palë këpucë apo një fustan të ri, që e blini me qejf, e vishni një herë apo dy herë dhe pastaj e hidhni në një cep të dollapit.

Ndërsa përballë jush, keni mundësi dhe zgjidhje të pashtershme. Lejojini zemrat tuaja të rrahin lirshëm. Lejojini sytë tuaj të tërhiqen nga pasuria fizike, mendore dhe ajo shpirtërore. Jepini mundësi vetes suaj të ndieni hovet e dashurisë, madje edhe dhimbjet e saj. Edhe nëse kjo mbaron, ju premtoj se do të jeni më të bukura, më të pasura, e do të keni përfituar shumë herë më tepër, sesa nga një darkë e shtrenjtë apo nga një palë pushime në bregdet.

Gazeta Shqip
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi