Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Luan_Valikardi
Luan_Valikardi
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 38
<b>Postime</b> Postime : 21456
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 28/08/2010

Arbëria, kështjella e fundit Empty Arbëria, kështjella e fundit

Mon 22 Oct 2012 - 15:49
Citim:




Arbëria, kështjella e fundit - Qëndresa e arbërve dhe roli i tyre në ndërprerjen e pushtimit osman të Evropës
Armando Boce

Pasi mundi një nga një shtetet e Ballkanit, perandoria osmane gjendej në
bregdetin perëndimor të gadishullit pa hasur ndonjë qëndresë nga këta
popuj, përveç shqiptarëve të cilët vazhdonin të qëndronin edhe kur
turqit mundën të pushtonin disa nga qytetet më të mëdha shqiptare si
Shkodra, Vlora (por jo Durrësi që vazhdonte të ishte në kontrollin
venedikas). Pas pushtimit sulltani fillon menjëherë përgatitjet për tu
hedhur në Itali, duke përdorur këto qytete si mbështetje. Përgatitjet
filluan nga fillimi i viteve 80 të shek. XV për të vazhduar pa reshtur
për më tepër se një dhjetëvjeçar. Turqve nuk iu mungonin materialet për
ta ngritur flotën, siç nuk iu mungonin as ushtarët, por ata pengoheshin
në mënyrë të vazhdueshme nga shqiptarët të cilët nuk pranuan kurrsesi të
bashkoheshin me perandorinë osmane.

Osmanët vërtet zotëronin qytetet, por në prapatokat e tyre nuk kishin as
kontrollin më të vogël. Shqiptarët turpëruan sanxhakbejler pas
sanxhakbeleri apo qoftë ky dhe pasha, për t’i ardhur dikur radha dhe
sulltanit që iu shtua listës së sulltanëve që kishin ardhur deri në
Shqipëri dhe ishin mbuluar me turp. Këto humbje të mëdha nuk e lejuan të
realizonte pushtimin e Italisë, duke mundur vetëm të zbarkonte me trupa
të vogla pa pasur një mbështetje të sigurt në anën tjetër të
Adriatikut.

Këta shqiptarë nuk luftonin se Perëndimi ndodhej në rrezik, por e bënin
për lirinë e tyre, sidomos kur turqit në luftën që u bënin shqiptarëve
ndihmoheshin nga shtete të krishtera si Venediku, apo mbretëria e
Siçilisë, apo dhe Raguza, të cilët nuk bashkëpunuan drejtpërdrejt, por
nxituan të dërgonin ambasadorë me dhurata. Por edhe nëse shqiptarët nuk
mendonin të shpëtonin perëndimin, veprimet e tyre e parandaluan këtë.
Dhe e bënë krejtësisht të vetëm, asnjë popull tjetër nuk ishte në
gjendje ta përballonte ushtrinë turke, as serbë, as kroatë, as bullgarë e
as grekë.

Një relacion i muajit shkurt të vitit 1484, dërguar mbretit të Siçilisë,
tregon se në Vlorë ndodhej një flotë prej 70 anijesh dhe priste të
hipnin vetëm ushtarët, të cilët sapo ishin afruar në Vlorë. Autori i
relacionit nuk është në gjendje të thotë se për ku është drejtuar flota,
por lehtë mund të mendohet se qëllimi ishte bregu italian, kur sulltani
(mbështetur gjithmonë në raportin dërguar mbretit të Siçilisë) sapo
kishte vendosur paqe me mbretin e Hungarisë. I vetmi shqetësim që kishte
ushtria turke ishin shqiptarët. Këta të fundit pak ditë më parë (se të
përpilohej relacioni) kishin mundur një ushtri turke dhe dy
sanxhakbejlerë, por më e rëndësishmja kishin zënë rob Sulejman pashën,
komandantin turk.1

Në këtë fushatë turqit po ndihmoheshin nga një shtet i krishterë,
Venediku. Republika merrte përsipër të armatoste 50 galera me shpenzimet
e saj. Gjithashtu vazhdonte grumbullimi i ushtarëve turq (në tekst,
azapë dhe jeniçerë si dhe njerëz të tjerë) në Vlorë, të cilëve
ambasadori i sulltanit shoqëruar nga ai i Venedikut, po u sillnin
rrogat.2 Këta ushtarë grumbulloheshin vetëm një muaj pasi ishin mundur nga shqiptarët.
Në maj të vitit 1484, një mision vëzhgimi raguzian shkon në Vlorë, ku
njofton vazhdimin e përgatitjeve të flotës turke, gjithmonë me ndihmën e
flotës venedikase.3

Prania e flotës venedikase në operacionet furnizuese të ushtrisë turke
tregon se perandoria nuk kontrollonte prapatokën e Vlorës, prandaj dhe
shërbehej nga Venediku me galerat e saj. Venedikasit ofronin ndihmën e
tyre sepse preferonin që ushtria osmane të nisej nga brigjet e
Adriatikut, dhe të mos nisej nga portet e Greqisë sepse rrezikonin
territoret e saj në Egje.

Sulltani për të zgjidhur problemin e prapavijave, pranon kërkesat e
himariotëve për të vendosur në krye të sanxhakut djalin e Gjergj
Aranitit, Komnenin. Ata të Himarës, popuj shqiptarë etj., me qenë se
nuk i kanë treguar bindje babajt të këtij sulltani (Bajaziti II) si dhe
vetë këtij, pasi vdiq i jati i dërguan sulltanit të thënë për t’i
kërkuar të dërgonte të regjistronte
(ta bënte pjesë të sanxhakut) vendin
e tyre sepse donin të paguanin haraçin sikurse të tjerët, dhe iu lutën
t’u shënonte për qeverisje të birin e të ndjerit z. Aranit, i cili
gjendej në oborrin e tij, mbasi babai i tij kish qenë zot i atij vendi.
Sulltani i kënaqi dhe e dërgoi atë si sanxhakbej…
4

Vetëm një vit më vonë(1486) ky sanxhakbe shqiptar dhe nga një derë e
mirë vritet nga dora e himariotëve, të cilët u ndjenë të tradhtuar nga
Komneni... ata të Himarës, që tani vonë ishin bindur, e vranë atë dhe
u tërhoqën në liri, siç kishin qenë herë të tjera, sepse nuk donin ti
bindeshin turqve; ndoshta u ndoqën edhe prej shqiptarëve të tjerë.
5

Sanxhakbeu i ri, i cili afrohet përmes detit dhe jo nga toka, sulet
menjëherë mbi shqiptarët të cilët strehohen përsëri në male duke lënë
vendbanimet të plaçkiteshin nga turqit.6

Meqenëse sanxhakbejlerët dhe komandantët e ndryshëm nuk e kishin
zgjidhur këtë problem që pengonte nisjen e flotës nga Vlora, sulltani në
1487 vendos të ngarkojë vetë bejlerbeun e Rumelisë të mblidhte ushtarë
dhe të nisej kundër shqiptarëve.7

Flota turke në Vlorë ndërkohë kishte arritur deri në 100 anije dhe
sulltani urdhëronte mbledhjen e 60 mijë ushtarëve. Gjithashtu ishte
urdhëruar të shtohej ritmi i armatosjes së anijeve.8 Këta
ushtarë që do të mblidheshin janë pikërisht ushtarët që do të drejtonte
bejlerbeu. Me këtë forcë mendohej të mundeshin shqiptarët dhe pas tyre
të niseshin me flotën që i priste në Vlorë drejt Italisë.

Nuk ka lajme për përfundimin e fushatës së bejlerbeut, por në tetor
(shtatë muaj pas lajmit mbi bejlerbeun) në Shqipëri ka dështuar një
ekspeditë turke kundër kryengritësve.9 Duke llogaritur që
për një ekspeditë si ajo që parashikonte të organizonte bejlerbeu, duhej
më shumë se një muaj dhe duke qenë se ekspedita e tij ishte në një fazë
fillestare, mund të përfundojmë që ekspedita e tetorit është pra ajo e
drejtuar nga funksionari osman.

Me flotën që ndërtohej në Vlorë ishte krijuar një situatë serioze në
shtetet e gadishullit Apenin. Letra shqetësuese i drejtoheshin Papës nga
qyteti i Ankonës.10 Në Raguzë frika ishte dhe më e madhe, aq
sa aristokratët mendonin se do të ishte më mirë ta dorëzonin qytetin
tek turqit. Operacioni do të kryhej nga deti, ku 50 anije turke do të
dilnin nga Vlora dhe do të merrnin Raguzën sipas marrëveshjes. Kundër
kësaj ideje dolën qytetarët e thjeshtë të cilët i drejtohen për mbrojtje
Venedikut.11

Me shtetet e krishtera që kundërshtonin politikat e tyre, nuk kishte një
veprim të vetëm të përbashkët mbi rrezikun turk. Venediku tashmë ishte
deklaruar si aleat i turqve. Ata më të pafuqishmit si Raguza ishin gati
ta dorëzonin qytetin, të tjerët si mbreti i Siçilisë, apo qyteti i
Ankonës, i shikonin ngjarjet të shqetësuar pa mundur të bënin gjë. Të
vetmit që po kundërshtonin turqit dhe madje me sukses, ishin shqiptarët.

Shqiptarët tashmë pas 4 vjetësh (viti 1488) e kishin shtrirë hapësirën e
kryengritjes duke e bërë të përgjithshme dhe jo vetëm në prapatokën e
Vlorës. Në afërsi të Durrësit ndodheshin 4000 mijë shqiptarë
kryengritës, të cilët shqetësuan shumë Venedikun dhe e detyruan të
përforconte mbrojtjen e qytetit. Shqiptarët gjithashtu dërguan njerëz
tek Gjon Kastrioti, djali i Gjergjit të Madh, për ta ftuar të merrte
drejtimin e kryengritjes.12 Shqiptarët ishin të detyruar të
luftonin në dy krahë, me turqit myslimanë në një anë dhe me venedikasit e
krishterë në një anë tjetër.

Këta 4 mijë shqiptarë sulmojnë turqit dhe detyrojnë një sanxhakbe të
marrë arratinë duke lënë gjysmën e ushtarëve të tij të vdekur në betejë.
Në duart e shqiptarëve bie një plaçkë e madhe, në para dhe mall. Kuaj,
mëndafsh, ar dhe argjend, kafshë të imta dhe të trasha ishin pjesë
plaçkës.13

Dy muaj pas betejës së fituar në afërsi të Durrësit, himariotët në
bashkëpunim me banorë të Sopotit vrasin sanxhakbeun bashkë me shumë turq
të tjerë. Shqiptarët e Himarës dhe Sopotit, u ngritën kundër sulltanit
dhe e bënë copë-copë sanxhakbeun me shumë turq.14

Ky ishte sanxhakbeu i dytë që vritej nga dora e himariotëve dhe jo vetëm
i atij por edhe i ushtarëve të tjerë. Nëse shqiptarët vrasin për herë
të dytë një funksionar turk, si sanxhakbeu, dhe këtë pa ndonjë
vështirësi do të thotë që perandoria osmane kishte probleme të mëdha në
kontrollimin e kësaj zone. Ajo vazhdonte të zotëronte vetëm qytetet
kryesore por pa pasur asnjë kontroll jashtë tyre.

Ndryshe nga shqiptarët, shtetet e krishtera që prekeshin direkt nga
rreziku turk nuk çonin nëpërmend ndonjë rezistencë të armatosur,
përkundrazi po tregonin përulje para sulltanit.15

Në vitin 1490 mbahet një ligjëratë ku parashikohej një ekspeditë kundër
turqve ku do veprohej përmes detit dhe tokës. Veprimi përmes tokës
kërkonte që më parë që të sheshoheshin mosmarrëveshjet midis Austrisë
dhe Hungarisë me ndërmjetësinë e papës dhe pastaj të lëvizte ushtria
kundër turkut përmes rrugëve tokësore. Flota perëndimore gjithashtu,
nëse do vihej në lëvizje duhej që ti qëndronte larg asaj turke.16
Duke menduar që flota më e fuqishme në Mesdhe ishte ajo venedikase e
cila ishte një aleate e osmanëve atëherë ushtrisë perëndimore i ngelej
vetëm rruga tokësore.

Ndërkohë që shtetet e perëndimit ishin të pavendosura në kundërshtimin e
turqve, vetë sulltani i kishte qëllimet e tij shumë të qarta, të
shkatërrohej simboli i krishterë në Romë, papa. Vetë kundërshtitë midis
vendeve të krishtera tregonin se sa i pafuqishëm ishte autoriteti i
Papës tek vendet e krishtera. Të krishterët e lindjes, si serbët,
bullgarët e grekët nuk ndjenin ndonjë lloj solidariteti për vëllezërit e
tyre të së njëjtës fe. Grekët, serbët dhe bullgarët ishin kthyer në
nënshtetas të perandorisë osmane dhe udhëheqësi i tyre në Stamboll,
Patriarku ishte kthyer në një funksionar të perandorisë.

Për dy vjet papa nuk mundi të sheshonte mosmarrëveshjet midis shteteve
të krishtera, sepse kemi sulltanin që me anijet e tij kalonte i
pashqetësuar kanalin e Korfuzit, dhe që në ato momente ndodhej në
mëshirën e turqve. Një anije e nisur nga Vlora lajmëronte forcën turke
që të mos lëvizte nga Korfuzi sepse kërcënohej nga shqiptarët e Himarës
dhe Sopotit, por duhej pritur që vinin dy sanxhakbejlerë që ishin nisur
kundër tyre.17 Kundër shqiptarëve, turqit kërkojnë edhe ndihmën e venedikasve të Korfuzit në një aksion të përbashkët18, ndërkohë dy sanxhakbejlerët turq të cilët përbënin pararojën e ushtrisë, kishin mbërritur në Butrint. 19
Sulltani me ushtrinë afrohej nga veriu, ku sapo kishte blerë serbët dhe
hungarezët duke i bërë të parrezikshëm. Duke fushuar në afërsi të
Tepelenës sulltani zbuloi me habi se kishte vende ku turqit nuk kishin
shkelur kurrë. Këtu fillon një fushatë reprezaljeje kundër popullsisë
shqiptare duke masakruar shumë prej tyre. 20

Shqiptarët mbeten përsëri të vetëm para sulltanit. Asnjë nga popujt e
Ballkanit nuk u bë pengesë për osmanët. Serbët preferuan të nënshtrohen
para sulltanin duke i dërguar njerëz në Sofje për t’i treguar respekt,
por gjithashtu për t'i treguar dhe perëndimit se si popull i krishterë
nuk kishin forcë për ta mbrojtur. Ashtu siç dhe mosveprimi i grekëve, e
bindte sulltanin se pengesë të vetme ka shqiptarët dhe asnjë nga popujt e
tjerë të Ballkanit, sepse vetëm shqiptarët tregojnë edhe pas ardhjes së
sulltanit se ruajnë ende shumë energji.

Pas një qëndrimi prej gjashtë muajsh sulltani largohet për në Stamboll21
duke menduar se çështja shqiptare ishte zgjidhur. Përkundrazi
shqiptarët pa u tharë mirë plagët, ngrihen dhe sulmojnë forcat turke në
bregdet, por sidomos ato të Vlorës, duke i detyruar turqit të braktisin
vendet dhe të drejtohen për në thellësi të vendit.22

Mbasi shqiptarët shpartallojnë ushtrinë turke të bregdetit, duke bërë që
ky shpartallim të mos kalojë pa u vënë re dhe në shtetet e perëndimit,
fillon prej këtyre shteteve marrja në konsideratë e rrezikut turk.
Mbreti frank përhap fjalë që do ta luftojë turkun sapo të dalë në
bregdetin e Adriatikut. Me gjithë deklaratat plotë bujë të mbretit
frank, turqit më shumë i trembeshin shqiptarëve se sa një ushtrie që nuk
u bë kurrë një rrezik për ta.23 Ai (Karli VIII) joshej nga të dhënat që i vinin nga përtej detit ku 30 mijë shqiptarë gjendeshin gati për luftë.24
Deklaratat e mbretit frank shërbyen më shumë për të vënë në gatishmëri
sulltan Bajazitin se sa për ngritjen në këmbë të popujve të krishterë.25
Sulltani e kuptonte shumë mirë që midis shteteve të krishtera nuk
kishte një qëndrim të përbashkët për luftën kundër tij. Bashkëpunimi që
kishte me Venedikun e tregon këtë më së miri, po ashtu dhe lëvizja e
Karlit i cili më shumë synonte pushtimin e Italisë për llogari franke se
sa kundërpërgjigje të mundshme ndaj rrezikut turk. Ajo "dalje" në
Adriatik e frankut nënkuptonte luftë me shtetet e Italisë!

Por mospërfillja ndaj lëvizjes së Karlit VIII nga serbë, grekë e
bullgarë, tregon që, ose mbreti frank nuk e kishte atë fuqi që thoshte,
dhe lëvizja e tij ishte aventurë (dhe serbët, grekët e bullgarët u
ruajtën nga kjo), ose se Karli zotëronte një forcë të konsiderueshme por
që tek serbët, grekët e bullgarët mungonte dëshira dhe forca për t’iu
bashkëngjitur një lufte kundër osmanëve.

Shqiptarët, mendojnë edhe për bashkëpunimin me Karlin VIII26,
por prej tij nuk vjen asnjë rezultat, përderisa pas tre vjetësh shihen
të thërrasin nën udhëheqje të luftës pinjollin e Kastriotëve, Skëderbeun
e Ri.27

Pikërisht këtu shqiptarët tregojnë se kishin midis popujve të tjerë të
Ballkanit ndjenjën më të fortë kombëtare. Nëse këta shqiptarë do të
ishin të krishterë dhe do të mbronin krishterimin, për ta nuk do të
kishte ndonjë diferencë se kush i udhëhiqte midis një pinjolli të
Kastriotëve apo një mbreti frank. Dhe ndërsa për një të krishterë,
luftëtar ose jo, është shumë e rëndësishme të udhëhiqet nga një mbret i
krishterë, zgjedhja e shqiptarëve është bashkëkombësi i tyre pinjoll i
Kastriotit, dhe shpërfillet krejt figura e mbretit të krishterë.

Që nga momenti që lajmërohet për 30 mijë shqiptarë në afërsi të
Durrësit, do kalojnë 3 vjet që turqit të përgatisin një ekspeditë tjetër
me qëllim nënshtrimin përfundimtar të shqiptarëve, por edhe pushtimin e
Durrësit, ishte fundi i viti 1489.28 Shqiptarët nuk gjenden të papërgatitur se është pikërisht ky momenti kur ata thërrasin dhe Skënderbeun e Ri për t’i udhëhequr.

Paralelisht me përgatitjen e sulltanit, sanxhakbeu i Vlorës përgatitet
t’i bjerë shqiptarëve të Himarës, për ti përzënë. Gjithashtu kundër
shqiptarëve parashikohet të niset dhe një forcë nga Shkupi, forcë e cila
do t'i vinte në ndihmë sanxhakbeut të Vlorës.29

Pra shqiptarët janë të përqendruar në dy zona në prapatokën e Durrësit,
ku llogariten deri në 30 mijë veta dhe në atë të Himarës që vazhdonte të
rezistonte ndaj turqve. Prandaj dhe këta të fundit mendonin të
organizonin një fushatë në dy fronte.

Tashmë sulltani nuk kishte më nevojë për ndihmën venedikase, përderisa
një nga synimet e tij është dhe pushtimi i Durrësit. Marrëdhëniet e tyre
nuk ishin ato të parat, prandaj Venediku dërgon për të organizuar një
kryengritje të shqiptarëve.30 Ky person është një prift i
cili kishte tentuar dhe më parë të organizonte një kryengritje të
shqiptarëve duke takuar me këtë rast dhe princat shqiptarë që ndodheshin
në arrati. Kjo ndërmarrje dështon, sepse është pikërisht Venediku që
arreston priftin.31

Venediku në këtë rast shikon si forcë të mundshme për të kundërshtuar
turqit, në Ballkan, vetëm shqiptarët, madje as grekët të cilët i kishte
dhe nënshtetas të tij tek zotërimet në Egje.

Prifti pretendonte se kishte vërtet kontroll mbi shqiptarët, dhe guxon
të thotë madje se këta shqiptarë është gati t’ia “dhurojë” mbretit të
Francës apo atij të Hungarisë.32 Por kontroll në fakt nuk
kishte aspak, sepse shqiptarët nuk prisnin të udhëhiqeshin nga mbretërit
e krishterë, por kishin nisur të ftonin me radhë pinjollët e familjes
së Kastriotit.

Mungesa e dokumenteve në dispozicion nuk na lejon ta ndjekim më
hollësisht ngjarjet në vazhdim. Por me siguri dimë që turqit nuk mundën
ta pushtonin asnjëherë bregun italian. Pati zbarkime të shkurtra të
cilat më shumë plaçkisnin se sa kishin qëllim pushtimin e mirëfilltë.

Sulltani nuk mundi ta plotësonte dëshirën për pushtimin e Italisë. Ai
kishte flotën, kishte qytetet e bregdetit, kishte dhe ushtrinë, por nuk
mundi asnjëherë ta hipte në anije, sepse shqiptarët nuk e lanë kurrë të
afrohej në breg! Bajaziti vdes dhe sulltani pasardhës nuk kishte më
synim Italinë, përkundrazi i drejtohet tashmë Egjiptit. Me rritjen e
territoreve të pushtuara sulltanët nisën të merren më tepër me
organizimin e brendshëm të perandorisë. Gjithashtu shtetet e perëndimore
e kuptuan se ushtria osmane nuk mund të mos merrej më në konsideratë,
ndaj dhe i sheshuan mosmarrëveshjet, por dhe atëherë sulltani do të
lidhë marrëveshje bashkëpunimi me një shtet të krishterë si Franca. Nga
shtjellimi i këtyre të dhënave kuptohet se kur osmanët kishin mundësi të
pushtonin perëndimin ishin shqiptarët ata që i ndaluan, dhe jo grekët,
as serbët e as bullgarët.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi