Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Shqiperia ndjek Turqine per Bajramin, Kosova respekton daten e Arabise Empty Shqiperia ndjek Turqine per Bajramin, Kosova respekton daten e Arabise

Thu 25 Oct 2012 - 19:15
Message reputation : 100% (1 vote)
Bota islame përçahet për festën e Bajramit. Shkak është bërë pozicioni i hënës, që përcakton edhe ditën kur duhet të festohet Kurban Bajrami. Sipas myslimanëve të Turqisë, hëna ndërron më 25 tetor, por kjo datë nuk është pranuar nga Arabia Saudite, e cila e sheh hënën me sy të lirë. Ndarja në botën islame ka prekur edhe Shqipërinë e Kosovën, që për herë të parë do ta festojnë në dy ditë të ndryshme Kurban Bajramin.

Dy data të ndryshme për festën e Kurban Bajramit kanë ndarë si me “thikë” myslimanët e Shqipërisë dhe Kosovës, të cilët këtë vit faljen e Namazit nuk do ta kryejnë në të njëjtën ditë. Pavarësisht një vendimi të përbashkët për të festuar më 25 tetor festën e Kurban Bajramit, shqiptarët në Kosovë dhe në Luginën e Preshevës do të festojnë një ditë më vonë. Festimit tradicional këtë vit do t’i mbeten besnik vetëm Shqipëria dhe Maqedonia, të cilat do ta shënojnë festën sipas vendimeve të konferencës për pamjen e hënës që është mbajtur në Stamboll, ndërkohë që vendet e tjera të rajonit, si: Kosova, Bosnje Hercegovina, Serbia, do ta nisin festimin një ditë më vonë, sipas përllogaritjeve që kanë bërë në Këshillin suprem të çështjeve fetare në Arabisë Saudite.

Festimi i Kurban Bajramit në dy data të ndryshme, 25 dhe 26 tetor ka shkaktuar hutim mes besimtarëve myslimanë, që në rajonin tonë janë të shumtë. Shkak i këtyre dy datave duket se është bërë nga njëra anë Tirana, e cila e ka vendosur datën sipas kalendarit hënor të Turqisë, ndërsa Prishtina ka marrë për bazë “Ditën e Arafatit”. Dallimi qëndron në mënyrën se si shihet Kalendari i Hixhrit, i cili bazohet në ndryshimin e hënës, pra në vrojtimin e hënës me sy të lirë, apo me mjete teknologjike. Në këtë pikë, Komuniteti Mysliman Shqiptar i ka besuar më shumë kalendarit hënor astronomik, që ndiqet nga Turqia.

Sipas përfaqësuesve të këtij komuniteti, tashmë me zhvillimin e teknologjive ka ikur koha e vëzhgimit të Hënës me sy të lirë, pasi pozicioni i saj mund të shihet shumë saktë nëpërmjet astronomisë. Kjo në fakt është edhe praktika që ndjek Turqia për caktimin e datës së Bajramit, që këtë vit ka rrëzuar atë të vendosur nga Arabia Saudite, por ky nuk është rasti i parë. Edhe në vitin 2003, Turqia dhe Arabia Saudite kanë caktuar data të ndryshme për Bajramin, por asokohe kjo e fundit u tërhoq duke pranuar datën e Turqisë.

Debati në Shqipëri

Debati për ditën e Bajramit ka krijuar përplasje edhe në komunitetin mysliman shqiptar. Një nga njohësit më të mirë të kulturës islame, teologu Ermir Gjinishi, thotë se rregullin e datës nuk e ka shkelur Kosova, por Shqipëria. Madje, ai shkon edhe më tej duke pohuar se e gjitha kjo nuk është asgjë tjetër veçse influenca e Turqisë në Ballkan nëpërmjet besimtarëve mysliman. “Megjithëse kjo datë, 25 tetor, ishte vendosur që në muajin janar, sepse në këtë kohë përcaktohet edhe kalendari botëror fetar, Kosova e ndërroi, pasi Kurbani nuk do të kuptohej pa prerjen e kurbanëve.

Dita e Arafatit që i bie të enjten është një ditë para Bajramit, dhe haxhilerët aty duhet të jenë prej lindjes së diellit deri në perëndim të tij për disa momente. Kurbanët nuk mund të theren derisa haxhilerët të jenë në Arafat. Rregullin e datës e ka thyer Komuniteti Mysliman Shqiptar dhe jo Kosova, dhe e gjitha kjo është influenca e Turqisë në Ballkan nëpërmjet besimtarëve mysliman” – pohon Gjinishi. Ndërsa kreu i Forumit Mysliman Shqiptar, Roland Hysa thotë se nuk është hera e parë që ndodh kjo mospërputhje datash, por vendimi se në cilën ditë festohet merret nga komunitetet.

“Në Islam janë dy qendra botërore që ne njohim, Arabia Saudite dhe Turqia, dhe që të dyja këto kanë dhënë data të ndryshme për ditën e Kurban Bajramit. Kosova ka vendosur të respektojë datën që ka dhënë Arabia Saudite, ndërsa ne atë që ka dhënë Turqia. Nuk është hera e parë që ndodh kjo gjë, ka ndodhur edhe herë të tjera, para disa vitesh. Këto janë vendime zyrtare dhe ne si Komunitet kemi vendosur që të ndjekim atë çfarë përcakton kalendari islam sipas Turqisë, Kosova ka preferuar atë të Arabisë Saudite. Sipas përllogaritjeve astronomike të kalendarit hënor të Turqisë, këtë vit Kurbani ka rënë më 25 tetor, sipas Arabisë më 26. Këto janë mospërputhje të vogla të vogla llogaritjesh”, – shprehet Hysa.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë njoftoi dje mbarë opinionin publik se dita e parë e Kurban Bajramit do të jetë ditën e enjte, datë 25 tetor 2012. “Ceremonia e faljes së Kurban Bajramit për besimtarët e Tiranës do të organizohet në orën 07:44 në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, në segmentin para ish-Hotel Dajtit. Komuniteti Mysliman i Shqipërisë i uron mbarë besimtarët myslimanë shqiptarë kudo qofshin, gëzuar Kurban Bajramin! Paqe, lumturi dhe gëzim sjelltë në familjet tuaja”, – thuhet në njoftim.

Pak ditë më parë, mbi 350 besimtarë nga Shqipëria janë nisur në Mekë për ritualin e Haxhit, ndërsa nga Kosova, këtë rit do të kryejnë 880 besimtarë myslimanë.

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) nuk ka ndryshuar qëndrimi i saj, sipas të cilës, dita e parë e Kurban Bajramit do të jetë të premten, më 26 tetor, për shkak se autoritetet e Arabisë Saudite kanë konstatuar se e enjtja është Dita e Arafatit, kurse Dita e Bajramit duhet të jetë një ditë më vonë.

Në të njëjtën linjë është edhe Bashkësia Islame të Bosnjës dhe Hercegovinës, e cila në lajmërimin në faqen zyrtare të institucionit, po ashtu i bën me dije besimtarëve myslimanë se autoritetet kompetente nga Arabia Saudite, për përcaktimin e ditës së Kurban Bajramit kanë vendosur datën 26, vendim të cilit i bashkëngjiten edhe ata. Edhe Bashkësia Islame e Serbisë tashmë ka vendosur që 26 tetori të jetë dita e parë e Kurban Bajramit. Ndërkohë në Maqedoni, dita e parë e Kurban Bajramit përfundimisht do të mbetet e enjtja, 25 tetori. Bashkësia Islame e Maqedonisë ka deklaruar se data nuk do të spostohet edhe pse Bashkësia Islame e Kosovës ka ndryshuar qëndrim.

Për pjesën më të madhe të botës myslimane, dita e parë e Kurban Bajramit do të jetë e premtja, 26 tetor. Arsyeja për këtë është lidhja e festës së Kurban Bajramit me ditën e Arafatit që nënkupton se prerja e kurbanit, duhet të bëhet një ditë pasi haxhinjtë të kthehen nga Mali i Arafatit. Po këtë herë nuk dihet se si do të vizitojnë haxhilerët Arafatin, sipas vendeve prej nga vijnë, apo sipas shtetit Arab. Sipas teologëve myslimanë, cilindo opsion që të ndjekin njëri është gabim, ndaj kjo çështje duhet të rregullohet zyrtarisht, sepse është tepër e ndjeshme ngaqë 3 milionë njerëz nga e tërë bota rrezikojnë Haxhin.

350 besimtarë nga Shqipëria janë nisur në Mekë për ritualin e Haxhit

880 besimtarë nga Kosova do ta kryejnë këtë vit Haxhin në Arabinë Saudite

3 milionë njerëz nga e tërë bota parashikohet të kryejnë në Mekë Haxhin/MAPO
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi