Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Calypso
Calypso
Princeshe Forumi
Princeshe Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 36630
<b>Hobi</b> Hobi : shkrimi
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : ne hapat e jetes
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 21/05/2011

Festivali i Filmit Shqiptar Empty Festivali i Filmit Shqiptar

Tue 6 Nov 2012 - 10:30
Festivali i Filmit Shqiptar Nentori-i-dyte

Një prej evenimenteve më të rëndësishëm të kinematografisë shqiptare, Festivali i Filmit Shqiptar, ka nisur mbrëmjen e datës 3 nëntor edicionin e tij të 13.

Eventi, i cili realizohet një herë në pesë vjet, vlerëson prodhimet më të mira të kineastëve shqiptarë. Këtë radhë do të shfaqen 106 filma, ndër të cilët filma artistikë, me metrazh të shkurtër e të gjatë, filma vizatimorë si dhe prodhime të studentëve të regjizurës. Drejtori i festivalit, Artan Minarolli, është shprehur se ndryshe nga herët e tjera ky festival do të përfshijë edhe punët e kineastëve shqiptarë kudo që ndodhen, por sidomos atyre të Kosovës e Maqedonisë.

“Kinemaja jonë e re dhe e brishtë, por e mbështetur nga tradita e gjatë, po bën përpjekje për tu përfshirë në tabllonë e madhe botërore”, theksoi në fjalën e tij Minarolli.

Ndërsa aktori i madh Robert Ndrenika, President Nderi i jurisë, ka përfituar nga rasti për të bërë një apel që filmit t’i jepet më shumë vëmendje: “Të gjithë e duan filmin dhe ka ardhur koha t’i kthejmë sytë më tepër nga ai.”

Një premierë speciale e versionit të rinovuar të filmit "Nëntori i dytë", me regji të Viktor Gjikës, ka hapur siparin e festivalit. Disa prej figurave më të njohura të kinematografisë shqiptare të pranishëm në sallën e kinemasë “Millenium” në kryeqytet, kanë ndjekur filmin e rijetësuar dhe të përmirësuar me një cilësi tepër të lartë teknike.

Drejtoresha e Arkivit të Filmit, Elvira Diamanti, është shprehur se kjo është vetëm pelikula e parë në të cilën punohet. Së shpejti edhe filmi "Skënderbeu" do t’i nënshtrohet një restaurimi të plotë. Ripunimi i filmit është kryer në bashkëpunim me specialisten amerikane të arkivimit dhe restaurimit Regina Longo, e cila prej disa kohësh po jep një kontribut të veçantë për Arkivin e Filmit.

Festivali do të vazhdojë deri në datën 9 Nëntor, kur do të ndahen edhe çmimet për realizimet më të mira. Në datën 7 Nëntor pritet të vijë në Tiranë edhe i ftuari special i këtij edicioni, aktori i njohur italian Remo Girone.


Calypso
Calypso
Princeshe Forumi
Princeshe Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 36630
<b>Hobi</b> Hobi : shkrimi
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : ne hapat e jetes
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 21/05/2011

Festivali i Filmit Shqiptar Empty Re: Festivali i Filmit Shqiptar

Tue 6 Nov 2012 - 19:14
Në ditën e katërt të festivalit të 13 të filmit shqiptar, janë shfaqur ndër të tjera dy prej prodhimeve më të mira kinematografike të viteve të fundit. "Lindje-Perëndim-Lindje" me regji të Gjergj Xhuvanit dhe filmi i regjisorit Edmond Budina “Ballkan Bazar”, janë në konkurim për çmimin e filmit më të mirë artistik me metrazh të gjatë.

Tek “Lindje-Perëndim-Lindje" autori dhe regjisori i filmit, Gjergj Xhuvani, trajton një temë e cila është sa reale aq edhe absurde e parë në kontekstin e kohës në të cilën zhvillohet. I gjithë skenari përshkohet nga notat e humorit, por edhe pasqyron më së miri realitetin shqiptar të asaj periudhe.

“Në këtë festival nuk jemi për të konkurruar sepse filmat tanë kanë marrë pjesë në festivale edhe jashtë vendit, por këtu vijmë për tu takuar dhe për të festuar. Kjo është diçka shumë e bukur”, theksoi Xhuvani në fjalën e tij.

Është fillimi i viteve ‘90 dhe pikërisht ajo kohë kur përmbysja e sistemit komunist është shumë pranë. Një grup sportistësh, i udhëhequr nga një ish-kampion i çiklizmit, i luajtur nga Ndriçim Xhepa, nisen drejt Francës pas një ftese për të marrë pjesë në një garë çiklistike. Pas protestave politike në Shqipëri, grupi përpiqet të kthehet pikërisht në kohën kur çdo shqiptar në vend mundohej të gjente një rrugë për tu larguar nga atdheu.

Aktori Ndriçim Xhepa thekson: “Është një histori e thjeshtë njerëzore që është trajtuar fare natyrshëm dhe pa sforco nga regjisori Gjergj Xhuvani.”

Në filmin e Edmond Budinës “Ballkan Bazar” vihen përballë njëri-tjetrit dy mentalitete, ai i vizitorëve të huaj që vijnë nga një vend i zhvilluar si Franca me atë të njerëzve që kanë jetuar një jetë nën një sistem i cili i ka privuar nga shumë gjëra. Ato që janë pjesë e së përditshmes në Shqipëri, për të huajt në perëndim apo gjetkë janë gati-gati absurde. Filmi merr shtysë nga një ngjarje reale, por skenari vazhdon me një histori të trilluar e cila i flet qartë këtij realiteti ballkanik.
Calypso
Calypso
Princeshe Forumi
Princeshe Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 36630
<b>Hobi</b> Hobi : shkrimi
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : ne hapat e jetes
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 21/05/2011

Festivali i Filmit Shqiptar Empty Re: Festivali i Filmit Shqiptar

Thu 8 Nov 2012 - 8:35
Pjesëmarrja e lartë e publikut të kryeqytetit në Festivalin e 13-të të Filmit Shqiptar ka kaluar cdo pritshmëri. Një zhvillim pozitiv për kinematografinë vendase, që tregon një rikthim interesi për të.

Edhe pse të gjithë filmat me metrazh të gjatë pjesëmarrës në Festival janë shfaqur më parë në kinema, apo një pjesë e mirë e tyre edhe në ekranet televizive, vendet në salla ezaurohen në cdo shfaqje.

Mbrëmjen e ditës së katërt të Festivalit u shfaq filmi "Shqiptari", me regji te Johannes Naber, producent Dritan Huqin dhe aktor kryesor Nik Xhelilaj.

“Pjesëmarrja në këtë festival është shumë e rëndësishme. Pas një rrugëtimit të gjatë të filmit nëpër festivale të ndryshme të filmit nëpër botë, pjesëmarrja në festivalin kombëtar të filmit është jo vetëm shumë e rëndësishme por edhe e vecantë sepse është mundësia që ky film të përballet me gjithë produktet kinematografike shqiptare. Është kënaqësi shumë e madhe sepse kemi të bëjmë me ballafaqimin e filmit tonë me publikun shqiptar”, thotë producenti Dritan Huqi.

Gjatë kësaj dite u shfaqën edhe filma me metrazh të shkurtër, mes të cilëve "Si qeni n'rrush" i regjisorit nga Kosova, Driton Hajredini dhe dokumentari "Martirët" i Saimir Kumbaros.
Calypso
Calypso
Princeshe Forumi
Princeshe Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 36630
<b>Hobi</b> Hobi : shkrimi
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : ne hapat e jetes
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 21/05/2011

Festivali i Filmit Shqiptar Empty Re: Festivali i Filmit Shqiptar

Sat 10 Nov 2012 - 9:30
“Tano Karidi” në Tiranë

Festivali i Filmit Shqiptar Girone-Remo

Ka ardhur në Shqipëri për të marrë pjesë si i ftuar nderi në natën finale të ndarjes së çmimeve të Festivalit të 13të Filmit shqiptar, aktori i mirënjohur italian Remo Girone.

Publiku shqiptar e njeh atë më së tepërmi për rolin e tij të famshëm në serialin La Piovra, ku Girone ka portretizuar më së miri mafiozin Tano Karidi. “Ishte hera e parë që u trajtua aq hapur në një film historia e mafias për të cilën më pas u fillua të flitej edhe në shtyp”, është shprehur Girone duke shpjeguar popullaritetin e serialit.

Ndërsa për personazhin e tij ka pohuar se e ka bërë të suksesshëm sidomos me gratë sepse atyre ju pëlqejnë burrat e fuqishëm dhe se me gjithë negativitetin e tij, ai ka qenë interesant sepse kishte karakteristika humane.

“Kinemaja italiane mban një qëndrim mjaft kritik ndaj politikës në Itali. Megjithatë kinemaja dhe filmi kanë ndryshuar. Ajo industri kinematografike e mëparshme nuk ekziston më sepse televizioni ka përfshirë të gjitha gjërat që bëheshin më parë nga kinemaja. Kam mbaruar Akademinë e Teatrit në Romë dhe për shumë vjet bëja vetëm teater sepse karriera e atjeshme më jepte më shumë siguri. Tani nuk është e njëjta gjë, por sidoqoftë mendoj të kthehem sërish tek teatri ku kam luajtur shumë role, por mbase pas pak kohësh”, theksoi Girone.

Megjithëse ka pohuar se kjo është vizita e tij e parë dhe se në Shqipëri e ka sjellë ftesa e bërë nga miku i tij dhe krijuesi i Festivalit të Giffoni-t, Claudio Gubitosi, Z.Girone është shprehur se nuk do të përjashtonte faktin që të bënte një film edhe në Shqipëri nëse i bëhet një ofertë e tillë e cila përmban edhe skenarin e duhur.
Calypso
Calypso
Princeshe Forumi
Princeshe Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 36630
<b>Hobi</b> Hobi : shkrimi
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : ne hapat e jetes
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 21/05/2011

Festivali i Filmit Shqiptar Empty Re: Festivali i Filmit Shqiptar

Sun 11 Nov 2012 - 10:24
Gjergj Xhuvani triumfon ne Festivalin e Filmit

Ceremonia e çmimeve
Festivali i 13 i Filmit Shqiptar është mbyllur mbrëmë me një ceremoni çmimesh e mbajtur në Teatrin e Operës dhe Baletit. I pranishëm në këtë mbyllje ka qenë edhe ministri i Kulturës, z. Aldo Bumçci dhe të tjerë përfaqësues të politikës. Pasi kanë parë filmat, dy juritë e ngritura në këtë festival kanë dhënë edhe verdiktin e tyre. Juria e filmit të gjatë kryesohej nga regjisori i njohur Muharrem Fejzo, me anëtarë shkrimtarin dhe publicistin Aurel Plasari, regjisorin irlandez Mark Cousins, regjisorin kosovar Isa Qosja (fitues e edicionit të shkuar me filmin “Kukumi”) dhe regjisorin italian Claudio Fragasso. Juria që mori në shqyrtim filmat e shkurtër, dokumentarë e vizatimorë, përbëhej nga aktori kosovar që jeton në Vjenë, Astrit Alihajdaraj, shkrimtari dhe publicisti Mujë Buçpapaj, aktori dhe producenti kosovar Arben Zharku, drejtor i festivalit “Skena–UP”. Për një javë rresht, nga data 6-9 dhjetor, në kinema “Millenium” janë shfaqur 15 filma artistikë, 19 filma të shkurtër, 17 filma dokumentarë, 12 filma vizatimorë, ndërkohë që jashtë konkurrimit ishin edhe 43 filma të studentëve. Festivali shënoi tri shfaqje speciale: kopja e restauruar e “Nëntorit të Dytë”, dokumentari “Anija” i Roland Sejkos dhe “Besa Premtimi” i regjisores amerikane Rachel Goslins.

Çmimet e Festivalit


*Filmi Artistik Më i Mirë - “Lindje- Perëndim Lindje”,Gjergj Xhuvani
*Regjia e Filmit Artistik Më të Mirë – “Amnistia”, Bujar Alimani
*Aktori Më i Mirë - Fadil Hasa, “Mao Ce Duni”
*Aktorja Më e Mirë - Luli Bitri, “Amnistia”
*Aktori Më i Mirë për Rolet e Dyta – Besart Kallaku, “Gjallë”
*Aktorja Më e Mirë për Rolet e Dyta – Margarita Xhepa, “Ne dhe Lenini”
*Filmi Dokumentar Më i Mirë - “Rojtari i Bjeshkëve”, Antoneta Kastrati
*Filmi Vizatimor Më i Mirë – “Kamioni”, Ilir Kaso
*Filmi i Shkurtër Më i Mirë – “Dita e fundit e Loro Shestanit”, Sokol Keraj
*Çmimi Special i Jurisë – Joni Shanaj, “Pharmakon”
*Çmimi i Karrierës – Muharrem Fejzo
*Çmimi jubilar i 100-vjetorit – Petrit Ruka, “100 vjet me himin e flamurit”
*Çmimi special i organizatorëve – Filmit dokumentar “Besa”, Rachel Goslins
*Çmimi special i organizatorëve -Drejtorit italian të fotografisë Sebastiano Nino Celeste
*Çmimi special i organizatorëve – Drejtori francez i fotografisë Jacques Bouquin
*Çmimi special i organizatorëve – Alban Xhillari për themelimin e një kinemaje moderne si “Millenium”

Remo Girone: Do ta pranoja edhe një rol shqiptar
Emri i tij i vërtetë nuk shkakton ndonjë reagim te publiku shqiptar, por nëse thua Tano Karidi, atëherë vjen menjëherë një “ahh”. Kështu ka ndodhur edhe dje, teksa Remo Girone zbriste për herë të parë në Shqipëri, shoqëruar nga bashkëshortja Victoria Zinny. I ftuar special në natën gala të Festivalit të 13 të Filmit Shqiptar, që u mbajt dje në Teatrin e Operës dhe Baletit, aktori i njohur italian ka organizuar një konferencë shtypi me median. Atij i kanë treguar për popullaritetin që ka ndër ne, por pranon se di shumë pak për Shqipërinë. Flet veçanërisht për rolin e tij të Tano Karidit te filmi “Oktapodi”, por edhe për gatishmërinë për të shqyrtuar ftesën e ndonjë regjisori shqiptar. Intervista e mëposhtme është ndërtuar me disa prej pyetjeve të bëra në konferencën e shtypit.

Ju jeni një aktor shumë i njohur për publikun shqiptar. Sa njohje keni ju për Shqipërinë?

Kjo është hera e parë që unë vij në Shqipëri, di shumë pak nga për vendin dhe kinematografinë tuaj. Njoh një pjesë të italianëve që janë me origjinë shqiptare dhe në Sicili ka një vend që quhet “Piana degli Albanesi”

Cila është përshtypja që keni krijuar për ne?

Unë nuk kam paragjykime ndaj asnjë populli. Në mediat italiane janë përfolur shumë fakte të hidhura me shqiptarët dhe shpesh është shumë e lehtë t’u thuash të tjerëve se janë kriminelë. Një herë, në Çeki, kishte një tabelë ku shkruanin: kujdes nga romët se vjedhin, por në fakt ishin ata që vidhnin. Prej aq pak orësh sa jam këtu më duket njësoj me Italinë, ndoshta me pjesën e Italisë së Jugut, nga Roma e poshtë. Duhet të rri më shumë ditë që t’ju jap një opinion, është pak herët për të folur.

Shqiptarët ju duan, sepse ju kanë urryer në film. Si e keni realizuar rolin dhe sa i keni njohur krerët e mafies në Itali?

Në fakt ishte një zgjedhje e skenaristëve, ata e shkruan këtë personazh, i cili u bë i njohur sidomos pas serisë së katërt. Ishte hera e parë që në një film shfaqej fakti që mafia komandonte deri në nivele të larta financiare. Personazhi im ishte interesant, sepse kishte karakteristika njerëzore dhe nuk ishte jo human, ishte i keq por dinte të ishte edhe i mirë në disa momente. Ishte bukur ta realizoja këtë rol, sepse historitë deri në njëfarë pike ishin shumë të lidhura me realitetin e vërtetë. Para asaj që quhet “Mani Pulite” (hetimi që u bë rreth 20 vjet më parë në Itali për përfaqësues të politikës dhe gjyqësorit), thuajse asnjë fakt nuk publikohej në gazetë. Përmes këtij seriali fiction, mund të thuheshin edhe gjera të tilla. Në fakt disa seri të “Oktapodit” kalonin edhe në censurë. Më kujtohen që shumë ndryshime bëheshin edhe në sallën e dublimit, një personazh që ishte deputet, bëhej ish-deputet. Një herë kishin xhiruar një skenë në pallatin ku Andreoti kishte zyrën. Bëhej fjalë për një mafioz që takonte një politikan, dhe e montuan skenën në plan të parë, në mënyrë që të mos dallohej se ku ishte xhiruar. Kinemaja duhet të ketë një raport kritik me politikën dhe këtu i referohem politikës që bëhet sot në Itali. Besoj se ju i keni ndjekur përmes shtypit skandalet e shumta, rrogat e parlamentarëve tejet të larta dhe një qeveri teknike që përpiqet të zgjidhë situatën.

A ka sot kinema që denoncon?

Sigurisht që ka. Filmi “Gomorra” është një prej atyre që denoncon situatën aktuale. Por kjo lloj kinemaje sot është më e butë dhe nuk e ndan të keqen dhe të mirën me thikë. Atë e gjejmë gjithnjë të përzierë, ashtu siç është në realitet. Sot në Itali është e vështirë të gjesh se ku është e mira apo e keqja.

Duket sikur pas “Oktapodit”, personazhi negativ ju ndoqi edhe më tej në karrierë. Është e vërtetë?

Emri i këtij personazhi më ndjek edhe sot. Është e vërtetë që shpeshherë më kanë caktuar personazhe negative, por jo vetëm. Një nga rolet e fundit që kam bërë në televizor është Papa Pio XII dhe ndoshta kam mësuar shumë nga ky rol. Kam dy filma në proces ndërkohë, një në Kanada ku bashkë me time shoqe, Viktorian, luajmë një çift dhe një tjetër film që quhet “Mirëdita president”, një komedi mbi politikën italiane. Ndaj nuk ka vetëm role negative në karrierën time.

Për një aktor është më e vështirë të bëhet i njohur apo ta mbajë këtë status?

Është më e vështirë për ta mbajtur.

Jeni selektiv në rolet tuaja?

Unë zgjedh mbi bazën e asaj që më ofrojnë. Në radhë të parë shoh rolin nëse më pëlqen. Në teatër, ka qenë më e thjeshtë se kam pasur si pikë referimi aktorët e mëdhenj që i kanë bërë më parë ato role, qofshin këta amerikanë, anglezë, rusë. Në kinema lexoj fillimisht skenarin, shoh nëse është një personazh i rëndësishëm apo jo në historinë që rrëfehet dhe pastaj besoj se i rëndësishëm është regjisori që do ta realizojë. Ka regjisorë të famshëm me të cilët mund të bësh edhe role të vegjël, por ka edhe regjisorë jo aq të famshëm ku merr role të mëdhenj. Idealja do të ishte një rol i mirë.

Do ta pranonit një rol shqiptar?

Patjetër, mjafton që të ma përktheni në italisht që ta kuptoj. Me kënaqësi.

Kur Michele Placido vdiq në film, pati lot nga femrat në Shqipëri. Si janë raportet tuaja me publikun femëror?

Janë raporte të mira, por unë, në të kundërt nga Michele Placido nuk jam martuar 25 herë (Qesh). Unë jam martuar me Viktorian prej 30 vjetësh dhe vetëm një herë. Edhe kur shkojmë në aktivitete, fotografët na thonë: po këtë fotografi e kemi tashmë. Do të doja t’u jepja material gazetave rozë, por unë kështu jam besnik, kemi dy fëmijë dhe jo si Michele që ka 7-8 fëmijë me gra të ndryshme. Besoj se kam një raport shumë të mirë me publikun femëror. Duhet të them se veçanërisht me “Oktapodin” kam pasur më shumë sukses sepse gratë e pëlqejnë pushtetin dhe fuqinë. Por po bëj edhe komedi, sepse e di që femrave u pëlqen edhe të qeshin.

Cila ka qenë periudha më e artë, sipas jush, e kinemasë italiane?

Periudha e artë e kinemasë italiane është me regjisorë si Visconti, Fellini, dhe pastaj ata të komedisë italiane si Monicelli, De Sica, Sergio Leone, etj. Nuk kemi më atë industri të dikurshme, sepse televizioni i ka përfshirë të gjitha këto zhanre, të cilët prodhonin edhe më shumë të ardhura. Ne sot në Itali nuk kemi as ligjet që kanë francezët dhe spanjollët. Filmat amerikanë që dalin në Francë duhet të investojnë para rreth 20 apo 25% të të ardhurave në industrinë e filmit francez. Në këtë mënyrë, ata kanë shpëtuar kinemanë e tyre. Ndërsa te ne, filmat amerikanë vijnë, njerëzit i shohin dhe paratë shkojnë në Amerikë. Është e vërtetë që filmat e tyre kushtojnë shumë dhe vështirë që ne t’i realizojmë, por nëse do të kishim një ligj si ai, do të investonim më shumë në kinemanë tonë.
Calypso
Calypso
Princeshe Forumi
Princeshe Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 36630
<b>Hobi</b> Hobi : shkrimi
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : ne hapat e jetes
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 21/05/2011

Festivali i Filmit Shqiptar Empty Re: Festivali i Filmit Shqiptar

Sun 11 Nov 2012 - 10:26
'Besa: Premtimi'

Festivali i Filmit Shqiptar 1352462766-the_promise

Filmi dokumentar “Besa: Premtimi” ka mbyllur me një shfaqje speciale Festivalin e 13-të të Filmit Shqiptar. Një histori e jashtëzakonshme takimi pas më shumë se gjysmëshekulli e një shqiptari dhe një hebreu.

Si u takua Rexhep Hoxha me hebreun që shpëtoi mbi 60 vite më parë

Premiera europiane e filmit dokumentar “Besa: Premtimi” ka mbyllur Festivalin e 13-të të Filmit Shqiptar. Një histori e jashtëzakonshme takimi pas më shumë se gjysmëshekulli e një shqiptari dhe një hebreu. Rexhep Hoxha nuk kishte lindur ende kur prindërit e tij strehonin familjen hebreje Aladjems duke u shpëtuar jetën. Në shtëpinë e tij kishte mbetur libri i shenjtë i lutjeve, me premtimin se një ditë do t’u kthehej. E ndërsa prej disa vitesh Norman Gershman e bëri të njohur historinë shqiptare përmes ekspozitës së tij fotografike, tashmë ka përmbushur një tjetër mision: të takojë mikpritësin me të shpëtuarin. Z. Aron kishte qenë 10 vjeç kur ishte në Shqipëri, e tashmë ka marrë në dorë një copë të së shkuarës, megjithëse kishte dashur ta linte pas.

I gjithë ky rrugëtim është fiksuar në kamera nga regjisorja amerikane, Rachel Gosling, si një dëshmi i kësaj historie të rrallë shqiptare. Filmi ka mbyllur mbrëmë me një shfaqje speciale festivalin, në të cilën ishte i pranishëm edhe Kryeministri Sali Berisha. Në mungesë të regjisores, në Tiranë ishte i pranishëm pjesa tjetër realizuese e filmit, producentët Jason Williams, Christine S. Romero, fotografi Stuart Huck dhe Majlinda Myrta si përfaqësuese e fondacionit “Eye Contact”. Producentja Christine Romero, në intervistën e mëposhtme rrëfen historinë e lindjes së këtij filmi.

Si lindi ideja e këtij filmi dokumentar?

Historia ka nisur më shumë se 8 vjet më parë, në 2004-n, kur Norman Gershman, themelues i fondacionit “Eye Contact”, kontaktoi producentin Jason Williams për të realizuar një film mbi shqiptarët që kishin mbrojtur hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Ishte një histori për të cilën thuajse nuk dinin asgjë, por e ndien që do të realizonin një film të mirë. Në 2007-n Rachel Gosling, regjisorja e filmit bëri vizitën e parë në Shqipëri. Ajo shkoi në shtëpinë e një familjeje shqiptare që kishin shpëtuar hebrenjtë gjatë luftës, mblodhi shumë histori, bëri intervista dhe më pas shkoi në Izrael për të gjetur historitë e atyre hebrenjve që ishin shpëtuar nga shqiptarët. Gjatë këtij udhëtimi, një nga të intervistuarit ishte edhe Rexhep Hoxha, i cili banon në Tiranë dhe kishte një histori shumë të bukur. Prindërit e tij, Rifat dhe Fejze Hoxha, kishin strehuar familjen hebreje nga Bullgaria Aladjems. Përpara se të largoheshin, ata i lanë në BESË librin e shenjtë të lutjeve familjes së babait të Rexhep Hoxhës, i cili u premtoi që do kujdesej për të deri sa dikush të kthehej sërish në Shqipëri. Për këtë arsye, pas gati gjysmëshekulli, vendosëm të ndihmojmë Rexhepin të gjejë familjen hebreje që kishte shpëtuar familja e tij.

Sa e vështirë ishte të gjeje një familje hebreje që kishte humbur gjurmët prej kaq shumë vitesh?

Ne e ndoqëm Rexhepin në udhëtimin e tij nga Bullgaria në Izrael, në kërkim të familjes herbeje. Ishte shumë e vështirë, sepse ata nuk donin të gjendeshin, kishin ndryshuar edhe emrat. Si shumë familje të tjera që i mbijetuan Holokaustit ata dëshironin t’i linin kohët e vështira pas krahëve. Por ndërkohë, Norman dhe pjesa tjetër e stafit “kishin dhënë besën” se do të gjenin këtë familje. Pas shumë kërkimesh, pasi kishim punësuar edhe detektivë në kontinente të ndryshme, ndodhi që gjatë një darke që Normani po kalonte me një grua, ajo i thotë se kishte një mik në Izrael që e kishte si hobi të ndihmonte njerëzit të gjenin ish të dashurat e vjetra. Kështu që e provuan të kontaktonin me të dhe brenda 24 orëve ai e gjeti familjen hebreje.

Cili ishte reagimi kur trokitët në derën e tyre?

Ata na ishin shumë mirënjohës që arritën të gjenin Rexhepin. Z. Aron, i cili ishte vetëm 10 vjeç kur ndodheshin në Shqipëri, e kishte mbyllur gjithçka në një kuti dhe ai nuk e dinte se Rexhepi, që në atë kohë nuk kishte lindur ende, u kishte sjellë me vete disa libra, që prindërit e tij kishin lënë në Shqipëri. Për të ishte sikur mori një mesazh nga prindërit. Nga ana tjetër, Rexhepi nuk e dinte se sa të guximshëm ishin treguar prindërit e tij, pasi ata kurrë nuk i kishin treguar se sa e frikshme ishte ajo kohë.

Çfarë i thotë ky film publikut?

Besa është një mesazh që bota ka nevojë ta njohë. Shqipëria ka një kod moral që quhet “Besa” dhe bëri atë që asnjë vend tjetër nuk e ka bërë, tha “Jo”. Jam e emocionuar kur e them këtë. Kaq shumë jetë ka shpëtuar Shqipëria dhe kaq shumë jetë do të ishin shpëtuar nëse të gjitha vendet do të kishin bërë këtë gjë, të kishin këtë guxim. Bota do të kishte qenë një vend më i mirë sikur të kishte ndjekur shembullin e Shqipërisë, sikur t’i kishin thënë “jo” nazizmit.

Si ka reaguar publiku amerikan ndaj një historie të tillë, që ndoshta është edhe e largët?

Të gjithë ata që e kanë parë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë: Dua të shkoj në Shqipëri tani! Ata e kanë pëlqyer shumë filmin. Për ta kjo histori ishte tërësisht e panjohur, ishte një surprizë. Ky është një film që tregon për njerëz të mirë që kanë bërë gjëra të mira, nuk është një film për të cilin njerëzit duhet të kenë frikë ta shohin.

A ka histori të ngjashme të shpëtimit të hebrenjve në vende të tjera?

Jo në këto përmasa. Kemi dëgjuar histori sporadike të familjeve që kanë shpëtuar hebrenj, por jo si në Shqipëri. Gjithçka nisi kur Mbreti Zog hapi kufijtë për të gjithë hebrenjtë që donin të vinin që në nëntor të vitit 1938. Ai i ftoi hebrenjtë të vinin në të gjithë vendin dhe kishte më shumë hebrenj në mbarim të luftës se në fillim të saj. Dhe kjo nuk ka ndodhur në asnjë vend tjetër të botës. Ju tani festoni 100-vjetorin e shtetit të pavarur, por historia juaj është kaq e pasur dhe kjo nuk është hera e parë që shqiptarët hapin dyert e presin popullsinë hebreje, por ka ndodhur edhe shumë më herët. Ne jemi krenarë që po tregojmë një copëz historie të këtij vendi.

Cili është rrugëtimi më tej i këtij filmi?

Jemi duke kërkuar një distributor, duam që filmi të shfaqet edhe nëpër festivale filmash, të shfaqet në kinema, të shesim DVD dhe qëllimi ynë final është që ta fusim në programet shkollore në SHBA. Sa më shumë njerëz duhet ta njohin këtë histori. Filmi është një histori shumë kinematografike, i cili zhvillohet përmes dy udhëtimeve, atij të Norman Gershman, i cili zbulon këtë histori përmes takimit të tij me Rexhep Hoxhën dhe udhëtimi ynë duke ndjekur Rexhepin drejt Jerusalemit. Janë udhëtime të gërshetuara, ku dëshmitarët tregojnë historitë e tyre. Ajo çka unë do të doja shumë është që Rifat dhe Fejze Hoxha të merrnin nderimet që ju takojnë në Izrael dhe jo vetëm. Ata e meritojnë.
Sponsored content

Festivali i Filmit Shqiptar Empty Re: Festivali i Filmit Shqiptar

Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi