- PrincoKomplet
- Gjinia :
Shteti :
Postime : 3887
Hobi : Leximin
Vendndodhja : Mbi Token e Zotit
Anetaresuar : 26/03/2012
Situatë e tensionuar në Bruksel – Thaçi e Vuçiq ngrisin tonet
Tue 2 Apr 2013 - 17:58
Bisedimet në Bruksel po zhvillohen në atmosferë shumë të rëndë dhe momentalisht ato janë në krizë. Kështu bëjnë me dije burime të gazetës serbe “Blic” nga Brukseli.
Bëhet e ditur se dialogu në mes të zëvendëskryeministrit serb, Aleksandar Vuçiq, dhe Kryeministrit Thaçi, është zhvilluar “me tone të ngritura”.
“Atmosfera është e tensionuar. Edhe pse ka patur keqkuptime, madje edhe tone të ngritura nga të dyja palët, të gjithë po shpresojnë se kompromisi do të arrihet”, ka thënë burimi i gazetës serbe nga Brukseli. /Zëri/
***
Përfundojnë takimet bilaterale – nis takimi i ‘treshes’
Takimet bilaterale në mes të Baroneshës Catherine Ashton, Hashim Thaçit e Ivica Daçiqit, kanë përfunduar, ndërkaq tani pritet takimi i përbashkët i treshes.
Fillimisht, Ashton ka takuar delegacionin serb, të kryesuar nga Kryeministri Daçiq, e më pas, Ashton ka zhvilluar edhe një takim me delegacionin kosovar, të udhëhequr nga Kryeministri Thaçi.
Ndërkaq, Kryeministri Hashim Thaçi, është takuar të martën në Bruksel edhe me ndihmës sekretarin amerikan të Shtetit, Philip Reeker. Takimi është zhvilluar në prag të takimit mes Thaçit dhe Daciqit.
Gjatë takimit, Thaçi dhe Reeker kanë biseduar për pritjet nga procesi i dialogut të Kosovës dhe Serbisë.
Kryeministri Thaçi ka shprehur angazhimin dhe përkushtimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për fqinjësi të mirë dhe për procesin e integrimeve euroatlantike të Kosovës.
Thaçi ka vlerësuar se arritja e marrëveshjes eventuale me Daciqin, do të hap rrugë për normalizim e raporteve në mes të dyja vendeve dhe do të shënojë fillimin e mbylljes së kapitullit të konflikteve dhe njëkohësisht fillimin e hapjes së kapitullit të bashkëpunimit dhe të integrimeve euroatlantike të të dyja vendeve.
Ndihmës Sekretari i Shtetit, Philip Reeker ka shprehur angazhimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të përkrahur dialogun dhe zgjidhjen e drejtë të të gjitha çështjeve të hapura në mes të dy vendeve.
Reeker theksoi se SHBA-të mbështesin integritetin territorial të Kosovës, duke shtuar se dialogu duhet të vazhdojë për të ecur përpara drejt integrimit evropian dhe fqinjësisë së mirë. /Zëri/
***
Thaçi: Sot ditë historike për Kosovën dhe rajonin
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur edhe njëherë optimizmin për arritjen e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“Ne jemi këtu për të arritur marrëveshje në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë – një marrëveshje që do të lëvizë përpara edhe shtetin e Kosovës, por edhe gjithë rajonin në perspektivën evropiane”.
“Prishtina do të prezantojë qëndrimet e veta në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e veta”, ka thënë Thaçi, duke theksuar qëndrimin në favor të fqinjësisë së mirë.
Në një prononcim në gjuhën angleze, kryeministri i Kosovës, ka thënë se “sot është ditë historike dhe çast vendimtar për Kosovën dhe rajonin”.
“Jam udhëheqës i vendimeve dhe jam këtu për të marrë vendimin për të ardhmen e vendit tim dhe perspektivën evropiane të rajonit”, ka thënë zoti Thaçi, para takimit me Baroneshën Ashton. /rel/
***
Nis raundi i tetë
Në Bruksel ka filluar raundi i tetë i bisedimeve në nivel kryeministrash ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb, Ivica Daçiq, në takimin që do të zhvillojnë bashkërisht me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian, Catherine Ashton, do të diskutojnë arritjen e një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Baronesha Ashton fillimisht takon delegacionin e Serbisë, pastaj atë të Kosovës dhe në fund mbahet takimi i përbashkët.
Një ditë më parë, para nisjes në Bruksel, zoti Thaçi, ka thënë se delegacioni i tij shkon në Bruksel me synimin për të arritur marrëveshje me Serbinë, për normalizimin e marrëdhënieve.
Thaçi ka siguruar se nëse arrihet marrëveshja, zbatimi i saj do të nisë menjëherë.
“Kosova ka planin e vet veprues, të konsultuar me faktorin ndërkombëtar. Do të krijohen kushte për lëvizje të lirë në gjithë territorin dhe këtu nënkuptohet hapja e të gjitha rrugëve për qarkullim”, ka thënë Thaçi.
Ai edhe njëherë ka theksuar se çdo hap do të jetë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe Planin Ahtisaari.
Gjithashtu të hënën, presidenti i Serbisë, Tomisllav Nikolliq, ka bërë të ditur se në takimin e së martës në Bruksel, ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, do të shkojë edhe zëvendëskryeministri i parë i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kjo, sipas Nikolliqit, tregon për unitetin e udhëheqjes më të lartë shtetërore të Serbisë në bisedimet me Kosovën.
Sipas tij, Serbia nuk kërkon idealen, porse “ajo që kërkon Prishtina nuk do të jetë kurrë e mundur”.
Në mesin e çështjeve të hapura në bisedimet Thaçi-Daçiq, janë kompetencat që do t’i kishte asociacioni i komunave serbe në Kosovë, e që në Beograd asociacioni njihet me emrin “bashkësi”.
Beogradi do kontrollin e gjyqësisë, policisë dhe planifikimit hapësinor, por Prishtina kundërshton fuqishëm.
http://www.albtime.com/welcome/public/lajme/kosove/28978/situate-e-tensionuar-ne-bruksel-thaci-e-vuciq-ngrisin-tonet
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi