- PrincoKomplet
- Gjinia :
Shteti :
Postime : 3887
Hobi : Leximin
Vendndodhja : Mbi Token e Zotit
Anetaresuar : 26/03/2012
Intervistë ekskluzive me dr. Olsi Jazexhiu: " Të mos e trajtojmë Islamin si ideologji e cila nxit lu
Mon 15 Apr 2013 - 22:30
Një bashkëbisedim me doktorin e historisë dhe publicistin nga Shqipëria, Olsi Jazexhiun
Me çka kryesisht merret Olsi Jazexhiu?
Olsi Jazexhiu: Esselamu alejkum fillimisht. Punoj për të siguruar jetesën. Lexoj, shkruaj, adhuroj vetëm Allahun.
We alejkum selam. Si ndjeheni larg atdheut?
Olsi Jazexhiu: Kur je larg vendit ku ke lindur, shpesh të ndodh të ndjehesh më mirë sesa kur je aty. Për shumë shqiptarë që kanë lënë Shqipërinë pas viteve 90-ta, të jetosh në Perëndim sikur unë, shpesh është luks. Ndërsa të jetosh në Shqipëri, me injorancën, varfërinë, shkatërrimin dhe egërsinë që kanë njerëzit e atij vendi është një sprovë e madhe.
Çfare paraqet për ju atdheu?
Olsi Jazexhiu: Fjala at-dhe, apo toka e babës, është një shpikje të cilën në leksikun e gjuhës shqipe e futën aventurierët e Rilindjes shqiptare. Koncepti i atdheut, të cilin rilindasit frankmasonë e morën nga Franca, ka qenë një nga shirqet, apo më saktë konceptet idhujtarizuese më të fuqishme me të cilat ne shqiptarët jemi indoktrinuar në shkollat e Shqipërisë dhe Kosovës në kohë të komunizmit por edhe më pas. Pushtetarët në Shqipëri, na mësonin se at-dheu apo mëmë-dheu ku ne kishim lindur, ishte gjë e shenjtë të cilën duhet ta donim, të luftonim, ta adhuronim dhe të vdisnim për të. Kur kam qenë i vogël kam pas menduar se atdheu është një gjë e shenjtë, për të cilin duhet të vdesësh dhe japësh jetën.
Megjithatë, pasi u rrita, udhëtova nëpër botë e më pas zbulova Islamin, edhe pse Islami edhe para mua kishte qenë, por për mua qe një zbulim epokal, kuptova që “atdheu” ishte një vend, ku Allahu më kishte çuar që të lind por që nuk ishte se kishte ndonjë rëndësi aq të madhe. Për mua sot atdhe është toka, planeti ku ne jetojmë dhe Zoti na ka çuar të jetojmë që në kohën e hazreti Ademit alejhi selam. Një njeri mund të jetojë në Kanada, Turqi, Shqipëri, Malajzi, Jemen e ku të ketë qejf në jetën e tij dhe ai vend do të kthehet në vendin e tij. Koha e komb-shteteve që triumfoi në Evropë pas Luftës së Parë Botërore kur “atdhetë” u shpikën pas shkatërrimit të shteteve teokratike si Kalifatit Osman dhe Perandoria Austro-Hungareze e u kthyen në burgje që mbanin njerëzit të burgosur brenda tyre, e grupet etnike luftonin për influencë në ato copa të kufizuara toke, sot ka kaluar. Perandoria e Bashkimit Evropjan dhe Amerika i shkatërruan atdhetë, të cilët sot janë kthyer në koloni e provinca perandorishë laike. Për ne si muslimanë koncepti i atdheut ka qenë një bidat i dëmshëm që na u imponua nga kaurët e Evropës 100 vite më parë e na bëri të harrojmë Islamin e të shkëputemi nga Kalifati Osman, madje edhe nga dashuria e këtij koncepti. Atdheu ka qenë koncept idhujtarizues por edhe kufizues. Për muslimanët e vërtetë atdheu i tyre është Dar-al-Islami apo hapësira ku muslimanët jetojnë të lumtur dhe të sigurtë. Unë fjala bie, do të kisha qejf të jetoja në një vend me shumicë muslimane, si për shembull, në Brunei apo Malajzi ku muslimanët janë në pushtet, janë paqësorë, e praktikojnë fenë e tyre lirshëm, jetojnë pranë institucioneve Islame etj. Por edhe vende Perëndimore, si p.sh, Kanadaja, Suedia, Norvegjia etj, ku muslimanët nuk diskriminohen për shkak të fesë së tyre si në Shqipëri e Kosovë, jetojnë mirë ekonomikisht etj, janë vende të mira për t’u bërë at-dhe në këto kohë kur bota muslimane vuan nga varfëria dhe trazirat politike.
Ç’do të thotë për ty të jesh shqiptar?
Olsi Jazexhiu: Muhamedi alejhi selam thotë që çdo njeri lind në fitra – në natyrë të pastër – d.m.th, si krijesë e pafajshme që nuk ka asnjë identitet modern. Më pas është shoqëria ajo që e bën të krishterë, çifut apo idhujtar. Të jesh shqiptar do të thotë të besosh që je shqiptar, të të kenë mësuar që të vogël se je shqiptar, të flasësh shqip, të jesh shqiptarizuar gjatë jetës, apo të kesh patur fatin e keq që të kesh lindur në Shqipëri e je pajisur me pasaportë shqiptare dhe indoktrinuar nëpër shkollat e saj me ideologjinë e atij shteti. Shqiptar mund të jesh edhe po të jesh musliman i ish-Jugosllavisë dhe që je ideologjizuar me idenë e shqiptarizmës për ti bërë ballë presionit serb. Shqiptari ka shumë definicione.
Ndërsa shqiptarizma është një ideologji e cila lindi apo më saktë u imponua me pahir në Shqipëri në vitin 1913 kur Kalifati Osman u dëbua nga Ballkani dhe muslimanët shqipfolës u ndanë në tre shtete. Ndërsa në Jugosllavi shteti u mundua t’i bëj muslimanët shqipfolës jugosllavë, në Greqi i helenizoi, ndërsa në Shqipëri i shqiptarizoi duke ua hequr fenë dhe trushpëlarë që të besojnë se janë ilirë, pellazgë e arbërorë katolikë që kishin luftuar kundër turkut dhe Islamit në krah të Skënderbeut dhe Papëve të Romës. Gjenerata ime që lindi në vitet 1970 në Tiranë u pagëzua me shqiptarizëm që kur ne lindëm, e më pas kur shkonim në shkolla, shikonim televizione etj. Me pak fjalë, të jesh shqiptar është një imponim i kësaj dynjaje – siç thotë hadithi më lartë – ku shoqëria na bën ashtu si ajo do. Por të jesh shqiptar është njësoj sikur të jesh kanadez, italian, grek etj. Shqiptari është banor i një rajoni të caktuar në tokë, që flet një gjuhë e beson në disa mite të caktuara dhe i paguan taksa pushtetarëve të cilët në ditët tona, Perëndimi sjell në pushtet përmbi ne.
Duke qenë se edhe unë jam një shqiptar dhe njoh shumë shqiptarë të tjerë, shqiptarësia për mua përfaqëson një afrimitet kulturor me një popull të caktuar, i cili jeton në Ballkan, me të cilin unë kam ndarë një pjesë të jetës sime, dhe si musliman që jam më dhimbet pasi kundër tyre, që prej 100 vitesh, është lëshuar një kryqëzatë e cila kërkon ti poshtërojë dhe de-islamizojë.
Po të jesh musliman?
Olsi Jazexhiu: Të jesh musliman do të thotë të jesh njeriu më me fat që jeton në planetin tonë. Të jesh musliman do të thotë që të jesh njeri i urtë, filozof i thellë, rebel ndaj çdo pushteti e njeriu, njeri që duke medituar, kërkuar dhe analizuar ke arritur të kuptosh që qënësia jonë në këtë planet nuk është një aksident kozmik, por vjen si rrjedhojë e një Krijuesi madhështor. Por jo çdo njeri që lind në një familje apo shoqëri muslimane është musliman. Ismail Kadareja, Arben Xhaferri apo Enver Hoxha p.sh, që lindën në familje muslimane nuk ishin muslimanë, pasi pushteti, shkollimi e të ngjashme i bën qafirë. Të jesh musliman nuk do të thotë që duhet të jesh arab, apo turk, apo i ndonjë populli të caktuar. Të jesh musliman duhet të jesh një njeri që mëshira e Allahut të ka prekur, të ka hapur sytë e zemrën, të ka udhëzuar që të shohësh përtej yjeve e të kuptosh që e gjithë kjo dynja është e përkohshme dhe e krijuar nga një Krijues i përjetshëm, Allahu, Zoti i qiejve e i tokës, i njerëzve dhe i xhindëve, sjellësi i profetëve dhe librave hyjnor. Musliman është ai njeri që beson në Allahun, engjëjt, librat, të dërguarit e Tij, në Ditën e Qametit, Kaderin, hajrin dhe sherrin që Allahu ka krijuar. Unë jam musliman dhe besoj në jetën pas vdekjes e dëshmoj që nuk meriton të adhurohet askush tjetër përpos Allahut dhe se Muhamedi alejhi selam është i dërguari i Tij!
Unë nuk kam qenë musliman në fillimet e jetës sime, edhe pse vija nga një familje me origjinë muslimane. Musliman u bëra në vitet 90 kur nisa të lexoj Kuranin dhe ju dorëzova Allahut, duke u bërë kështu musliman. E që atëherë e falenderoj Allahun përditë, për dritën që më dha duke më mësuar fenë e Tij dhe e lus që të më bëj të vdes si musliman një ditë.
A ka nevojë historia e popullit shqiptar për një “lëvrim” përpara se të lavdërohet dikush se çdo gjë është në rregull?
Olsi Jazexhiu: Që prej fundviteve 90-ta kur nisa të studioj historinë në Malajzi dhe u mora me historikun e Pashallëkut të Shkodrës nën familjen e Bushatllijve, nisa të kuptoj që historianët e Shqipërisë kishin gënjyer shumë në lidhje me të kaluarën e shqiptarëve. Historianët e komunizmit kishin ndërtuar mite si psh. që Bushtallijtë e Ali Pasha ishin anti-turq, filo-katolikë dhe armiq të Perandorisë Osmane e shumë gënjeshtra të tjera si këto. Por dokumentet arkivore italiane që nisa të lexoj që atëherë më prezantuan me një realitet tjetër. Shqipëria osmane kishte qenë një nga bastionet me të forta të Islamizmit dhe Osmanizmit në Evropë.
Pas mbarimit të studimeve në Malajzi dhe mësimdhënies së historisë në Tiranë, e më pas gjatë vazhdimit të kërkimeve në Itali kam vazhduar të kuptoj që e ashtuquajtura histori e popullit shqiptar ishte një përmbledhje gënjeshtrat ideologjike, gjysëmfaktesh e mitesh të cilat kishin ndërtuar një histori të rreme për shqiptarët. Synimi i gjithë kësaj historie të rreme, e cila u shkrua fillimisht nga austriakët e më pas Akademia e Shkencave në Tiranë, ishte të gënjente shqiptarët dhe t’i ndante ata nga e kaluara e tyre Islame.
Transmetimi masiv i një të kaluare të rreme që bëhet në shkollat shqiptare sot në Ballkan më ka shtyrë që në vitin 2008 e më pas në 2010 të ndërmarr dy studime për tekstet shkollore në Shqipëri dhe Kosovë, ku tregoj sesi trajtohen shqiptarët, osmanët, muslimanët dhe të krishterët në tekstet e shkollave shqiptare. Studimet që kam bërë në këto vitet e fundit e janë botuar në revista ndërkombëtare dhe kombëtare e prezantuar në Itali, Bosnje, Turqi etj, mendoj se janë pjesë kontribuese e debatit që po bëhet në ditën tona në Kosovë, Shqipëri dhe Maqedoni në lidhje me rishkrimin e historisë. Në ditët tona, sikur unë, kanë dalë edhe historianë të tjerë, shqiptarë dhe të huaj, që po ekspozojnë mitet e gënjeshtrat e historisë shqiptarë. Puna e historianëve të rinjë, të cilët Kadareja i quan mohues të kombit në librin e tij “Mosmarreveshja. Shqipëria përballë vetvetes” ka rrëzuar e po rrëzon shumë mite që pushtuesit austriakë dhe italianë, e më pas komunistët, i imponuan shqiptarëve gjatë shekullit të XX. Mite katolike sikur Skëndërbeu, Nënë Tereza, Pjetër Bogdani, apo mite ortodokse sikur Millosh Kopili e Beteja e Kosovës tanimë po refuzohen në masë nga shqiptarët e në veçanti muslimanët – të cilët – tanimë janë çliruar nga diktatura komuniste dhe mund të lexojnë e kuptojnë lirshëm – që të parët e tyre ishin “evladi fatihanët” apo bijtë e çlirimtarëve islamik që sollën Islamin dhe Perandorinë Osmane në Evropën Juglindore. Gjatë një proteste që u bë në Prishtinë disa vite më parë, protestuesit kosovarë mbanin në duart e tyre pankarta ku nuk thonin jemi bij të Skënderbeut, por jemi muslimanë në Kosovë që në vitin 1389, vit kur osmanët mundën të krishterët serbë në Fushë Kosovë.
Por siç edhe ju mund ta dini, rishkrimi i historisë që po bëhet nga gjenerata e historianëve të rinj ka nxitur reagime të egra nga historianët e kohës së komunizmit dhe grupet fondamentaliste të krishtera që sot lëvrijnë mes shqiptarësh. Më të egër janë minoritarët katolikë dhe qarqe të caktuara italiane, të cilat po reagojnë në mënyrë të egër kundër këtij rishkrimi të historisë. Konflikti mbi rishkrimin e historisë që është nxitur e provokuar sot nga historianët e rinj po prodhon rezultate pozitive. Pas 100 vitesh robëri nën Jugosllavi dhe Shqipërinë komuniste, më në fund, shqiptarët e në veçanti muslimanët kanë nisur të zgjohen dhe po kërkojnë që historinë e të parëve të tyre të mos i marrin me recetat që fuqitë kolonialiste të Evropës u shkruan atyre 100 vite më parë. Mendoj se rishkrimi i historisë është i domosdoshëm dhe do të bëhet. Nëse jo institucionalisht nga historianët servilë që mban me bukë Kosova dhe Shqipëria, ai do të rishkruhet jashtë saj insha-Allah.
Nën emrin e shekullarizmit, a po krishterizohen institucionet shqiptare në Shqipëri dhe në Kosovë?
Olsi Jazexhiu: Debati mbi tektet e historisë që ju ngrini më lartë është i lidhur me procesin laicizues dhe krishterizues që shteti shqiptar, e tani Kosova dhe në Maqedoni po ndodh me shqiptarët.
Në studimet që kam bërë me tekstet e librave shkollorë në Shqipëri dhe Kosovë - si p.sh, studimi im i vitit 2011 që del këto ditë në shitje në Ballkan – unë tregoj këtë fakt. Nëpërmjet librave shkollorë me të cilët fëmijët shqiptarë edukohen sot në Ballkan ata mësohen që shqiptarët nuk janë popull musliman por fenë e lënë mënjanë e në radhë të parë kanë kombin. Por në të njëjtat tekste fëmijët i mësojnë që feja e tyre e parë ka qenë Katoliçizmi ndërsa Islami tregohet si fe e pushtuesit turk. Këtë realitet me të cilin unë jam ndeshur që në fillimvitet 1990 kur bëra gjimnazin në Tiranë, e kam ndeshur edhe në vitin 2003 kur vizitova Kumanovën dhe në vitin 2005 kur jepja mësim në Tiranë. Ja një shembull. Në vitin 2005 kur jepja mësim në Tiranë, disa nxënëse me mbiemra muslimane që po bisedonin me mua për fenë, ndryshe nga pritshmëria ime, që ato duhet të besonin se ishin muslimane, gjatë bisedës më thanë që nuk ishin të këtilla por të krishtera. I habitur nga kjo përgjigje, i pyeta si është e mundur një gjë e këtillë kur ato vinin nga familje muslimane? Ato më treguan që mësuesja e letërsisë dhe tekstlibri që ato mësonin u kishte mësuar se shqiptarët nuk ishin muslimanë, por katolikë. Nxënëset e mia edhe pse kishin mbiemra muslimanë e prindërit e tyre agjëronin, ishin trushpëlarë nga arsimi shtetëtor i Shqipërisë të besonin se ishin katolike dhe jo muslimane. Ky indoktrinim dinak katolik që bëhej në shkollat tona, por edhe shembuj të tjerë që unë përmend në studimin tim, më skandalizuan shumë.
Këto fakte që po përmend këtu e në shkrime e hulumtime që kam bërë që prej fillimviteve 2000 kam treguar sesi shteti shqiptar, por tani edhe ai i Kosovës dhe në Maqedoni, në emër të laicizmit e shqiptarisë – e ndarjes së shqiptarëve nga feja – po kryejnë një fushatë dinake nëpërmjet të cilës kërkojnë të katoliçizojnë shqiptarët. Katolicizimi po kryhet nëpërmjet vendosjes së statujave të Skënderbeut, Pjetër Bogdanit e Nënë Terezës nëpër sheshet publike ku jetojnë shqiptarët, nëpërmjet pushtimit të institucioneve shtetërore nga mitet katolike, nëpërmjet indoktrinimit nëpër shkolla dhe televizione me gënjeshtra që e paraqesin Evropës si katolike, si dhe nëpërmjet sulmit që shtetet shqiptare bëjnë kundër besimtarëve muslimanë dhe grave me shami duke i përjashtuar nga institucionet shtetërore.
Si e vlerësoni shoqërinë shqiptare në Kosovë përballë eksperimenteve fetare?
Olsi Jazexhiu: Në Kosovën e pasluftës po bëhen eksperimente nga më të shumtat me popullin musliman kosovar. Por një gjë e këtillë po bëhet edhe në Maqedoni, edhe pse në shkallë më të vogël. Tamam si në Shqipëri në vitet 90, në Kosovë kanë vërshuar me mijëra agjentë e misionarë të krishterë, katolikë, protestantë, mormonë, dëshmimtarë të Jehovait etj, dhe misionarë laikë, organizata pederash, lezbikësh etj të cilët po mbjellin aty të gjithë shejtanllëqet dhe veset që ka zhvilluar Perëndimi në vite. Në universitetet e Kosovës shumë profesorë që po edukohen në Perëndim janë inspiruar nga marksizmi kulturor, ateizmi, katolicizmi dhe militantizmi kundër fesë. Njerëz si Blerim Latifi apo Petrit Selimi p.sh, janë dy shembuj njerëzish të rinj, të trushpëlarë në Perëndim me urrejtje kundër Islamit dhe traditës së popullit të Kosovës.
Eksperimente e projekte të këqia për të ardhmen e Kosovës po bëjnë edhe ambasadat e OJQ-të perëndimore që janë sjellë aty. Ato po nxisin prishjen e familjes, shoqërisë dhe strukturës shoqërore kosovare. Në pushte kanë sjellë kukulla sikur Petrit Selimi dhe Enver Hoxhaj të cilët shtetin e Kosovës po e përdorin për ta shuar Islamin. Kosova po kthehet në një Tunizi të dytë, si Tunizia e Ben Aliut, ku korrupsioni, shtypja e muslimanëve etj po kthehen në norma të qeverisë kosovare. Muslimanët po margjinalizohen me keq sesa në kohë të ish-Jugosllavisë.
Hoxhallarët në trojet shqiptare, a janë duke e kryer punën e tyre si duhet, për sa i përket ngritjes së zërit dhe rrekjes së penës përballë padrejtësive të shumta?
Olsi Jazexhiu: Ka hoxhallarë të mirë në Kosovë, si p.sh, Shefqet Krasniqi që po mundohen me mish e me shpirt që të hapin fenë e Zotit. Në krahasim me Shqipërinë e Maqedoninë, hoxhallarët e Kosovës më duken më të mirë, aktivë, të devotshëm dhe punëtorë. Edhe Bashkësia Islame e Kosovës duket shumë më aktive sesa bashkësitë e Tiranës dhe të Shkupit.
Por një problem që kanë hoxhallarët shqiptarë në të gjithë Ballkanin është se ata i qëndrojnë larg politikës, pak prej tyre dinë të shkruajnë në shtyp dhe shumë rrinë brenda xhamive, e disa për më tepër janë të dhënë pas fitneve sektare. Syneti i të dërguarit Muhamed alejhi selam i mëson muslimanët që të jenë aktivë në jetën shoqërore dhe politike të vendeve të tyre, të bëhen aktorë socialë dhe vlerat e fesë Islame t’ia imponojnë pushtetit.
Mua më shqetëson fakti që disa hoxhallarë në Kosovë por edhe në Shqipëri, jo vetëm që nuk po bëhen aktivë në jetën politike dhe sociale të vendeve të tyre, por shpesh, si pasojë e varësisë ekonomike dhe varfërisë, për punët e tyre fetare fetvatë i marrin nga Arabia Saudite dhe vende të tjera Islame. Mendoj që muslimanët dhe hoxhallarët e Kosovës duhet të zhvillojnë idetë e tyre mbi vendet ku ata jetojnë dhe të mos bëhen “kopjacë” të verbër dhe të bindur ndaj qendrave të huaja – mbi Islamin dhe muslimanët në vendet e tyre. Ata duhet të zhvillojnë ixhtihadin dhe të përballen me padrejtësitë më të cilat ndeshen muslimanët shqiptarë sot, padyshim duke mos i anashkaluar edhe qendrat më të fuqishme Islame të vendeve arabe.
Tani të kalojmë pak në rrjedhat e vendeve arabe. A mendoni se atje vërtetë erdhi pranvera arabe, ose të paktën, a kanë filluar të shihen bulëzat e para të një stine të tillë?
Olsi Jazexhiu: Termi “Arab Spring” apo “al-Rabi al-Arabi” janë terma që janë shpikur nga studiues orientalistë amerikanë që kanë shkruar për revistën Foreign Policy (apo Politika e Jashtëme). Me këtë term i cili i përngjason termit “the Arab street” apo “rruga arabe” politikëbërësit amerikanë kanë dashur ti përshkruajnë arabët si njerëz të palogjikshëm, të egër, jo-demokratë, të cilët pas shtypjes nën diktatura, më në fund me revoltat që ndodhën në Lindjen e Mesme po emancipohen dhe bëhen demokratë sikur perëndimorët.
Për mua në botën arabe nuk ka ardhur ndonjë pranverë, por shpesh ka ardhur një dimër. Ka patur revolta popullore nga Tunizia e deri në Jemen. Në Tunizi populli u çua në revoltë kundër diktatorit frankofon Zine El Abidine Ben Ali, i cili u arratis dhe sot ruhet nga regjimi i Arabisë Saudite. Revoltë ka patur edhe në Jemen ku popull detyroi diktatorin Ali Abdullah Saleh që të largohet nga vendi për në Arabi Saudite e më pas në Amerikë. Revoltë pati edhe në Egjipt ku populli rrëzoi nga pushteti diktatorin filoamerikan Hosni Mubarak. Por këto revolta popullore ku popujt arabë u çuan në protesta dhe detyruan diktatorët e tyre të largohen nga pushteti në mënyrë paqësore, janë përdorur si justifikim nga Perëndimi dhe NATO për të nxitur luftëra civile në dy vendet e vetme arabe që nuk kanë braktisur asnjëherë palestinezët dhe që ishin jashtë sferës së influencës së Perëndimit, në Libi dhe në Siri.
Luftërat civile në Libi dhe në Siri nuk kanë lidhje me “pranverën arabe”. Ato ishin thjeshtë agresione nga ana e Perëndimit për të rrëzuar nga pushteti pushtetarë arabë që nuk i bindeshin diktateve të tij. Nëse në Tunizi, Jemen dhe Egjipt, revoltat ishin paqësore dhe demokratike, dhe regjimet ranë si pasojë e presionit mbarëpopullor, në Libi ndodhi e kundërta. Në Libi populli nuk ishte i uritur sikur në Egjipt, Jemen e Tunizi. Raisi i xhamahirijes Muamar al-Gadafi nuk ishte anti-musliman sikur Ben Aliu në Tunizi, por ishte një besimtar praktikant. Por Perëndimi dërgoi mercenarë dhe bëri aleancë me psikopatët e Al-Kaedës për të rrëzuar e shkatërruar xhamahirijen arabe të Libisë.
Nëpër rrjete të ndryshme e nëpër biseda, shpesh juve ju akuzojnë si një përkrahës i regjimit të Bashar Assadit. Si i komentoni këto komente që flasin për një qëndrim tuaji?
Olsi Jazexhiu: Që prej luftës në Irak në vitin 2003, unë kam qenë gjithnjë kundër ndërhyrjeve të Perëndimit në vendet muslimane, pa marrë parasysh se kush është lider i këtyre vendeve. Luftërat janë gjërat e fundit që muslimanët kanë nevojë sot. Në vitet 2003 kur shkruaja nëpër media kundër luftës në Irak, disa hoxhallarë që paguhen nga Arabia Saudite në Tiranë më kritikonin pse shkruaja pro “çifutit” dhe “komunistit” Sadam Husein. Mbaj mend që në atë kohë, në xhaminë e rrugës së Kavajës në Tiranë, një hoxhë më bëri shiit meqë isha kundër pushtimit amerikan në Irak. E njëjta gjë më ndodhi edhe kur u shpreha kundër ndërhyrjes ushtarake në Libi. Më kanë akuzuar si mbështetës i “çifutit” dhe “qafirit” Muamer al-Gaddafi. Tani që jam shprehur sërisht kundër luftës civile që Perëndimi ka nxitur në Siri më kanë akuzuar si përkrahës i Bashar Assadit. Por akuzat e shpifjet mua nuk më vinë vetëm nga muslimanët. Shumë katolikë më akuzojnë për vehabit, turk, i paguar nga Turqia etj. Shpifjet janë një gjë normale për një person publik, por fakti që mua më shqetëson është se në rastin që ju përmendni shumë shpifje më kanë ardhur nga njerëz që pretendojnë se janë muslimanë e falen, në një kohë që Islami na këshillon që ta duam e respektojmë njëri tjetrin.
Akuzën e parë me një shkrim publik për punën e Sirisë ma ka bërë njëfarë Burhan Seferi që punon në Shkup për Shoqatën Humanitare Shkëndija e Mëshirës. Ky bëri një shkrim kundër meje, plot shpifje dhe gabime shqiptimi (ku me quante si zëdhënës të Bashar Assadit – ndërsa në privat më shante te shokët e tij si “shiit i flliqt”). Këtij shkrimi të dobët e që nuk kishte asnjë lidhje me shkrimet e mia, as që mora mundimin ti përgjigjem.
Për punën e Sirisë unë kam bërë dy shkrime. I pari ishte në shtatot 2012 me titull “Konflikti sirian, dhe kryqëzatat e xhihadet shiito-vehabite” dhe i dyti në mars 2013 me titull “Islami si "fe e paqes" në Lindjen e Mesme të re”. Në këto dy shkrime unë i shpjegoj publikut shqiptar që në Lindjen e Mesme e më saktë në Siri po zhvillohet një luftë për influencë gjeopolitike ndërmjet Rusisë dhe Amerikës. E duke parë që shumë shqiptarë muslimanë, të nxitur nga disa hoxhallarë që pagohen nga Arabia Saudite mendojnë se në Siri po bëhet luftë për fenë, kundër feprishurve shiitë e alevitë, kam sqaruar që në Siri nuk po ndodh një gjë e këtillë. Alevitë, shiitë e sunitë po vriten, ama ata po vriten për gjeopolitikën e fuqive të mëdha, e cila duke luajtur lojën përça e sundo i ka vënë arabët të therrin njëri tjetrin. Unë i kam apeluar besimtarëve shqiptarë që të mos bien pre e propagandave luftënxitëse, të rrinë në shtëpitë e tyre e të mos shkojnë e të vrasin e të vriten në Siri. Po ashtu i kam kërkuar disa hoxhallarësh filosauditë që të mos nxisin urrejtje fetare brenda xhamive të tyre duke sharë shiitët e alevitë – por i kam apeluar që të bëhen tolerantë – ashtu siç kërkon edhe Kurani ku thuhet që në fe nuk ka dhunë. Përveç këtyre kam mbrojtur me këmbëngulje idenë që Islami është fe e paqes dhe që ne synitët nuk i bëjnë dot alevitët me dhunë synitë. Por për fat të keq, në këto vitet e fundit kam parë që idetë e grupeve tekfiriste ja kanë arritur të kthejnë shumë muslimanë në terroristë dhe Islamin e kanë bërë fe të dhunës.
Shkrimet e mia në lidhje me Sirinë dhe Libinë, më kanë bërë që të marrë shumë kërcënime e ofendime nga disa besimtarë selefistë. Më kanë quajtur shiit, alevit, ortodoks e munafik. Një hoxhë nga Tirana i cili trafikon vota me vajzën e Berishës për çdo sezon votimesh – në shkëmbim të favoreve personale që merr nga Berisha - më ka mallkuar që të ringjallem në Ditën e Kijametit me Bashar Assadin. Një tjetër ka kërkuar që të ngjallem me hoxhë Ramadan al-Butin që vrau al-Kaeda. Myhipët e hoxhës në fjalë më kanë kërcënuar me jetë, më kanë sharë kurvë, shkërdhatë, iranxhi, hijenë e zgjebosur, maskara pseudogazetar, mbeturinë, etj.
Personat që më kanë ofenduar, shumica janë të pashkollë dhe që ndoshta nuk kanë lexuar asnjë libër mbi historinë dhe gjeopolitikën globale. Shumë prej tyre janë dëgjues vetëm të atyre hoxhallarësh që Islamin e tregojnë si fe dhune dhe jo si fe të kulturës dhe edukatës. Të tjerë ofendues janë nga ata që janë prekur kur kanë parë video me krimet që ushtria siriane ka bërë kundër civilëve, e ndoshta të nxitur nga shpifjet që janë hedhur në internet kundër meje, kanë menduar se jam mbështetës i krimeve që bëhen në Siri.
Përkundër shpifjeve e ofendimeve që kanë lëshuar kundër meje, më duhet të sqaroj që unë nuk e kam mbrojtur në asnjë vend Bashar Assadin apo regjimin e tij laik. Unë kam kundërshtuar dhe kundërshtoj luftën civile në Libi e Siri, e ndërhyrjen e Turqisë, Saudisë dhe Katarit dhe mbështetjen që ato i kanë dhënë mercenarëve anti-qeveritarë, siç jam edhe kundër dhunës që qeveria ka përdorur për të shtypur revoltat. Ndryshe nga shumë besimtarë muslimanë që konfliktin e shohin me syze sektare – si luftë kundër shiitëve e sunitëve – unë e shoh me syzet e një historiani që lexon historinë e Lindjes së Mesme që nga koha kur selefistët u çuan kundër kalifatit Osman me premtimet e Perëndimit. Për mua lufta e sotme në Siri është një luftë imperialiste e Perëndimit, i cili po shkatërron e djeg vendet arabe njëri pas tjetrit duke nxitur fitne, ndasi e luftëra civile.
Dhe për në fund, ndonjë porosi?
Olsi Jazexhiu: Kam disa porosi për lexuesit e tu Iljasa, që mendoj se do të jenë shumica besimtarë muslimanë.Gjëja e parë është që dua ti këshilloj, është që fenë Islame ta ruajnë mirë. Të mos e trajtojnë Islamin si ideologji e cila nxit luftë, siç bën al-Kaeda në Lindjen e Mesme. Profeti ynë alejhi selam. kur e gurëzuan idhujtarët në Taif dhe Zoti i çoi ëngjëj që të shkatërroj qytetin, u lut për mëshirë për popullin e Taifit dhe jo për shkatërrimin e tij. Muslimanët shqiptarë, fenë duhet ta marrin siç e ka treguar i dërguari ynë alejhi selam dhe jo si fe që bën vetëm luftë nëpër botë. Islami duhet përhapur me dashuri dhe jo me luftë. Kur profeti ynë alejhi selam hyri në Meke, ai e fali Ebu Sufjanin që i kishte vrarë xhaxhain dhe nuk e vrau. Ky është Islami i profetit Muhamed.
Gjëja e dytë është që xhihadi më i madh që mund të bëjnë muslimanët shqiptarë sot, është xhihadi i dijes, i përmirësimit të jetës në vendet ku ata jetojnë, i ndihmesës së grave me shami dhe pa shami të cilat poshtërohen nga qeveritë shqiptare dhe i përhapjes së fesë te ata mijëra shqiptarë, serbë, greke e evropjanë që nuk e njohin Islamin. Muslimanët duhet të mbarojnë shkolla, punësohen në administratat e vendeve ku jetojnë, lexojnë, dekonstruktojnë mitet e të kaluarës dhe kuptojnë origjinën e tyre Islame në Ballkan. Ata duhet të punojnë që të demokratizojnë dhe de-laicizojnë vendet ku jetojnë, të luftojnë korrupsionin dhe degjenerimin moral që shoqërite e tyre po pësojnë dhe të kuptojnë impaktet që integrimi në Evropë dhe NATO do të ketë për fenë e tyre. Muslimanët shqiptarë janë njerëz të dobët e miskinë. Arma e tyre e vetme që ata kanë që nga viti 1913 nuk është lufta, por mbijetesa me mjete paqësore dhe lutja për një paqe sa më të madhe në Evropë.
Gjëja e tretë dhe që është personale, ka lidhje me shpifjet që disa të ashtuquajtur selefij kanë hedhur kundër meje në lidhje me qëndrimet e mia ndaj pranverës arabe. Unë jam një besimtar i lirë që nuk i përkas asnjë tarikati të fesë Islame dhe fenë e marr nga Kurani e Syneti dhe nga dijetarët që përnjëmend e duan këtë fe. Si i këtillë, unë besoj në lirinë që të shpreh gjithnjë mendimet e mia dhe nuk më pëlqen kur i shoh besimtarët, që për gjeopolitikën botërore marrin mendime nga qarqe e njerëz të paditur në Lindjen e Mesme. Ne si shqiptarë muslimanë duhet të jemi vetvetja dhe të mos bëhemi viktima të diktaturave të Lindjes së Mesme që nuk duan t’ia dinë se ku jemi ne në hartë apo duan të na përdorin si mish për top. Për ata që më kanë akuzuar si shiit, alevit, munafik, maskara, ortodoks etj për shkak të shkrimeve të mia, u përgjigjem me mirësi, duke i thënë që nuk jam i këtillë, por jam musliman. Por edhe sikur të gaboj ndonjëherë në shkrimet e mia, unë nuk besoj se besimtarët duhet të ofendojnë, poshtërojnë e kërcënojnë siç kanë bërë disa sysh. Islami është fe e paqes, kulturës dhe tolerancës dhe unë jam një musliman i lirë që flas mendjen time, pa patur frikë nga ndonjë hoxhë i çmendur që beson se në Damask kanë zbritur melaqetë dhe se muslimanët shqiptarë duhet të shkojnë në Siri për të vrarë alevitët. Unë mendoj, besoj e insistoj që Islami është fe e paqes dhe për mendimet e mia nuk kam nevojë që të marrë fetva apo leje nga asnjë hoxhë apo prift i Arabisë Saudite. Për këtë arsye, i lus ata që mendojnë se janë muslimanë që të sillen me urtësi e me kulturë. I këshilloj që përpara se të ofendojnë apo akuzojnë një person si jo-musliman, duhet të kenë frikë Allahun e më pas të lexojnë Suren Huxhuratë të Kuranit e në veçanti ajetin 6 ku Allahu këshillon e thotë:
“O ju që keni besuar, nëse ndonjë i pandërgjegjshëm u sjell ndonjë lajm, ju shqyrtonie mirë, ashtu që të mos e goditni ndonjë popull pa e ditur realitetin, e pastaj të pendoheni për atë që keni bërë. “
Esselamu alejkum we rahmetullah, Olsi!
Ju faleminderit
Bashkëbisedoi: Iljasa SALIHU
http://www.albtime.com/welcome/public/top-news/29714/interviste-ekskluzive-me-dr-olsi-jazexhiu-te-mos-e-trajtojme-islamin-si-ideologji-e-cila-nxit-lufte
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi