Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Të rinj që vdesin për hiçgjë kapërcejnë numrin e aksidenteve Empty Të rinj që vdesin për hiçgjë kapërcejnë numrin e aksidenteve

Sun 5 May 2013 - 14:10
  • Mbi 50 persona vdesin çdo vit nga vetëhelmimet. Një pjesë e mirë e tyre janë të rinj.
    Shefi i pavijonit të Toksikologjisë, Sulaj: Shifra jo e plotë, jo të gjitha vdekjet raportohen si të tilla

Të rinj që vdesin për hiçgjë kapërcejnë numrin e aksidenteve Antidepressants_suicide
Besarta Basha

-Tashmë është bërë e modës. Kemi dëgjuar shumë histori ku për shkaqe në dukje banale shumë persona tentojnë të vetëflijohen. Të mërzitur, shpesh kanë një hall të madh që mendojnë se nuk e zgjidh dot, janë xheloz/e për partnerin. Këto janë disa nga arsyet që shpesh çojnë shqiptarët në vetëvrasje. Mënyra? Ka nga më të ndryshmet. Aktualisht, vetëhelmimi me fostoksinë shihet si rruga më e lehtë për t’i dhënë fund jetës. Jo rastësisht, mosha 17-25 vjeçare është më e prirur për të ndërmarrë aktin fatal të vetëflijimit. Raste të tilla vetëflijuese janë bërë mjaft shqetësuese në vendin tonë, të paktën në 2-3 vitet e fundit. Alarmin e jep Zihni Sulaj, shef i pavijonit të toksikologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Sipas tij, vetëm në një vit numërohen mbi 50 persona humbin jetën për shkak të përdorimit të lëndëve toksike. “Mund të them me plot bindje se vdekjet përmes vetëhelmimeve janë një ndër shkaqet më madhore në totalin e vdekjeve në Shqipëri. Ky fenomen vërehet shumë problematik tek të rinjtë.” Dhe jo vetëm kaq, mjeku Sulaj pohon që në vitet e fundit vdekjet përmes vetëhelmimeve kanë kaluar edhe numrin e atyre që ndodhin nga aksidentet rrugore. Këto shifra përbëjnë vetëm një pjesë të rasteve që vijnë në pavijonin e Toksikologjisë, e vetmja qendër kombëtare ku mund të trajtohen rastet e vetëhelmimeve. Mjeku Sulaj pohon që vdekjet si pasojë e vetëhelmimeve nuk ndodhin vetëm në këtë pavijon, por në të gjitha spitalet e Shqipërisë. Madje, shpesh duke mos arritur as në spital. “Ajo çka është më e keqja dhe më bën të dyshoj se ka raste që vdesin shumë njerëz nga vetëhelmimi duke mos u raportuar në spital si të tilla,” thekson Zihni Sulaj.

Nisur nga të dhënat e mbledhura në pavijonin e Toksikologjisë, rastet më të shumta të vetëhelmimeve vijnë nga krizat emocionale të momentit. Dhe, kur vjen puna këtu, shqiptarët, kryesisht të rinjtë nuk mendohen dy herë dhe gjejnë mjetin më të afërt rrethanor për tu vetëvrarë. Sigurisht që mund të ketë edhe një akumulim të stresit në vazhdimësi, por aktet dhe përpjekja për të përdorur helme është momentale. “Kjo nuk do të thotë që individi gjithmonë ta përgatisë me kujdes aktin final të vetëflijimit. Nganjëherë kjo ndodh aty për aty. Në një krizë emocionale ekstreme të momentit individi përdor mjetin vetëvrasës më të afërt që ka në dispozicion,” shton Sulaj. E vetmja mënyrë për të shmangur aktin fatal është mungesa e mjeteve rrethanore të vetëvrasjes. Në rastin konkret, nëse këto helme toksike apo pesticide nuk mund të gjenden aq lehtë, sa ç’ndodh në Shqipëri, numri i të vdekurve nga ky fenomen do të ishte shumë më i ulët. Lidhur me këtë mjeku i njohur Zihni Sulaj thotë se kufizimi i disponibilitetit të mjeteve vrasëse është mënyra më e mirë për ta parandaluar aktin final të vetëflijimit. Kjo pasi, kriza emocionale është vetëm një çështje emocionale, nuk zgjat me ditë.

Kriza emocionale e momentit nuk zgjedh, prek si femrat ashtu edhe meshkujt. Paçka se në Shqipëri femrat janë ato që predominojnë me 60 për qind rastet e vetëflijimeve. “Nuk mund të them që është vetëm ana psikopatologjike. Por një pjesë e mirë e tyre kanë probleme psikologjike që janë me apo pa mjekim. Midis tyre mund të përmendim depresionin, skizofreninë, çrregullime psikike apo sjellore të cilat mund të diagnostikuar ose jo”, thotë Sulaj. E rëndësishme është që jo në të gjitha rastet mjekët arrijnë të bëjnë lidhjen midis një çrregullimi psikopatologjik dhe aktit të përpjekjes për vetëvrasje. Këtë detyrë, Sulaj ua kalon mjekëve të familjes dhe atyre të kujdesit parësor. Sipas tij, këta të fundit nuk e kanë vigjilencën apo formimin e duhur për të identifikuar raste depresive që mund të shkojnë deri në vetëvrasje. “Nëse identifikohet herët një çrregullim psikologjik, një episod depresiv, një çrregullim emocional i vazhdueshëm, një stres social, një kontradiktë familjare apo dashurore mundet që të parandalohet, pasi adresohet në shërbimin e duhur. Kjo gjë çalon gjatë vizitave rutinë që mund të bëhet me mjekun familjes apo kujdesin parësor”, vë në dukje Sulaj.

Statistikat e pavijonit të Toksikologjisë tregojnë se në mbi 80 për qind e personave që kanë bërë një tentativë për vetëflijim kanë bërë një vizitë gjatë viti që ka ndodhur tentativa për vetëflijim. Nga këto, 60 për qind e tyre kanë bërë vizitë vetëm në muajin e fundit. Këtu futen edhe vartësit nga alkooli dhe droga. Edhe këta përbëjnë një akt vetëflijimi nëpërmjet konsumit të tepërt të alkoolit apo overdozave me drogë. 60 për qind e të shtruarve në pavijonin e Toksikologjisë janë të varur nga këto dy substanca në thelb vetëvrasëse.

Elementët toksikë, mungesa e një Regjistri Kombëtar

Mosekzistenca e një Regjistri Kombëtar të lëndëve me rrezikshmëri të lartë toksike është një ndër faktorët e shtimit të numrit të vdekjeve nga helmimet apo vetëhelmimet. Nuk janë të pakta rastet e helmimeve aksidentale. Acide apo helme të ndryshme që mund të bien në duart e fëmijëve shpesh kanë bërë që ato të përfundojnë në spital. Sipas mjekut Sulaj jo vetëm që ndihet mungesa e një regjistri të tillë, por nuk ka akoma një Qendër Kombëtare të Informacionit Toksikologjik. Sipas tij, puna më e rëndësishme duhet bërë në drejtim të informimit në masë, edukimit dhe kufizimit të mjeteve të suicideve (helmeve). Disa mjete të rrezikshme që janë tepër toksikë si agrokimikatet që në botë janë hequr, në Shqipëri ende ekzistojnë. Ndaj duhet të regjistrohen dhe të kontrollohen këto pesticide ku shkojnë dhe si qarkullojnë në treg. “Është e pafalshme që produktet të tilla me rrezikshmëri të lartë, fatale për jetë e njeriut të shiten në rrugë.” Për më tepër që edhe kostoja dhe aksesi ndaj këtyre helmeve është shumë i lehtë. Në pavijonin e toksikologjisë trajtohen 7-8 mijë raste çdo vit, kjo duke përfshirë edhe rastet që vijnë nga konsumi i tepruar i alkoolit dhe drogës. Nga këto, vetëm 10 për qind e tyre shtrohen në spital, ku një pjesë e vogël shkojnë në reanimacion, 3 për qind e të sëmurëve në gjendje të rëndë vdesin. Shifrat e mësipërme vijnë nga pavijoni i Toksikologjisë në QSUT. Sulaj pohon që mortaliteti është rritur për shkak të ndihmës së parë, e cila jo gjithmonë jepet në kohën e duhur dhe për shkak të shkallës së lartë të rrezikshmërisë që paraqesin helmet e përdorura.

Histori njerëzore

Dëshmi tronditëse e një prej përdoruesve të drogës, i shtruar për kurim aktualisht në pavijonin e Toksikologjisë

“12 vjet që jetoj me këtë helm”

Ka plot mënyra për të vrarë veten ashtu siç ka edhe lloje të ndryshme helmesh. Ndonëse njëri më i shpejtë dhe një tjetër më ngadalë. Të gjithë këto raste i trajton pavijoni i Toksikologjisë në QSUT. “Shekulli” zbuloi dëshminë e Denis. Gj, përdorues droge prej 12 vitesh. Ky 27-vjeçar aktualisht po trajtohet në Pavijonin e Toksikologjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Përbuzjen dhe abuzimet në kurriz të tij i ka provuar si emigrant në shtetin fqinj, në Itali. Që aty ka nisur aventura e tij sa në Shqipëri, sa në Itali. Ka plot dymbëdhjetë vjet që ka nisur të pijë drogë. Dhuna dhe poshtërimet që i kanë bërë policia italiane për shkak se është përdorues droge kanë qenë të shpeshta sa nuk e mban mend as sa herë ka përfunduar në rajonet dhe burgjet greke. Tani ai është 27 vjeç dhe është kthyer në Shqipëri. Pasi iu hoq e drejta për të shkelur në tokën italiane, Denisi erdhi në Shqipëri këtu e pesë vite më parë. Me mendimin që ardhja në Shqipëri do ta ndihmonte për të lënë helmin e bardhë. Megjithëse i bindur për këtë gjë, nuk i doli e tija. Madje më keq akoma. “Kur erdha këtu fillova të lidhesha me shokë që konsumonin drogë. U mundova ta lija, por ndodhi më keq, fillova një helm akoma më të rëndë, heroinën.” Ka një javë që është shtruar në spital, në pavijonin e Toksikologjisë ku trajtohen të droguarit. “Kam ardhur me vullnet të plotë për ta lënë drogën. Ime më u shtrua në urgjencë, pasi vuan nga depresioni. Kishte vite që nuk e kishte kapur. Kjo më bëri të vij këtu”, rrëfen me sytë e përlotur. Ka vendosur ta lërë përfundimisht, me ndihmën e mjekëve të pavijonit të cilët po i japin një shërbim që shteti fqinj nuk ia dha asnjëherë këtë të drejtë. “Kur isha në Itali doja të futesha në një qendër rehabilitimi për përdoruesit e drogës, por nuk ma mundësuan këtë sepse isha shqiptar. Tani jam futur në trajtim dhe shpresoj që të heq dorë njëherë e përgjithmonë nga vesi që më shkatërroi jetën.”
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi