Alergjitë e stinës, pakujdesia çon në astmë bronkiale
Mon 13 May 2013 - 17:27
- Muaji maj ka sjellë rastet e para me alergjitë e stinës së pranverës. Mjekja alergologe Xhixha: Shmangni qëndrimin në ajër të ndotur
Besarta Basha
-Shtimi i ndotjes së ajrit dhe uljes së temperaturave në stinën e pranverës bën që jo të gjithë t’i gëzohen kësaj stine. Me largimin e virozave gripale, të cilat deri dje i kishim “nëpër këmbë” tani vendin e tyre sa i takon shqetësimeve që sjellin tek shumë individë, e zënë alergjitë e stinës. Në poliklinikën e Specialiteteve në kryeqytet, ka 2-3 javë që janë shfaqur rastet e para me alergji. Reshjet e dy ditëve të fundit kanë pastruar ajrin nga polenit duke bërë që rastet të jenë më të qeta. Mekja alergologe Mira Xhixha tregon se si shfaqen alergjitë, çfarë faktorësh ndikojnë, komplikacionet dhe se si duhet vepruar në rast të shfaqjes së simptomave të para. Më problematike pritet të jenë ditët në vijim ku pritet një rritje e temperaturave, e cila do të shoqërohet me shtimin e alergjive. Poleni që do të jetë prezent në ajër gjatë muajve në vijim, në varësi dhe të kushteve klimaterike, do të jetë shkaku kryesor i shqetësimeve alergjike gjatë kësaj stine. Më të prekur janë disa persona të veçantë, të predispozuar për të mos pranuar substancat e jashtme të cilat organizmi i tyre nuk ua pranon. Mjekja Xhixha apelon që në rastin e parë të shfaqjes së simptomave të drejtohen tek mjeku alergolog, pasi ekziston rreziku i kalimit në astmë bronkiale.
Cilët janë shkaktarët kryesorë të alergjive?
Janë disa bimë barishtore si: grami ose loliumi (bimë të egra dhe të kultivuara). Në familjen e gramit bëjnë pjesë mijëra lloje bimësh, të cilat nxjerrin polenin në muajt e pranverës në hapësirë. Kjo fazë vjen pas fazës së lulëzimit dhe zgjat disa javë. Gjatë kësaj kohe shkaktohen alergji tek persona të veçantë. Aktualisht kemi në ajër disa polene të pemëve, por që nuk janë të forta në shkaktimin e alergjisë. Më të shpeshta janë alergjitë që vijnë nga familja gramore, nga barishtet.
Cilët persona janë më të predispozuar për t’u prekur nga alergjitë?
Jo të gjithë njerëzit preken nga alergjitë. Një alergji prek një person alergjik. Janë persona të veçantë të cilët kanë aftësi për ta kundërshtuar një substancë që është në ambientin e jashtëm, një substancë me natyrë proteinike. Këta janë persona të ndjeshëm të cilët kundërshtojnë dhe i përgjigjen poleneve apo dhe substancave të tjera që ndodhen në mjedis në një mënyrë të ndryshme, krahasuar me personat e tjerë “normalë”, të cilët nuk reagojnë. Kjo bën që në trupin e tyre të zhvillohen reaksione apo sëmundje alergjike të ndryshme.
Si arrijnë në organizëm këto substanca?
Këto shkaktare kontaktojnë me organizmin tonë nëpërmjet lëkurës dhe nëpërmjet rrugëve të frymëmarrjes. Polenet futen në mushkëri me anë të ajrit dhe bien në kontakt me mukozën e hundës, grykës dhe bronkeve, dhe pezmatimi alergjik zhvillohet në një apo në të gjitha nivelet e rrugëve të frymëmarrjes.
Çfarë simptomash shfaq një alergji e zakonshme?
Një person alergjik teshtin shumë, shpesh, teshtima të njëpasnjëshme, kullim të ujshëm të hundëve, bllokim të hundëve dhe më pas frymëmarrja merret nëpërmjet gojës, skuqje të syve, kruarje të lëkurës rreth hundës dhe kollë të thatë. Këto janë simptomat, por një person mund të ketë edhe vetëm njërën prej këtyre shenjave, pra mund të mos i ketë të gjitha shenjat karakteristike. Simptomat që shfaqen më dendur janë tek ata persona që kanë rrufë. Por alergjia mund të shfaqet edhe vetëm me kollë të thatë, me marrje fryme, apo me ndjenjë shtrëngimi në gjoks, pra me shenja te astmës bronkiale, secila mund dhe të na prezantojë e vetme një alergji nga polenet.
A mund të parandalohet alergjia?
Pacientët duhen drejtuar menjëherë tek mjeku. Nuk mund të parandalohet sepse bëhet fjalë për kontaktin me ajrin. Polenet janë në ajër dhe një person sapo del nga shtëpia ka thith ajri të pasur dhe me grimca polenesh të ndryshme. Simptomat fillimisht konsiderohen si një grip apo si një virozë, por nëse shqetësimet vazhdojnë me shume se dy javë, duhet t’i shkojë në mendje se kjo është një alergji dhe të kontaktojë me mjekun.
A mund të shoqërohet me komplikacione të tjera?
Sëmundja fillon në formë të lehtë, por nëse nuk shkon te mjeku ajo mund të rëndohet. Shqetësimet rëndohen dhe ndërhyjnë në aktivitetin e përditshëm jetësor të personit. Mund të kalojë në bronke shqetësimi e më pas në mushkëri duke shfaqur astmën. Shqetësimet rëndohen dhe komplikohen.
Ka faktorë të tjerë që ndihmojnë në shfaqjen e alergjive?
Faktorë të tjerë që ndihmojnë në shfaqjen e sëmundjeve ka shumë. Mund të përmendim ndotjen e ajrit. Tek ne ajri është shumë i ndotur, por edhe faktorë të tjerë si mënyra se si jetojmë dhe ushqehemi. Është i rëndësishëm trajtimi dhe përcaktimi i diagnozës.
Në çfarë periudhe të shfaqjes së alergjive jemi aktualisht?
Aktualisht rastet e para kanë 2-3 javë që kanë filluar të vijnë. Kjo për shkak të luhatjes së temperaturave, ditëve me diell dhe ndotjes së tepërt. Ditët e fundit ka pasur një fluks më pak të vogël për shkak të shiut që ka rënë ditët e fundit. Reshjet e shiut dhe temperaturave të ulëta. Shiu e pastron ajrin nga polenit të cilat ndodhen në hapësirë, kështu që sa të ketë reshje shiu janë të pakta rastet e personave të prekur nga alergjia. Me rritjen e rrezatimit diellor dhe me ngritjen e temperaturave do të shfaqen edhe shqetësimet.
80 për qind e alergjive, nga ndotja e ajrit
Sezoni i pranverës mbart me vete shfaqjen e alergjive. Shkak për këtë shërbejnë disa arsye, mes të cilave ndotja zë 80 për qind të rasteve të prekura. Këtë fakt e tregojnë të dhënat e publikuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Sipas një studimi të kryer, niveli i tepërt i ndotjes është përgjegjës përpjesën më të madhe të alergjive të shfaqura, ndërsa 20 për qind të tyre e zë rritja e temperaturave. Për këtë arsye, mjekët apelojnë që në këtë periudhë të kurohet alergjia, pasi në të kundërt ekziston rreziku i kalimit në astmë bronkiale. Ndërkohë kjo sëmundje është e nëndiagnostikuar dhe e nëntrajtuar, duke shkaktuar një barrë të rëndësishme ekonomike si për individët dhe familjet e tyre dhe duke ndikuar kështu ndjeshëm në cilësinë e jetës të pacientit gjatë jetës. Sipas studimit, 30 për qind e shqiptarëve bvëhen me astmë për shkak se nuk kurohen në kohë. Më problematike, alergjitë shfaqen tek fëmijët e vegjël. Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, 4 për qind e fëmijëve po e vuajnë këtë sëmundje. Ndërkohë përllogaritet se prevalenca e të sëmurëve me astmë po rritet me 5 për qind në vit. Astma është një sëmundje kronike e karakterizuar nga sulme të përsëritura të vështirësisë në frymëmarrje dhe fishkëllimës, të cilat ndryshojnë nga personi në person, si në ashpërsi dhe në frekuencë. Tek individët e sëmurë, simptomat mund të shfaqen disa herë në ditë apo javë, dhe për disa njerëz, ato mund të përkeqësohen gjatë aktivitetit fizik ose gjatë natës. Sipas mjekëve, astma alergjike shpesh në moshën e rritur mund të kalojë, por megjithatë, në 75% të rasteve rishfaqet më vonë. Gjatë muajit maj, Shoqata Shqiptare e Alergologjisë dhe Imunologjisë Klinike, në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin e Shëndetit Publik, organizon aktivitete të ndryshme për ndërgjegjësimin dhe kujdesin ndaj astmës.shekulli
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi