Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

SHBA dhe Londër ultimatum Enver Hoxhës për votimet e 2 Dhjetorit ’45: Lejo zgjedhje të lira Empty SHBA dhe Londër ultimatum Enver Hoxhës për votimet e 2 Dhjetorit ’45: Lejo zgjedhje të lira

Sat 25 May 2013 - 1:10
SHBA dhe Londër ultimatum Enver Hoxhës për votimet e 2 Dhjetorit ’45: Lejo zgjedhje të lira Enver_hoxha-1
Shqiptarët kanë 93 vite që shkojnë në votime. Të parat votime që u organizuan nën parullat dhe propagandën e “zgjedhjeve demokratike” në Shqipëri, ishin ato të 2 dhjetorit të vitit 1945, të cilat kishin si organizatore pushtetin komunist, të dalë nga lufta, i vetë-shpallur “pushtet popullor” prej PKSH, partisë që u njoh si forca politike fitimtare e luftës çlirimtare. Historia e zgjedhjeve dhe votimeve në Shqipëri ka një ‘dosje” të tejngarkuar me ngjarje problematike, madje deri në përleshje mes palëve politike, në atentate, kurthe, vjedhje votash, rënie dhe marrje pushteti me dhunë, intriga, pazare, eliminime të opozitarizmit dhe e sundim të dhunshëm të një force politike, duke krijuar pushtete-kultesh të një individi, ose të një grupi individësh. Këtë “model” zgjedhjes, votimesh e sundimesh e kemi prezent edhe sot pas 93 vite votimesh. Pushteti vazhdon të identifikohet me një individ e grup individësh, me një parti, me dhunë kundër opozitës, me vjedhje e manipulime votash, me dhunë në fushatat elektorale, me intriga, me prangosje, madje edhe me vrasje e përleshje mes militantëve politikë. Këtë e ndeshim edhe në këtë fushatë zgjedhjesh të 23 qershorit 2013. Pushteti sulmon opozitën me provokime, me kërcënime, me akte dhune mbi simbolet, përfaqësuesit dhe zyrat e saj. Gazeta “SOT”, po nis një speciale me fakte nga zgjedhjet e para politike pluraliste në Shqipëri, të zhvilluara pas luftës anti-fashiste në 2 dhjetor 1945, por edhe duke publikuar fakte nga historia e votimeve që prej vitit 1920, për të rikujtuar në këtë prag zgjedhjesh të 23 qershorit 2013, faktin historik e aktual, që në 93 vite zgjedhje, në Shqipëri nuk janë bërë asnjëherë votime të rregullta, por vetëm procese konfliktuale.

Votimet në 2 dhjetor 1945, vetëm parullat ishin “pluraliste e demokratike”

Data 2 Dhjetor 1945. Shqipëria kishte mbushur vitin që kishte dalë nga Lufta Nacional-Çlirimtare dhe sipas Fuqive të Mëdha, por dhe sipas projektit të Enver Hoxhës e komunistëve që e rrethonin, rradhën e punëve e kishte vendosja e pushtetit zyrtar e legjitim, nëpërmjet zgjedhjeve politike, me qëllim përcaktimin e formës së regjimit. Kështu pra, u vendos të bëheshin zgjedhjet, për të cilat u tha, se do të ishin “pluraliste, të lira e të kontrolluara dhe nga bota”. Ishin zgjedhjet e para që zhvilloheshin në Shqipëri, pas Luftës së Dytë Botërore. Në këto zgjedhje, me këmbënguljen e aleatëve perëndimorë, të cilët dhanë mbështetje të madhe gjatë periudhës së luftës antifashiste, Enver Hoxha dhe komunistët, megjithëse përpara mbarë opinionit ndërkombëtar, ishin përpjekur të përvetësonin të gjitha meritat dhe rezultatet e luftës antifashiste, u detyruan të pranonin dhe të lejonin futjen e opozitës në këto zgjedhje, të përfaqësuar nga intelektualë të shquar dhe nga atdhetarë të njohur me kontribut të madh, sidomos me kontribut financiar në fitoren e kësaj lufte. Sipas raporteve e dëshmive të kohës, por dhe sipas dokumenteve të historisë, zgjedhjet e zhvilluara në 2 Dhjetor 1945 u manipuluan nga ana e komunistëve, duke vjedhur votat në mënyrë të hapur e brutale, me mashtrime e kërcënime. Përpara zgjedhjeve të dhjetorit ‘45, Partia Komuniste që faktikisht kishte në dorë gjithë pushtetin e siguruar nga lufta, filloi të zhvillonte një fushatë që nuk u konsiderua fushatë zgjedhjesh, por “fushatë ekstreme terrori” mbi popullatën dhe ndaj kundërshtarëve politikë. Votimet, u vendos të bëheshin të fshehta. Ndërsa votat, që ishin kokrra me ngjyra të veçanta, hidheshin në dy kuti të ndryshme. Njëra kuti ishte e komunistëve, ndërsa kutia tjetër ishte e opozitarëve. Sipas dëshmive, dokumenteve të kohës dhe materialeve të botuara në shtypin e huaj të asaj kohe, me kutitë u bë loja e komunistëve me votat dhe me presionin psikologjik ndaj votuesve, të deklaruar e të cilësuar “kundërshtarë të regjimit komunist”. Kutia ku do të hidheshin votat (kokrrat) e opozitës, ishte bërë e tillë nga komunistët, që në fund të saj, kishte një shtresë prej metali, në të cilin pasi të binin “votat” prej kokrrash, të shkaktonin tingull. Ky tingull, sipas “provave” të bëra, dëgjohej nga anëtarët e komisionit dhe kështu, ata kishin mundësinë e plotë, për të zbuluar se cilët votonin kundër komunistëve dhe cilët pro tyre, duke evidentuar me emra kundërshtarët politikë të Partisë Komuniste dhe të pushtetit të Enver Hoxhës. Kjo lojë e bënte pa vlerë deklarimin e komunistëve, për “votime të lira e të fshehta”. Atëherë, opozita anti-komuniste reagoi ashpër, por zëri i saj nuk u dëgjua dhe kështu zgjedhjet u mbyllën, duke “legalizuar” komunistët dhe Enver Hoxhën në krye të pushtetit “legjitim” shqiptar, pushtet i cili me dajak dhe votime nën presion, u mbajt prej tyre për 47 vite më radhë, deri në 22 mars 1992.

SHBA e Londra, ultimatum Enver Hoxhës: Lejo zgjedhje të lira

Pa bërë komente në lidhje me pushtetin komunist, të instaluar me manipulime, vjedhje votash e dhunë mbi votuesit në 2 Dhjetor 1945, po publikojmë të plotë, raportimin e vëzhguesit amerikan në ato zgjedhje, Eduard Klerr, korrespondent special i Agjencisë Telegrafike Amerikane (INS), në të cilin flitet posaçërisht për zgjedhjet e bëra në Shqipëri, në datën 2 Dhjetor 1945. Ja artikulli i tij: “Çfarë është “Fronti Demokratik”, që ka triumfuar më 2 të Dhjetorit 1945, në zgjedhjet shqiptare dhe si vjen e radhitet ai, në panoramën politike të tashme të Ballkanit? Kush janë gjeneral Enver Hoxha dhe njerëzit e tij, që presin në Tiranë, njohjen definitive nga ana e Uashingtonit dhe të Londrës? Qeveria Amerikane dhe ajo Angleze, i kishin vënë Enver Hoxhës për njohjen e pushtetit të tij, një kusht esencial: Të bëhen zgjedhje të lira, në prani të gazetarëve amerikanë dhe anglezë. Vëmendja e aleatëve është sjellë nga Shqipëria, sepse ky vend, siç e dëfton gjithherë historia e tij, është një ndër pozicionet “çelës” të rregullimit politik e strategjik të Ballkanit. Dhe si kam mundur të konstatoj në Tiranë, mbi Shqipërinë përqendrohen përsëri interesa të kundërta të vendeve të afërt dhe të largët, që kërkojnë sejcili, ta fusin këtë vend primitiv në sferën e influencës së tyre. Fronti Demokratik, ka fituar 95% të votave! Kështu i lajmëroi gazetarët amerikanë dhe ata anglezë, Enver Hoxha, mbas dreke vonë, të hënën, më datën 3 Dhjetor 1945. Ai na shikonte me vëmendje për të blerë në fytyrat tona, reaksionin e parë. Pastaj, duket për t’i dalë përpara çdo pyetjeje nga ana jonë, “Titoja shqiptar” menjëherë shtoi ngutshëm: “Të gjithë ata që pretendonin se zgjedhjet do të bëheshin në një regjim terrori dhe të shoqëruara me çrregullime, janë përgënjeshtruar keq”. Mbas këtij përcaktimi, gjenerali shqiptar 37 vjeçar, erdhi në vehte përsëri duke u ngritur nga ajo poltronë, që para ndoca vjetësh ishte e zënë nga Luogotenenti fashist, Françesko Jakomoni. Edhe në një bisedim të gjatë që patëm pastaj, Enver Hoxha më siguroi, se “Fronti Demokratik”, që dolli fitonjës në zgjedhje, përfaqëson të gjitha aspiratat e popullit shqiptar”. Sipas këtij parimi, drejtuesit e tashëm të Shqipërisë e mendojnë së tepërmi paraqitjen e kandidatëve të opozitës në Ansamble. Lidhur me këtë çështje, Doktor S. Malëshova, Ministër i Shtypit dhe i Propagandës, më ka përcaktuar se, “Në vija të përgjithëshme, Qeverija e Enver Hoxhës nuk është kundër daljes së një opozite, por për hir të së vërtetës, ne mendojmë se një opozitë nga ana e partive dhe grupeve politike, do të degjeneronte në një reaksion fashist, ose profashist”. Kështu del, se sipas Doktor Malëshovës, “Fronti Demokratik” e ka mendje të ngeli e vetmja organizatë politike në Shqipëri. Ajo përbëhet së pari, nga Partia Komuniste Shqiptare dhe nga filialet e saj, si Organizata e Rinisë Komuniste, Këshilli Antifashist i Grave Shqiptare, Bashkimi Sindikatave Punëtore dhe në fund, Grupi i Patriotëve pa Parti. Administrata lokale shqiptare është bërë sipas modelit të Administratës Jugosllave të Titos. Ajo është bazuar mbi Këshillat e zgjedhura nga populli. Në realitet, drejtuesit dhe pjestarët e këtyre Këshillave, propozohen zyrtarisht nga Partia Komuniste për aprovim. Ndër këto raste, nuk ekzistojnë kandidatë konkurrues. Zgjedhja e tyre bëhet me ngritje duarsh dhe jo me vota të fshehta. Ata që zgjidhen janë besnikë të direktivave të partisë së tyre dhe ushtrojnë funksione drejtimi e kontrolli. Sa për zgjedhjet shqiptare që u bënë para pak ditësh, janë për t’u shënuar dy gjëra që kanë një rëndësi të veçantë: Së pari: Qeverija e Enver Hoxhës është paraqitur në zgjedhje, pa asnjë kundërshtar. Së dyti: PKSH ka paraqitur kandidaturën, në kushte më të favorshme se sa blloqet analloge të vendeve të tjerë të Ballkanit, si Jugosllavia e Bullgaria”.

Mbyllja e votimeve hapi rrugën e pushtetit të diktaturës

Mbyllja e votimeve, hapi një etapë tjetër të vështirë për krerët e opozitës dhe përkrahësit e tyre. Metoda djallëzore e futur në veprim, krijoji mundësinë, që komunistët të zbulonin lehtësisht kundërshtarët dhe kontigjentin e njerëzve, të cilët votuan kundër tyre. Menjëherë pas votimeve, filloi goditja politike e hakmarrjes së pushtetit. Shpata e Diktaturës së Proletariatit “preu e griu” shumë kundërshtarë politikë të pushtetit komunist të Enver Hoxhës. Por pavarësisht presionit, terrorit dhe dhunës ndaj opozitës, ushtruar edhe në sy të vëzhguesve të huaj, në dy nga komunat e vendit dhe konkretisht, në Komunën e Himarës në Vlorë dhe të Derjanit në rrethin e Matit, populli votoi plotësisht dhe hapur kundër komunistëve. Ky fakt, dëshmoi dy momente politike për raportet e pushtetit komunist, që po niste rrugën e tij nëpërmjet këtyre votimeve:
1. Kundërshtimi komunizmit prej njerëzve të thjeshtë, të cilët nuk ishin dakord me frymën sekuestruese e të dhunshme të pasurive prej qeverisë komuniste.
2. Frika e palës komuniste nga opozita, për të mos humbur pushtetin dhe skema e pushtetit për asgjësimin e saj urgjent e në mënyrë publike, për të krijuar terror kundër lëvizjeve të mundshme rebeluese e opozitare.

Ligji i zgjedhjeve të 2 Dhjetorit 1945

Në të vërtetë ligji, për nga përmbajtja, ishte demokratik, sepse lejonte pjesëmarrjen në zgjedhje të grupimeve apo të partive politike. Por në praktikë, kjo nuk mund të realizohej dhe nuk u realizua. Organizatat opozitare ilegale jashtë Frontit nuk mundën të dilnin legale e të paraqiteshin në zgjedhje me kandidatët e tyre, sepse nuk mundën të grumbullonin 70 firma sipas ligjit elektoral. Kjo ndodhi si për shkak të trysnisë që ushtronte PKSH-ja ndaj kundërshtarëve politikë për të mos u organizuar në parti apo grupime politike, ashtu edhe nga dobësia e forcave opozitare përballë Frontit Demokratik, i cili për shkak të luftës dhe të fitores së tij mbi fashizmin, kishte fituar në popull shumë kapital politik dhe për rrjedhojë, fitorja e tij në zgjedhjet e 2 dhjetorit ishte e padiskutueshme. Natyrisht, fitorja e Fronit ishte fitorja e PKSH-së. Nga: Përparim Halili
avatar
i panjohur
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
<b>Postime</b> Postime : 19172
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : ne krahet e saj
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 21/02/2012

SHBA dhe Londër ultimatum Enver Hoxhës për votimet e 2 Dhjetorit ’45: Lejo zgjedhje të lira Empty Re: SHBA dhe Londër ultimatum Enver Hoxhës për votimet e 2 Dhjetorit ’45: Lejo zgjedhje të lira

Sat 25 May 2013 - 1:16
Enveri se rrujti hic nga ai krah...se po te ishte ndryshe,do i permbahej ultimatumit.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi