Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Si i thonë krizë në gjuhën e nënës? Empty Si i thonë krizë në gjuhën e nënës?

Wed 29 May 2013 - 3:22
Si i thonë krizë në gjuhën e nënës? 67889Megjithëse fushata zgjedhore ka ndezur motorët, zhurma e tyre nuk arrin të mbysë rënkimin e familjeve që po shtypen nën peshën e krizës. Midis tyre, gratë janë ato që po e pësojnë më shumë për shkak të numrit të madh të punonjëseve femra në industritë që janë prekur nga kriza. E bashkë me to edhe fëmijët.
Duhet të ishte koha për të bërë planet e pushimeve verore, por Sonila nuk e ka mendjen aty. E revoltuar, punonjësja e medias që ka vetëm 4 vite pune të shënuara në librezë edhe pse ka punuar që kur ka mbaruar shkollën më 1999, tregon momentin kur i thanë se do të largohej nga puna për arsye të krizës financiare. “Ishte data 29 dhe më thanë që mund të qëndroja deri në fund të muajit. Fillova të qesh, sepse nuk dija ç’të bëja më”. Sonila ishte e përgatitur, sepse rrogën e fundit e kishte marrë me 26 ditë vonesë. Iu kujtuan fjalët në punë nën zë: kë do heqin, kush do rrijë. Po nuk mund të rrinte pa ia bërë pyetjen: pse mua? Midis dy vetave,- personi tjetër ishte djalë, kishin zgjedhur atë.
Kështu pyeti edhe 4 vjet më parë kur e larguan nga puna në një tjetër televizion, fill pas lindjes së djalit (para katër vitesh, bota filloi të dridhej nga ethet e krizës). “Ata e dinin që unë kisha nevojë për punë, sidomos pasi isha shtuar me një fëmijë tjetër dhe nevojat u rritën.” Pasi djali mbushi 40 ditë, u paraqit në punë për të rifilluar programet e saj, por i thanë se për momentin nuk kishin hapësirë. Do ta lajmëronin vetë. Dhe lajmërimi nuk erdhi për 3 muaj. Ndërkohë u desh lindja e djalit për të kuptuar që stacioni ku punonte prej 6 vitesh ia kish ndërprerë pagesën e siguracioneve pa lajmëruar, ndaj ajo nuk mund të përfitonte pagese për leje lindjeje (ligji kërkon të jesh në marrëdhënie pune 1 vit të siguruar që ta përfitosh lejen e paguar).
Është mesi i majit dhe Sonila do t’ia fillojë nga e para edhe pse është e lodhur, por dy fëmijët njëri 8 dhe tjetri 5 vjeç nuk i lënë zgjedhje. Është dhe kredia për t’u paguar. Bashkëshorti i saj, edhe ai punon në televizion, por me mbylljen e sezonit, rroga e tij përgjysmohet deri në tetor. “Cilësia e jetës sigurisht që bie,- tregon 37 vjeçarja, “do ta mendojmë dy herë nëse fëmijët do t’i vazhdojnë kurset e pikturës dhe baletit, pushimet do shtrëngohemi t’i bëjmë më të shkurtra, por edhe raporti me fëmijët ndryshon. Një mami e stresuar, që nuk i del llogaria në fund të muajit, ka më pak durim për pyetjet e fëmijëve që rriten, më shumë përgjigje të nevrikosura”.
Sonila është vetëm një nga 86 personat që janë larguar nga puna në sektorin e medias në Tiranë për shkak të krizës financiare. Vala e fundit e shkurtimeve përfshiu 30 vetë njëherësh në një stacion të njohur privat me motivacionin e qartë: S’ka para. Më shumë se një herë Unioni i Gazetarëve ka bërë thirrje që shteti të ndërhyjë për të venë rregull në këtë industri ku rrogat e papaguara po bëhen rutinë në mbi 85 për qind të operatorëve mediatikë në vend. Sipas të dhënave të Unionit, 58 për qind e gazetarëve janë gra dhe vajza.
Jorgani që nuk del
86 persona janë një pikë uji krahasuar me 10 mijë vetë që kanë humbur punën nga rreth 130 ndërmarrje të mbyllura plotësisht, përkohësisht ose që kanë ndryshuar destinacion ose kanë diversifikuar kontraktorët si pasojë e krizës. “Shumica, sigurisht janë gra dhe vajza,- na pohon Bardhi Sejdarasi, Drejtor i Përgjithshëm i ‘BiznesAlbania’, një organizatë jofitimprurëse, e cila grupon sipërmarrje shqiptare me qëllim promovimin dhe lobimin për to. Sejdarasi thotë se kontratat janë individuale me punëdhënësit dhe nuk ka kontrata kolektive. Megjithëse Sejdarasi thotë se parashikimet janë optimiste duke folur për një rigjallërim të sektorit të fasonëve që ka dhe numrin më të madh të punonjësve (afro 80 mijë sipas një studimi të Fondacionit Soros në 2010) në kërkim të tregjeve të reja, sërish ende nuk janë kapur ritmet e vitit 2008 kur filloi kriza.
Mirëpo parashikimet nuk hahen. Mira që punon në një rrobaqepësi në Maliq, është njoftuar të qëndrojë në shtëpi për një periudhë të pacaktuar pas pagës së parë që mori. Mira ka punuar në disa firma greke së fundmi, por ato nuk paguanin. Kjo e fundit që gjeti, paguante, por pas muajit të parë e ndërpreu prodhimin. Ndërkohë ka dy fëmijë, njërin nga të cilët në Tiranë që ndjek një shkollë muzike. Vetë i duhet të bëjë një terapi mjekësore për dhimbjen e mesit që kushton shumë para. Mira banon në fshat dhe ka një ekonomi bujqësore modeste, por për shtetin ajo nuk quhet e papunë. Sociologia Ermira Danaj vë në dukje se përveç faktit që në Shqipëri pjesëmarrja e grave në tregun e punës është më e ulët se e burrave, shumica e tyre janë të punësuara në bujqësi ku të ardhurat janë shumë më të ulëta dhe ku shumë prej tyre nuk janë të siguruara, si dhe një numër i madh i tyre janë shtëpiake, që do të thotë pa të ardhura fare dhe pa asnjë sigurim, gjë që i vendos ato në një situatë varësie të plotë. “Varfëria nuk është thjesht sasia e të ardhurave, është dhe pamundësia e lirisë së veprimit që vjen si pasojë e lodhjes, e abuzimit, e dhunës, e shtypjes dhe e mungesës së burimeve”, thekson Danaj. Një fjali që të kujton shprehjen e Gandit se varfëria është forma më e keqe e dhunës.
Krizë mbi krizë
Sonila dhe Mira mund të ngushëllohen me faktin se të paktën kanë nga një njeri përkrah që do t’i ndihmojë të kapërcejnë këtë situatë të vështirë, ndërsa nënat e divorcuara ose ato beqare janë fare të vetme përballë krizës. Një studim i Open Data Albania për vitin 2012 tregon se janë 12 315 gra të detyruara të mbajnë një familje në mungesë të bashkëshortit që trajtohen me ndihmë ekonomike për shkak të pamjaftueshmërisë së të ardhurave të familjes. Grupi i familjeve me një grua kryefamiljare që përfiton ndihmë ekonomike është 12.5 % e totalit të familjeve me të ardhura të pamjaftueshme. Vlera e ndihmës për këtë kategori është 8.03 % të të gjithë ndihmës ekonomike në vend. Ndërkohë, familjet rome marrin vetëm 1.37 % të totalit të ndihmës ekonomike në vend për vitin 2012.
Dhe gjasat janë që divorcet e bashkë me to nënat e vetme me fëmijë do të shtohen. Në 5 muajt e fundit, në Tiranë janë ndarë 980 çifte dhe ndër shkaqet përmenden dhe problemet ekonomike. “Rritja e numrit të divorceve, në pjesën më të madhe të rasteve, shoqërohet edhe me rritjen e numrit të nënave të divorcuara, të cilave u lihen fëmijët për rritje dhe edukim”, thotë Aurela Anastasi, juriste e njohur dhe drejtore ekzekutive e Qendrës për Nisma Ligjore Qytetare.
“Një problem i dukshëm në rastet e divorcit është pamundësia ekonomike e nënave të divorcuara që të përballojnë shpenzimet e jetesës së bashku me fëmijët e tyre. Kjo edhe për faktin se, ka shumë raste që detyrimi ushqimor nuk ekzekutohet në mënyrë vullnetare nga ish-bashkëshortët”, vazhdon Anastasi.
“Ndërkohë, ekzekutimi i detyrueshëm bëhet shpeshherë jo efektiv ose i pamundur. Kjo ndodh veçanërisht, për shkak se ish-bashkëshorti është i papunë, është punësuar në tregun joformal të punës dhe nuk deklaron punën e tij, ose është në emigracion. Në të gjitha këto raste Zyrat e Përmbarimit e kanë të pamundur të vjelin në mënyrë të detyrueshme detyrimin ushqimor për fëmijët. Ka edhe ndonjë rast kur këto të fundit tregohen të paafta dhe të ngadalta për ta bërë këtë. Kështu, në një rast të ndjekur nga avokatët e Qendrës për Nisma Ligjore Qytetare, rezultoi se Zyra e Përmbarimit nuk kishte realizuar ekzekutimin e formës së prerë të Gjykatës për detyrimin ushqimor, edhe pse babai i fëmijëve ishte i punësuar në administratën publike, me argumentin se “nuk kam një adresë të saktë të punës së tij”!! Të gjitha këto pengesa kthehen në stërmundime për gratë e divorcuara të cilat përgjithësisht, pas divorcit rrënohen ekonomikisht”, përfundon Anastasi.
Siç është rrënuar Z. V, një nënë e divorcuar që nuk dëshiron të identifikohet, e cila ka rritur e vetme dy vajza që prej klasës së parë kur i shoqi u largua në emigracion, për t’u kthyer pas 15 vjetësh me një familje të re. Nga punëtore në kooperativë, Z. u detyrua të punojë gjithfarë punësh, shitëse, pastaj kujdestare të moshuarish në një shtëpi, pastruese, etj. “Vajzat janë rritur, nuk mund të përballohen vetëm me rrogën time. Më kanë ndihmuar familjarët, sepse nuk do ia kisha dalë dot. Vajzat i kam rritur pa salltanete, u kam thënë kaq kemi, do shtrijmë këmbët sa kemi jorganin. Dhe ato më kanë dëgjuar . Të paktën jam e kënaqur që i nxora në jetë të zonjat e vetes dhe sot njëra është në punë, tjera ende jo”. Por sot Z. është sërish e papunë dhe e pasigurt për atë që vjen nesër. “I lutem Zotit çdo ditë të na japë shëndet se për të tjerat s’ka gjë në dorë”. Z. ka 20 vjet që punon, ka paguar dhe siguracion vullnetar thjesht për të mos humbur vitet e punës, por e di që me ato kontribute pensioni i saj del fare i vogël, duke e rreshtuar automatikisht në radhën e të moshuarve të varfër pasi të mbushë moshën. Por sot Z. nuk ka kohë të mendojë për këtë. I duhet të mbijetojë.
Parashikime dhe intuitë
Pesha e krizës ekonomike tek gratë është dyfish nëse mendojmë se ato janë në një pozitë të pabarabartë në tregun e punës me meshkujt. Më pak të punësuara, më pak të paguara, me më pak prona, të drejtat ekonomike të grave brenda familjes janë seriozisht të rrezikuara. Sociologia Ermira Danaj tregon se përveç feminizimit të varfërisë, studiuesit sot flasin edhe një koncept tjetër të quajtur feminizimi i mbijetesës, ku përfshihen shumë shembuj, për shembull trafikimi i vajzave dhe grave që vijnë kryesisht nga familje të varfra si një mënyrë për mbijetesën e familjes, ose punësimi i grave në punë informale, ose tërheqja nga tregu i punës për t’u kujdesur për fëmijët apo të moshuarit në mungesë të institucioneve përkatëse për këtë kujdes, etj .”Pra, sot kur flasim për feminizimin e varfërisë nuk duhet të ndalemi vetëm te një sasi të ardhurash që na vendos poshtë apo sipër vijës së varfërisë, por për shumë elementë të tjerë që vënë në dukje dhe analizojnë situatën shumë më të vështirë të grave”, nënvizon Danaj.
Lypësja pa emër
Nuk e kisha vënë re më parë aty. Mbase ka dalë në ditët që unë s’kam kaluar këtej, por lypsarja në rrugicën që të nxjerr tek shkolla pedagogjike, më bëri përshtypje se nuk donte ta tregonte fytyrën. E kish mbështjellë me shaminë e kokës, të zezë, e kish ngritur deri afër syve dhe vetëm përsëriste: më fal diçka, zoti të dhashtë, t’ju rrojnë burri dhe kalamajtë. Iu afrova dhe e pyeta: “Pse ke dalë këtu? Nuk ke shtëpi?” “Jo”,- më tha, “kam shtëpi, edhe fëmijë kam, burrë s’kam, po ç’të bëj s’kemi, çfarë të hamë. “Po pension nuk merr, e pyeta? Ke punuar më parë?” Po jo, çfarë pensioni”, më tha me ato sytë e mëdhenj që ia nxorën disi sekretin. “Unë jam e re, 52 vjeç”.
Doja ta pyesja…, por ndalova. Kur kalova sërish pasdite në atë rrugicë, nuk e gjeta më aty. Vendin e saj e kish zënë plaka e zakonshme. E njoha nga shamia. Ishte e bardhë.
Në këta 20 vjet, as Z, as Sonila, as Mira, as shumë gra të tjera nuk i kanë kërkuar asgjë shtetit. Kanë punuar ku kanë mundur, me dhe pa kontrata, me dhe pa sigurime, për të siguruar të ardhmen e fëmijëve të tyre, duke harruar shpesh edhe veten e tyre. Kanë punuar edhe dy punë, 16 orë, vetëm që fëmijëve të mos u mungonte gjë. Sot, kërkojnë që shteti të vërë dorë. “Së pari, të rregullojë veten e vet. Praktika më transparente dhe jo militante punësimi, -thotë Sonila që do ta donte një punë në shtet pas kaq vitesh. “Paralelisht të vendosë rregulla në sektorin privat duke i detyruar të zbatojnë Kodin e Punës dhe të luftojnë informalitetin”. Sepse nëse shteti nuk mund të mbahet përgjegjës për krizën, ai ka disa detyrime për të mbrojtur më të dobëtit. Shqipëria e mbajti sa mundi larg krizën. Përkundër paralajmërimeve, vazhdoi të rrisë rrogat dhe pensionet edhe pse rritja ekonomike nuk prodhoi punësim siç pritej. Shqiptarët i harxhuan rezervat e tyre për “ditë të këqija” dhe tani kriza po flet shqip. Dhe po godet më të dobëtit, gratë dhe fëmijët.
“Vështirë se zgjidhet kjo punë vetëm me ndonjë ligj a me ndonjë konferencë”, thotë Danaj, e cila e ka ndjekur në vijimësi problematikën gjinore në Shqipëri. “Duhet një shtet social i fortë, dhe një shtet me politika liberale si i yni vështirë se mund të zgjidhë gjë”. Tek shteti e sheh zgjidhjen edhe Aurela Anastasi në rastet e pensioneve ushqimore. “Zgjidhja e vetme mund të burojë nga shteti. Në radhë të parë, përmes rritjes së efektivitetit të organeve shtetërore përgjegjëse për identifikimin e rasteve dhe vjeljen e detyrimit. Në radhë të dytë, përmes ndihmës së ndërmjetme, duke marrë përsipër së paku një pjesë të detyrimit prindëror. Kjo presupozon që të krijohen institucione kompetente për të shqyrtuar rastet kur prindërit e ngarkuar me detyrimin ushqimor janë të papunë dhe në pamundësi ekonomike për t’i paguar ato, dhe të marrë përsipër detyrimin ushqimor deri në çastin kur prindi bëhet i aftë për të paguar përmes pagës së tij. Në këtë rast, shteti mund të rikthejë edhe shpenzimet e tij të kryera deri në atë kohë. Kjo është një përvojë që ndiqet nga shumë shtete, SHBA, Gjermani, Suedi, etj”.
Po, por në Shqipëri kanë filluar tam-tamet e fushatës elektorale. A do ketë vallë veshë për të dëgjuar këto gra që po mundohen të gjejnë një dritë në tunelin e krizës, për vete dhe fëmijët e tyre? “Kriza sapo ka filluar”, e mbyll bisedën Sonila duke u ngritur nga tavolina. Thonë se nënat kanë intuitë.albnews.al
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi