Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
avatar
Legjenda
Anetar i perjashtuar
Anetar i perjashtuar
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 40
<b>Postime</b> Postime : 5560
<b>Hobi</b> Hobi : FUTBOLL
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : ne vendi e dashur quhet tetova
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 19/02/2012

Akuza Greqisë: Po kthejnë varkat me sirianë drejt Turqisë  Empty Akuza Greqisë: Po kthejnë varkat me sirianë drejt Turqisë

Wed 12 Jun 2013 - 16:26
Një reportazh i BBC-së nga kufiri mes Greqisë dhe Turqisë, paraqet raportet shqetësuese të brutalitetit të policisë greke kundër emigrantëve të luftës nga Siria

Sue Lloyd-Roberts




Disa nga sirianët që po i largohen konfliktit në vendin e tyre kanë kaluar në Turqi, me synimin për të arritur në Greqi dhe për të kërkuar azil në Bashkimin Europian. Por për të mbërritur atje, ata duhet të marrin varka – dhe ka raporte të panumërta që tregojnë se zyrtarët grekë po i shtyjnë të kthehen pas në ujërat territoriale të Turqisë, në disa raste me rezultate fatale.

“Çdo gjë që ne do të bënim për familjet tona apo për prindërit tanë, ne e bëjmë për këta njerëz. Ne i varrosim ata në mënyrë islamike”, thotë Ekrem Serif-Oamadoglou, ndërsa tregon rreth 400 varre të reja në një kodër të vetmuar. Varreza është pranë Sidiros, një fshat myslimanësh në anën greke në lumit Evros, pranë vendit ku lumi krijon një barrierë me ujëra të shpejta një kilometër të gjerë mes Greqisë dhe Turqisë.

Të 400 të vdekurit janë të gjithë njerëz që janë mbytur, ndërsa u përpoqën të kalojnë lumin dhe të hyjnë ilegalisht në Europë. Por duket se është pikërisht këtu, në fund, ku ata gjejnë miq në Greqi, banorët myslimanë të Greqisë, të cilët i varrosin.

“Ata vijnë nga vende nga e gjithë bota, por ne i shohim ata si vëllezër”, thotë Serif-Oamadoglou, djali i imamit të zonës. “Ata vijnë për një jetë më të mirë, por qenë të pafat.”

Një pjesë e madhe e atyre që aktualisht po kërkojnë një jetë më të mirë janë sirianë që po largohen nga dhuna që ka shkatërruar vendin e tyre. Për dy vjet tashmë televizionet kanë kapur pamjet e radhëve të gjata me gra dhe fëmijë që bëjnë largimin pa dinjitet përgjatë rrugëve të pluhurosura që lidhin Sirinë me Turqinë.

Në këmbë, duke mbajtur qese plastike të mbushura me veshje me plaçka shtëpie të marra në momentin e fundit, mbi 7 mijë vetë po kalojnë mesatarisht çdo ditë në Turqi, sipas OKB-së. Disa ndalojnë në kampet e refugjatëve, të cilat janë përhapur në të gjithë zonën kufitare, ose tentojnë të provojnë fatin nëpër qyteza si Gaziantep, 100 kilometra në brendësi të Turqisë. Aty banojnë sakaq 57 mijë sirianë.

Por ata që kanë para lëvizin në Stamboll, kryqëzimi i lashtë mes Lindjes e Perëndimit dhe porta e hyrjes për në Europë.

Nga këtu, emigrantët deri së fundmi udhëtonin për në Edirne, një qytezë që gjendet në të djathtë të lumit Evros. Nën mbulesën e errësirës, kontrabandistët i vendosin ato në varka gome dhe i shtyjnë në rrjedhat e rrezikshme.

Familja e Salva al-Rajo e bëri këtë udhëtim gjashtë muaj më parë, si pjesë e një grupi prej 40 sirianësh. Ata u larguan nga Siria, për shkak se i ati punonte në shërbimet e inteligjencës së qeverisë dhe rebelët po kërcënonin t’i vrisnin ata – por ishte pikërisht kalimi i Evros ai që i shkaktoi më shumë makth.

Al-Rajo thotë se, për tmerrin e saj, kur varka e tyre doli në anën greke, policia i ndali dhe i shtyu ata pas. “Ne u vendosëm në një varkë gome. Unë nuk e dija se ku qenë fëmijët e mi apo bashkëshorti im. Unë isha duke rënë në ujë, kapa dorën e policit, por ai më shtyu tutje”, thotë ajo.

“Ishte një grua tjetër që pati humbur syzet. Ajo tha: ‘Nuk mund të kthehem në varkë, sepse nuk shoh dot.’ Polici filloi ta rrahë atë. Djali i saj tha: ‘Pse po e rreh nënën time? Ajo është një grua e moshuar.’ Polici nxori armën e tij, ia vuri djalit në kokë dhe tha: ‘Pusho!’ Dhe kështu ata na hodhën ne në varkë dhe na kthyen në ujë.”

Ka pasur shumë raporte nga refugjatët që thonë se policia i ka shtyrë në lumë, por Greqia i hedh poshtë këto pretendime. “Kishte raste kur, ndërsa u përpoqën të kalojnë lumin, u mbytën. Rrymat janë aq të forta atje, siç e dini”, thotë major gjenerali Emmanouil Katriadakis, zëdhënësi i qeverisë për emigrimin.

“Por asgjë e tillë nuk ka ndodhur që kur u vu në zbatim operacioni ‘Mbulesa’, sepse ne tashmë jemi të pranishëm në brigjet e lumit dhe nëse njerëzit janë në rrezik, ne shkojmë t’i ndihmojmë.”

Operacioni “Mbulesa” filloi verën e kaluar për të mbyllur atë që konsiderohet si kufiri më poroz i Europës. Të gjitha forcat policore të BE-së marrin me radhë të ndihmojnë Greqinë të patrullojë këtë vijë kufitare.

Tashmë, nëse lumi më vete nuk i ndalon dot emigrantët, ka varka patrullimi me pajisje të plota dhe të sofistikuara detektimi, patrulla më këmbë dhe qen që nuhasin nëpër brigje. Ka edhe një gardh të jashtëzakonshëm që u përfundua disa muaj më parë me një kosto prej 20 milionë eurosh.

Kështu, refugjatët sirianë duhet të zgjedhin rrugë të tjera. Duke filluar sërish nga Stambolli, refugjatët merren me rrugë për në brigjet perëndimore të Turqisë në detin Mesdhe, ku vetëm 12 kilometra i ndan nga ishujt më të afërt të Greqisë, Lesbos e të tjera, ndërsa vija kufitare mes dy vendeve gjendet në det.

Nëse ke para dhe një pasaportë europiane, është e këndshme dhe e rehatshme të lundrosh nëpër Egje. Por nëse nuk i ke, është një udhëtim i mbushur me rreziqe.

Deysem Siti, kreu i komunitetit të kurdëve në qytetin e Izmirit aty pranë, ishte i pranishëm kur trupat e 66 kurdëve të Sirisë u nxorën në breg në shtator 2012.

“Këtyre njerëzve nuk ua ndien. Ata vendosin gratë dhe fëmijët poshtë kuvertës dhe e mbyllin atë. Ishte një varkë e vogël, e ndërtuar për 20 njerëz, por ata vendosën 110 njerëz mbi të. Ajo nuk mundi ta mbante peshën. Iku vetëm dhjetë metra në det dhe u mbyt. Tridhjetetre prej tyre qenë fëmijë, pashë edhe një foshnjë dymuajshe, fëmijë pesë vjeç apo tre vjeç dhe shtatë vjeç. Kishte vajza të reja, të gjitha në të njëzetat. Pashë një fëmijë, i vetmi i mbijetuar nga një familje me 11 veta – i ati, e ëma, motrat dhe vëllezërit, që të gjithë i vdiqën.”

Ky incident është vetëm një nga të shumtët. Qindra refugjatë njihet se janë mbytur përgjatë vitit të kaluar, por shifra totale nuk dihet, sepse jo të gjitha trupat janë gjetur.

Vetëm pak javë më parë, Adib Hachach, një sirian që jeton në Athinë prej 12 vjetësh, mori një telefonatë nga roja bregdetare në Lesbos për të mbledhur trupat dhe plaçkat e vëllait të tij Omar, kunatës së tij dhe tre fëmijëve të tyre, të cilët qenë mbytur. Trupi i vajzës së vogël, dyvjeçares Fatime, nuk u gjet kurrë.

Hachach thotë se ai foli me të mbijetuarit nga varkat e tjera të trafikantëve, të cilët qenë nisur në të njëjtën kohë. “Ata më thanë mua se varkat e tyre qenë përmbytur dhe kthyer pas nga një varkë greke. Të mbijetuarit thanë se ishte roja bregdetare e Greqisë. Ishin nëntë njerëz në varkën ku gjendej vëllai im dhe asnjëri prej tyre nuk mbijetoi, pra ne kurrë nuk do të dimë të vërtetën”, thotë ai, duke qarë.

Organizatat në mbështetje të refugjatëve kanë marrë shumë raporte për një politikë të qëllimshme “të kthimit pas” nga ana e policisë së Greqisë dhe rojës bregdetare, ku të mbijetuarit pretendojnë se varkat shtyheshin jashtë ujërave të Greqisë drejt territorit turk, një taktikë e rrezikshme në det dhe natën kur veprojnë shumica e varkave të kontrabandistëve.

“Amnesty International” mblodhi informacion nga rreth 40 aksidente të ndodhura në Egje dhe në lumin Evros gjatë muajve të fundit. Policia e Greqisë dhe roja bregdetare refuzojnë bindshëm pretendimin. Në një patrullim gjatë natës me rojën bregdetare të Greqisë, kapiteni i varkës, Lyropoulos Vasilis, më thotë: “Kjo është një gënjeshtër e madhe”.

Refugjatët e vendosin veten në rrezik, thotë ai, pasi qëllimisht shpojnë varkat e tyre kur shohin një varkë patrullimi, në mënyrë që roja bregdetare të detyrohet t’i shpëtojë dhe t’i dërgojë në Lesbos.

Ata që ia dalin të mbërrijnë në ishull trajtohen nga mjekë vullnetarë, të cilët i japin pak ndihmë, por për të ardhurit nga autoritetet nuk ofrohet as ushqim dhe as strehim.

Kur unë vizitoj anën e portit ku ata përfundojnë, shikoj një grup prej rreth 40 vetash, përfshirë gra e fëmijë, të lënë nën qiell të hapur për të kaluar një natë të parehatshme nën shi, vetëm pak metra larg dritave të forta të Mytilene, një prej resorteve turistike më popullore të Greqisë.

Vakti i tyre i vetëm ofrohet nga një kuzhinë për të varfrit, e cila u krijua nga vullnetarët në ishull të ndihmuar nga banorët vendas, që janë goditur nga kriza ekonomike e Greqisë, por pavarësisht kësaj kanë shkuar në ndihmë të atyre që janë në vështirësi edhe më të mëdha.

Pas 36 orësh në ishull, refugjatët lejohet të marrin tragetin për në tokën e Greqisë, por atje përballen me vështirësi të reja. Më shumë se 9 mijë sirianë janë arrestuar në këtë vend përgjatë dy viteve të fundit dhe vetëm dy nga qindra prej atyre që kanë aplikuar për azil, e kanë fituar atë – një normë miratimi prej më pak se 1 për qind, ndërkohë që në vende të tjera europiane, 90 për qind e sirianëve që aplikojnë, e marrin azilin.

Familja al-Rajo përfundoi në një burg në Greqi për shumë muaj pas tentativës së tyre të dytë për të kaluar Evrosin. Familja me gjashtë anëtarë tashmë është liruar, por banon në një apartament me një dhomë në Athinë, të paguar nga anëtarët e bashkësisë së sirianëve.

Salwa al-Rajo thotë se ata shitën gjithçka që kishin në Siri për të paguar arratisjen nga lufta, por i humbën të gjitha paratë te trafikantët e lumit dhe trafikantët e tjerë, për të cilët thonë se i morën 18 mijë euro në total në përpjekje për të siguruar pasaporta false dhe udhëtim drejt Suedisë.

Djali i madh i familjes al-Rajo nuk guxon të largohet nga apartamenti, prej frikës se mos arrestohet. Al-Rajo dhe vajza e saj 17-vjeçare Walaa Ulwan, janë përpjekur të maskojnë veten. Që të dyja zbuluan kokën, nëna i leu flokët bionde, ndërsa vajza i bëri rozë. Që të dyja lyen thonjtë dhe mbajnë buzëkuq të fortë.

“Kur unë erdha fillimisht, mbaja hixhab, por njerëzit na thanë se fashistët mund të na sulmojnë, për shkak se ne dukeshim si arabë dhe mund të na vrasin”, shpjegoi al-Rajo.

“Kështu, unë braktisa hixhabin, ndryshova ngjyrën e flokëve dhe bashkë me vajzën tashmë lyhemi në mënyrë që të dukemi europiane. Ne e bëmë të gjithë këtë sepse jemi të frikësuar se racistët mund të na sulmojnë.”

Partia e krahut të djathtë dhe antiemigrante, Agimi i Artë, tashmë është në vend të tretë për sa i përket mbështetjes popullore mes partive politike të Greqisë.

Të shkatërruar nga programi i ashpër i kursimeve, grekët kanë shumë pak kohë për të menduar për mijëra sirianët në shtëpitë e tyre. E vërteta është se grekët nuk i duan sirianët dhe as sirianët nuk duan të qëndrojnë në Greqi. Por, pasi ia kanë dalë të vijnë deri këtu, ata janë bllokuar.



Komenti

Ata më thanë se varkat e tyre qenë përmbytur dhe shtyrë pas nga një varkë greke – të mbijetuarit thanë se ishte roja bregdetare e Greqisë”

Adib Hachach

Sirian në Athinë



Zyrtari

“Ndërsa ata u përpoqën të kalojnë lumin, u mbytën – rrymat këtu janë kaq të forta, siç e dini”

Major gjenerali Emmanouil Katriadakis

Zëdhënës i qeverisë për emigrimin



Emigrantja

“Unë braktisa hixhabin dhe bashkë me vajzat filluam të lyejmë veten, në mënyrë që të dukemi europiane, sepse jemi të frikësuara se racistët do të na sulmojnë”

Salwa al-Rajo, refugjate

http://gazeta-shqip.com/lajme/2013/0...drejt-turqise/
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi