Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

“Mania e regjisoreve për para, prezanton para publikut filma pa cilësi” Empty “Mania e regjisoreve për para, prezanton para publikut filma pa cilësi”

Tue 18 Jun 2013 - 14:56
  • Regjisori Muharrem Fejzo bën një krahasim të kinemasë shqiptare gjatë periudhës socialiste me gjendjen ku është sot. Sipas tij, atëherë filmin e mbante gjallë pasioni, sot e ka prishur paraja

“Mania e regjisoreve për para, prezanton para publikut filma pa cilësi” Kienist
Valeria Dedaj

-Kinemaja afrohet me ëndrrën, me imazhet pa ngjyrë si imazhet e filmit, gjë që duket sikur të shpjegon pjesërisht dhe pasionin e madh që ka pasur Muharrem Fejzo për filmin. Skenaristi dhe regjisori Muharrem Fejzo, sot zë një vend nderi në kinemanë shqiptare. Para disa ditësh në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, mes miqsh dhe të afërmish festoi 80-vjetorin e lindjes, në nderim të tij, u prezantua dhe një dokumentar i realizuar nga kunata e tij, Diana. Gjatë fjalës Fejzo, shprehu indinjatën e tij që dhe në këtë 80-vjetor e kishin lënë në harresë. Kurse albumi që u premtua nga Arkivi Shtetëror i Filmit, ende nuk ka përfunduar, pasi ky arkiv nuk ka as 400 mijë lekë të vjetra që ta botojë.

Zoti Fejzo, cilat kanë qenë takimet tuaja të para me filmin?

Kjo pyetje më shtyn në kohë. Më dërgon në vitet e para të çlirimit të Tiranës. Atëherë kur nëpër rrugicat e Tiranës mblidhnim gëzhoja plumbash afër shtëpisë sime, aty ku ka qenë kinema Imperial, që më pas u bë kinema Republika, te rruga e “Kavajës”. Me këto gëzhoja plumbash bënim gara me copëra dhe kuadro filmash. Prisnim sa operatori të shfaqte filmin dhe të hidhte mbeturinat e celuloidit. Kështu të grumbulluar njëri pas tjetrit, kokë më kokë duke u zënë me grushte, për të marr ato copa filmi. Ky ka qenë kontakti i parë me celuloidin. Ndërsa filmat e parë i kam parë në Kinema Rozafa, në një hangar të madh. Aty shfaqeshin filma 24 orë, prisje biletën një herë dhe mund të rrije 24 orë të shikoje filmin që shfaqej vazhdimisht. Ishin filma të Hollivudit, të neorealizmit italian, nga e cila dashje pa dashje dhe kinematografia jonë mori shumë. Filmi i parë që kam parë me ngjyra ka qenë për “Jezu Krishtin”, i cili udhëtonte në këmbë mbi dallgët e detit. Këto imazhe kanë ngulitur tek unë magjinë e filmit, magjinë e misterit të madh. Asokohe të asaj e dinin se ajo në të cilën shfaqej celuloidi ishte beze, por megjithatë na rrëmbente shpirtin, mendjen, gjithë qenien tonë për të kaluar tek ngjarje dhe situata që zhvilloheshin në film.

Pavarësisht dashurisë për filmin, si vazhdoi rruga juaj e mëtejshme në kinematografi?

Fillimisht nuk bëhej fjalë për film, pasi flasim për vitet ’47-‘48, prandaj zgjedhja ime ishte për skulpturë. Në vitin 1948 konkurrova në Lice për degën e Pikturës fitova konkursin për të vazhduar studimet. Mirëpo fatkeqësisht kjo gjë nuk u bë e mundur sepse unë kisha dy motra të martuara me italianë, biografia ime politike ka qenë një minus për mua. Kështu që bursën që kisha për në Lice ma transferuan në shkollën bujqësore në Kamzë, në ish-Institutin Qirjazi. Kështu dashje pa dashje me atë “baulen time” të vogël prej dërrase me tela u nisa nga Tirana në Kamzë. Ishin rreth 8 km në këmbë të cilat duhet ti kaloja nga lumi, ku romët ngrehnin çadrat e digjnin plehrat. Më kujtohet sesi krijohej një tymnajë që të merrte frymën dhe kjo ndodhte në krye të çdo jave. Kështu që kaloj një vit plot peripeci në shkollën bujqësore. Por nga Ministria e Bujqësisë vjen një delegacion për Vitin e Ri. Atëherë bashkë me një malazeze që studionte aty, Olivera Papeshin, unë isha në grupin e valleve dhe kërcyem vallen e Kukësit. Nga Teatri i Operas morëm dhe kostumet përkatëse, kështu që ata të ministrisë të thërrisnin në tavolinën e tyre për të biseduar. Zëvendës ministri i Bujqësisë në atë kohë Skënder Luarasi, i cili më vonë më pyeti a të pëlqen shkolla bujqësore, i thashë se nuk më pëlqente aspak. Këtu i thashë kam ardhur pothuajse me dhunë. Më pyeti nëse kisha bërë ndonjë punë. Kështu që i tregova se në atë kohë kisha bërë klasikët e marksizmit, Karlin, Marksin, gjeneral kolonel Enver Hoxhën me veshje ushtarake, peizazhe etj. Më pas mbaj mend se kam zbritur me një frymë për të marrë punët në bodrum.

Çfarë ndodhi më pas?

Në bodrum ku unë duhet të merrja punimet ka qenë dhe mensa jonë. Më kujtohet se ka qenë një glob i madh të cilin e kishin trashëguar nga ajo që kishin lënë shkolla e vajzave. Unë nga gëzimi kërcej përpjetë dhe pa dashje më takojnë gishtat tek globi të cilin e bëra thërrime.

Roja e konviktit vjen me atë pushkën gjermane dhe më ndjek pas deri tek tualetet që ishin jashtë shkollës, pret atje, por unë s’po dilja nga frika. Më pas duke e ditur se po më prisnin ata sipër dola që të çoja vizatimet. Kështu më premtuan se nëse atë vit do të dilja me të gjitha notat pesa, vetëm atëherë mund të shkoja në Lice. Nëse jo, do të vazhdoja që të bëheshe një bujk i mirë, një agronom i mirë, apo një veteriner i mirë. Kështu dola mirë me mësime sepse ndihmuan dhe shokët. Mirëpo as pas kësaj atje nuk po më linin që të shkoja. Unë shpalla grevën e urisë dhe nuk shkova një javë në shkollë, profesorët u çuditën. Doktor Myslymi, një person shumë i pastër, më tha se, a e di se ne të fusim dhe në burg? I thashë se mund të bëni çfarë të doni. Më dhatë fjalën për në Lice dhe tani po më pengoni përsëri, më keni gënjyer dhe unë nuk shkoj më në shkollë. Ai u pre nga fjalët e mija dhe më tha: Po sikur të të them se nesër mund të marrësh valixhen dhe mund të vazhdosh studimet atje. Mbaj mend se koka ime u këput mbi supin e tij dhe u shkreha në lot. Që nga ai moment unë mora gjërat dhe fillova për skulpturë. Kam mësuar me profesorin shquar Odise Paskalin, skulptorin tonë të mrekullueshëm, i pakalueshëm në gjininë e tij. Kështu përfundova për skulpturë, mirëpo unë isha një vit para shokëve sepse kulturën e përgjithshme e kisha bërë, kështu që më ngel vetëm kultura artistike.

Më pas ju thërrasin ushtar...

Po pas kësaj më thërrasin ushtar dhe me ndihmën e një mikut tim, e vazhdova në marinën e Durrësit. Pas kësaj, për punë biografie më heqin dhe nga atje dhe më çojnë në repartin e Vlorës ku kam hequr “të zinjtë e ullirit” për tre muaj duke bërë praktikë në Kaninë. Për t’i shpëtuar gjithë kësaj dhimbjeje rraskapitëse i propozoj shefit të shtabit tonë që të bëj skulpturën e “Zonjës Çure”, emër që kishte dhe reparti jonë. Quhej Sami Buashati, ishte nga Shkodra dhe ishte një artdashës i mirë. Një ditë më dëgjoi teksa i bija instrumentit të mandolinës dhe kështu u bë mik me mua. Më mori dhe në shtëpi për të bërë një vizatim të djalit dhe më hapi dyert për të bërë bustin e “Zonjës Çure”. Më pas u paraqita në konkursin kombëtar të arteve figurative me një “marinar në timon”, të cilën ma pranuan në Ekspozitën Kombëtare. Ky ishte një tjetër gëzim i madh për mua. “Zonja Çure” ishte fillesa, se më pas bashkë me shokët e mi Llukan Bushin, Sami Turkun, Thoma Thomain, një figurë e shquar në fushën e skulpturës, bëmë pothuajse 14 statuja që ishin përgjatë rrugës Skelë-Vlorë, të cilat i punonim në allci dhe më pas i derdhnim në beton të gjitha.

Ndalesa juaj e parë në “Kinostudio” ka qenë në vitin 1952. Çfarë ju kujtohet prej asaj kohe?

Ndalesa ime e parë në Kinostudio ka qenë qëkurse ka filluar ndërtimi i asaj që sot ne e quajmë “Ish-Kinostutioja”. Ka qenë viti 1952 kur na morën për të ndihmuar në ndërtimin e kinostudios. Në ballinën kryesore të Kinostudios kam montuar shtatoren anash me malësorin që i bie çiftelisë, atëherë së bashku me shokët kemi hequr kallëpet e allçisë dhe kemi nxjerrë shtatoren prej betoni në dritë. Ai ka qenë kontakti i parë përpara se të nisem për në ushtri. Kështu truallin e Kinostudios e kam shkelur që prej vitit ’52, për tu shkëputur prej saj në vitin 1990. Pavarësisht se sot e kam të pamundur të xhiroj, kam shkruar disa skenarë, të cilët i kam çuar dhe në Qendrën Kombëtare Kinematografike për aprovim. Më pas për një kohë të gjatë kam qenë anëtar i bordit të seleksionimit që vlerësonim se cilët skenarë do të bëheshin filma.

Dihet se filmat që bëheshin asokohe i ka prekur dhe censura. Për ju cili ka qenë filmi që ju kanë censuruar?

Është një fakt i hidhur dhe i trishtueshëm sepse jo vetëm në filmat e mi, por dhe në ata të kolegëve të mi censuroheshin ashpër. Filmat duhet të kalonin patjetër komision pas komisioni, vrenjtje pas vrenjtje derisa katandisej kokoshi në një thellë. Nga një ëndërr e bukur që regjisori e mendonte filmin në fillim, në përfundim censura bënte kërdinë duke prerë pjesë të cilat kishin episode shumë të bukura, por që nuk i përshtateshin politikës së kohës. Këtë e kam pësuar në filmin e dytë që kam xhiruar “Guna mbi tela”. Kjo pati një histori suksesi dhe dështimi njëkohësisht.

Cila ishte historia suksesit për filmin “Guna mbi tela”?

Suksesi i përket kinemasë së Vlorës, ku veteranët dhe spektatori na thanë fjalët më të mira, fjalët më inkurajuese dhe ndër të tjera na thanë se me këtë film i ngritën një monument të dytë Vlorës. Ai film qëndroi atje për një muaj rresht. Mirëpo pas premierës kur u kthyem në Kinostudio, kolegët e Komitetit qendror nuk na pritën ashtu siç e prisnim.

Çfarë ndodhi më pas?

Kur u kthyem dukej sikur kishte rënë bomba. Më thanë të mos largohesha sepse pas gjysmë ore vinte shoku Manush së bashku me kryetarin e akademisë Alekës Budën, bashkë me drejtorin e Historisë Stefanaq Pollo. Nuk kaloi pak kohë dhe kangjella e madhe e Kinostudios u hap. Hyri brenda një makinë e zezë me tre personazhe që ishin tryeza e epërme kulturore dhe politike asokohe. Më përshëndetën ftohtë, pa më thënë as dorën dhe shkuam në një dhomë të veçantë në të cilën duhej të shikonim filmin. Ishte një heshtje absolute. Bëhej fjalë për episodin kur dy gjakësit takohen dhe në vend që të përfitonin për të goditur me njëri-tjetrin, shpëtojnë njëri-tjetrin nga vdekja e sigurt. Pas këtij episodi, unë e ndiej se pas shpatullave ishte shoku Manush që u mallëngjye, sepse ndjeva frymëmarrjen e tij të vështirësuar dhe mendova se e fituam betejën, përderisa shokut Manush i pëlqeu pjesa, por as pas kësaj asnjëri nuk po fliste. Dolëm deri tek hyrja e Kinostudios dhe Alekës Buda i thotë Manushit se “shoku Manush të pëlqeu filmi? Sepse pashë se u përlote”. Ah more Aleks i tha, ne u plakëm tani, duhet të shikojmë përtej lotëve. Atëherë mora guximin dhe i thashë: Shoku Manush, çfarë duhet të shikojmë përtej lotëve?! “Unë nuk mund të të them që tani, por filmi do të shikohet dhe nga ata të tjerët dhe do të japim përgjigjen që duhet”, tha Manushi. Ishte filmi i parë historik shqiptar, një film i mundimshëm me beteja të mëdha të aktorëve dhe të figurantëve. Imagjino një betejë që aktorët hipnin natën mbi tela, në 2 metra lartësi dhe hidhnin gunat mbi tela me gjëma.

Kështu që duke pasur kolegë të pasionuar munda të realizoj gjatë viteve që punova në kinematografi, 14 filma artistikë, tre dokumentarë, dy skenarë, me Sabri Godon, të cilat për arsye madhore të ngjarjeve politike nuk u realizuan.

Përse nuk u realizuan?

Njëri ishte skenari për një film “Batalist” që do të ishte pjesa e dytë e “Gunës mbi tela”, kurse pjesa tjetër do të vazhdonte për Luftën Çlirimtare të viteve ‘43-‘44, beteja kundër gjermanëve në Qafën e Gjarprit. Vajtëm në Qafën e Gjarprit së bashku me Telo Babilin, Sabri Godon, Etem Gjinushin dhe Bejto Isufin që e kishim dhe konsulent filmi për të parë vendin ku do të xhironim. Arrti puna që të aktivizoheshin gjithë repartet ushtarake, në bregdet u aktivizuan anijet, avionët etj, sepse filmi e kërkonte gjithë këtë ngarkesë ushtarake. Mirëpo në kohën që po bëheshim gati për të xhiruar, vritet, apo vetëvritet kryeministri Mehmet Shehu, i cili ishte figurë pothuajse qendrore në film. Për këtë filmi u ndërpre. Kaluan dhe dy apo tre vjet të tjera që dhe u riaktivizua mendimi që të bëhej ky film. Mirëpo përsëri në prag të xhirimeve, kur u përzgjodhën aktorët, u veshën, u grimuan dhe u bënë gati në çdo gjë, vdes Enver Hoxha. Asokohe ngjarjet perceptoheshin në mënyrë të atillë se nuk mundej që të xhirohej. Kështu që këto u kthyen në dy vjet përpjekje dhe sakrifica të humbura kot për arsye të politikës.

Nëse do të mund të na bëni një krahasim të filmit të asaj kohe me të kësaj periudhe... Çfarë mund të na thoni? Ku ndodhet sot filmi shqiptar?

Filmat e fundit shqiptarë që kam parë kanë qenë ata të Festivalit të Filmit në nëntor, vitin e kaluar në të cilin unë kam qenë dhe anëtar jurie. Në atë periudhë xhironim filma nën një trysni të madhe politike, nën një censurë të tmerrshme, mirëpo xhironim. Vetë koha kërkoi që nga një film që bëhej në tre vjet, të bëheshin 14 filma, 20 dokumentarë dhe 30 filma multiplikativë në vit. Një prodhimtari filmike të tillë, në raport me popullsinë, asnjë vend të botë nuk e ka pasur. Kështu që kjo dëshirë e Komitetit Qendror dhe e Enver Hoxhës që përçonte ideologjinë e partisë në skajet më të larta të atdheut, qoftë filmat dokumentarë apo artistikë, nxiti dhe iu dha krahë të gjithë atyre që kërkonin të bënin filma. Në këtë mes isha dhe unë që vija nga reparti i grimit për të shkuar fillimisht në Institutin e Lartë të Arteve, si pedagog, regjisor, skenarist, skulptor etj. Kështu që mua më takoi që për çdo vit të bëja nga një film, pavarësisht për aty dy vite që nuk arrita të realizojë diçka. Kjo prodhimtari e lartë çoi tek një konkurrencë brenda nesh, e cila ishte një konkurrencë tepër pozitive. Mua më është dashur të konkurroja me kolegët e mi që kishin studiuar jashtë shtetit, siç ishte Kristaq Dhamo në Hungari, Hysen Akani kishte studiuar në Ceki, Pirro Milkani në Çeki, Dhimitër Anagnosti me Viktor Gjikën kishin mbaruar në Moskë, gjithashtu dhe Gëzim Erabara, kurse unë isha prodhim vendi. Përvoja ime kaloi në të gjithë komponentët e filmit siç ishte muzika, teatri, artet e figurative, grimi, artizanati etj.

Kurse pas viteve ‘89-‘90 vjen Samir Kumbaro, i cili xhiroi me sukses filmin e tij, siç ishte “Vdekja e Krajlit”, një film tepër emocional i realizuar me dinjitet. Më pas vijnë dhe asistentët e mi, ata që morën stafetën për të punuar. Më pas vijnë Gjergj Xhuvani që vjen si asistent tek “Muri i Gjallë” apo Besnik Bisha dhe Artan Minarolli tek filmi “Thesari”. Të gjithë këta janë asistentët e mi të suksesshëm, filmat e tyre janë mirëpritur dhe mund të them se filmi jo vetëm që nuk ka humbur, por që ka fituar sa i përket cilësisë, përshtatjes me kinematografinë e kohës. Kanë përfituar dhe nga teknologjia e re që ka hyrë, e cila është më e avancuar, kurse ne luanim për cilësinë e filmit. Problemi është se duke qenë se shumica e tyre kalojnë nga regjisorë bëhen dhe producentë, atehërë fillon dhe ajo mania e parasë. Kjo ndoshta dhe me qëllimin e mirë se duan të kursejnë në çdo gjë, sepse filmi në çdo gjë është tepër i shenjë duke filluar që nga grimieri, kostumografi e kështu me radhë. Kërkojnë paratë e dynjasë sepse dhe ata si puna e piktorëve nuk e dinë se ku do t’iu bjerë për pjesë në ndonjë film tjerë, kështu që dhe ata do të krijojnë një farë ekonomie për të siguruar jetën. Kjo ngurtësi që krijohet sa i përket parasë, i bën që të bien në cilësinë e filmit, ndaj dhe filmat nuk mirëpriten as nga spektatori shqiptar.

Gjatë prezantimit të një dokumentari që u dedikohej juve, në këtë 80 vjetor dhe që u prezantua në AQSH ju thatë se, atë që s’e bëri dot shteti, e bëri kunata juaj. Sa ju ka vrarë kjo pjesë?

Si unë janë dhe shumë kolegë të tjerë nga të cilët kam mësuar shumë, por dhe kam dhënë shumë në këtë drejtim, por është tepër e dhimbshme sepse të qenët një person që për kaq vite, gjithë bëmat që kam pasur gjatë jetës i kam pasur në Kinostudio që ngandërtimi i statujës apo momentin kur kam prashitur lulishten për të mbajtur gjallë kopshtet e Kinostudios, të vijë puna që në realizim e një albumi, një punë shumë e kujdesshme e Flori Sllatinës dhe të Elvira Diamantit të mos ketë fonde. Ishte tepër e dhimbshme kur u kontestua se Artan Minarolli drejtor i QKK, mundi të ofronte vetëm 500 mijë lekë të reja për albumin që Flori kishte përgatitur, arkivi nuk kishte para. Nuk kishte as 400 000 lekë që albumi të paraqitej atëherë kur u bë dhe ceremonia e jubileut në Kinostudio. Kjo ishte me gjithë mend një gjë tepër e trishtueshme, u përpoqëm që të gjendej një sponsorizues, por koha ishte shumë e shkurtër, dhe kështu që albumi as sot e kësaj dite nuk e ka parë dritën. Të mendosh që një arkiv shteti që është i njohur në të gjithë botën për ato cilësi që ruan thesari i Arkivit të Kinostudios të mos ketë 400 mijë lekë të vjetra që të bëjë një dhuratë për një kineast që ka punuar tërë jetën aty, kjo është tepër e trishtë dhe nuk kam sesi të jem i kënaqur dhe as i gëzuar në këtë fakt.

Këtë gjë që nuk e bëri asnjë, as frika, as media. E bëri Diana Hoxha Rexha që është bashkëshortja e kunatit tim. Diana duke ndjekur dhe pjesë nga libri im, të pathënat, i lindi ideja për të bërë një dokumentar me një i-phone. Respekti është ai ndaj krijimtarisë sime e bëri që të gdhinte net dhe ditë derisa arritur të bënte një film 30 min ku është pasqyruar jeta ime që nga lindja deri në momentet e fundit të krijimtarisë sime. Për këtë unë iu jam shumë mirënjohës që më dhanë mua familjes sime dhe të gjithë kineasteve.

Shumica e spektatorëve shqiptarë kanë nostalgji për filmat që keni bërë ju?

Duket se spektatori anon më tepër tek filmat që kemi bërë ne, por nuk duhet të harrohet një gjë se pavarësisht se ne kemi punuar në atë periudhë, e dinim se kishim një rrogë bazë 9000 lekë në muaj, kurse të tjerat vinin më pas. Problemi i parasë tek ne nuk diskutohej, por ishte pasioni që mbyllte të gjitha nevojat ekonomike dhe kalonte mbi problemet personale, familjare vetëm dhe vetëm që të realizonim një film sa më të këndshëm për spektatorin, që të mos ishim vigjilentë, të mos binim në gabime politike. Këtë gjë, sot kolegët e mi të rinj nuk e kanë problem, mirëpo liria e tepërt ndonjëherë dhe të dëmton, sepse duke dashur që të bëjmë një përqasje me filmat perëndimorë, duke huazuar nga filmat perëndimor dhe duke harruar karakterin kombëtar, temperamentin shqiptar, e bëjmë filmin të huaj për popullin shqiptar, për karakterin mesdhetar që ka populli ynë. Ndaj dhe spektatori i ri i shikon me endje filmat që kemi bërë ne, pasi ata janë filma që janë bërë me shumë mund. Por ama janë prindërit tuaj, xhaxhallarët tuaj, janë gjyshërit e gjyshërit tuaj që kanë qenë pjesëmarrës në ata filma. Spektatori i sotëm është kurioz se si ka qenë Tirana e atyre viteve, apo dhe Korça, Vlora etj. Si kanë qenë ambientet, si kanë qenë veshjet? Të gjitha këto janë një kureshtje e gjallë për spektatorin e sotëm. Ndaj dhe nëse unë e dija se e bëja të pranishme për sot.shekulli.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi