Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Dy orë mes buzëqeshjeve të sinqerta dhe rrënimit të spitalit të “të çmendurve” Empty Dy orë mes buzëqeshjeve të sinqerta dhe rrënimit të spitalit të “të çmendurve”

Thu 25 Jul 2013 - 15:41
Jetesa e 321 pacientëve në Spitalin Psikiatrik “Sadik Dinçi” në Elbasan. 60 për qind e të sëmurëve janë të moshës 20-35 vjeç
Juxhin Mustafaraj

Në daljen jug-lindore të qytetit të Elbasanit, në të majtë të rrugës “Ismail Zyma” mes pemësh të larta e hekurave të ndryshkur shfaqet e vjetruar ndërtesa e spitalit psikiatrik “Sadik Dinçi”. Muri rrethues është i lartë e vende-vende i rrëzuar, mbase që prej trazirave të vitit 97’. Godina është e bojatisur me të verdhë por në pjesën më të madhe të saj lagështia ka nxjerrë ngjyrën e saj të dikurshme. Ndërtesa me tre kate e spitalit është e ndarë në tre godina ku jetojnë në pavijone që komunikojnë me njëri-tjetrin 321 pacientët rezidentë të këtij spitali. Oborri i jashtëm është panorama më e qartë e një vendi të braktisur e të lënë pas dore. Kudo shkurre, gjemba e barishte të padobishme. Disa të sëmurë vërtiten mes hapësirave të pakta të atij oborri. Dalin të marrin pak ajër të pastër që vjen nga parku i Krastës që është në pjesën ballore të spitalit. Muret e brendshme janë të pista, të shkarravitura e të dëmtuara tërësisht. Spitali është i rrënuar dhe i degraduar në çdo cep të tij. E vetmja shenjë jetë në atë godinë janë buzëqeshjet e pakursyera që merr nga të sëmurët kudo në brendësi të spitalit. Bluzat e bardha në korridoret e errëta janë aq të pakta sa mund ti numërosh me gishta. Në turn për pavijonet e mbi populluara me pacientë janë vetëm tre persona. Një infermier,një kujdestar dhe një sanitare. E gjithë përgjegjësia bie mbi ta. Duhet të përballen të vetëm me rreziqet apo me krizat që i shfaqet ndonjërit prej tyre. Drejtori i spitalit, Kamber Balla, një burrë serioz rreth të gjashtëdhjetave, i ndërgjegjshëm për situatën largon përgjegjësitë duke i dalë në mbrojtje institucionit që drejton. “Stafi mjekësor është tepër i kufizuar, megjithëse kjo nuk ka penguar në mbarëvajtjen e punës”, tregon Balla tek-sa i hedh një sy fletës në të cilën ka em-rat e të gjithë personelit. Spitali është i etur për mjekë të specializuar në fushën e psikiatrisë e kjo duket që nga mënyra se si bëhet trajtimi i pacientëve. Aty nuk punohet për shërimin e tyre. Më e shumta që spitali mund të bëjë me mundësitë që ka është që t'i mbajë nën kontroll. Nuk ka një dhomë izolimi. Krizat nervore të ndonjërit kontrollohen ende në mënyrë primitive duke i lidhur me çarçaf apo duke i injektuar qetësues shumë të fortë. Kërkesat drejtuar ministrisë së Shëndetësisë duket se kanë rënë në vesh të shurdhët prej kohësh. Drejtori shpesh përpiqet të anashkalojë problemet që ka spitali por është koshient kur thotë : “Është e pa konceptueshme që 70 pacientë të një pavijoni të rrinë nën kujdesin e një mjeku dhe një kujdestari”. Çdo ditë është një sfidë më vete për infermierët dhe kujdestarët. E shkuara i ka përballur me sulme nga më të ndryshme ndaj në çdo moment duhet pasur kujdes. “ Po të gjetën pa mendje dhe të papërgatitur ata të godasin dhe bëhen tepër agresivë”, shprehet me shqetësim një prej infermierëve. Spitali ka nën administrim një sipërfaqe që përfshin rreth 1.2 milion banorë. Aty vijnë pacientë jo vetëm nga Elbasani dhe rrethinat e tij por edhe të tjerë të ardhur nga qyteti i Durrësit, Lushnjës, Korçës dhe Pogradecit. Fenomeni më tronditëse në atë hapësirë të izoluar me hekura është mosha e re që dominon më së shumti në spital. Rreth 60 % e pacientëve i përkasin moshës 20-35 vjeç. Problemet me alkoolin, përdorimi i drogave të llojeve të ndryshme (kryesisht heroina), stresi i tepërt janë disa nga arsyet kryesore që i kanë sjellë në këtë gjendje këta të rinj. Por aty mund të gjesh edhe pacientë që prej 40 vjetësh, jetojnë e marrin frymë mes lagështisë dhe transformimeve të ngadalta të spitalit. Nuk e dinë kush janë, nga vijnë, të kujt janë dhe ç’jetë kanë bërë para se të vinin aty. Memoria e tyre duket se është stopuar dhe si pikë fillestare kujtojnë vetëm prezencën e tyre në atë spital. Të sëmurët hanë mes lagështisë dhe moskujdesit. Është ora 13:00. Është koha kur të gjithë ashtu siç janë të ndarë në pavijone vijnë të hanë drekë. “Janë shumë të prapët, se ngacmojnë njëri-tjetrin”, thotë me sha-ka një prej grave të kuzhinës. Ky është ndër momentet më të gëzueshëm për ta. Çdo pacient ka kuotën e tij ushqimore që është 480 lekë në ditë. Për ta gati-mi bëhet me një menu të përcaktuar. Ushqimet janë specifike dhe copëzohen në mënyrë që të evitojnë incidentet që mund të ndodhin për shkak të mënyrës së shkujdesur me të cilën ata hanë. Në disa pavijone shërbehet në pjata e gota plastike. “Nuk ka zgjidhje tjetër në të kundërt ata mund të vrasin njëri-tjetrin”, tregon kujdestari që sheh me vëmendje çdo veprim të tyre. Të lyer e të bërë pis, ata hanë me nxitim. Një prej tyre, që duket më pak i uritur nga të tjerët gjen kohën të bëjë shaka me shokët e tij. Por shumë prej tyre nuk e kanë mendjen tek lojërat. Ulin kokat dhe hanë gjellën që kanë në pjatat e tyre. Çaji dhe djathi që hanë çdo mëngjes është i pakët për organizmin e tyre të dërrmuar nga ilaçet e forta. Mbrëmjeve zakonisht u shërbehen makarona. Gjithçka për ta është e kufizuar. Gjithçka që atyre u mungon është pak dashuri dhe përkujdesje. S’do munden të falin më shumë se një buzëqeshje. Jo se nuk duan, por thjesht sepse nuk munden.

Në dhomat e pacientëve

Në katin e parë ndodhet pavijoni i pranimit. Një derë e bardhë e me xhama të errët mbi të cilën është shkruar me shkronja të mëdha “URGJENCA” është edhe trokit-ja e parë për këdo që gjendet në atë spital. Dera mbahet e mbyllur. Pavijoni është relativisht i vogël. Në të gjenden pesë dhoma në të cilat ndajnë bashkëjetesën banorët më të rinj e më pak të rrezikshëm të spitalit. Sapo hyn në të majtë ndodhet dhoma e infermierëve. E njëjta skenë, të njëjtat fytyra, të njëjtat kushte arrin të dallosh edhe në pjesë të tjera të spitalit. Në korridore sheh pacientë, veshjet e të cilëve varen në trupat e tyre të imët e dobësuar nga doza e fortë e medikamenteve. Të ndodh rrallë të shohësh të sëmurë që kanë një uniformë të rregullt e tipike të një institucioni mjekësor. Spitali mban frymën mes rrënimit e paradokseve. Të ulur në shkallët që të çojnë për në pavijone të tjera në katet e sipërme gjen shumë prej tyre të frikësuar e të lodhur nga ajo jetesë e mundimshme dhe e shkujdesur që jetoj-në në atë spital. Në dhoma ndajnë bashkëjetesën minimumi katër persona por ka raste që në disa të tjera numri i tyre mund të shkojë deri në shtatë apo tetë pacientë . “Jemi mirë se edhe vetëm mërzitesh, nuk ke ç’të bësh këtu”, tregon një burrë rreth të pesëdhjetave, që nga theksi duket si pogradecar. Dhomat janë të ndotura. Krevatet prej hekuri ka-në filluar të ndryshken e të degradohen si çdo gjë tjetër në atë spital. Në mure gjenden të shkruara emrat e tyre, emrat e njerëzve të zemrës, emrat e qyteteve nga vijnë apo ndonjëri që ka më shumë talent ka provuar të pikturojë diçka. Në dyshemenë e pluhurosur nga hiri i duhanit sheh të hedhura kudo bishta cigaresh, fletë gazetash, çorape të ndotura. Nuk di-het se prej sa kohësh ora e përgjegjësisë dhe e rregullit ka ngelur në vend në këtë institucion. Çudirat në këtë spital nuk kanë të sosur. Askujt nuk i bën përshtypje se në disa dhoma jetojnë pacientë që kurrsesi nuk duhet të ndajnë bashkëjetesën me njëri-tjetrin, për shkak të specifikave të ndryshme që kanë sëmundjet e tyre. Mungesa e përzgjedhjes dhe ndarjes së pacientëve sipas diagnozave ka bërë që jo më larg se dy vjet më parë një prej të sëmurëve të humbte jetën pas një sherri me shokun e tij të dhomës.

Niko: Bëja gabime, ndaj më sollën këtu

Niko është 29 vjeç. Prej 8 vjetësh ai është i shtruar në spital. Fytyra e tij kur përballet me një të panjohur shfaq ndjesi të theksuara frike. Është fshehur në një qoshe të shkallëve dhe nuk kërkon të bezdisë askënd. “Jam mirë. Ilaçet i pi rregullisht. Dua të dal”, janë fjalët e pakta që Niko thotë teksa mbështetet edhe më fort pas hekurave të shkallëve. I riu nga Pogradeci kujton momentet kur forcat policore e sollën me forcë në spital. “Bëja gabime…nuk isha djalë i mirë, prandaj më sollën këtu”, thotë Niko dhe ul sytë vrullshëm në tokë. Ai e dëshiron lirinë ndaj edhe pjesën më të madhe të ditës e kalon në oborrin e spitalit. “S’jam si tjerët unë, jam djalë i mirë. Se këta të tjerët po t’i nxjerrësh jashtë ikin dhe nuk vijnë më”, përpiqet të jetë bindës Niko. Braktisjen moskokëçarëse të familjes ai e vuan që nga dita e parë që është në atë spital. Për të nuk interesohet askush. Mbështetjen e vetme që ka në atë spital janë shokët që ka njohur aty, me të cilët ndan edhe bashkëjetesën.

Irma, 32-vjeçarja e përdhunuar që kërkon t’i fshihet botës

Një vajzë e thjeshtë me kaçurrela, trup të shkurtër dhe pak e shëndetshme erdhi në dyert e spitalit dy muaj më parë. Jeta e saj është përballur me tronditje të njëpasnjëshme deri në momentin që prindërit e sollën për ta kuruar aty. Historia e Irmës, 32-vjeçares nga Kavaja të lë pa fjalë. Sapo mëson se dikush do ta takojë, mendimi i parë për të është djali i saj 8-vjeçar. Ndryshe nga të tjerët, ajo nuk është mësuar ende me braktisjen e familjes. Ndaj edhe shpesh u lutet infermiereve që kujdesen që t’i sjellin prindërit. Ndarja pas një martese 10 vjeçare me bashkëshortin ishte edhe pikënisja e tatëpjetës së madhe që do të merrte jeta e saj. “Ika në Tiranë që të punoja, që të kisha mundësi që të rrisja djalin. Por,aty pronari i lokalit, ai kafsha që s’ia harroj dot surratin më përdhunoi”,tregon teksa shpërthen në të qara e mallkime Irma. Infermieret që kujdesen për të pohojnë se gjendja e saj ka filluar të përmirësohet që nga dita kur ajo erdhi në spital. Por kujtimet e hidhura dhe skenat fatale që ka kaluar në jetë i përsëriten shpesh gjatë ditës. Kërkon t’i fshihet botës dhe të njohurve për të jetuar atë jetë që s’pati mundësi ta jetojë. “Dua të iki jashtë shtetit, të marr djalin dhe ta rris e ta bëj me shkollë”, janë dëshirat që shpreh çdo ditë 32-vjeçarja nga Kavaja.

Iliri ikën nga çmendina në botën e telenovelave

Dhoma e pranimit përveç shërbimit parësor është shndërruar edhe si një vend pushimi për të shtruarit e atij pavijoni. Një televizor i vogël i vjetërsuar është dritarja e vetme pa hekura nga e cila munden ta shohin lirisht pjesën tjetër të botës. Iliri, një djalë rreth të tridhjetave, i shtruar prej një viti në spital, edhe pse e ka parë serinë e djeshme të telenovelës së tij të preferuar është ulur përpara televizorit dhe nuk lejon askënd të ndërrojë kanalin. Sot ai e di me hollësi se çfarë do të ndodhë, ndaj edhe çdo zhvillim i ngjarjeve në telenovelë shoqërohet nga batutat dhe parashtrimet e tij. “Ilirin e kemi djalin më të mirë nga të gjithë”, pohojnë infermieret e turnit, ndërkohë që djali nga Korça ka filluar të shpjegojë me detaje serinë e telenovelës. Pavijoni ka edhe përzierjen më të çuditshme të spitalit. Në dhomat e vogla të mbytura nga lagështira, ndonëse të ndarë mund të gjesh edhe burra edhe gra. Përzierje shumë e rrezikshme kjo kur kujtojmë që jemi në brendësi të një spitali psikiatrik. “I kontrollojmë dhe i shikojmë se çfarë bëjnë në çdo moment të ditës, ndryshe këtu mund të ndodhtë gjithçka”, tregon një prej infermiereve.shekulli
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi