Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
FALKO
FALKO
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
<b>Postime</b> Postime : 3576
<b>Hobi</b> Hobi : Makinat
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : Tirane
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 09/10/2012
http://WwW.EngjujtShqiptare.com

Kaltrina Selimi: Dua të bëhem nënë, dëshira për dasëm po zbehet Empty Kaltrina Selimi: Dua të bëhem nënë, dëshira për dasëm po zbehet

Fri 2 Aug 2013 - 11:50
Kaltrina Selimi: Dua të bëhem nënë, dëshira për dasëm po zbehet 1zmh2c6
I ka thënë më shumë se një herë vetes, ‘boll, nuk mundem më’... Por megjithatë, dashuria për muzikën dhe publikun që e ka përkrahur gjithnjë, kanë bërë që t’i vërë kryqin këtij mendimi. Kaltrina Selimi, këngëtarja e suksesshme e skenës shqiptare tregon në këtë intervistë për suplementin e verës, të rejat nga jeta e saj profesionale dhe personale. Ajo zbulon përmes këtij rrëfimi se Adelina Ismaili ka qenë frymëzim për të në fillimet e karrierës si këngëtare, siç pohon nga ana tjetër se mes këngëve të verës, e preferuara e saj është ajo e Dafina Zeqirit.

Bukuroshja nga Kosova rrëfen gjithashtu edhe bashkëpunimin me kompozitorin që i ka dhuruar hitet e karrierës së saj, Flori Mumajesin, si dhe ndan me ne disa copëza nga jeta private... Siç është për shembull marrëdhënia që ka me punët e shtëpisë dhe ‘dashuria’ për jetën e natës.
Kaltrina, si po kalon këto kohë?
Si çdo sezon tjetër, e angazhuar me mbrëmje, duke punuar për projektet e reja, si dhe duke kaluar ditë të mira me familjen dhe shoqërinë.
Ke bërë pushime, apo ende jo?
Nuk e di nëse mund ta quaj pushim, por gjatë xhirimeve të videoklipit në Kotor, bëra edhe disa ditë plazh. Ndërthura punën me qejfin. Vera është gjithmonë shumë e ngarkuar me punë.
Ke menduar ndonjëherë t’u thuash ‘jo’ ofertave të koncerteve, për t’iu përkushtuar vetes dhe familjes?
Më ndodh shumë shpesh të mos i pranoj ftesat për koncerte, pikërisht për shkak se dua ta shfrytëzoj verën edhe privatisht, pa u marrë me punë.
A jetohet duke bërë muzikë?
Nuk po flas në përgjithësi, sepse ka këngëtarë që vetëm investojnë në klipe pa pasur koncerte dhe duke marrë parasysh që muzika kërkon goxha investim, nëse nuk ke të ardhura nga mbrëmjet, natyrisht që nuk mund të jetosh me të… Po nisur nga vetja, mund të them se po, jetohet me këtë profesion.
Së fundmi, ke publikuar bashkëpunimin me grupin kosovar “Enton”. Si lindi ideja? Kush ia bëri ftesën tjetrit?
Me Gencin dhe Milotin kemi shoqëri shumë të mirë dhe gjithmonë kur jemi takuar kemi biseduar për një bashkëpunim të mundshëm dhe ja që më në fund u realizua.
Në klip ti je femra që merr vendimet, a ndodh edhe në jetë kështu?
Nëse do të flas për profesionin, mund të them se gjithmonë kam kërkuar mbështetjen e familjes dhe shoqërisë së ngushtë kur vinte puna tek vendimet. Kështu ndodh edhe sot. Ndërsa në jetën private marr vendime, por jo shumë të prera (qesh). Përveç bashkëpunimit ke sjellë edhe një singëll... Është e vërtetë. Sapo kam lançuar projektin tim të radhës. Në fakt është pak vonë, mirëpo më është dashur të punoj shumë për të.
Me kë ke bashkëpunuar?
Kam bashkëpunuar me kompozitorin, që mendoj se më ka krijuar disa prej këngëve më të suksesshme të karrierës… Flori Mumajesi ka bërë kompozimin dhe orkestrimin e këngës “Zemër”, nga puna me të cilin jam ndarë shumë e kënaqur. Teksti është shkruar nga Endrit Mumajesi, kurse videoklipi është xhiruar nga bashkëpunëtorët e mi të ngushtë, nga produksioni ASHA, me të cilët kam punuar në tre klipet e fundit dhe meqë kam mbetur shumë e kënaqur nga puna me ta, vendosa që të jenë sërish bashkëpunëtorët e mi edhe për këtë klip. Për dukjen time, si gjithmonë edhe këtë herë është kujdesur stilistja Dona Matoshi.
Cila nga këngët e publikuara deri tani nga artistët shqiptarë është e preferuara jote?
Është e vështirë t’i dallosh, se ka shumë, por më pëlqen dhe më bën të kërcej shumë kënga e Dafinës.
Cila prej këngëtareve shqiptare ka qenë frymëzim për ty në fillim e karrierës?
Nuk diskutohet që ka qenë Adelina Ismaili.
Po tani cila është e preferuara jote?
Një pyetje pa përgjigje të prerë, sepse nuk mund të them dot vetëm një emër, pasi ka shumë që më pëlqejnë dhe këtë e them shumë sinqerisht.
I konsideron rivale koleget?
Përderisa ka shumë kolege të miat që unë realisht i dua dhe që më pëlqejnë shumë këngët e tyre, nuk mundem t’i konsideroj rivale... Ndoshta duket e pabesueshme, por asnjërën nga koleget mia nuk e konsideroj rivale, sepse unë shumicën, për të mos thënë të gjitha i kam mike shumë të mira. Ka sigurisht disa që i kam më të afërta, por kjo s’do të thotë që me pjesën tjetër nuk shkoj mirë, apo që i konsideroj rivale.
Si të duket muzika shqiptare në këtë moment?
Nuk diskutohet që ka edhe këngë që nuk më pëlqejnë, mirëpo në përgjithësi mendoj që është shumë mirë, ka prurje të reja shumë të veçanta dhe shumë moderne.
Sa mendon se të ka ndihmuar pamja në karrierën si këngëtare?
Nuk di si e shohin të tjerët këtë, mirëpo unë nuk jam nisur nga pamja ime asnjëherë, sepse në skenë kam dalë për të kënduar dhe jo për të marrë pjesë në konkurse bukurie, por e shoh nga publiku që edhe pamja e jashtme ka shumë rëndësi dhe nuk e di si më shohin ata mua…
A ka pasur një moment kur ke dashur të heqësh dorë?
S’kanë të numëruara këto momente, shumë herë kam thënë që nuk mundem të vazhdoj më, duke marrë parasysh që muzika është një prej profesioneve më të vështira…
Sa të lodh fama, vëmendja e njerëzve?
Sinqerisht është gjëja më e bukur kur ke fansa, njerëz që të duan, mirëpo njëkohësisht është shumë e vështirë që të jesh gjithmonë në qendër të vëmendjes, pasi je i privuar nga shumë gjëra që të tjerët i bëjnë pa rënë në sy…
A ke një peng në karrierën tënde?
Po, e kam një peng... Kënga “Ditëlindja”, që është një prej këngëve që jo vetëm unë, por shumë njerëz e duan, më ‘shpëtoi’ pa i realizuar një videoklip… Edhe sot e kësaj dite, pas kaq vitesh e mendoj t’ia bashkëngjis një klip, por ende nuk e kam vendosur përfundimisht se çfarë do të bëj.
Si po ecën martesa?
Martesa si gjithmonë shumë mirë, edhe pse në largësi me Dritonin… Po i mungojmë shumë njëri-tjetrit.
Kur do ta bëni dasmën?
Nuk po them asgjë konkrete, sepse dëshira për një dasmë sa vjen e më largohet.
Po plan për fëmijë keni?
Plane për fëmijë kemi si asnjëherë më parë (buzëqesh).
Kush vendos në shtëpinë tuaj, kush kujdeset për financat?
Secili për të vetat (qesh). Jo, jo, pak shaka, sepse gjithçka është e përbashkët... E sa u përket vendimeve, varet se kujt i takon vendimi, kur është nevoja i marrim edhe bashkë.
Ti ke mësuar ndopak nga punët e shtëpisë, gatimi?
Shumë, për të mos thënë të gjitha, sepse kam pak problem me brumërat, nuk jam bërë ende eksperte në gatimin e tyre.
Nëse një ditë do të duhej ta lije këngën, çfarë do të bëje, çfarë profesioni?
Ehh... Nuk e kam menduar akoma.
Si është jeta jote? A del për jetë nate?
Jetën jashtë profesionit e kam shumë të mirë, kam shoqëri shumë të mirë me të cilët dal edhe gjatë ditës, por sigurisht edhe mbrëmjeve… Mund të them që më pëlqen shumë jeta e natës.
Pi alkool?
Pak…
Je bërë ndonjëherë tapë?
(Qesh) Jo, thashë që pi, po jo deri në atë masë.
Si të pëlqen të vishesh në përditshmëri, me taka, sportive?
Më pëlqen që të rri sportive gjatë ditës; edhe kur vesh taka, zgjedh taka të ulëta, të rehatshme…
Merresh me ndonjë sport? Si ia del të kesh linjat që ke?
Falë metabolizmit tim, sepse jam njeriu që ha më së shumti dhe të gjitha llojet e ushqimeve, ëmbëlsirave pa u kujdesur asnjëherë dhe fatkeqësisht nuk merrem me ndonjë sport, edhe nëse jo për linjat të paktën për shëndetin, sepse çdo njeri e ka të nevojshëm të bëj aktivitet sportiv…
Planet për të ardhmen cilat janë? Ndonjë pjesëmarrje në festivale?
Planet sigurisht nuk ndalen mirëpo të gjitha vijnë me kohën, ndërsa sa i përket pjesëmarrjes në ndonjë festival e kam menduar, por kjo bëhet vetëm nëse kam ndonjë këngë të bukur, që ia vlen të jem pjesëmarrëse diku.
Nga: ERALDO REXHO
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi