Dhuna në familje, ndodh të të rrahë edhe gruaja
Fri 30 Aug 2013 - 21:26
- Ka dhunë ndaj grave, por ka edhe ndaj meshkujve. Plot 7 burra kanë kërkuar mbrojtje nga gjykata
Mark Brunga
Ndoshta keni dëgjuar ndonjëherë grindje në shtëpinë e komshiut, apo gratë llafazane të lagjes, flasin për thashethemet që ndodhin në të gjithë zonën përreth, por gjykata, dashje pa dashje që pas futjes në fuqi të ligjit për dhunën në familje, është bërë institucioni i rrëfimit të shumë gjynaheve dhe problemeve të jetës së çifteve shqiptare. Gjyqtarët që shqyrtojnë me urgjencë kërkesat e qytetarëve që kërkojnë mbrojtje, janë ata që përballen të parët me rrëfimet emocionale të bashkëshortëve të dhunuar. Duket sikur burrat, të nxehur si nga dhuna edhe çnderimi që u kanë bërë gratë, nisin të rrëfejnë me detaje gjithçka u ka ndodhur me mendimin për ta zhytur sa më thellë gruan e pamëshirshme. Sipas të dhënave nga gjykata, frazat: “ajo më zhdëpi në dru”, “ajo më nxiu jetën”, apo “ajo më bëri me vula”, tashmë nuk krijojnë më habi në zyrat e komisariateve dhe gjykatave. Sigurisht që numri i grave dhunuese, është shumë më i pakët se sa i burrave dhunues, por shtimi i tyre në kohët e fundit tregon që edhe gratë, po t’u jepet rasti mund të shndërrohen në qenie abuzive, si çdo krijesë njerëzore.
Edhe pse logjika femërore të çon të dyshosh se, ia do t’ia ketë sjellë në majë të hundës dhe dhuna mbetet e fundit shkarkesë psikologjike. Ajo që do ju rrëfejmë më poshtë, është historia e një çifti që ka përfunduar në gjykatë. Çështja civile është regjistruar në muajin prill të këtij viti dhe protagonist janë 40-vjeçari Y.SH. dhe ish-bashkëshortja e tij L.SH. 36 vjeç. Të dy kanë lindur në Dibër, janë prindër të pesë fëmijëve, e prej kohësh banojnë në fshatin Paskuqan në periferi të kryeqytetit. Këtë herë ka qenë vetë burri, i cili është paraqitur në dyert e Gjykatës së Tiranës për të kërkuar nga ky institucion “urdhërin e menjëhershëm të mbrojtjes”. Arsyeja që e ka çuar këtë burrë në këto dyer është dhuna. Dhuna sistematike e ushtruar nga bashkëshortja e tij. Fëmijët e lindur nga kjo martesë, jetonin me babain. 41-vjeçari ka lënë mënjanë krenarinë dhe ka rrëfyer para gjyqtares atë që e mundonte për më shumë se dy vjet: “Ajo (bashkëshortja) ka ushtruar dhunë ndaj meje dhe fëmijëve të mi, prej më shumë se dy vitesh. Ne jetojmë të ndarë faktikisht pasi, gruaja ka ikur nga banesa dhe banon tek vëllai i saj. E paditura është shumë e dhunshme”.
Por dhuna e saj, sipas rrëfimit të burrit nuk përfundon me kaq. Ajo ka arritur të ndërmarrë edhe një vendim ekstrem: I ka vënë zjarrin ish-banesës së përbashkët bashkëshortore. Veprim ky që ka detyruar burrin të pohojë para gjyqtares së çështjes se ish-bashkëshortja e tij, përbën rrezik real për të dhe fëmijët e tyre. Në po atë përballje është përgjigjur edhe vet e akuzuara e cila nuk ka rënë plotësisht dakord me atë që ka deklaruar babai i 5 fëmijëve të saj. Ajo ka pranuar që ka venë zjarr në shtëpi, por tregon se ka djegur dyshekun e krevatit të dhomës së gjumit. Këtë e ka justifikuar me faktin se ndihej depresive dhe e indinjuar si pasojë e tradhtisë bashkëshortore nga ana e paditësit Y.SH. Gjykata ka argumentuar në vendim se gjatë shqyrtimit të padisë, gruaja ka shfaqur sjellje agresive dhe për këtë arsye i është tërhequr disa herë vëmendja. Duke shqyrtuar çështjen me detaje gjykata dha verdiktin për të marrë në mbrojtje burrin dhe për të lëshuar “urdhër të menjëhershëm të mbrojtjes”. Sipas vendimit, gruaja nuk duhet t’i afrohet më pak se 500 metra ishbashkëshortit dhe se ky urdhër është i vlefshëm dhe duhet zbatuar për 6 muaj. E në fakt ky është njëri nga përfundimet e shumë kërkesave që kanë shkuar në gjykatë, të cilat pjesa më e madhe rrotullohen rreth së njëjtës fabul.
Po bota, ç’do thotë bota...!
Është opinioni publik ai që vret më shumë se çdo gjë, shqiptarin patriarkal. Do të quheshin me plot gojën si fatlumë, ata burra që i kërkojnë ndihmë gjykatës për t’iu hequr qafe gratë që i torturojnë, pasi nuk kanë munguar as rastet kur burrat që nuk durojnë dot dhunën, fyerjen apo poshtërimin që u bëjnë gratë për t’i vrarë vetë. Kjo veç tjerash, sjell edhe shkatërrimin e pjesës tjetër të familjes pasi dihet që publiku shqiptar është shumë i ndjeshëm përballë fenomeneve të tilla. Gjykatësit kryeqytetas të çështjeve familjare numërojnë me dhjetëra raste kur burra “gjynahqarë” janë përlotur para tyre në kërkim të ndihmës, ndaj tyre apo prindërve të tyre, të cilët nuk kursehen nga nuset e dhunshme.
Burri kërkon dëmshpërblim moral
Në një rast, para një trupi gjykues në kryeqytet u ulën dy bashkëshortë nga Sauku që kishin rreth 6 vjet martesë. Burri, i dëmtuar akuzues, veç deklarimit fajtor të bashkëshortes së tij, kërkoi nga ajo edhe 100 mijë lekë të reja dëmshpërblim moral, për fyerjet dhe sharjet që kishte përdorur ajo ndaj tij sistematikisht. Sipas tij, në rastin e fundit të dhunës, bashkëshortja e kishte rrahur në mes të lagjes. Pasi ishin kthyer nga Tirana dhe po ecnin drejt shtëpisë, ata kanë shkëmbyer disa sharje, derisa bashkëshortja e ka qëlluar me shpulla. Grindjen e kanë parë fqinjët e tyre, të cilët kanë ndërhyrë për t’i ndarë. Pas kësaj, ata kanë përfunduar në dyert e gjykatës për divorc, ndërsa burri veç kësaj edhe për të marrë dëmshpërblim për çnderimin në publik që i kishte bërë gruaja. Por në fund të këtij procesi ajo që mori ishte vendimi i divorcit, pasi në gjykatë edhe gruaja deklaroi se edhe burri e kishte sharë dhe fyer në publik disa herë. Madje për këtë gruaja nuk ngurroi aspak të sillte si dëshmitarë një tufë me fqinj, të cilët pohuan me pikë dhe presje atë që thoshte gruaja, ndërsa vazhduan më tej të kryqëzonin me akuza burrin si njeri me vese dhe i paaftë për të qenë kryefamiljar.shekulli.
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi