Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Historia e Dalipit me dy gra 25 fëmijë, 100 nipër dhe stërnipër Empty Historia e Dalipit me dy gra 25 fëmijë, 100 nipër dhe stërnipër

Sat 31 Aug 2013 - 13:14
Për gjatë karrierës prej katër dekadash, nuk isha ndeshur me një histori të tillë, që e mësova rastësisht. Por nuk mbeti thjeshtë një intervistë, kishte gjëra interesante, që nuk ishin thënë kurrë. Historia e familjes, rruga që kalonte nëpër përrenj, ndërtuar nga një francez, që i vuri emrin e gruas Katerinë, makina e “KFOR”, që transportonte deri në 20 vetë, si do që kishte katër vende dhe deri tek rrëzimi im mbi një gur, duke përshkruar disa orë në këmbë mes dhimbjesh, mbështetur në një shkop.



RASTËSIA, MBRETI I BOTËS



Ndodhesha në Librazhd, në qytetin tim, së bashku me familjen. Për disa ditë qëndruam në hotel “Bardhoshi” buzë Shkumbinit. Kryem adetet tona, vendosëm lule tek varret e njerëzve tanë të dashur, babait, nënës, vëllait Beqirit, e pas disa ditëve cmallëse, u bëmë gati të ktheheshim. Teksa po pija kafen përpara nisjes, Havaja, një bashkëbiseduese imja më rrëfen si rastësisht teksa flisnim për vështirësitë e mbijetesës; Kemi pasur në fshat një farë Dalip Brahja, ustai i fshatit i thoshim. Kishte dy gra, bëri 25 fëmijë. Ata vërtetë ishin të varfër, por ndjeheshin të lumtur, sepse shtëpinë e kishin plot.



Kafja më mbeti në gjysëmlartësi...Nuk e dhashë veten, por mendja nisi të punonte flur. Dy gra në kohën e Enverit, 25 fëmijë?! Udhëtimi i kthimit duhej të priste. E ngacmova edhe pak Havanë për këtë histori, me mendimin e palëkundur se do të nisesha menjëherë për në Librazhd-Katund...Një fshat i thellë, mes maleve, i harruar edhe nga Zoti, siç thonë. Dalipi kishte vdekur, kishte pesë vjet por në fshat ishte gruaja e tij e dytë, Ferideja. Kjo më interesonte...
Historia e Dalipit me dy gra 25 fëmijë, 100 nipër dhe stërnipër 89396_1
ME MAKINËN E “KFOR”...



Për t’u ngjitur lart, vendasit më thanë se vetëm një mjet shkon e vjen dhe shoferi, Bajram Allkja, u përgjigjet kërkesave të bashkëfshatarëve për t’i zbritur e ngjitur në fshat. Kontaktova në telefon dhe ai u tregua dashamirës.

-Kam rradhën pë të vaditur arën sot, por duhet t’ju ndihmoj, pse vini për herë të parë në këto anë, më tha. Bukuri...



Pas 60 minuta pritjeje, erdhi mjeti. Hodha një sy brenda...Dukej si një makinë e ngritur nga varrezat që i kishte shpëtuar rrëmbyesve të skrapit.

-Kjo është makina?- e pyes. Po, ejani , nuk dua të vonohemi, shpejtoi përgjigja. Ndoshta nuk duhet të prisja luks, por duke ecur nëpër asfalt mund edhe të harrosh se si jeton pjesa tjetër...Me fytyrë paksa të thartuar, të pushtuar nga ankthu, nisim të përpjetën nën uturimën e makinës, që gulçonte gjithë kohën, ca për shkak të moshës dhe amortizimit, por edhe për shkak të rrugës, pse gjithë kohën shoferi ecte me ridoto.



-Rëndësi ka motorri, jo llamarinat, na thotë ai, pasi konstatoi habinë tonë në pasqyrë.

Deri në një farë vendi, rruga dukej normale si të gjitha rrugët rurale, por kur filluam të kalojmë përrenj të tharë e gurë zalli, na zuri frika. Shoferi e konstaton menjëherë dhe na drejtohet:

-Mos kini frikë, unë kam 15 vjet me këtë makinë, është nga ato që përdor KFOR-i, kam po kaq vite që e bëj këtë rrugë. Nuk më ka ndodhur gjë edhe në dimër kur bora shkon deri 40 cm. Unë ju kam respektuar sot se vini për herë të parë këndej dhe kam marrë aq veta sa vende ka makina, por e dini ju që unë marr deri në 20 veta?

Çfarë?!-gati thirra.



Po, vazhdoi ai i qetë, rrinë mbi njëri tjetrin, duket e pabesueshme por qëndrojnë edhe jashtë dyerve duke u kapur fort tek ai katrori i hekurt që është sipër. Më vjen keq t’i lë bashkëfshatarët e mi këtu, kanë halle. Në këmbë duhet të paktën tre orë të mira që të shkosh deri në shtëpinë e fundit.



RRUGA E FRANCEZIT ME EMRIN E GRUAS SË TIJ



Gjatë këtij udhëtimi të pazakontë për ne, por të përditshëm për dhjetëra shqiptarë të tjerë, mësova edhe historinë e kësaj rruge, që për fshatin ishte një ndihmë e madhe. Barjami e di mirë, madje ka qënë pjesë e festës kur u vendos një pllakë dhe ne befasohemi me atë që ai rrëfen.



Kjo rrugë nuk ka ekzistuar deri në majë, por falë humanizmit të një francezi që e solli, kështu si është deri atje. “Një djalë nga fshati ynë, Altin Bala quhet, ka ikur prej vitesh emigrant në Francë. Para tre vjetësh në shtëpinë e tij këtu në fshat vjen pronari i tij dhe u befasua me kushtet e fshatit, mungesa e rrugës. Kur shkoi në Francë mblodhi ndihma, ndoshta 50-60 mijë euro, pagoi një firmë nga Elbasani dhe bëri këtë rrugë përmes malesh. Në kryqëzim u vendos një pllakë, ku shkruhej emri i rrugës, “Katerina”, që ishte bashkëshortja e francezit. Fatkeqësisht ajo është hequr dhe kan mbetur vetëm korniza prej hekuri. Kjo tregon mosmirënjohje, por ndoshta e kanë marrë për ta shitur”, tregon Barjami.



“Thonë se Francezi synon të shfrytëzojë një masiv argjili në mal dhe gjënë e parë që do të bëjë është asfaltimi i rrugës. Nëse e bën këtë, portretin e tij do ta derdhim në bronx, sepse nuk kemi asnjë shpresë nga shteti, gjithë kohën kemi qënë të harruar”, vazhdon ai me fshatin që ëndërron një franzes duke investuar.



HISTORIA MES MALESH E DALIPIT



Historia e familjes së Dalip Brahjes, ka mbetur aty mes malesh, e njohin vetëm bashkëfsharët dhe të afërmit. Ndoshta për shkak të largësisë nuk ka qënë e mundur të shkruhet qoftë edhe disa rrjeshta për rastin, që për të veçantën që ka, mund të futet në librin Gines, atë shqiptar sigurisht...Mbërrijmë më në fund...

Feride Brahja është 62 vjeçe, nusja e dytë e Sadikut. Pa asnjë ndroje se kjo histori do të bëhet publike, me vërtetësi dhe humorin që e karakterizon, pranon të tregojë historinë e saj, historinë që na solli në këto thellësira.



Në çfarë rrethanash je martuar me Sadik Brahjen?

Kam qenë 15 vjeçe, kam qenë vajzë e bukur, mos më shih sot që jam bërë gjyshe. Një ditë shkova të mprihja një vegël tek ai, Dalipi, ka qenë ustai i fshatit dhe në një çast ma bëri me sy. Kur shkova ta marr veglën, më tha se do të më merrte nuse. Ti je i martuar, i thashë, ke edhe fëmijë. Le të jem, m’u përgjigj, ti do të jesh nusja e vërtetë, shpirti i Dalipit. Ishte burrë i pashëm, punëtor, por edhe sevdalli i madh. M’u mbush mëndja dhe shkova, u bëra gruaja e tij, nisa një jetë të re, të pazakontë.



Cilat ishin marrëdhëniet me gruan tjetër, që ishit në një çati?

Si moshë e kisha si nënë, por me Qamilen, megjithëse kishim një burrë të përbashkët, shkonim si motra. Shkonim mirë se edhe Dalipi e mbante kandarin drejt, nuk ia hante hakun asnjërës. Kishim një harmoni, që nuk e kish familje tjetër në fshat.



Çdoni të thoni që e mbante kandarin drejt, nuk ua hante hakun...?

Megjithëse unë isha shumë e re, me mua kish bërë martesën zyrtare, na trajtonte njësoj. Flinte një natë me njërën, një natë me tjetrën. E dinim rradhën dhe i lëshonim vendin njëra tjetrës. Të dya mbeteshim shtatzanë, ka pasur raste që kemi lindur të dya njëherësh, madje kemi bërë edhe një çift binjakësh.



Sa fëmijë keni lindur?

Unë Feridja kam lindur 13 fëmijë, në mos gabohem Qamilja ka lindur 12 fëmijë, pra Dalipi ishte babai i 25 fëmijve. Gjatë jetës më kanë vdekur katër fëmijë dhe sot kam gjallë 9, gjashtë vajza dhe tre djem. Kam një taborr me nipër e mbesa, e vetmja pasuri që më ka lënë Dalipi.



Si ushqehej kjo familje e madhe me 25 fëmijë?

Nuk mbetej askush pa ngrënë, Dalipi ishte usta i Zoti dhe ia dilte mbanë. Nuk kishte gjë më të bukur kur shihje fëmijët në sofër që hanin përshesh me qumësht në tepsi dhe më pas kërciste luga kokës. Të krijohej përshtypja se ishte kopështi i fshatit, unë dhe Qamilja edukatoret, ndërsa Dalipi ishte kryetari I familjes.



Jeni grindur ndonjëherë me Qamilen, po fëmijët me njëri tjetrin?

Nuk mund ta besoni, por asnjëherë nuk jemi grindur, ishim pjesë e familjes. Ju thashë Dalipi e mbante kandarin drejt, nuk i hynte asnjërës në hak. Po të jetë i zoti i shtëpisë korrekt, nuk kanë problem gratë apo fëmijët. Fëmijët me njëri tjetrin grindeshin si fëmijë, por kur u rritën ata e donin edhe më shumë njëri tjetrin. Kjo vazhdon edhe sot, ata janë vëllezër e motra dhe bëhen shumë, shkojnë e vijnë, sidoqë janë larguar, vajzat janë martuar dhe djemtë kanë ikur në emigrim. Jo vetëm fëmijët por edhe nipërit e mbesat, stërnipërit dhe stërmbesat, që janë bërë 100, takohen me mall dhe ndihmojnë njëri tjetrin që ka nevojë. Janë fëmijët dhe pasardhësit e Dalip Brahjes, që ishte një copë burrë.



Si ishte e mundur bashkëjetesa me dy gra në kohën e regjimit, si nuk është dënuar burri juaj?

Celebrimin e kishte bërë me mua, pra zyrtarisht një grua kishte, por ju thashë ishte një copë burrë, ustai i fshatit dhe kishte kredi. Pastaj nuk krijonim problem, ishim familje e rregullt. Shteti nuk kish ndonjë të keqe prej nesh, bënim fëmijë, shtonim popullsinë. Dalipi i shërbente koperativës natë e ditë dhe i kishte bërë vend vetes. Sherre nuk kishim, pse mos na linte në hallin tonë. Pastaj Dalipi i kishte shokë ata të partisë, që i rrihnin shpatullat se ai mbante koperativën me vegla.



Çfarë ndodhi në familjen tuaj pas rënies së regjimit?

Qamilja me fëmijët e saj iku nga fshati, është sistemuar në qytetin e Librazhdit, kurse unë me fëmijët e mij dhe Dalipi mbetëm këtu, në shtëpinë tonë, ku ngrysëm një jetë bashkë. Dalipi ndërroi jetë përpara 6 vjetësh dhe në atë ditë të dhimbshme u bashkuam sërish bashkë: Dy gratë, fëmijët ,nipër dhe mbesa. Unë jetoj me djalin e vogël Rudin, kurse Qamlja me djalin e vogël të saj, Dashamirin. Shkojmë e vijmë tek njëra tjetra, më shumë unë se Qamilja është e sëmurë dhe i ka kaluar të tetëdhjetat. Ja kështu vajti jeta jonë, me varfëri, por kishim barkun plot.



Të ndihmojnë fëmijët ekonomikisht?

Bereqaves, tani një njeri jam dhe kursejnë për nënën e tyre. Jam e lumtur, ja sapo më erdhi mbesa, do të zbres në qytet të marr një mbesë tjetër 4 vjeçe, e kam të vajzës. Kjo më bën të lumtur. Njeriu një jetë ka. Për Dalip Brahjen, gratë e tij, fëmijët e pasardhësit, nuk flet kush keq. Na kanë nderuar fëmijët edhe në emigracion, punojnë për familjet e tyre, por kurrë nuk harrojnë nënat, fshatin.



Çfarë kushte i janë krijuar gruas sot në fshat, Feride?



Asgjë nuk ka ndryshuar, çfarë ndihmojnë fëmijët. Gruaja ngarkohet si dikur, bën punët në arë, që nga mbjellja, vaditja, korrja. Është fshat i thellë, mungon rruga, ka varfëri. Nuk duhet harruar vetëm një fakt që pas ikjes së fëmijve në emigracion, gratë, nënat, panë lekun me sy, vishen dhe ushqehen më mirë, por edhe shtëpitë janë rregulluar ndryshe. Shumë familje dhe janë larguar në Librazhd dhe qytete të tjera… /Shqiptarja.com/
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi