Likovë, shuhen 5 paralele me mësim në gjuhën shqipe
Mon 2 Sep 2013 - 23:05
Pesë paralele janë shuar këtë fillim vit të ri shkollor në Komunën e Likovës, gjegjësisht në shkollën fillore ‘Rilindja’ të fshatit Vaksincë dhe Llojanë si dhe në Shkollën Fillore ‘Dituria’ në fshatrat malorë Llukarë dhe Gushincë. Përfaqësuesit e këtyre shkollave thonë se këto paralele po mbyllen me pa të drejtë dhe se Komuna e Likovës duhet tu dalë në ndihmë pasi edhe përkundër numrit të vogël të nxënësve, paralelet mund të funksionojnë edhe me më pak se 24 nxënës ashtu edhe siç parasheh ligji për arsim fillor. Pegdagogu i shkollës ‘Rilindja’ në Vaksincë, Ismet Miftari thotë se në shkollën e tij janë shuar tre paralele, te klasat e ulëta prej katërve janë lënë vetëm dy, kurse tek të lartat është shuar 1 paralele.
“Për fat të keq në Komunën e Likovës në veçanti për shkollën tonë ky fillim vit nuk ka filluar mbarë pasi me iniciativë të kryetarit të komunës do të bëhet zvogëlimi i paraleleve, përkatësisht mbyllja e disa vendeve të punës. Jemi të vetëdijshëm se kemi ulje të numrit të nxënësve, por këto paralele që sipas autoriteteve komunale duken të tepërta, janë hapur me proces, nuk janë hapur me automatizëm siç duan ti mbyllin tani por janë hapur gradualisht, dhe gradualisht le të mbyllen. Ne nuk jemi kundër iniciativës së kryetarit të komunës, ne i këshillojmë ata dhe i lusim që këto mbyllje të paraleleve ta bëjnë gradualisht, pasi marrëveshja e vitit të kaluar ka që qenë që vendet e punës dhe paralelet të mbyllen me pensionim”, tha Ismet Miftari, pedagog në SH.F ‘Rilindja’ fshati Vaksincë.
Ndërkohë, përgjegjësi i arsimit në Komunën e Likovës, Xhevdet Rahmani thotë se mbyllja e këtyre paraleleve vjen si rezultat i numrit të vogël të nxënësve. Sipas tij pikërisht kjo është arsyeja pse janë kombinuar disa paralele.
“Kemi një problematikë këtu pasi edhe në nivel të Maqedonisë numri i nxënësve po bie, por edhe punëtorët tanë të angazhuar në perëndim po i marrin fëmijët atje kështu që ka 3 vite numri gradualisht po na ulet, kurse dihet se bllok dotacionet për shkollat vendosen në bazë të numrit të nxënësve. Kemi dy paralele në Vaksincë, nga dy paralele, në Llojanë njëjtë është numri d.m.th 4 paralele janë në shkollën fillore ‘Rilindja’ prej klasës së parë deri në të pestën kurse kanë nga 10 nxënës, për këtë arsye nuk mundemi që financiarisht ti mbulojmë shkollat dhe vendosëm që të mbyllim këto paralele”, u shpreh Xhevdet Rahmani – përgjegjës i arsimit në Komunën e Likovës.
Komuna e Likovës numëron mbi 4 mijë nxënës me 6 shkolla fillore qendrore dhe dy periferike dhe një gjimnaz. Sipas autoriteteve komunale numri i nxënësve për çdo vit po bie dhe ata këtë fenomen e shohin tek ulja e natalitetit dhe largimi i banorëve të këtij rajoni drejt shteteve perëndimore. Valmir Kuçi
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi