Jepen me qira bunkerët dhe vendstrehimet
Sat 23 Nov 2013 - 14:46
- Nxirret nga sirtari ligji i vitit 1996 i Aleksandër Meksit për fortifikimet. Qeveria ndryshon procedurat dhe rrit qiranë për vendstrehimet. I hapet rruga kontratave të qirasë për tunelet ushtarake
Luis Tanushi
-Shteti jep me qira tunelet dhe bunkerët e komunizmit. Qeveria ka nxjerrë nga sirtari një ligj të kohës së Aleksandër Meksit për fortifikimet dhe po e përdor me disa ndryshime. Ligjit titullohet: “Për ruajtjen, mirëmbajtjen dhe dhënien me qira të objekteve fortifikuese mbrojtëse”. Kabineti i ministrave miratoi ndryshimin e procedurave për dhënien me qira të objekteve fortifikuese për një pjesë të kategorive të tyre. Pas rënies së regjimit komunist, shumë prej fortifikimeve të ndërtuara në atë kohë dolën jashtë funksionit duke ndryshuar destinacion për t’u përdorur nga qytetarët për aktivitete ekonomike, madje shumë familje i kthyen në banesa, kundrejt një qiraje të vogël që teorikisht duhet t’ia paguanin shtetit, por nuk u vu kurrë në zbatim. Ligji i vjetër përcaktonte që për personat që kanë banesa direkt sipër fortifikimeve, për personat që kanë hyrjet e këtyre objekteve në oborret e shtëpive të tyre apo të pronarëve te trojeve apo tokave ku ka fortifikime, lidhja e kontratës së qirasë do të përcaktohej nga organet administruese të tyre, ndërsa ata përfitonin edhe shmangien nga shtesa mbi qiranë me koeficient 0.5 për qind. Ndërsa me ndryshimin e ri të ndërmarrë nga qeveria, lidhja e kontratës do të bëhet njësoj si objektet e tjera shtetërore të cilat jepen me qira, duke u detyruar tashmë që të paguajnë edhe 0.5 për qind më shumë.
Sipas vendimit të firmosur nga ish –kryeministri Aleksandër Meksi në vitin 1996, objektet fortifikuese mund t'u jepen në ruajtje me qira personave të tjerë nga organet që i kanë në administrim. Katër ishin kategoritë e përfituesve: a)personat që kanë banesa direkt sipër tyre. Kur sipër një strehimi kanë banesat dy a më shumë persona, objekti i jepet personit që ka sipërfaqe më të madhe sipër tij; b) personave që kanë hyrjet e këtyre objekteve në oborret e shtëpive të tyre dhe c) pronarëve të trojeve apo tokave. Në rastet kur një objekt nuk plotëson ndonjërën nga kërkesat e mësipërme ose nuk pranohet të merret në ruajtje nga personat, i jepet në ruajtje një personi tjetër që pranon ta bëjë një gjë të tillë, ndryshe organi që e ka në administrim përcakton formë tjetër ruajtjeje. Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Brendshme përcaktojnë objektet që nuk mund të jepen në ruajtje me qira pa miratimin e tyre. Në situata të jashtëzakonshme objektet fortifikuese u dorëzohen menjëherë dhe pa ndonjë kushtëzim organeve ushtarake nga marrësit në ruajtje me qira të tyre duke e parashikuar këtë detyrim në kontratat e tyre. Ligji ndalon përshtatjet që vështirësojnë rikthimin e këtyre objekteve në destinacionin për të cilin janë ndërtuar. Heqja ose prishja e objekteve fortifikuese bëhet vetëm me miratim të ministrit të Mbrojtjes, sipas kushteve të ligjit "Për urbanistikën". Kjo ministri ka të drejtë të autorizojë privatizimin e objekteve të veçanta fortifikuese, kur ato kanë dalë jashtë detyrës luftarake ose jashtë përdorimit. Ndaj personave që heqin apo dëmtojnë objekte fortifikuese e mbrojtëse, përveç nxjerrjes së përgjegjësisë materiale, organet përkatëse kur është rasti kërkojnë edhe vënien para përgjegjësisë penale.
Objektet fortifikuese
Në të gjithë Shqipërinë u ndërtuan gjithsej 176 mijë objekte fortifikuese. Në këtë sistem përfshihen sistemi i strehimeve për mbrojtjen e popullsisë, sistemi i vendkomandave, i cili është ndërtuar i gjithi nën tokë, baza ajrore e Gjadrit dhe bazat detare të ndërtuara në Shëngjin e Palermo, të cilat janë vepra madhore e të rralla në llojin e tyre, sistemi i ndërlidhjes telefonike i cili është i groposur i gjithi nën tokë, etj. I gjithë ky sistem fortifikimesh u bë me mundin, djersën e gjakun e oficerëve, nënoficerëve dhe ushtarakëve, me një kosto minimale të domosdoshme. Ndërsa një pjesë tepër të madhe të shpenzime i mbuloi edhe Kina. Pas viteve ‘70, në shtetet kryesore, puna e gjerë kërkimore shkencore në fushën ushtarake, e zhvilluar për një kohë të gjatë, po jepte rezultatet e saj. Me hapa të shpejta po rinovohej teknika e aviacionit, flotës, tankeve e transportuesve të blinduar, ndërsa në vendin tonë, për shkak të pamundësisë apo të kostos financiare që kishte blerja e teknikave të reja, si dhe nisur nga qëllimi për të mbrojtur vendin, çuan midis të tjerave në rrugën e fortifikimit. Bunkerët kanë tërhequr vëmendjen e qeverive të tranzicionit, të cilat janë munduar të vënë nën kontroll dyndjen e njerëzve dhe bizneseve drejt këtyre objekteve ushtarake. Qysh në vitin 1991, qeveria a atëhershme vendosi që një pjesë të vendstrehimeve t’ia kalonte ekonomisë. Ligji i vitit 1991 "Për vënien në shfrytëzim në interes të ekonomisë të strehimeve mbrojtëse të popullsisë dhe të objekteve të MCR-se" u shfuqizu më 1995. shekulli.
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi