Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
avatar
Legjenda
Anetar i perjashtuar
Anetar i perjashtuar
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 40
<b>Postime</b> Postime : 5560
<b>Hobi</b> Hobi : FUTBOLL
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : ne vendi e dashur quhet tetova
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 19/02/2012

Vëllai i Ministrit Buja e deputetja Haxhiu studentë jashtë konkursit Empty Vëllai i Ministrit Buja e deputetja Haxhiu studentë jashtë konkursit

Tue 4 Feb 2014 - 20:29
E drejta autoriale Gazeta Jeta në Kosovë

Fakulteti i Edukimit regjistroi në nivelin master dhjetëra studentë më shumë se sa që kërkohej nëpërmjet konkursit. Në mesin e të regjistruarve jashtë konkursit është edhe vëllai i ministrit të arsimit Ramë Buja si dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Teuta Haxhiu, e cila është gjithashtu anëtare në Komisionin për Arsim.

Avdyl Buja, vëllai i ministrit të arsimit Ramë Buja, dhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Teuta Haxhiu, njëherit anëtare e komisionit parlamentar për arsim u bënë studente të nivelit master në fakultetin e edukimit në shpërputhje me rregullat e konkursit.

Ata bëjnë pjesë në mesin e 89 studentëve të pranuar jashtë konkursit të rregullt në Fakultetin e Edukimit për nivelin master në dy programe.

Konkursi i hapur në nëntor të vitit 2012 parashihte të pranoheshin vetëm 20 veta në programin –Udhëheqja në Arsim dhe 20 tjerë në programin Mësimdhënie dhe Kurrikula.

Shpjegohej në konkurs se numri ishte i limituar dhe se do të pranoheshin vetëm më të mirët prej atyre që e kanë notën mesatare të studimeve bachelor mbi 7.5.

Konkursi bazohej në vendimin e senatit për vitin akademik 2012-2013 që kishte caktuar që të pranoheshin vetëm 40 studentë në këto dy programe masteri në Fakultetin e Edukimit.

Por numri i studentëve në këto dy programe është rritur.

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar listën e studentëve që janë pjesë studimeve post-diplomike në fakultetin edukimit.

Programi Mësimdhënie dhe Kurrikula ka 77 studentë që i bie 57 më shumë se sa që ishin pranuar nëpërmjet konkursit të nëntorit të vitit 2012.

Programi Udhëheqja në Arsim ka 52 studente apo 32 më shumë se sa që kërkoheshin nëpërmjet konkursit.

Ministri Buja- E papranueshme, nëse vëllai është regjistruar jashtë konkursit

Vëllai i ministrit të arsimit refuzoi të tregojë për mënyren e regjistrimit të tij në master në vitin akademik 2012/2013 kur u kontaktua nga Gazeta Jeta në Kosovë.

Kuotat shtesë për regjistrimin e studentëve lejohen me miratim të ministrit të arsimit.

Ndërsa ministri Buja pohoi se është e papranueshme nëse vëllai i tij është regjistruar jashtë rregullave të konkursit.

“Unë nuk jam në dijeni se diçka e tillë ka ndodhur, por nëse ky veprim ka ndodhur jashtë kritereve të përcaktuara në konkurs, atëherë është e papranueshme”, ka thënë Buja në një përgjigje të shkruar për Gazetën Jeta në Kosovë.

Në listën zyrtare në të cilën ishin pranuar 20 studentë brenda rregullave në master të Fakultetit të Edukimit, emri i vëllait të ministrit Buja nuk figuron askund.

Gazeta Jeta në Kosovë ka siguruar listat me emrat e studentëve që vijojnë studimet në nivelin master në të dy programet e fakultetit të edukimit. Avdyl Buja figuron si studentë i master në programin Udhëheqja në Arsim.

Deputetja-studente jashtë konkursit

E regjistruar pas konkursit të rregullt në vitin akademik 2012/2013 është edhe Teuta Haxhiu, deputete në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Ajo është njëkohësisht edhe anëtare në Komisionin Parlamentar për Arsim, organ ky që mbikëqyr ligjshmërinë në institucionet e arsimit.

Ajo është regjistuar në programin Udhëheqja në Arsim. Emri i saj nuk figuron në listën e 20 personave të pranuar nëpërmjet konkursit nga fakulteti i edukimit.

Haxhiu thotë të jetë pranuar pas ankesës që ka bërë, pasi ajo kishte bindjen se përmbushte kriteret për tu pranuar. Thotë se ka notën mesatare mbi 7.5.

“Unë kam shfrytëzuar të drejtën time elementare për ankesë pranë organeve të Fakultetit për shqyrtimin e provimit tim. Dhe natyrisht pas këtij rishikimi edhe jam pranuar”, ka thënë Haxhiu.

Gazeta Jeta në Kosovë kërkoi nga Haxhiu që të shoh ankesën që ka bërë ajo në fakultetin e edukimit.

Ajo refuzoi dhe tha se nuk i kujtohet se kur saktësisht ka bërë ankesën.

Zyrtarë të UP-së me deklarata kundërthënëse

Rektorati e drejtues të Fakultetit të Edukimit përmendin se është lejuar regjistrimi i studentëve jashtë konkursit.

Fakulteti i Edukimit si dhe vetë rektorati i UP-së nuk kanë sqaruar një zëri se si janë bërë regjistrimet jashtë konkursit në Fakultetin e Edukimit.

Deklaratat e të dyja palëve kanë ndryshuar nga njëra-tjetra, duke mos e bërë të qartë se si janë shtuar këta studentë.

Në rektorat kanë thënë që numri është rritur me vendim të senatit pas një kërkese që ka bërë Fakulteti i Edukimit për rritje të numrit të studentëve, por që këta të fundit nuk përmendin diçka të tillë.

“Fakulteti Edukimit ka barë kërkesë në për rritjen e numrit të studentëve për vitin akademik 2012/2013, dhe që senati ka vendosur ta pranojë kërkesën”, ka thënë Nuri Bexheti, prorektor në UP, i cili njëkohësisht është dhe senator.

Përkundër që Bexheti ka thënë që ekziston vendimi i senatit, në rektorat kanë refuzuar t’i sigurojnë qasje gazetës në këtë vendim duke u arsyetur se nuk mund ta lëshojnë atë pa u konsultuar me rektorin Ibrahim Gashi si dhe Sekretarin e Përgjithshëm, Esat Kelmendin.

Senati i UP-së udhëhiqet nga rektori Ibrahim Gashi.

Edhe pse në rektorat deklarojnë të ketë pasur një vendim për rritjen e numrit të studentëve bazuar në kërkesën e fakultetit të edukimit diçka të tillë nuk ka përmendur drejtuesi i këtij fakulteti, Ethem Çeku.

Çeku që nga i tetori i 2012-ës ka marrë detyrën e dekanit në Fakultetin e Edukimit.

“Pyeteni rektoratin se pse e ka regjistru këtë numër. Fakulteti i Edukimit nuk ka vendosur të regjistrohen këta studentë dhe ky ka qenë vendim i senatit të Universitetit të Prishtinës. Listat dhe emrat kanë ardhë nga senati”, ka deklaruar Çeku për gazetën Jeta në Kosovë.

Ai edhe pse thotë që vendimet të kenë ardhur nga senati i UP-së, deklaron që një numër i të regjistruarve më vonë kanë ardhur nga ankesat që kanë bërë, por jo të gjithë prej tyre.

“Disa janë pranu me ankesa, por jo të gjithë që kanë bërë ankesa janë pranuar, se nëse 400 studentë bëjnë ankesa ne nuk mund t’i pranojmë të gjithë nga ta”, ka deklaruar Çeku.

Edhe prodekani Zeqir Veselaj prodekan në fakultetin e edukimit deklaroi se rritja e numrit të studentëve është bërë bazuar në vendimin e senatit të UP-së.

Por ngjashëm si në rektorat edhe në Fakultetin e Edukimit nuk ofruan vendimin e senatit të UP-së sipas tyre lejonte rritjen e numrit të studentëve.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi