Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Plazhi i Durrësit, kur gëlonte nga turistët gjermanë Empty Plazhi i Durrësit, kur gëlonte nga turistët gjermanë

Mon 10 Feb 2014 - 22:42


Plazhi i Durrësit, kur gëlonte nga turistët gjermanë Elekeke
Leonard Veizi

-Tirana e viteve ’70 ndryshonte po aq sa nuk ndryshonte nga pjesa tjetër e botës. Kufizime kishte pa masë, por mundësitë për t’i shpëtuar censurës ishin sofistikuar deri në art. Ilir Mati, gazetar me përvojë, sportist që nuk di të ndalojë në “vrapin” e tij dhe duhet thënë gjithsesi se është djali i një prej drejtuesve më të lartë të ushtrisë shqiptare, kundëradmiralit legjendë Abdi Matit, rrëfen se si jetohej në kryeqytetin shqiptar në mesin e viteve kur ushtrohej “diktatura e proletariatit”.

Në rrjetet sociale keni bërë publike një seri fotografish që flasin shumë për Tiranën e viteve ’70. Çfarë doni të thoni me to?

Botimi i atyre fotografive ka një qëllim, të tregoj se jeta është e bukur kurdoherë. “Jeta është e bukur kurdoherë”, dëshmon kineasti italian Begnini në filmin e tij “La vita e Bella”, jetën në kushtet e kampeve shfarosëse naziste! Ajo që tregoj edhe unë në shkrimet e mia, si për shembull te novela “Turma” dhe novela “Periskopi”, është se jeta është gjithmonë e bukur edhe në kushtet e vështira të diktaturës së proletariatit. Ka që me shembjen e Murit të Berlinit që letërsia dhe artet i janë kushtuar atij tmerri që diktatura e proletariatit i bëri njeriut në vendet e Europës Lindore, por ka shumë pak punë letrare dhe artistike në lidhje me atë se si njeriu i përballoi ato kushte të vështira. Ne lindëm nga prindër që dolën fitimtarë nga Lufta e Dytë Botërore, por që për shkaqe gjeopolitikës që nuk vareshin nga ata, u ndodhën në mes të luftës së quajtur të “Lufta e Ftohtë”. Luftë e cila për ta nuk ishte aspak e tillë. Prindërit tanë dhe mësuesit e mençur më shkollë na edukuan, pra na rritën, na mësuan e formuan për të përballuar kushtet e tmerrshme të diktaturës së proletariatit. Ata na vunë në bazë të edukimit dashurinë për njeri-tjetrin në familje, në shkollë dhe në shoqëri. Ky edukim (në të vërtetë opozita e vetme qeverisëse e kohës), shkonte krahas edukimit zyrtar: punë-mësim-kalitje, në të cilin vlerë kryesore merrte dashuria dogmatike, ku mbizotëronte dashuria për partinë.
Plazhi i Durrësit, kur gëlonte nga turistët gjermanë 164069_454361547608_3135049_n
Plazhi i Durrësit, kur gëlonte nga turistët gjermanë 1551568_10151662977307609_1218952826_n%201
Ndërkohë kishte dhe një edukim tjetër që cilësohej: edukimi fizik...?

Në fakt, një nga komponentët e rëndësishëm të edukimit tonë (pra të rritjes, arsimimit dhe formimit) ishte edukimi fizik. Mësuesit, trajnerët dhe instruktorët e edukimit fizik në shkolla, në qendra sportive dhe Shtëpi Pionieri, ishin jo vetëm mësuesit tanë por edhe shembulli i njerëzve me karakter të fortë. Në edukimin tim fizik kam kontributin e figurave të shquara të edukimit sportiv shqiptar: Avni Zajmi i Pallatit të Pionierëve, Tiranë: në eskursionizëm dhe çiklizëm, Luigj Shala gjithashtu në Pallatin e Pionierëve, për alpinizëm, Thoma Papa i ekipit të Flamurtarit për not, Petrit Caslli i ekipit të Partizanit në not dhe vaterpolo, Adem Karapici i gjimnazi Qemal Stafa në Tiranë, Petrit Qendro po ashtu i të njëjtit gjimnaz, Napolon Tare dhe Agim Tabaku në Universitetin e Tiranës, mjeshtër Nallbani në tenis, Sokol Morina në kayak, Koço Ziso nga Flota Luftarake Detare, në varkë me vela, Ramadani e Kiu të Shkollës së Marinës në Vlorë për kanotazh. Edukimin tonë fizik mësuesit tanë e mbështetën në parimet e olimpizmit. Në vitin 1983 regjistruam Shoqata Sporti për të Gjithë, me kryetar prof. Sokol Saliu. Shoqata e dytë e regjistruar, mbas regjistrimit të shoqatës tjetër jo qeveritare: Shoqata e Balonave, me kryetar piktorin Zamir Mati. Shumë prej nesh, mbushën radhët e ekipeve sportive të Republikës, por asnjëherë nuk u shkëputën nga aktivitetet në rrugica, në lagje a në ndërmarrjet a institucionet ku punonin. Si të tillë po përmend: Agim Fagu, Gut Tafaj, Ilirjan Kreshpa, Pavllo Kici.

Tenisi ishte sport i kufizuar në Shqipërinë e para viteve ’90. Si organizohej ai nga të rinjtë e kryeqytetit?

Tenis në Shqipëri është luajtur që në vitet 30. Kampion i fundit i kampionateve të tenisit ishte Këlliçi. Ne mësuam tenis në Pallatin e Pionierëve me zotni Nallbanin, i cili kishte luajtur tenis para lufte në Itali. Raketat i blinim në dyqan të sportit dhe i rregullonim te mjeshtër Nallbani. Në Tiranë në vitin 1970 kishte fushë tenisi në Pallatin e Pionierëve, në Pallatin e Brigadave (ku luanin autoritetet shtetërore, se ua kishte rekomanduar mjeku), në Klubin Studenti (ku është sot Pallati i Kongreseve) dhe te Shallvaret (fusha nën kujdesin e Komitetit Ekzekutiv të Tiranës). Ne loznim gjithë ditën te Shallvaret, pasi na i kishte dhënë atë mjedis Sokol Morina, aso kohe shef i kulturës fizike në Komitetin Ekzekutiv të rrethit, me kusht ta mirëmbanim e t’i bënim të gjitha punët vetë. Aty u afruan edhe më të mëdhenj se ne, piktori Qamil Prizreni, arkitekti Maks Velo, përkthyesi Isuf Vrioni. Unë e kam frekuentuar atë mjedis deri në vitin 1973, pastaj fillova punë në Vlorë, ku me Herman Shërnzer (arkitekt) ndërtuam një fushë dhe filluam të luanim atje. Në Tiranë futa në vallen e tenisit mjeshtrin e pingpongut e të volejbollit, shokun tim të shkollës së mesme ing. Perlat Voshtinën. Perlati ishte talent në të gjitha, më mundte në pingpong me të majtën pa qenë sallaks. Filloj nga ‘zero’ tenisin dhe sërish më mundi!

Të rinj nga Tirana ushtroheshin me patina të bëra vetë, në sportin e hokeit. A keni ju një përvojë të tillë?

Kishte një rreth në Pallatin e Pionierëve, i cili u mbyll, por pasioni nuk u shua. Bënim patina me kushineta ashtu si shokë tanë të tjerë bënin karroca me kushineta. Pastaj erdhën ca patina nga Republika Demokratike Gjermane e mblidhnim lekë për t’i blerë. Pastaj sajonim e sajonim. Djemtë e patinave e kishin vendin te Universiteti, aty ku sot ja u kanë zënë me një restorant të tipit “ushqim i shpejtë”. Ndeshjet e hokit ngjallnin interes, mblidhnin shikues njësoj si ndeshjet e futbollit të dielave te fusha e Pallatit të Pionierëve.

Në muajt e verës plazhi i Durrësit popullohej nga banorët e kryeqytetit. Si e kujtoni atë kohë?

Plazhin e Durrësit e mbaj mend që nga fundi i viteve 50, kur arkitekt Gani Strazimiri ftoi mikun e vet, tim atë të kalonin pushimet në hotel turizmin që ai kishte projektuar. Ai hotel u ngjante gjithë hoteleve të kohës në Rimini. Ashtu si në Rimini shkonin e pushonin punëtorë gjerman të VVolksvagenit, edhe në Durrës pushonin punëtorë të Lindjes. Aty ishte plazhi i gjermanëve, çekëve, polakëve, etj. Por pas viteve ‘60 plazhin e frekuentonin vetëm punëtorë e nëpunës shqiptarë si edhe grupe marksiste-leniniste që bëni pushime gati ‘gratis’. Në vitet ‘70 ne u interesuam dhe hapëm Kampin e Studentëve të Universitetit të Tiranës te segmenti i quajtur “Apollonia”. Ishte sukses e shkuar suksesit. Sa kam qenë student i kam kaluar pushimet aty. Tre turne, u blija fletët e kampit shokëve të mi të rretheve që shkonin e kalonin pushimet në shtëpi. Në plazhin e Durrësit jemi dëshmitar të ndryshimeve të kostumeve të banjës të femrave pasi gjithë vitin rrinim e mendonim për bërjen e atyre kostumeve, ne dhe femrat. Kështu nga kostumet bashkë, te ato të ndara dhe në fund të viteve 80 edhe bikini.

“Ju më pyesni për tenisin në vitet 70, për patinazhin, rrëshqitjen me ski e ushtrimin e notit. Unë do shtoja edhe sporte të tjera më pak të njohur si radioamatorizmi, pingpongu, vaterpolo, kanotazhi, maratona e notit. Të gjitha këto aktivitete deri aty nga viti 1969 ishin në Kalendarin e Aktiviteteve Sportive të Republikës. Ky kalendar botohej në Gazetën Sporti Popullor në numrin e parë të vitit. Pastaj, për shkak të shkurtimeve në buxhetin e shtetit, u shkurtuan edhe shumë aktivitete sportive, ndër ta vaterpoli, kanotazhi, tenisi. Por ne i vazhduam ato”.

“Kërcenim në dëborë me altoparlantët e paradave”

Në periudhën e dimrit amatorët e skive detyroheshin të iknin larg kryeqytetit pasi as mali i Dajtit nuk kishte një pistë të mirëfilltë. I pyeturrreth ushtrimit të këtij sporti Ilir Mati thotë: “Skitë! Eh... pasion i tim eti. I kishte mësuar ato në shkollat ushtarake të Italisë. Po ashtu mjeshtri Belul Hatibi drejtonte kursin e përvitshëm të skive të Institutit të Fizkulturës. Në kampionatin e skive merrnin pjesë fshatarë nga zonat malore me borë kryesisht Kuksi e Korça. Ne ishim studentë. Klubi Sportiv Studenti bëri një mbledhje mësimore dimërore në Voskopojë ku ne vajtëm dhe mësuam të rrëshqasim. Pastaj nuk ju ndamë kurrë. Deri në vitin 1989 shkuam vit për vit në Dardhë. Të parët shkuan në dardhë Kujtim Kita e Shkëlqim Mema, pastaj shkuam ne një grup prej 14 vetësh dhe më vonë kampi veror i Dardhës u bën edhe kamp Dimëror, hapej dy dhe tre turne për skiatorë. Grupi ynë amator i skive, u drejtua gjithmonë nga trajneri i talentuar i Studentit Sulejman Poda. Dardha ishte për ne i vetmi vend në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë ku nuk kishte polic për të na ndaluar të këndonim e të kërcenim si të na i kishte qejfi. Aty Hysen Sala, teknik i RTVSH, vendoste dy altoparlantë nga 200 vat nga ata që viheshin për paradat ushtarake, dhe na vinte muzikën që dëshironim, e cila shpesh quhej dekadente! Në Dardhë, i bëmë miq fshatarët nga se fshati i tyre gjallërohej e kish punë edhe në dimër. Aty unë njoha xha Kiço Racin, ish prift i fshatit, por që ishte bërë meteorolog. Kujdesej për stacionin meteorologjik të fshatit. Tek ai lexova atë kohë gjuhën e bukur të Kristoforidhit, te përkthimi që Kristoforidhi i kishte bërë Dhiatës së Re”.

Të informoheshe njëlloj me botën

Përveç blerjes së librave dhe marrjes së tyre në biblioteka, një fat në rininë time shkollore dhe studentore ishte prania në shtëpinë time e një gramafoni me një koleksion të pasur pllakash, e një magnetofoni “Sony” dhe e një televizori “Philips” bardh e zi. Gramafoni me koleksionin e pllakave ishte koleksion i prindërve, ata e pasuronin vazhdimisht koleksionin e tyre. Kishin muzike klasike dhe muzikë vallëzimi, përgjithësisht latino-amerikane. Një nga disqet e bukur ishte kënga “Zëri i Shtatë” kënduar nga amerikani Pol Robson, pastaj pjesë për klarinetë luajtur nga Beni Gudman, këngë të Mahalia Jacson, këngë të Edith Piaf, kënga e famshme e Olimpiadës së Romës "Arivederci Roma"- Renato Rachel. Magnetofoni ishte në shtëpi që prej vitit 1961. Kur nuk ishte e mundur më të blinim disqe filluam të incizojmë këngët që na pëlqenin nga RAI dhe Radio Luksenburg. Veçanërisht incizonim nga dy emisione Bandiera Giala dhe Hit Pareid. Njihnim të gjitha këngët e “Beatles” dhe “Rolling Stoens” dhe ishim në kontakt me gjithë muzikën që pëlqente rinia në Europën dhe Amerikën e asaj kohe. Ndërsa televizori erdhi në vitin 1964. Në Tiranë kishte pak televizorë. Radio Televizioni Shqiptar ende ishte eksperimental, ndërsa i pranishëm ishte sinjali i televizionit italian RAI, i ritransmetuar. Pra i kapur dhe përsëritur për ata pak televizorë në shtëpitë e autoriteteve që jetonin në rezidencën e tyre qeveritare, te Blloku. Ne jetonim në rrugën e Durrësit, por edhe aty sinjali i ritransmetuar vinte mirë. Emisioni i preferuar ishte filmi i të hënës. Në atë rubrikë kemi parë filma të famshëm të historisë së kinematografisë. Po ashtu emisioni variete i të shtunës. Komikët italianë, kartonat si edhe emisionin "Non e mai tropo tardi" emision për mësimin e gjuhës italiane që RAI e transmetonte për zhdukjen e analfabetizmit në Itali. Shtëpia ime nuk ishte shumë e madhe, por dhoma ku ishte televizori u kthye në sallë kinemaje. Merreni me mend në një dhomë 5x4m kemi parë si në një kuti sardeleje Kampionatin Botëror të Futbollit të vitit 1966. Radio e televizioni italian ishin burime që shkonin ndesh me informimin zyrtar. Ato u bënë burimi kryesore duke e lënë mënjanë informimin dogmatik të radio televizionit zyrtar shqiptar. Tek rubrikat sportive të RAI-t ne gjenim veten. Ndiqnim kampionatet e disiplinave të ndryshme të Italisë. Njihnim çdo gjë! Diskutonim për gjithçka. Përgjithësisht në jetën tonë kishim vënë re se ne me pantallona doku e me këmisha me mëngë të përveshura diskutonim për sportin, letërsinë muzikën, kurse shokë tanë të veshur me xhaketa e me kravata diskutonin për politikën e kuadrit.

Kujdesin më të madh e kishim të mos binim në burg për fjalë goje, sepse kjo ishte gjëja më e lehtë.

Flokët dhe basetat

Ilir Mati thotë se historia e flokëve të gjatë dhe pantallonave kauboj apo “thundër elefanti”, është sa e bukur aq dhe e trishtueshme në regjimin socialist. “Na pëlqente t’i mbanim flokët dhe basetat e gjata aq sa të mos ngjallnim zemërimin e këshillit të lagjes, komiteteve të rinisë e veçanërisht të shuanim frikën e prindërve tanë. Vajzat i mbanin kalipso, alla BB (Brigite Bardot), etj. Por në Universitet, vinin edhe fotografi me profil të ndonjë shokut tonë për të na treguar si duhej të qetheshim. Nuk shkonim as te berberët, se edhe ata kishin urdhër te na qethin sipas rregullores. Qetheshim vetë”.



Policia me shkopa gome

Rinia gjithsesi duhej mbajtur nën presion, përndryshe... “Për herë të parë Policia Popullore nxori shkopat e gomës në Tiranë në festën e vitit të ri 1972. Bëhej një mbrëmje në Pallatin e Kulturës ku të rinjtë kërcyen valle të cilësuara në kundërshtim me moralin komunist. Ishin valle të cilat ne i kërcenim nëpër ditëlindje në shtëpitë tona, dhe ku për herë të parë u sulmuan sipas tyre “të degjeneruarit qafëleshë”. Kam bërë ç’është e mundur t’i shpëtoja atyre shkop ave të gomës si edhe kapjes dhe ngarkimit në kamionët e policisë. Shokët të mi provuan si shkopat mbi kurriz e kërcinj ashtu edhe shoqërimin në komisariat apo lënien në rrugë disa km larg Tiranës që të vinin në këmbë”, rrëfen Ilir Mati.

Mbijetesa



“Me këtë intervistë unë dua të tregoj se jeta është e gjithmonë e bukur, madje edhe nën diktaturën e tmerrshme të proletariatit. Kjo nuk do të thotë se ne nuk kishim sy, veshë e zemër për të kuptuar se çfarë ndodhte rreth nesh, për të ndjerë ato dhembje të shkaktuara nga nxitja artificiale e luftë së klasave, veçanërisht ndaj familjeve dhe shokëve tanë, fëmijë të personave të dënuar nga pushteti i Diktaturës së Proletariatit. Ne nuk e pranonim misterin e teatrit grek që fëmijët të vuanin bëmat e prindërve apo anasjelltas. Sa më shumë na vinin të studionim marksizëm-leninizmin, aq më tepër e kuptonim fundin e asaj filozofie sipas thënies së Leninit se do të fitoj ai sistem shoqëror që do të dëshmojë rendiment shoqëror më të madh. Dhe ne e kuptonim se në të gjitha fushat e veprimtarisë shoqërore, rendimenti shoqëror i shoqërisë ku jetonim ishte shumë më i ulët se në perëndim, të pranishëm tek ne nëpërmjet RAI-t. Gjithsesi, ne ja dolëm. Po të më pyesni se çfarë bëra nën diktaturë, do t’iu përgjigjem me një shprehje të JP Sarter: Mbijetova. Po të më pyesni se ç’bëj tani, do t’u përgjigjem: Vë re se si fëmijët e mi dhe të shokëve të mi, edukojnë fëmijët e tyre me dashurinë për njeri-tjetrin në familje, shkollë e shoqëri e sigurisht edhe atë pjesë te rritjes që ka të bëj me edukimin fizik në natyrën dhe kulturën e Shqipërisë”.shekulli.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi