Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

“Gjurmët” e komunizmit në ikonat e Shën Marisë Empty “Gjurmët” e komunizmit në ikonat e Shën Marisë

Sat 10 May 2014 - 15:10
  • Për herë të parë çelet ekspozita e veçantë në Shkodër me ikona dhe piktura të viteve '60

  • Janë piktura dhe ikona të ruajtura me kujdes nga familjarët nëpër sepete dhe arka nusesh

  • Profesori i Historisë së Artit, kuratori Zef Paci shprehet se, këto vepra janë gjurmë novacioni, që vinë si vazhdimësi e historisë së Shqipërisë

“Gjurmët” e komunizmit në ikonat e Shën Marisë Untitlzzzzzzed
Valeria Dedaj

Maria me të atin, Konaku i Shenjtë, Zoja e Shkodrës, e Këshillit të mirë, Hyjlindësja Mari, Nëna e dhembshme, Zoja e ndihmës së pareshtur, Zoja me shtatë hanxharë, Zoja e gishtit, Zemra e shporuar e Zojës, Vdekja ose fjetja e Marisë”, janë vetëm disa nga subjektet e ikonave dhe pikturave që qëndrojnë të ekspozuara këto ditë në famullinë e Shën Shtjefnit në Shkodër. Kuratorët e kësaj ekspozite janë artistët Edi Hila dhe Zef Paci. Në një intervistë për “Shekullin” profesori i Historisë së Artit në Universitetin e Arteve, Zef Paci tregon se, ideja për të realizuar një ekspozitë lindi si kërkim rreth tipologjive të pikturave apo ikonave me të Shenjtën Mari, në familjet e rrethit të Shkodrës. Fillimisht njerëzve iu tregua subjekti i ekspozitës dhe më pas u mblodhën materialet.
“Gjurmët” e komunizmit në ikonat e Shën Marisë Sssssssxsssrre
Kishte edhe piktura të ruajtura në fondin e Kishës. “Ndër to është një pikturë e Zojës që kishte qëndruar tek altari i Katedrales, ishte edhe piktura e Kol Idromenos që me subjektin e saj flet për një përndjekje të hershme (arratia e imazhit të Zojës prej pushtimit otoman) e pastaj për historinë e saj si pikturë, një përndjekje të dytë gjatë diktaturës komuniste”, tregon profesori. Ndërsa familjarët kishin sjellë një ikonë post-bizantine të trashëguar brez pas brezi; një pikturë të Shën Marisë me Krishtin e Simon Rrotës; një pikturë në të cilën marrëdhënia e dashurisë së një nëne me fëmijën evokonte Zojën me Krishtin etj. Për rrethanat historike ka një numër të kufizuar pikturash autentike.
“Gjurmët” e komunizmit në ikonat e Shën Marisë Sssssssxsssrre
Profesor, si ju lindi ideja që të realizonit ekspozitën “Gjurmët”, me ikonat dhe pikturat e Shën Mërisë?

Ekspozita “Gjurmët” me ikona dhe piktura të sjella nga familjarët lindi në bashkëpunim me profesorin Edi Hila. Këto ditë ekspozita qëndron e hapur në famullinë e Shën Shtjefnit në Shkodër. Objektet janë ndarë në dy dhomëza të vogla. Kuratori Edi Hila propozoi të ulej edhe pak tavani, që të ngjante i ngushtë edhe i gjatë, për të krijuar idenë e katakombeve të hershme, të persekutuar nga pushteti romak, por edhe në gjysmën e dytë të shekullit XX.

Në fund të këtij korridori qëndron një Krisht i kryqëzuar dhe djathtas ka një shtatore të vogël të Marisë. Historitë që kishin jetuar te këto objekte ishin të përveçme. Ikonat dhe pikturat dëshmojnë prejardhjen dhe historinë e hershme, të cilës i përkasin, prandaj vendosëm që, këtë ekspozitë ta emërtojmë “Gjurmë”. Janë gjurmë novacioni, por janë edhe gjurmë që, nganjëherë vinë të shënjuara nga koha dhe nga përndjekja që kanë kaluar, si një lloj vazhdimësie, një lloj linje e ndërprerë disa herë.

Çfarë pikturash apo ikonash përmban ekspozita?

Ideja ishte që të ndërtonim një ekspozitë që të kishte vetëm ikona dhe piktura të Shën Marisë. Janë rreth 44 piktura dhe ikona që Kisha dhe familjet i sollën për këtë subjekt. Nga pikturat që solli Kisha ishte një Zojë me Krishtin e porositur në Venecia, që për herë të fundit është ekspozuar përpara përndjekjes, në vitin 1957, më pas është ekspozuar në Muzeun Ateist në Shkodër. Pastaj ishte edhe “Ikja e Zojës së Mirë”, e pikturuar nga Kolë Idromeno, një tjetër pikturë që e solli një familje e Simon Rrotës etj.
“Gjurmët” e komunizmit në ikonat e Shën Marisë Errrrtttyxyy
Ishin objekte autentike apo kishte edhe të njëjta?

Ajo që është prekëse është se, ishin materiale të lira që nuk kanë as koston e një pikture dhe as cilësinë e saj. Këto objekte që sillnin banorët në gjuhën lokale janë quajtur “fugure”, ndaj tyre ka pasur një përkushtim të madh, që normalisht ka evokuar diçka shpirtërore. Kjo gjë është e veçantë sepse, nuk janë vetëm piktura apo ikona, por përballë tyre janë edhe imazhe të tjera. Ishte kjo, një vënie për objektet autentike, por edhe për ato që janë prodhuar në seri.

Ku i kishin ruajtur këto objekte gjatë periudhës komuniste?

Disa ishin shumë të dëmtuara, sepse ishin ruajtur nëpër sepete dhe dollapë, disa ishin të zverdhura nga lagështira, disa i kishin groposur dhe futur nëpër plastmase, por edhe nëpër arka nusesh, ndonjëherë të bëra tub. Madje kishte edhe nga ato që përfaqësuesit e regjimit ua kishin grisur, por që përsëri i kishin qepur.

Dalloheshin shenjat e përndjekjes?

Dallohen shenjat e lagështirës dhe të fshehjes, por në to duken edhe gjurmët e përndjekjes edhe të shpëtimit. E veçanta e kësaj ekspozite ishte se, disa prej tyre, ndoshta pas grisjes, nuk kanë pasur as me çfarë t’i qepnin, por janë përpjekur që të bënin diçka për t’i ruajtur. Nëse do të bëhet një lloj paralelizmi me veprat autentike, por edhe me dëshirën për t’i ngjitur këto imazheve, që janë shartuar nga shenjat e kohës, mund të them se, secila prej tyre është një objekt i veçantë.

A mund të na veçoni historinë që u ka bërë më tepër përshtypje nga procesi i kontaktimit me familjarët?

Personi që i ka mbledhur këto objekte është Paulin Ukaj. Çdo herë që vinte, vinte i ekzaltuar nga ato që sillte, por edhe nga historitë që i kishin treguar. Atij i kishin treguar sesi një familje kur kishte prishur një komonë të vjetër, te sirtari i saj kishte një shtresë të dyfishtë, që e kishin vendosur për të ruajtur materialin.

Ju jeni nga Shkodra, po familja juaj a kishte ruajtur objekte të tilla nga periudha e komunizmit?

Unë kam qenë rreth katër vjeç gjatë asaj periudhe. Familja ime ruan disa objekte, por ato nuk janë të Marisë.

Dhe së fundmi, profesor si ndikon kjo ekspozitë, në ruajtjen e trashëgimisë shpirtërore te shkodranët?

Ruhet, diçka që duhet nga personat që kanë qenë të lidhur shpirtërisht. Nuk është thjeshtë trashëgimi kulturore, por trashëgimi shpirtërore, prandaj kjo është arsyeja që duhet ruajtur për ta përcjellë te brezi i ri. Për këtë ekspozitë do të bëjmë edhe një botim, që do t’ua dhurojmë familjarëve.

Dëshmi të familjarëve

1. Dëshmi e Leopold Shkrelit: “Që kur kam marrë mend, kjo “fugure” ka qenë vendosur në murin e kuzhinës (oda e zjermit) në anën e djathtë të oxhakut. Në mbrëmje kur nëna premtonte rruzaren shenjtë, në krejt natyrshëm shikimin e përqendronim te kjo “fugure”. Gjatë viteve të komunizmit dy herë na kanë dëbuar nga shtëpia, por “fugurja” e Zojës ka qenë gjithmonë me ne. Në vitin 1967 “fugarja” u hoq nga muri dhe u ruajt me kujdes në fundin e baules ... aty ku ishin edhe rrobat kombëtare të nënës tonë, Marije Loro Shkreli. Kërkesa e famullisë për këtë nisëm u bë nxitje që kjo “fugure” e dashur të rimarrë jetë përsëri”.

2. “Bep Çoba e ka gjetur këtë skulpturë të groposur në arin e shtëpisë së tij, ndërsa ai po kryente punimet e shtëpisë pak kohë më parë. Kjo dëshmon se familja e tij në periudhën e komunizmit e ka fshehur në dhe, këtë trupore duke dashur ta ruajnë në hapësirën e shtëpisë së tyre”.

3. “Kryqi ka qenë i Luçe Tut Koçobashit (gjyshja e Ernestit). Këtë kryq ajo e ka mbajtur në krye të shtratit të saj dhe çdo natë lutej para tij. Ajo ka vdekur në vitin 1946. Gjatë sistemit komunist është ruajtur nën dyshekun e fëmijëve të tyre”.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi