Raporti britanik: Partizanët, terroristë ndaj shqiptarëve, burracakë ndaj fashistëve
Thu 29 May 2014 - 0:58
Misioni Britanik i vendosur në Shqipëri gjatë Luftës II Botërore ofron në raportet e tij një “rishikim” të historisë shqiptare të asaj periudhe për të cilin komunizmi i Enver Hoxhës ngriti “Piramidën” e tij heroike, që edhe sot vazhdon të bëjë jehonë falë demiurgëve të rrenave historike
Në një numër raportesh të përmbledhura si mëposhtë, Misioni Britanik në Shqipëri, në përpjekje për të organizuar një grup të gjerë rezistencë kundër pushtuesit italian dhe gjerman pasqyron peripecitë e tij në gjetjen e një frymë bashkëpunimi dhe trimërie tek partizanët shqiptarë.
Në kuadër të asaj që vijon më poshtë, nuk duhet të lënë pa theksuar se gjatë luftës në Shqipëri, thirrjet jo të sinqerta të eksponentëve shqiptarë kundër fashizmit kishin në disa raste përgjigje të sinqerta, nga njerëz që ndienin detyrën e mbrojtjes së kombit ndaj pushtuesit të huaj. Por, përtej fasadës së luftës anti-Duçe apo anti-Hitler fshihej pabesia ndaj kombit e shpalosur me një luftë civile vëllavrasëse për marrjen e pushtetit. Misioni britanik në raporte e tij rrëfen se për të vrarë ndonjë italian apo gjerman, për të hedhur një urë në erë apo për të prishur linjat telegrafike duhet t’i merrnin për dore partizanët, pasi në të kundërt do të mësynin shqiptarët, konkretisht fraksionet politike dhe ushtarake anti-komuniste.
Faktet e prezantuara në këto raporte përbëjnë një alarm të vërtetë për rishikimin e historisë shqiptare të luftës së dytë botërore. Ngritja e miteve të luftës është specialiteti i komunistëve. Në Kinë, Mao ngriti Mitin e Marshimit të Madh mbi një betejë që s’ndodhi kurrë mbi urën e lumit Dadu (Tatu-Ho). Kjo analogji meriton të trajtohet gjerësisht për shkak se i njëjti falsitet është përdorur edhe nga komunistët shqiptarë. Miti ishte frymëzuar nga vetë karakteristikat e urës, dhe vendi ku ajo ndodhej, pra në mesin e Himalajave, çka e bënte atë një vend të mirë për vdekje heroike. Nuk kishte asnjë këmbë nacionaliste në urë kur të kuqtë e Maos mbërritën. Komunistët kinezë pretendonin se ura ruhej nga një regjiment nacionalist, i udhëhequr nga një njeri i quajtur Li Quan-shan.
Por, telegramet e dërguar brenda dhe jashtë këtij regjiment, tregojnë se kjo njësi nacionaliste e kishte bazën në një vend të quajtur Hualingping, shumë larg urës, dhe togfjalëshi “shumë larg” merr një konotacion më të gjerë kur bëhet fjalë për Kinën. Për të shtuar, telegramet e dërguar nga nacionalistët, nuk flasin fare për ndonjë luftë të ndodhur në urën Dadu. Realisht, ndodhej një njësi nacionaliste në një qytet në anën tjetër të urës, por ata ishin larguara para se të vinin komunistët, në kuadër të planit të Chiang Kai Shek-ut. Ky i fundit e kishte lënë urën të hapur posaçërisht, në mënyrë që komunistët të nxitonin për në Sichuan.
Prova më e fortë që vërteton së në të vërtetë nuk ka ndodhur asnjë beteje në urë do të vinte në vitin 1982, kur lideri suprem i Kinës, Ten Hsia Pin, i cili ishte vetë një pjesëmarrës i marshimit në urën Dadu (Tatu-Ho), do të shprehej se versioni zyrtar rreth ngjarjeve në urë, ishte i sajuar”. Absurditeti është shokues kur sheh se ky leksion i rishikimit të historisë është dhënë nga vetë një lider komunist, në 1982, në Kinën ende komuniste, ndërsa në historinë e Shqipërisë demokratike vazhdojnë të qëndrojnë ende të qëndisurat komuniste nga demiurgët e rrenave.
Skenat heroike të luftës anti-fashiste të Enver Hoxhës dhe shokëve të tij janë po aq të pavërteta sa miti i Maos mbi Lumin Dadu. Britanikët tregojnë në telegramet e tyre se tek partizanët kishte një frymë terroriste në luftën ndaj shqiptarëve të fraksioneve të tjera politiko-ushtarake dhe burracakëri në luftën ndaj fashistëve. Përpos, shqiptarët patriotë të cilët u gënjyen nga thirrjet për luftë ndaj pushtuesit dhe e gjetën veten në betejat vëllavrasëse në fshatrat e ballistëve apo të bajraktarëve shumë shpejt do të dezertonin. Por, fryma terroriste ishte po aq e theksuar edhe brenda llojit partizan saqë nuk do të kursente as dezertorët dhe as ata që shprehnin pakënaqësi. Sakaq, raportet shfryjnë edhe tullumbacen e kuqe të Enver Hoxhës i cili nuk figuron në role strategjike luftarake. Për të thuhen vetëm epitete të tilla si “mashtrues i madh”.
partizan 3
Përmbledhja e Dokumenteve
1. Partizanët burracakë, refuzojnë të luftojnë
Në një pritë të organizuar nga oficeri David Smiley në një rrugë kodrinore në Barmash, jo shumë larg Borovës, britanikët do të ndienin shijen e zhgënjimit ndërsa partizanët shijen e burracakërisë. Brigada I, e frikësuar nga humbjet që mund të pësonte, refuzonte të sulmonte një vendroje të vogël gjermane me 18 ushtarë.
Ndërkaq, një tjetër performancë e turpshme e partizanëve u shfaq kur italianët nisën një mësymje kundër Shtyllës dhe Vithkuqit. Kjo ishte hera e parë kur italianët u përpoqën të vinin në këto zona, njëkohësisht edhe hera e parë kur britanikët u ballafaquan me një sulm, dhe sulmi erdhi i shoqëruar me elementin e surprizës. Të ulur në mëngjes në xhaminë e Shtyllës, McLean-i dhe Smiley ishin duke luajtur kur predha e para ra mbi çati, duke rrëzuar tavanin dhe duke thyer xhamat.
Bombardimet vazhduan gjatë gjithë ditës, ndërkohë që kolonat me italianë nga Korçë, digjnin fshatrat që ndodheshin në mesin e rrugës së luginës. Një partizan të ri gjendej në agoni për shkak të një cifle predhe që i ishte futur në stomak ndërkohë që përpiqej të thoshte “ujë, ujë, ujë…, por askush nuk i dha ujë…shokët e tij partizanë ia mbathëm me të katërta dhe ai vdiq. Partizanët u tërhoqën drejt maleve, dhe përpiqeshin t’u impononin britanikëve tërheqjen nga luftimi.
Përkthyesi i David Smiley një burrë me një pamje të egër, me mustaqe të zeza, i cili më parë kishte qenë shumë luftarak, shumë krenar për veten e tij dhe për partizanët, si dhe shumë përçmues ndaj italianëve, e kaloi shumicën e mëngjesit dhe të pasdites duke u ankuar si i mjerë: “Duhet të na largosh që këtej zotëri, është shumë e rrezikshme këtu”, sa herë që ndonjë predhë binte 200 metra larg. Por sapo mbaroi beteja, iu ngriti bishti e i tha oficerit britanik me përbuzje se italianët nuk mund ta merrnin kurrë Shtyllën, po të mos ishte për artilerinë e tyre.
2. Pakënaqësitë e partizanëve ndaj Enver Hoxhës
Ky raport përshkruan një panoramë të ndryshme nga ajo e dy raportimeve të mëparshme që kemi marrë nga Brigadier Hodginson. Përshtypja që mu krijua gjatë dy raporteve të para ishte se ndërsa Hoxha ishte një mashtrues i madh, ai nuk po i trajtonte problemet e administratës pa marrë masa dhe se opozita në regjimin e tij nuk ekzistonte. Në funksion të këtyre fakteve, dua të rrëfej se mendimi që më pushtoi mendjen është se në një të ardhme jo të largët duhet të shqyrtojmë nëse duhet të njohim të ashtuquajturën qeverinë e tij. Tashmë, nga ky raport po mësojmë se ka indikacione se në skenë po shfaqet opozita dhe se qeveria po humbet terren. Nuk duhet të nënvlerësohet fakti se ekzistojnë shumë pakënaqësi në radhët e partizanëve pasi Enver Hoxha paguan vetëm oficerët në ushtrinë e tij. Kushtet ekonomike mund ta detyrojnë atë të çmobilizojë disa struktura të ushtrisë së tij, por nuk besoj se Hoxha do të marrë përsipër këtë rrezik për momentin. Në dritën e këtyre rrethanave, kam frikë se nuk ka shumë gjasa për rrëzimin e qeverisë në të ardhmen e afërt, por opinioni im modest është se shqiptarët nuk do të tolerojnë në pafundësi asnjë formë komuniste qeverisëse.
3. LNÇ-ja me frymëzim terrorist, ka gjasa të fitojë ndaj Ballit Kombëtar
Ministria e Jashtme britanike planifikonte të bazoheshe gjerësisht në raportet e oficerit Davies për të “formuluar politikën e ardhme britanike ndaj Shqipërisë”, dhe atij iu dërgua një listë me pyetje, të cilave duhet t’u jepte përgjigjen: “Sa i gatshëm është Këshilli i LNÇ-së që të bashkëpunojë tani dhe pas luftës me Britaninë? Sa të influencuar janë komunistët e Këshillit nga Bashkimi Sovjetik, dhe sa kontakte kanë me partizanët jugosllavë dhe komunistët grekë? Sa ngushtë po punon Balli Kombëtar me qeverinë e mbështetur nga gjermanët? Dhe si do ta vlerësonin shqiptarët formimin e një komiteti përfaqësues jashtë shtetit, ndoshta, me Zogun të përfshirë”? Derisa Davies t’u përgjigjej këtyre pyetjeve, Ministria e Jashtme do të vazhdonte t’i mbështeste të dyja, si LNÇ-në ashtu edhe Ballin Kombëtar, nuk do të ndërmerrte hapa për krijimin e një Komiteti të jashtëm dhe do të shmangte mbështetjen ndaj Zogut. Në nëntor, Davies ia dha përgjigjet e tija Kajros.
Këshilli i LNÇ-së, konsideronte ai, ishte komuniste, nën influencën e Titos, jo të Bashkimit Sovjetik dhe kishte kontakte me homologët e saj grek dhe jugosllav, ndërkohë që Balli Kombëtar mbështeste qeverinë e re të krijuar nga gjermanët. Ai nuk mendonte se krijimi i një komiteti jashtë vendi do të ndihmonte situatën, dhe as mbështetja britanike ndaj Zogut. Por, megjithëse LNÇ-ja ishte “Këshilli i vetëm në Shqipëri me të cilin “HMG-ja(Qeveria e Shkëlqesisë së tij) mund të bashkëpunonte”, Davies nuk rekomandoi mbështetje ekskluzive për të. “Balli Kombëtar më ka dhënë një marrëveshje të shkruar se do të luftojë kundër gjermanëve. Derisa të vërtetojë se kjo marrëveshje është e pavërtetë propozoj që të ruhen kontaktet me të”. Megjithatë, situata civile ishte depresuese. Lufta civile mes LNÇ-së dhe Ballit Kombëtar “tashmë ka filluar, dhe do të zgjerohet”. LNÇ-ja ka gjasa që të fitojë në fund, pasi “është më e re, më agresive dhe me shije terroriste”. Balli Kombëtar “ka qëllim që t’i bëjë rezistencë”;ndoshta zogistët nën drejtimin e Abas Kupit do të mund të asistonin.
4. Komunistët në luftë, me mish qengji dhe raki
Deklaratat e partizanëve për të luftuar njëkohësisht gjermanët dhe Ballin Kombëtar linin hapësira për dyshime;ato ishin arrogante: “Kokëfortësia e tyre nuk ka kufij, ata besojnë se ka katër aleatë, Britania e Madhe, Rusia, Amerika dhe Shqipëria, dhe nga të katërta, kjo e fundit ka dhënë kontributin më të madh ndaj kërkesave të luftës dhe se mund të rrijë e ulur dhe e qetë”. E bezdisshme, ishte gjithashtu, “arroganca kolosale” e partizanëve, të cilët kërkonin “të gjitha llojet e të mirave materiale”: partizanët zotoheshin në mënyrë cinike se bënin një jetë të vështirë…Por e vërteta e kulluar ishte se ata bënin një jetë më të mirë se ne”.
5. Dezertimet e partizanëve
(a) Një raport i pakonfirmuar thotë se dy oficerë partizanë kanë dezertuar në Krujë duke iu drejtuar maleve.
(b) Një raport i pakonfirmuar thotë se 80 partizanë nga Brigada e 28 kanë dezertuar dhe ndodhet në malet e veriut. Nga i njëjti burim thuhet se e gjithë Brigada e 17 ka dezertuar në jug.
(c) Raportet nga Korça flasin për dezertime në shkallë të madhe nga formacionet partizane në këtë zonë. Flitet se jo më pak se 400 partizanë kanë dezertuar duke kaluar kufirin për në Greqi. Thuhet se në vendin fqinj kanë shkuar bashkë me armët e tyre të cilat janë marrë nga Greqia dhe se janë trajtuar mirë nga grekët.
(d) Shumë civilë shqiptarë kanë kaluar gjithashtu kufirin për në Greqi. Nuk dihet numri i saktë i tyre por varion nga 100-200, ortodoksë dhe myslimanë.
Çdo shqiptar që tenton të kalojë kufirin, duke marrë me vete dokumente zyrtare shqiptare(që mbartin yllin e kuq), kthehet mbrapa nga autoritet greke.
(e) Stacionet partizane ndodhen përgjatë kufirit por janë të paafta për të ndaluar dezertime të tilla.
(f) Nako Spiro, kryetari i Rinisë Shqiptare Anti-fashiste raportohet të ketë udhëtuar drejt Korçës për të shqyrtuar situatën.
6. Arrestimet dhe vrasjet e partizanëve nga…partizanët!
Vazhdojnë të vijnë raportime rreth arrestimeve dhe vrasjeve të partizanëve
-Tiranë, 2 qershor: 10 partizanë të arrestuar, 3 të ekzekutuar
-Korçë, 2 qershor: 20 partizanë të arrestuar, 5 të ekzekutuar
Arsyeja e këtyre akteve drastike të kryera nga FNÇ-ja derivon nga dezertimet dhe përhapja e pakënaqësive në radhët e ushtrisë.
-Nenkoleneli Husul Spahiu, komandanti i artilerisë së ushtrisë, kushëriri i Bedri Spahiut, dhe Majori Todi Nasho, një nga oficerët e tij, u arrestuan më 1-2 qershor.
Të dy oficerët raportohen se kishin si qëllim të dezertonin, por sipas një historie tjetër ata janë arrestuar me akuzën për imoralitet.
-Arrestimet e studenteve vazhdojnë ende, si pasojë e zërave të tyre kritike kundër FNÇ-së të cilat shoqërohen me slogane anti-FNÇ nëpër mure. Disa prej këtyre sloganeve kanë përmbajtje zogiste. 12 studentë janë arrestuar në Tiranë në 5 qershor, ndërsa 17 të tjerë janë arrestuar më 7 qershor.
-Në fillim të qershorit, raportohet se janë zhvilluar gjyqe të fshehta ushtarake në Shkodër, ndaj 10-12 partizanëve të rëndësishëm. Disa prej tyre janë ekzekutuar menjëherë pas gjyqit.
-Katër partizanë, tre prej tyre të rangut oficerë, janë parë nga një burim të ekzekutohen jashtë Tiranës më 5 qershor. Një nga oficerët mendohet të ketë qene Major. Për arsye ekonomike, u janë hequr rrobat para ekzekutimit.opozita.
- Gjenocidi osmano-islamik ndaj shqiptarëve dhe 100 vjetori i “pavarësisë”
- Gjenocidi osmano-islamik ndaj shqiptarëve dhe 100 vjetori i “pavarësisë”
- Edhe "Pecko" pasqyron fobinë ndaj shqiptarëve?
- Protestë në Bruksel kundër dhunës ndaj shqiptarëve në Maqedoni
- Gjenocidi osmano-islamik ndaj shqiptarëve dhe 100 vjetori i “pavarësisë”
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi