Rikthehen xhihadistët te xhamia e Tiranës
Wed 22 Oct 2014 - 11:56
Kur kanë kaluar tetë muaj nga nisja e hetimeve ndaj të paktën 13 personave të dyshuar se rekrutonin shqiptarë për luftimet në Siri, Prokuroria i sugjeron komunitetit mysliman që të marrë në administrim xhamine e Unazës së Re në Tiranë.
Shkak i kësaj kërkese, e cila bëhet e ditur nga burime jozyrtare pranë Prokurorisë së Përgjithshme, janë informacionet e reja të përcjella nga shërbimi informativ në të cilat ngrihet shqetësimi i aktivizimit në këtë xhami të një tjetër imami të dyshimtë.
Imami i thotë shërbimit sekret vendas se ka kohë që është kthyer nga jashtë vendit dhe predikon xhihadizmin tek frekuentuesit e xhamisë, shumica e tyre banorë të zonës. Madje, në një rast nga vëzhgimet e agjentëve të shërbimit sekret rezulton se ai ka kërcënuar, por këto të dhëna mbeten në kuadrin e zërave jozyrtarë duke qenë se për shkak të ndjeshmërisë së çështjes dhe hetimeve që po kryhen askush nuk e konfirmon informacionin.
Të kontaktuar nga Top Channel, burime të komunitetit mysliman pohuan se nuk kanë dijeni për një kërkesë të tillë, por edhe nëse mbërrin një sugjerim i tillë ne nuk mund të ndërhyjmë duke qenë se investimi në objektin e kultit është privat. Ne jemi përpjekur, vijoi më tej burimi jozyrtar i komunitetit mysliman, që të ngremë ura komunikimi me frekuentuesit e kësaj xhamie, por na janë mbyllur rrugët.
Prej muajsh, të 13 të arrestuarit mes tyre edhe dy imamet e xhamisë së Unazës së Re dhe të Mëzesit ndodhen në paraburgim pas masës arrest me burg të dhënë nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Prokuroria e Krimeve të Rënda pretendon se të paktën 70 shqiptarë mes tyre edhe femra e fëmijë ndodhen të rekrutuar në luftimet në Siri.
Nga informacionet që posedojnë hetuesit, shqiptarët e Sirisë janë të ndarë në dy grupime. Grupi i parë është i rekrutuar për ISIS-in, ndërsa grupi i dytë për Al-Nusrën, edhe kjo e shpallur nga OKB-ja si organizatë terroriste.
/ Top Channel
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi