18 vjet radhazi më ka dhunuar burri, sepse më vinte turp të ndahesha
Sun 30 Nov 2014 - 15:35
- Për “Shekulli”-n vjen rrëfimi i një gruaje të dhunuar nga Skrapari. Vitet e fundit ajo së bashku me fëmijët ka ardhur për të jetuar në kryeqytet. M. ka shpëtuar tashmë nga dhuna, por ka humbur 18 vjet nga jeta e saj
Ajo sakrifikoi shumë, 18 vjet të jetës së saj për një mashkull që më shumë se buzëqeshje dhe përpjekje i dhuronte dhunë. Ajo që do t’ju rrëfejmë sot është historia e M-së, një zonje tashmë në moshë, që i ka shpëtuar dhunës së të shoqit, por që sigurisht nuk dëshiron që ta bashkëngjisë emrin e saj në një histori të trishtë që tashmë e ka shkëputur nga vetja. 18 vjet nga jeta nuk janë pak dhe akoma më e vështirë është për t’i shkëputur dhe për t’i fshirë nga vetja. Por, ajo ka mundur. Është historia e një gruaje, e cila arriti të mblidhte forcat për të ecur përpara falë ndihmës që i dhanë psikologet në Strehëzën për Gra dhe Vajza në Tiranë.
Pikërisht, aty dëgjon histori të jashtëzakonshme, që duket se i përkasin skenave të një filmi. Dhe rastet që paraqiten në këtë qendër janë nga më të shumtat. Mundësitë për të ndihmuar të gjithë numrin e madh të grave dhe vajzave që paraqiten në këtë strehëz në Tiranë janë të pakta, ama stafi është gjithnjë i gatshëm t’i mirëpresë. Historitë aty ishin nga më të ndryshmet. Vite të tëra jete të hedhura në erë për shkak të dhunës. E ajo që shpresoj të sjellim në këtë intervistë është ndërgjegjësimi jo vetëm këtë javë, por përgjatë gjithë vitit për të luftuar dhunën në familje dhe sidomos të vajzave dhe grave, të cilat jetojnë ende në zonat rurale, në një shoqëri patriarkale dhe maskiliste.
M., për sa kohë gjatë jetës tënde je dhunuar?
Janë 18 vjet të pakthyeshëm të jetës sime. Përgjatë gjithë këtyre viteve kam përjetuar dhunë nga bashkëshorti im.
Për 18 vjet radhazi, nuk ke bërë asnjë përpjekje për të ndryshuar situatën?
Mendoja se gjërat do të ndryshonin, shpresoja për një jetë më të mirë. M’u shua shpresa, por ia dola ta braktisja dhunën. Një arsye shumë e madhe është sepse në anët tona është turp që gruaja të ndajë burrin. Në zonën tonë, unë njihja vetëm një grua që e kishte lënë burrin dhe ajo nuk jeton më, sepse as familja nuk e mbështeti. Kisha frikë se do të përfundoja si ajo.
Je martuar me mblesëri?
Jo. Unë u linda dhe u rrita në një familje që më dha dashuri dhe më edukoi me respektin për të tjerët. Kam vetëm një motër dhe nënën, e cila është e moshuar tani, por në deri në gjimnaz kisha edhe babanë. Atë kohë nuk më la babai të bëja shkollën e mesme dhe u fejova me mblesëri. Ma gjetën burrin. Gjashtë muaj më vonë u martova, pa dashuri. Unë doja të bëja shkollën. Shumë herë e kam menduar se si do të ishte jeta jonë po të kishim pasur një vëlla, sepse shtëpia mbeti pa kryefamiljar dhe ne mbetëm vetëm 3 femra pa baba.
Para dasmës, nuk dije asgjë se çfarë të priste? Më pas si shkoi dasma?
Dasma nga ana jonë shkoi shumë mirë, ndërsa nga ana e tij erdhi vetëm një kushëri. Premtimet dhe ato që dija për to ishin më të mira se sa përfundimi. Premtimet që i kishte dhënë familjes sime dhe mua ishin për një shtëpi dykatëshe ku ne do të jetonim qetë, por përfundimi ishte ndryshe. Kur kam shkuar aty, kam fjetur në një sustë dhe vetëm me çarçafët që kisha marrë me vete. Më vonë edhe jorganin e mora nga shtëpia.
Kur filloi të tensionohej situata?
Që në vitet e para të martesës, ai nuk vinte në shtëpi për ditë të tëra. Unë e dija kur nuk duhet ta prisja, pasi ai fillimisht më mbyllte brenda me çelës dhe nuk më lejonte të dilja, as për të shkuar në shtëpi apo për të parë mamanë.
Pse nuk u ktheve që atëherë në shtëpi?
Më vinte turp. Si të kthehesha unë në shtëpi dhe t’u bëhesha barrë prindërve? Madje as nuk u thoja që kur vinte vjehrra situata bëhej më e vështirë. Ajo e shtynte në sherr dhe ai më rrihte në sy të saj. Madje një herë më kanë rrahur të dy bashkë. E mbaj mend që jam shtrirë dhe nuk lëviza dy ditë. Kur u ngrita të gatuaja, më rrahu sërish sepse nuk kisha gatuar një ditë më parë.
Si ka mundësi që shpresoje për më mirë në këto kushte dhune?
Sepse kishim biseduar për të ardhur në Tiranë. Mendoja se të jetuarit këtu do të na ndryshonte edhe jetën, por jo. Ne erdhëm në Tiranë dhe ai nuk e përballoi dot. U fut në burg. Isha e vetme me fëmijët dhe nisa të punoja me shumë vështirësi. Por, të paktën isha më e qetë. Pikërisht prej asaj kohe e mora guximin për t’u larguar nga shtëpia kur ai doli nga burgu. Unë mund t’ia dilja. Duhet të rrezikoja, sepse nuk kisha më asgjë për të humbur. Veçse po të qëndroja me të pas burgut, kur ai ishte bërë edhe më i dhunshëm, mund të humbisja jetën. Dola një ditë nga shtëpia për të mos u kthyer. Gjeta Strehëzën për Gra dhe Vajza dhe tani jam e qetë.
Sa e qetë jeni tani?
Kam një punë të thjeshtë, kam fëmijët dhe jam e divorcuar. Ai nuk më ka kërkuar më dhe ndoshta këtë priste, ta lija unë, por unë e durova plot 18 vjet. Tani jetoj e qetë në Tiranë. Psikologet dhe vajzat në Strehëz më kanë ndihmuar shumë, gjatë procesit të divorcit e derisa gjeta punë dhe u stabilizova. Por, ama mua më kanë ikur 18 vjet nga jeta. Humba shkollën, gjimnazin për ata që më dhunonte dhe në kokë nuk kam veçse kujtime të tmerrshme dhune.
Psikologia
Gratë duhet ta duan jetën e tyre, prej këtu gjendet edhe forca
Anxhela Peza është psikologe dhe këshilluese për të tilla raste. Është e re, por e do kaq shumë këtë sfidë, ndaj edhe në media dhe shoqërinë civile ka bërë shpesh një luftë të madhe për fenomenin e dhunës në familje, si për gratë ashtu edhe për vajzat. Në këtë intervistë për gazetën “Shekulli” ajo rrëfen fenomenin, shkaqet dhe nevojën e madhe të denoncimeve në të tilla raste.
Dhuna është e dënueshme, por edhe më shumë ndaj një femre. Shpesh kur dëgjojmë për vrasjet e grave, të lind pyetja në vetvete. Edhe sa gra të tjera do vazhdojnë të vriten?
Në fakt ky fenomen po rritet dukshëm dita-ditës. Pyetjet që më vijnë mua janë: Kush janë këta burra që në mënyrë makabre ekzekutojnë gratë? Çfarë ndodh në psikologjinë e tyre që ato arrijnë deri në këtë pikë? Vrasja si fenomen është më se i rëndë dhe motivet të cilat jepen nuk janë në përputhshmëri të fortë logjike. Madje dhe specialistët e interpretimit të ligjit kanë shprehur se realisht masat ndëshkuese janë shumë të forta.
Cilët janë faktorët që lidhen me këtë fenomen?
Një nga faktorët më të mëdhenj që lidhet me mosmarrëveshjet në çift është ekonomia e dobët. Po të vihet re vrasjet e shumta ndodhin në ato vende ku është e ndjeshme varfëria, e sidomos në ato zona rurale ku çiftet kanë një status ekonomik, i cili nuk lë për të dëshiruar. Kjo sjell kontradikta, probleme dhe diskutime të shpeshta që përfundojnë në sherre, dhunë fizike, psikologjike dhe deri në vrasje ku i atribuohet motiveve banale si: xhelozia, tradhtia, çështjet e nderit, kanunit, alkoolit etj. Megjithatë nuk duhet neglizhuar fakti se shumë martesa bëhen me mblesëri, gjë kjo e cila sjell mosnjohjen mirë të individit dhe kalohet direkt në stadet e të qenit grua dhe nënë. Pa jetuar më parë një njohje, një dashuri, një rini. Dhe këtu fusim dhe ata persona që kanë probleme mendore që vuajnë nga psikoza të fshehura. Pikërisht këto martesa kryhen duke marrë një shtysë të madhe nga vetë prindërit apo shkuesi se martesa i rregullon ata. Kur kjo e fundit i përkeqëson më shumë.
A denoncohet dhuna në Shqipëri?
Viktimat e dhunës nuk e denoncojnë dhunuesin e tyre, për arsye nga më të ndryshme siç është frika për marrjen e fëmijëve, nga kërcënimet e marrjes së jetës, mosmbështetja e institucioneve në mënyrën e duhur, varësia që krijon shpesh viktima ndaj dhunuesit të saj dhe mbi të gjitha, ne ende rritemi me kultivimin e kulturës që femra është pronë e një mashkulli.
Shifra
3000 raste dhune të raportuara, vetëm 1800 urdhra mbrojtjeje
Pa dyshim, nuk është lehtë të qenit grua në Shqipëri. Në fakt, kurrë nuk ka qenë. Përveç mizorisë familjare, gratë shqiptare duhet të përballën me forma tjera të abuzimit. Këtë herë, jashtë shtëpive të tyre. Abuzimi verbal në rrugë ose prekjet ‘pa dashje’ në autobus vënë gratë dhe vajzat në pozitë të vështirë, jo rrallëherë. Përveç kësaj, ngacmimi seksual nga ana e punëdhënësit, kolegut apo klientit, profesorit pervers në shkollë, ose në universitete është gjithashtu torturues. Këto sjellje të turpshme nuk mund të krijojnë mavijosje ose të shkaktojnë vdekje, por shkelin personalitetin e gruas dhe integritetin e saj psikologjik. E megjithatë ende shoqëria shqiptare nuk denoncon dhunën që vret gra, dhunën që lë fëmijët pa prindër, pa shkollë dhe me një traumë të madhe. Vendit tonë do t’i duhet gjithsesi shumë punë për të denoncuar të tilla raste dhe situata si ato në autobusët e kryeqytetit.
Hapet fushata 16-ditore e aktivizimit kundër dhunës me bazë gjinore, zyrtarisht. Por, se sa efektive do të jetë ajo, ende nuk dimë të themi. Shifrat që na vijnë nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë nuk janë aspak të mira. Ka qenë pikërisht ministri Veliaj, që ka deklaruar se këtë vit janë regjistruar 30 për qind më shumë raportime të rasteve të dhunës se sa një vit më parë. Mirëpo, denoncimi është vetëm hapi i parë në një shtet, që dita-ditës shton dhunën ndaj femrës. Këtë vit janë raportuar rreth 3000 raste dhune, jo të gjitha denoncimet janë shoqëruar me urdhër mbrojtjeje. Deri më tani, këtë vit janë dhënë 1800 urdhër mbrojtje për gratë dhe vajzat që kanë denoncuar dhunën në familjen e tyre. E megjithatë, kjo është një betejë, e cila nuk mund të matet me statistika, urojmë që shumë më shumë denoncime të rriten derisa rastet të mos fshihen më.
- Divorcohet nga burri sepse s’donte të hidhte macet
- Berisha në Facebook: Leo Mesi me mbiemër shqiptar 4 herë radhazi fitues, PD 4 herë radhazi fituese n
- Burri që për 23 vjet fle në një ...arkivol
- Hatixheja e ngujuar në shtëpi: Burri im 5 vjet në koma
- Punonjësja e seksit u vinte gjoba klientëve, zbulohet skema
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi