Protesta kundër “Charlie”, digjen kishat në Niger
Sat 17 Jan 2015 - 20:48
Të paktën dy kishave u është vënë flaka në kryeqytetin e Nigerit, ku janë mbajtur protesta të reja kundër karikaturave të profetit Muhamed nga revista satirike franceze “Charlie Hebdo”.
Sipas mediave ndërkombëtare, qindra demonstrues u mblodhën në xhaminë e madhe Niamej, duke bërtitur “Zoti është i madh” në arabisht.
Për shkak të dhunës së verifikuar, policia u detyrua të përdorë gaz lotësjellës për të shpërndarë turmat. Ambasada franceze paralajmëroi qytetarët e saj që jetojnë në ish-koloninë e saj që të mos dalin nga banesat e tyre.
Gjithçka ndodhi një ditë pas protestave të ngjashme të mbajtura në Zinder, qyteti i dytë më i madh i vendit, ku të paktën 4 persona u vranë dhe shumë dyqane të banorëve të krishterë u bastisën.
Ndërkohë, protesta gjatë së shtunës u zhvilluan edhe në Somali, ku shumë njerëz mbushën rrugët. Shumë myslimanë e shohin çdo karikaturë të profetit të Islamit si fyese.
Ndaj protesta kundër revistës franceze u mbajtën të premten edhe në Pakistan, ku më e dhunshmja rezultoi ajo në Karaçi, në kryeqytetin e Sudanit, Kartum, si dhe në atë të Algjerisë, Algjer.
Javën e kaluar, militantë islamikë vranë 12 persona në redaksinë e revistës satirike në Paris. Tetë prej tyre ishin gazetarë. Menjëherë pas këtij sulmi, 5 persona të tjerë u vranë në një pengmarrje në një market izraelit, po në kryeqytetin francez.
Kopertina e edicionit të fundit të revistës, e publikuar pas sulmit, mbante një karikaturë të profetit Muhamed që mbante në duar një parullë ku thuhej “Unë jam Charlie”.
/ Top Channel
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi