Minoritarët nga Shqipëria në zgjedhjet greke
Sat 24 Jan 2015 - 23:28
Në garën elektorale për zgjedhjet e parakohshme të 25 janarit në Greqi marrin pjesë edhe disa prej përfaqësuesve të minoritetit grek nga Shqipëria.
Për herë të dytë kandidon me socialistët e PASOK-ut deputeti i kësaj partie Pirros Dhimas, që kërkon votën e qytetarëve grekë në zonën elektorale B të Athinës, një prej zonave kryesore të kryeqytetit.
Me partinë e re vetëm disaditore, Lëvizja e Demokratëve Socialistë, e udhëhequr nga ish-lideri i PASOK-ut Jorgos Papandreu, garojnë dy përfaqësues të njohur të minoritetit në Greqi, Odiseas Korakidhis dhe Jorgos Tzoumakas.
"Garoj me shpresën që të përfaqësoj një gjeneratë të njerëzve të rinj që duan të marrin pjesë në jetën aktive politike dhe Papandreu ua jep këtë mundësi. Gjithashtu dua të përfaqësoj edhe komunitetin e minoritetit grek të Shqipërisë, të cilët janë më shumë se 200 mijë vetë dhe që shpresojnë në Parlamentin e ardhshëm të kenë të paktën një deputet nga radhët e tyre", thotë Korakidhis.
"Kandidoj në këto zgjedhje të vështira dhe të shkurtra me partinë e zotit Papandreu. Janë shumë arsye që jam në krah të tij, por kryesorja është se ishte gjithnjë në krah të minoritetit grek, por edhe të komunitetit shqiptar, sepse ishte ai që aprovoi ligjin për nënshtetësinë e emigrantëve shqiptarë dhe është fakt sot se shumë prej tyre kanë marrë nënshtetësinë greke dhe gëzojnë të gjitha të drejtat e një shtetasi grek", deklaron Tzoumakas.
Ndërsa me partinë LUMI, e krijuar një vit më parë, para zgjedhjeve për Parlamentin Europian, së cilës sondazhet i japin vendin e tretë si forcë politike në këto zgjedhje, kandidon në Athinë Athanasios Vasiliu.
Në Selanik kandidatëve të radikalëve të majtë të Syrizës i bashkohet edhe Eleonora Zotou me origjinë nga Korça, e njohur për veprimtarinë e saj në organizata të ndryshme shoqërore, që vjen nga radhët e partisë Ekologët e Gjelbër.
"Politikave të cilat ishin në favor vetëm të një pjese të shoqërisë, por që nuk funskionojnë jo vetëm në Greqi por edhe në Europë, duhet t’u japim fund. Prandaj them se votat e minoritarëve dhe të shqiptarëve që kanë marrë nënshtetësinë greke duhet të shkojnë për forcat politike siç është Syriza, forca të cilat janë për miqësinë e popujve", ka thënë Zotou.
Vlerësohet se mbi 50 mijër shtetas shqiptarë, shumica e tyre minoritarë që kanë marrë nënshtetësinë greke në 15 vitet e fundit, do të votojnë në zgjedhjet e 25 janarit.
/ Top Channel
- Minoritarët nga Shqipëria kandidojnë në zgjedhjet e Greqisë
- Athina lehtëson marrjen e shtetësisë greke për minoritarët nga Shqipëria
- Zgjedhjet parlamentare, Shqipëria voton më 23 qershor
- “Nëse dështojnë zgjedhjet, Shqipëria do të përfundoj më keq se 97-ta, tmerr për Ballkanit”
- Gazeta greke Protothema: Shqipëria, notë proteste Shkupit
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi