Pranga 18-vjeçares që i kërkoi të atit 400 mijë euro
Sun 23 Aug 2015 - 11:57
Dorjana Bezat
dorjana.bezat@shekulli.com.al
Adoleshentët dhe veprimet e tyre të ngjashme me ato të filmave vihen sërish në qendër të vëmendjes. Një 18-vjeçare nga Tirana, në bashkëpunim me të dashurin e saj dhe një shokun e tij, sajuan rrëmbimin e saj me qëllim që t’i merrnin babait të vajzës 400 mijë euro, para të cilat mendonin t’i shpenzonin për të ndërtuar një jetë të pavarur nga familja. Protagonistë të kësaj historie janë 18-vjeçarja Nensi Çobo, i dashuri i saj Orion Hoxha dhe shoku i tij Kristi Gjora, i cili i ndihmoi në skenarin e “pengmarrjes” për t’i zhvatur të babait të Nensit 400 mijë euro.
Kush ishin adoleshentët
Nensi Çobo, 18 vjeç, ka qenë nxënëse e gjimnazit “Petro Nini Luarasi” në Tiranë. Ajo është fëmija e vogël e familjes Çobo, e cila ka edhe dy vajza më të rritura. Prej më shumë se dy vjetësh Nensi ka pasur një lidhje dashurore me bashkëmoshatarin e saj Orion Hoxha, i cili po ashtu ka frekuentuar të njëjtin gjimnaz. Marrëdhënia mes dy adoleshentëve ka qenë publike. Kjo shihet edhe në profilet e tyre në rrjetin social “Facebook”, ku kanë shumë foto dhe statuse së bashku, duke i shprehur dashurinë njëri-tjetrit. Kristi Gjora, 19-vjeç është shok i Orion Hoxhës dhe ai ka qenë bashkëpunëtor i tyre në këtë kurth ndaj biznesmenit.
Si tentuan t’i ngrinin kurth biznesmenit
Babai i Nensi Çobo, 60- vjeçari Laver Çobo, është një biznesmen, i cili merret me tregtinë e lëndës së parë për mobilieritë. Ai është me origjinë nga Berati, por prej vitesh është zhvendosur në Tiranë, ku edhe zhvillon aktivitetin e tij tregtar. I gjithë skenari i gjobëvënies ndaj biznesmenit Laver Çobo, nga ana e të bijës dhe dy shokëve të saj, dyshohet se ka nisur të zbatohet ditën e enjte. Atë ditë vajza ka dalë në mëngjes nga shtëpia pa dhënë asnjë shpjegim dhe nuk është kthyer më. Familjarët, nëna dhe babai, kanë tentuar të komunikojnë me të në telefon, por nuk ia kanë arritur, pasi vajza e kishte fikur celularin. Ndërkohë vajza në orët e pasdites është paraqitur me kartë identiteti te një hotel në zonën e Selitës.
Ajo është strehuar aty, duke mos lajmëruar asnjë familjar. Të premten në mëngjes rreth orës 9:00, biznesmeni ka marrë një telefonatë me numër privat, ku i thuhej: “Kemi vajzën tënde në dorë, duhet të dorëzosh 400 mijë euro, bëji gati deri sot në darkë dhe do të njoftojmë ne se ku do t’i çosh. Dërgo dikë që t’i sjellë paratë”. I shqetësuar për shëndetin e të bijës, biznesmeni ka bërë padi në polici dhe menjëherë ka nisur hetimi për këtë çështje. Mbrëmjen e së premtes, teksa vajza qëndronte në hotel, i dashuri i saj Orion Hoxha dhe Kristi Gjora ndiqnin nga larg lëvizjet e Laver Çobos gjatë ditës.
Ata i kanë telefonuar atij në mbrëmje dhe i kanë thënë t’i dorëzonte paratë diku në zonën e Selitës, duke i thënë se vendin konkret do t’ia tregonin pasi ta shikonin se kishte mbërritur në zonë. Babai ka rrëfyer në polici se në telefonatën e dytë ka dëgjuar zërin e vajzës së tij, e cila i ka thënë se është marrë peng dhe po kërcënohet me armë. Ndërsa njëri nga “rrëmbyesit” i ka thënë se nëse nuk do të dorëzojë 400 mijë euro, atëherë nuk do ta shohë më vajzën. Me metoda speciale të hetimit nga ana e policisë, duke nisur nga përgjimi i telefonave, ka nisur aksioni për zbardhjen e këtij rrëmbimi të dyshuar.
Burime nga grupi hetimor thanë se policia, pasi mori telefonatën, ka hulumtuar për shoqërinë që frekuentonte më shpesh vajza. Policia fillimisht ka shoqëruar të dashurin e vajzës Orion Hoxhën. Kjo lëvizje e policisë ka bërë që të zbulohet skenari i rremë i rrëmbimit. Kur Nensi ka marrë vesh se i dashuri i saj është kapur nga policia, mendoi se gjithçka do të zbulohej. Ajo ka dalë nga hoteli, ka marrë të ëmën, Mimozën, në telefon dhe më tej ka shkuar në shtëpi, duke vazhduar të pretendojë se ishte rrëmbyer.
Fillimisht Nensi ka treguar se çdo gjë mori fund dhe ajo arriti të çlirohej nga pengmarrja, pasi kishte përfituar nga pakujdesia e “rrëmbyesve”. As ky variant nuk ka qenë i besueshëm policinë, që ka vijuar të hetojë. Në vijim të hetimeve është zbuluar edhe skema e ideuar nga adoleshentët, të cilët e kanë rrëfyer më pas fantazinë e tyre. Policia ka kryer edhe arrestimin e adoleshentes, që së bashku me të dashurin dhe shokun e tyre donin të përfitonin 400 mijë euro nga babai i saj.
Plani i adoleshentëve
Nensi dhe i dashuri i saj 18-vjeçari Orion Hoxha sapo kishin mbaruar shkollën e mesme. Për shkak të gjendjes së mirë ekonomike të familjeve të tyre, dy adoleshentët kanë pasur gjithçka kanë dashur si, udhëtime, telefona të modeleve të fundit etj. Mirëpo ambicia e tyre ishte e lartë.
Me paratë që tentonin t’i merrnin biznesmenit Laver Çobo, babait të Nensit, kërkonin të blinin një lokal në zonën e ish-bllokut ose t’i investonin diku jashtë Shqipërisë që të ishin të pavarur nga familjet dhe të jetonin nën luks. Por, plani i tyre dështoi dhe tani ata pritet të dalin në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Krimeve të Rënda për t’u njohur me masën e sigurisë.
Vajza, “ideatorja” e gjobëvënies ndaj të atit sipërmarrës
Shoqërimi i Orion Hoxhës në polici ka qenë çelësi që zbuloi mashtrimin e tri adoleshentëve. Fillimisht ai u shoqërua në polici për t’u pyetur në lidhje me Nensin, pasi duke qenë se ishte i dashuri i saj, ishte personi që vajza shpenzonte më shumë kohë. Por fakti që ai u mbajt për disa orë aty, prishi gjithë planin e adoleshentëve. 18-vjeçarja Nensi Çobo doli nga hoteli ku fshihej prej tri ditësh dhe shkoi në shtëpinë e saj ku ka pretenduar se ka qenë e rrëmbyer por, falë një shpërqendrimi të “rrëmbyesve” ajo ka arritur t’ia mbathë.
Ky version nuk është besuar as nga prindërit e saj Mimoza dhe Laver Çobo dhe as nga policia. Menjëherë pas denoncimit nga ana e biznesmenit ditën e enjte, policia nisi kontrollin e trafikut të telefonatave në numrin e tij të telefonit. Nga dy telefonatat e bëra nga rrëmbyesit u identifikuan telefonuesin dhe më pas u gjetën edhe numra të tjerë telefoni, me të cilët ata komunikonin. Më pas policia identifikoi edhe poseduesit dhe kreu ndalimin e tyre. Orion Hoxha u ndalua nga policia në rrugën “Isuf Elezi”, në Selitë, ndërsa Krisi Gjora pranë rrugës “Myslym Shyri”.
Ndërsa vajza u ndalua në shtëpinë e saj, kur po jepte sqarime se si i kishte shpëtuar rrëmbyesve. Sipas policisë pas arrestimit të tre pranuan inskenimin, ndërsa tashmë duhet të përballën në prokurorinë e krimeve të rënda me akuzën e shtrëngimit me anë të kanosjes për dhënie pasurie në bashkëpunim. Më të shokuar në këtë histori kanë mbetur prindërit e 18-vjeçares Nensi Çobo të cilët nuk mund ta besojnë se vajza e tyre mund të sajonte një histori të tillë.
Burime pranë Sektorit të Krimeve ndaj Jetës në Drejtorinë e Policisë Tiranë thanë se të tre adoleshentët e kanë pranuar menjëherë se kanë sajuar pengmarrjen për të përfituar shumën prej 400 mijë eurosh nga babai biznesmen i Nensit. I dashuri i saj Orion Hoxha në një bisedë me të i pati thënë se nëse do të kishte një shumë të tillë lekësh mund t’i investonte në një biznes, i cili do t’i sillte shumë të ardhura dhe ata do të mund të jetonin në luks dhe të pavarur. Ka qenë Nënsi ajo që ka ideuar rrugën se si mund të përfitonin 400 mijë euro. Ajo ka ideuar pengmarrjen e saj dhe presionin që do t’i bëhej të atit me anë të telefonatave.
Për të zbatuar këtë plan Orion Hoxha ka kërkuar ndihmën e shokut të tij, 19-vjeçarit Kristi Gjora. Ai ka ndihmuar çiftin e 18-vjeçarëve për të ngritur kurthin ndaj biznesmenit. Dyshohet se ka qenë pikërisht ai që ka folur në telefon me biznesmenin 60-vjeçar Laver Çobo, të cilit i ka kërkuar 400 mijë euro në këmbim të jetës së vajzës së tij. Dy djemtë kanë ndjekur nga larg lëvizjet e biznesmenit dhe kanë pritur momentin që ai t’i dorëzojë paratë, por janë arrestuar nga policia pa çuar në fund planin e tyre.
Dy raste të aventurave të rrezikshme të adoleshentëve
Pa kaluar ende jehona e lajmit për aventurat e rrezikshme të motrave Kajtazi, sërish një adoleshente tërheq vëmendjen e opinionit publik. Mes dy historive ka shumë ngjashmëri. Ashtu si Orialda dhe Klevisa Kajtazi edhe Nensi Çobo ishte vajza e vogël e familjes. Ajo kishte edhe dy motra më të mëdha Paolën dhe Denisën, të cilat kanë dobësi për të motrën. Sikurse motrat Kajtazi edhe Nensi u largua nga familja e saj duke u krijuar atyre bindjen se ishte rrëmbyer.
Motrat Kajtazi lanë një letër në shtëpi ku shkruhej: “Meti ta mora hakun, të lashë pa shtëpi dhe pa dy vajzat e tua, që nuk do t’i shohësh më me sy kurrë”. Ndërsa Nensi nga telefoni i ka thënë të atit se e kishin rrëmbyer dhe e kërcënonin me armë. Në të dyja rastet adoleshentet nuk janë prekur aspak për shqetësimin e prindërve dhe për të ardhurat e familjes, por kanë vepruar me gjakftohtësi.
Nëse motrat Kajtazi thanë se vepruan kështu në formë revolte ndaj sjelljes së ashpër të prindërve, Nensi ka thënë se e ka bërë për t’i plotësuar një ëndërr të dashurit të saj. Motrat Kajtazi e zgjatën aventurën e tyre për një muaj ndërsa Nensi për vetëm 3 ditë e fshehur në një hotel në kryeqytet. Nensi nuk ka qenë e dhunuar nga prindërit dhe as e frustruar prej tyre. Ajo ka ndjekur shkollën e mesme dhe tani pritej që të niste studimet e larta.
Ndryshe nga ajo, motrat Kajtazi kanë qenë të frustruara nga familja. Orialda është hequr nga shkolla, me argumentin se duhet të ruante nderin e mbyllur në shtëpi. Mes Orialdës dhe Nensit pak a shumë në të njëjtën moshë ka një tjetër ngjashmëri. Orialda pas një lidhjeje në “Facebook” u detyrua nga prindërit të fejohej që në moshën 15-vjeçare. Në po të njëjtën moshë Nensi ka nisur një dashurore me Orion Hoxhën dhe mesa shihet në profilin e saj në “Facebook” ata kalonin shumë kohë së bashku.
Dorjana Bezat
- TironciAdministrator
- Gjinia :
Shteti :
Postime : 15973
Hobi : te qeroj oriz me doreza boksi
Vendndodhja : New York U.S.A
Anetaresuar : 12/10/2011
Re: Pranga 18-vjeçares që i kërkoi të atit 400 mijë euro
Tue 25 Aug 2015 - 2:51
Sa me vlere goca 400 mije euro jo shaka.
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi