Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Kajo
Kajo
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
<b>Postime</b> Postime : 1050
<b>Hobi</b> Hobi : leximi
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : Kukës
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 06/01/2011

PSE NUK E PRANOVA SALI BERISHËN NË GRUPIN E MJEKËVE TË ENVERIT Empty PSE NUK E PRANOVA SALI BERISHËN NË GRUPIN E MJEKËVE TË ENVERIT

Wed 25 May 2011 - 13:10
» Pse nuk e pranova Sali Berishën në grupin e mjekëve të Enverit ...

Rudina Xhunga

Rishfaqet pas një kohe të gjatë e veja e diktatorit komunist Nexhmie Hoxha. Mbrëmë në emisionin “Shqip” të gazetares Rudina Xhunga ka rrëfyer si rrallë herë jetën e saj në krah të Enverit.

Gruaja që i ka ndenjur pranë për gjysmë shekulli diktatorit Hoxha ka fol për jetën e të shoqit që nga vitet e fëminisë, ato të studimeve në Paris, lidhjen e tij me lëvizjen komuniste në Shqipëri e deri te momentet e fundit të jetës. Një vend në veçantë në tregimin e Nexhmies Hoxhës zë periudha e krijimit të Partisë Komuniste dhe lidhjet e të shoqit me emisarët jugosllavë, që operuan në vendin tonë gjatë viteve të luftës. Për të venë e diktatorit, që njihet si një nga personazhet historik të epokës së komunizmit, debati për rishikimin e historisë, duhet fokusuar në një diskutim publik për ta plotësuar e interpretuar atë në kushtet reale, pa deformuar të vërtetat e konfirmuara nisur nga kritere ideologjike e partiake….

Ndodhem përballë gruas që i ndenji pranë për 50 vjet, Enver Hoxhës. Apo, siç i referohen tashmë, diktatori Hoxha. Ju bën përshtypje kjo fjalë?

Le të thonë ç’të duan, mua nuk më bën më përshtypje.

Një gjë është e sigurt, që 50 vjet kanë qenë diktaturë proletariati.

Çështje formulimi sistemesh, një sistem me ndryshime nga sistemi aktual por kjo nuk do të thotë gjë. Enver Hoxha nuk ka qenë diktator, as me mua, as me fëmijët e as me shoqërinë, me sa e njoh unë. Por mund të them se ka qenë personaliteti i tij i fortë, gjatë 50 viteve në pushtet, që i kishte vlerë fjala, që bëri ato që bëri. Nuk dua të bëj biografinë e tij nga fillimi por dua të theksoj që Enveri lindi në tetor të 1908 në Gjirokastër, pikërisht në prag të rënies së Perandorisë. Lindi në një familje atdhetare, ku xhaxhai i tij ishte anëtar i delegacionit gjirokastrit në shpalljen e pavarësisë në Vlorë dhe gjyshi i Enverit, Beqir Hoxha, ishte anëtar i Lidhjes së Prizrenit dhe për këtë çështje është dekoruar.

Origjina e tij është Gjirokastra apo jo?

Origjina e tij është nga Gjirokastra por ato kishin ardhur para 2-3 shekujsh më parë nga një fshat i Dropullit. Në shekullin e XIV, siç thuhet që kanë qenë me origjinë katolike, Enveri më thoshte që mbiemrin e ka pasur Kola, se kanë qenë në një fshat afër Dropullit ku kishin pak dynym tokë, jo pronarë të mëdhenj. Megjithatë, të dy vëllezërit, babai dhe sidomos xhaxhai i Enverit, kanë qenë shumë të mësuar, dinin turqisht, arabisht, persisht. Kanë marrë titullin ‘mulla’ që në një farë pikëpamje ishin si gjykatës, si njerëz që vendosnin, por jo klerikë.

Besonte Enver Hoxha? Pra, në jetën familjare, shfaqte shenja se besonte?

Jo, pa dyshim që nuk besonte. Por doja të thosha që Gjirokastra, familja, mësuesit, që kanë qenë të ndritur bënë edukimin e parë atdhetar të Enverit që ishte një nga karakteristikat kryesore të tija. Ana tjetër ishte Korça me lëvizjet e saj punëtore, me shkollën franceze në lice, vetë Franca më pas me revolucionet, por për 3 vitet që ai ndenji atje, mori edukatën përparimtare, revolucionare, evropiane sepse ishte pikërisht koha e frontit popullor kundër fashizmit që po lindte në Spanjë dhe dukej që hija e saj po shtrihej edhe në Evropë. Këto kanë qenë dy tiparet karakteristike të Enverit.

Ju këto i keni të dëgjuara prej tij por doja të dija, a ishte Enveri një njeri që binte në sy, njeri i përfshirë në aktivitete në kohën e rinisë në Gjirokastër?

Pikërisht kjo më ka bërë përshtypje dhe kjo është e faktuar me dokumente dhe fotografi të asaj kohe. Për shembull, nga djemtë e Gjirokastrës, që nuk ishin pak, djem që ishin edhe të liceut, edhe që studionin jashtë si në Paris, Vjenë ka qenë Enveri që dilte në fjalime 3 herë në 2-3 vjet. Ishte 24 vjeç kur merr pjesë në varrimin e një të riu 27-vjeçar, i cili kishte marrë një titull shumë të lartë në shkollën që kishte ndjekur. Në atë periudhë vdiq edhe vëllai i Qemal Stafës, vëllai i Enverit, Migjeni. Pra, ishte e keqja e asaj kohe në vitet 1932. Në 1936 zgjidhet Enveri për të folur në varrimin e Bajo Topullit edhe pse ai kishte vdekur 6 vite më parë, por po bëhej një ceremoni tjetër. Ndërsa në gusht të 1936 dërgohet në Shkodër me delegacionin e Gjirokastrës dhe ishte ai që merr fjalën përpara popullit të Shkodrës, duke qenë në krah të politikanëve dhe klerikëve më të dalluar të Shkodrës.

Një ndalesë për fotot. Fotot e asaj kohe, foto që vijnë nga ato kohëra, në fakt, sipas arkivës së shtetit, janë të retushuara, domethënë mungojnë njerëz ose më saktë hiqeshin njerëzit.

Është e vërtetë që retushimi është përdorur dhe ka qenë, për mendimin tim, një budallallëk që vjen nga një pikëpamje injorante në këtë drejtim. E para, nuk është bërë me urdhër. Unë kam qenë pikërisht në atë aparat që merrej me propagandën në atë kohë pas çlirimit, por shumë organizata dhe shoqata e bënin këtë. Kjo duke i parë gjërat në një kuptim të ngushtë. Por nuk e mohoj që ka pasur retushim.

Ç’mund të na thoni për ardhjen e Enver Hoxhës nga Parisi në Shqipëri? Vjen si komunist Enver Hoxha në Shqipëri?

Enveri nuk ka qenë anëtar i [partisë as në Shqipëri dhe as në Francë, sepse në Shqipëri nuk kishte ende parti por s’ka qenë as anëtar i ndonjë grupi ndërkohë që unë isha. Por, ai kishte një formim të gjithanshëm nacionalist dhe kur erdhi në Korçë ishte ndër intelektualët e dalluar të Korçës. Kishte dhe të tjerë që shkruanin artikuj, sidomos në gazetën e famshme “Bota”, por ato nuk ishin në aktivizuar në grupet që ishin atëherë siç ishte Grupi i Korçës. Por qëlloi që kjo gjë ndodhi në një vend ku kishte një entuziazëm të madh në luftën kundër fashizmit, pra ky ishte aktivizimi i parë. Kur Koço Tashko e pa se ishte një njeri që mund të bënte shumë gjëra, i leverdiste që ta merrte sepse në atë kohë, në krye ishte Koço Tashko, i cili në vend që të bënte aktivitete pozitive, bëri aktivitet përçarës. Ose një tjetër ishte Miha Lako që ishte punëtor, por një autodidakt i shkëlqyer. Ai shkonte e vinte në Rumani pasi kishte lidhje me grupet tona.

Doja të dija se si erdhi Enver Hoxha, befas, në krye të Partisë dhe të themelimit të saj?

Kur erdhi puna e themelimit të Partisë, Enver Hoxha nuk ishte një kushdo.

Por nuk ishte as më i rëndësishmi.

Në një farë pikëpamje, ai ishte. Kur erdhi në Flora, ai nuk ishte një anëtar i thjeshtë. Përkundrazi, me zhvillimin që kishte ai nuk binte më poshtë se, për shembull, Qemal Stafa sepse me Vasil Shanton, Kristo Themelko dhe me asnjë tjetër, ai nuk mund të krahasohej përveç Qemalit. Por edhe Qemali, pavarësisht se unë Qemalin e kam pasur shok në grup, edukator, ishte dhjetë vjet më i vogël se Enveri. Enveri kishte bërë një lice francez të plotë, kishte qenë në France tre vjet, kishte përvojë të gjerë. Nga pikëpamja politike dhe kulturore, kishte edhe ai përvojën e tij. Është absurde ajo që thuhet që Koço Tashko e mori Enverin nga rruga dhe e futi në grupet komuniste. Në themelimin e Partisë, nuk është artificial roli që u dha brenda zhvillimit të atyre ditëve të themelimit të Partisë. E para, Grupi i Korçës kishte një vend të privilegjuar sepse kishte bërë një punë më pozitive, por nuk ishte Koço Tashko që mund të vihej në krye sepse ai ishte kryesori që ishte përçarë lëvizjen deri në atë kohë. Prandaj edhe brenda mbledhjes ai u mënjanua, iu dha një vend nderi për katër anëtarët që kishte çdo grup. Kështu, kur erdhi puna që të formulohej vendimi për themelimin e Partisë, u ngarkua Enveri nga Grupi i Korçës se të tjerët, që nuk njihen përveç Pilo Peristerit, nuk kishin formuluar në jetët e tyre as dy gisht artikull ose nuk kishin bërë asnjëherë thirrje. Kështu që Enveri formuloi vendimin të cilin e lexoi. Ishte Enveri që u ngarkua me këtë gjë dhe ishte ai që lexoi formulën e pagëzimit të themelimit të Partisë, por në të pesëmbëdhjetë vetat që ishin aty, të gjithë ishin njësoj. Enveri asnjëherë nuk ka pretenduar gjatë kësaj mbledhjeje për të qenë themelues sepse në atë kohë, nuk zgjodhi as kryetar që të mos fillonin xhelozitë brenda grupit. U tha që kjo gjë do të shikohej gjatë punimeve të mëvonshme.

Pra, mbledhja e themelimit del pa kryetar?!

Po, pa kryetar dhe po ta marrësh si themelues, janë konsideruar të 200 anëtarët. Kjo është lista e parë që dërgoi çdo grup. Në këtë listë, filluan të krijohen organizatat e Partisë, që quheshin celulat, që ishin të bashkuara dhe që u krijuan brenda javës ku mbledhja mbaroi më 15 nëntor. E mbaj mend këtë sepse më 23 nëntor ishte mbledhja themeluese e rinisë, ku mora pjesë edhe unë. Dhe unë shkova në këtë mbledhje duke kaluar më parë në mbledhjen e organizatës ku dija gjithçka që ishte diskutuar në mbledhjen themeluese të Partisë. Po kështu, në mbledhjen e shoqeve, ishte grupi jonë, grupi i të rriturve. Nga Grupi i Korçës nuk kishte sepse nuk kishte njeri në Tiranë. Në organizatën tjetër, që është shkruar në shtyp këto kohë, ishte organizata e profesorit të nderuar Kristo Frashëri. Ai ka shkruar këtë që unë po them dhe në javën e parë u dërgua Enveri në organizatën e Kristos. Pse u dërgua Enveri? Sepse organizata e Kristo Frashërit ishte edhe ajo një organizatë e ngritur nga pikëpamja kulturore dhe shumica ishin nga grupi i të rinjve. Ai ka dhënë opinionet e tij në media, për këtë fakt i jam shumë mirënjohëse profesorit të nderuar, pavarësisht rezervave që ka shprehur, unë mund të them se është e drejta e tij. Sepse në fakt koha tregoi se ai kishte të drejtë dhe ne jo.

Ndalojmë pak tek roli i Enver Hoxhës gjatë periudhës së luftës, që është vënë në dyshim, dhe sesi erdhi ngritja e tij, si bëhet ai drejtuesi i gjithçkaje, befas. Kush e mbështeti?

Në mbledhje nuk u caktua asnjë kryetar por thjesht u bënë ndarjet e detyrave. Qemal Stafa, për shembull, ngarkohet me rininë. Të tjerët u caktuan të shkojnë nëpër rrethet përkatëse për të organizuar rininë. Është e vërtetë ajo që thuhet se Enveri u caktua që të qëndrojë në Tiranë dhe të merret me financat. Ai u caktua në Tiranë në sajë të formimit të tij, pasi Tirana ishte kryeqyteti, dhe duhej të punonte me rrethet intelektuale, të krijoheshin grupet e frontit nacional çlirimtar, të ngriheshin organizatat që ishin më të përgatiturat. Për shembull, te ne erdhi Tuk Jakova por ne, megjithëse ishim të shkollës së mesme, ai stonoi dhe ne ndiheshim të pakënaqur dhe ai e ndjeu veten keq në mesin tonë. Kështu që, Enveri u caktua këtu. Shpejt u bë sekretar politik i Tiranës. Meqë ai ishte në qendër, atij i grumbulloheshin të gjithë shokët që ishin nëpër rrethet për të krijuar organizatat. Ata mblidheshin në një shtëpi dhe ishte Enveri që i studionte dhe i shikonte të gjitha raportet, vinte në dijeni të gjithë shokët e tjerë të Komitetit Qendror. Njëkohësisht, mbante lidhje edhe me Kosovën që e bënte si detyrë partie, jo se e mori si iniciativë personale por dërgoheshin edhe materialet që krijonte partia, edhe traktet kundër okupatorëve. Dhe këto ia dërgonte drejtpërdrejt Komitetit për Partinë e Kozmetit, kështu quhej atëherë. Unë kam edhe një letër më të vonshme. Ka edhe të tjera por këtu jam prezente edhe unë dhe filloj të bëhem dëshmitare. Enveri i shkruante Elhami Nimanit, që ishte pjesëtar i mbledhjes themeluese i cili drejtonte Komitetin e Kozmetit sepse pas mbledhjes themeluese, Tuk Jakova shkoi në Shkodër, Kristo Themelko në Gjirokastër e kështu me radhë. Ndërsa Nimani shkoi në Kosovë. Enver i dërgon letër atij, nuk e di se ç’kishte shkruar, por njëkohësisht më ngarkon t’i jap atij një shumë, rreth 5000 flori letre dhe përveç kësaj edhe një shumë të vogël, rreth 250 napolona, një pjesë për nënën e Miladinit dhe një pjesë për gruan dhe fëmijët e Dushanit. Kështu u dërgua Zeqi Agolli tek Xhevdet Doda dhe kjo tregon se ata mbanin korrespondencë.

Dua të ndaloj pak tek jugosllavët pasi ju përmendni pagesat që i bëheshin Miladin Popovicit dhe Dushan Mugoshës. Në fakt, roli i tyre është i dukshëm. Por a e zgjodhën ata Hoxhën, a ndikuan ata në karrigen e mandejme të tij?

E përjashtoj lidhjen e Enverit me Dushanin, pasi ai ka qenë fatkeqësia e Partisë Komuniste dhe fatkeqësi e Shqipërisë deri vonë, pra derisa ai vdiq. Ka qenë një njeri jashtëzakonisht i lig, i ulët, njeri i UDB-së, i fëlliqur, përdori shumë nga kuadrot që atëherë, bëri një punë minuse. Ndërsa Miladini ishte ndryshe. Ai ishte një njeri i edukuar, me kulturë, edhe ai një patriot por jo si serbët e tjerë që ishin kundra shqiptarëve. Dua të sqaroj diçka për faktin që thuhet se ishte Miladini ai që e ngriti Enverin. Miladini ishte një njeri që nuk dinte gjuhë të huaja, veç sllavishtes sepse ishte malazez. Nuk kishte qenë kurrë, jashtë Jugosllavisë në jetën e tij. Nuk mund të drejtonte ai asgjë në Shqipëri sepse nuk njihte asgjë nga jeta e Shqipërisë, të njerëzve, të grupeve nacionaliste. Ndodhi e kundërta, ishte ai që u ngrit nga Enveri, ai ishte një instruktor i mirë partie. Ai ndihmoi në mënyrën si organizohej organizata, konferenca e partisë, si bëhen zgjedhjet etj.

Pse paguhej ai nga ju?

Ai këtu jetonte, por nuk është se paguhej. Ai ruhej nga ne, ishte i sëmurë me tuberkuloz dhe ajo çfarë përmenda më sipër, qe një rast, një ndihmë. Por nuk paguhej.

Kush e vrau Miladin Popoviçin?

Është e qartë që si vrasje është organizuar nga vet UDB-ja dhe pikërisht kjo tregon se ai ishte dashamirës ndaj Shqipërisë, ndaj Kosovës, gjë që nuk e tregoi vetëm atëherë. E tregoi që kur ishte këtu. Që kur u hoq me kohë, sollën dy të tjerë derisa erdhi Velimir Stojniçi që organizoi Beratin. U tërhoq për gabime dhe se ai pranoi deri vetëvendosjen e Kosovës, ndaj ata nuk ia falën Miladinit. Ata vunë më pas një shqiptar që e vrau, një i Ballit thoshin.

Por i paguar prej UDB-së?

Sigurisht, s’ka dyshime.

Pra, ju nuk pranoni në asnjë mënyrë që jugosllavët patën rol për ta ngritur Enver Hoxhën nga sekretar politik i Tiranës në sekretar të përgjithshëm?

Në këtë kohë as Tito nuk kishte influencë në Tiranë. Vetë jeta, lufta ishte shumë e vështirë, mezi komunikohej. Shkonin tre muaj a më tepër për një postë që të shkonte nga Tirana në Beograd. Pastaj, po ta marrësh historikisht, ata deri në Berat, nuk organizuan që ta rrëzonin Enver Hoxhën sepse nuk e rrëzonin dot sepse dy ditë përpara se të vinte në Tiranë për çlirimin, ai u bë kryeministër. Ajo u bë për të frikësuar Enver Hoxhën, për ta kritikuar që ai të ulte kokën para tyre sepse do të fillonte një fazë e re me të gjitha peripecitë që ndodhën më pas në periudhën 1944-1948. Në këtë periudhë Enveri është kritikuar pse bëri një përulje të tillë ndaj Jugosllavisë, por harrojnë se në atë periudhë, vetë mbledhja e Jaltës, kishte përcaktuar fatin tonë. Shqipëria nuk u përmend fare në mbledhjen që bënë aleatët e mëdhenj, që t’ia linin nën sqetull Jugosllavisë. Pastaj vetë Jugosllavia, historikisht dihet që ka bashkëpunuar me Greqinë që ta ndajnë Shqipërinë gjysmë për gjysmë. Këtë radhë e donin të tërën dhe në Konferencën e Parisit, Moshe Pijade, luftoi me këmbëngulje kundër Caldarisit lidhur me pretendimet që kishin ata për të marrë tokat e jugut meqë e konsideronin Shqipërinë në luftë si aleate e fashizmit italian.

Pra, raporti i tij me Jugosllavinë nuk ishte një raport servil por pragmatist!

Pragmatist dhe imponues madje. Por fatkeqësia më e madhe ishte se ata kishin punuar dhe kishin bërë me vete sekretarin organizativ të Partisë, Koci Xoxe, që ishte edhe ministër i Mbrojtjes. Ishte emri i tij që lakohej edhe në zyrat e Stalinit nga Kardeli dhe nga Gjellasi, dy intelektualët, dy të dërguarit kryesor të Titos. Kur pyetej se kush është në udhëheqjen shqiptare, gjëra që janë të shkruara, madje edhe ambasadori Shaqir Vukaj ka botuar një libër shumë interesant, tregonte se Stalini ishte i interesuar për ne. Këto janë dokumente që dalin nga arkiva e Beogradit dhe ajo e Moskës. Aty dalin të gjitha bisedimet që ka bërë Stalini me Kardelin, me Gjellasin, për interesimin që ka filluar për Shqipërinë. Por këto, megjithëse dy intelektualë, është për t’u çuditur rekomandonin Koci Xoxen, sepse gjatë periudhës që udhëtonin në Maqedoni e Korçë, e bënë Kocin për vete. Koci vuante nga kompleksin e tij të injorancës, të pamjes së tij si tip i shkurtër e i shëmtuar. Arriti të thoshte nëpër plenume, se kemi nevojë për bërthamën proletare që ta drejtojë partinë, pra jo Enveri. Sepse Koci Xoxe ishte si Tito e Enveri duhej të luante rolin si Gjellasi.

Kur kalojnë vitet mund të bëhet një pyetje e tillë Enver Hoxha dhe Koci Xoxe kishin pikëpamje të ndryshme, atëherë pse idetë e Enverit ishin të mira dhe ato të Koci Xoxes jo?

Unë e kam dëgjuar këtë në çdo rast, në çdo qëndrim që ka mbajtur Enveri, madje në ato më të bukurat nga pikëpamja kombëtare, historike, qoftë për Traktatin e Varshavës, qoftë në mbledhjen e Moskës para 81 partive. D.m.th., të vendosësh e të demaskosh, Enveri se këto i bënte për personin e tij, më ngjan e kotë. Por nëse do mendonte vetëm për personin e tij, fare lehtë më mirë ndiqte rrugën e Titos dhe të dilte shëtitje si Tito nëpër botë, bashkë me mua, madje. Pse duhej ta bënte për pushtetin e tij, çfarë tregoi me pushtetin deri në fund? Ja ku jemi sot këtu. Gjithë jeta e tij ka qenë për të mirën e vendit, vetëm se ashtu e gjykonte të mirën.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi