Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Luan_Valikardi
Luan_Valikardi
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 38
<b>Postime</b> Postime : 21456
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 28/08/2010

FJALA E PRESIDENTIT TOPI NË TAKIMIN E 17-të TË PRESIDENTËVE TË EVROPËS QENDRORE  Empty FJALA E PRESIDENTIT TOPI NË TAKIMIN E 17-të TË PRESIDENTËVE TË EVROPËS QENDRORE

Sat 28 May 2011 - 2:36
27 maj 2011
Varshavë, Poloni

I nderuar President Komorovski,
Shkëlqesi Presidentë,

Së pari më lejoni të shpreh kënaqësinë time që ndodhem sot në Varshavë në një klimë miqësie dhe një organizimi mjaft të mirë.

Takimi i sotëm vjen në mbyllje të dy dekadave ndryshimesh historike në Evropën Lindore ku padyshim Shqipëria ka qenë vendi më i izoluar. Por, sot është pjesë e një procesi organik transformimesh të mëdha. Shqipëria sot është vend i NATO-s dhe ndodhet në një proces të pandalur drejt integrimit në familjen evropiane. Pra, është një bilanc arritjesh dhe sfidash për rrugën e gjatë që kemi përpara për të kapur ritmin e duhur të reformave dhe të standardeve të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe mirëqenies së qytetarëve.

Sot kur kthejmë kokën prapa, shohim një distancë relativisht të madhe midis asaj që trashëguam dhe asaj që është arritur. Dhe kemi arsye të besojmë se transformimet kanë qenë të prekshme, të mëdha dhe gati historike. Dy dekada më parë shqiptarët e kërkonin Evropën si nocion, si simbol, si aspiratë. Sot jemi pjesë e aleancës të saj të sigurisë dhe të institucioneve evropiane, jemi pjesë e ndryshimeve brenda saj dhe me vendosmëri e pasion edhe pjesë e ardhmërisë së saj. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër bilateral apo institucionesh të tjera përfaqësuese, kanë qenë dhe mbeten kontributorët kryesorë të arritjeve tona pozitive si shtet shqiptar, por edhe më gjerë, në të gjithë rajonin e Ballkanit. Nëse dekada e parë pati konflikte etnike të frymëzuara nga projekte nacionaliste anti-humane, gjatë dekadës së dytë Shqipëria dhe rajoni ynë po përjetojnë një ringritje të dukshme politike, morale, ekonomike dhe sociale. Dëshiroj të vë në dukje se vetë prania në këtë takim të rëndësishëm, e Presidentes së Kosovës është dëshmi e rezultateve pozitive në funksion të forcimit të paqes, stabilitetit dhe politikave integruese.

Nuk ka pikë dyshimi që sot Ballkani Perëndimor ka një fizionomi tjetër. Pak vite më parë problematika e Ballkanit ishte tjetër; raporti midis vendeve ballkanike ishte gati i ftohtë, ndërsa sot diskutohet kryesisht për probleme të perspektivës dhe më pak për ato të retrospektivës. Unë dëshiroj të vë në dukje se sot më shumë se kurrë lind nevoja që vizioni i lidershipit politik të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duhet të orientohet pa asnjë lloj paragjykimi drejt perspektivës evropiane dhe euroatlantike. Lajmi për arrestimin e njërit prej kriminelëve më mizorë, Radko Mlladiç, padyshim është një lajm i gëzuar dhe risjell edhe një herë në vëmendje që demokracia është shumë e rëndësishme dhe demokracia në çdo lloj rrethane triumfon. Në Shqipëri kemi një fjalë të urtë që është shumë domethënëse për këtë rast. Drejtësia vonon, por nuk harron. Ky moment duhet shfrytëzuar për të rilançuar edhe njëherë të gjithë atë vizion të përbashkët të vendeve të Ballkanit Perëndimor për të rritur dialogun politik për t’iu drejtuar vizionit të integrimit me një forcë, e cila duhet të sinkronizohet nga i gjithë lidershipi politik i Ballkanit për të mos humbur kohë me diskutime që i takojnë një të kaluare të egër, kryesisht ajo që lidhet me betejat dhe luftërat ndëretnike në Ballkan, për të gjetur urat e bashkëpunimit dhe besoj që shembuj konkretë, ne sot kemi me shumicë.

Unë dëshiroj të vlerësoj rolin moderator të Shqipërisë në rajonin ballkanik, të vlerësoj një bashkëpunim të shkëlqyer që ne kemi me vendet fqinjë dhe të shoh tek ata, pikërisht ata bashkëudhëtarë të domosdoshëm, që të gjithë së bashku, përtej rritjes dhe konsolidimit të dialogut politik, të shohim mundësinë e një rritjeje të bashkëpunimit ekonomik, sepse vetëm në këtë mënyrë ne do mund të kontribuojmë për demokracinë në vendet tona, për rritjen e standardeve të shtetit të së drejtës, për prosperitet ekonomik dhe social për shoqëritë ku ne bëjmë pjesë.

Unë besoj që mjaft hapa përpara janë bërë. Vërtet ne kemi një ndryshim të rëndësishëm gjeopolitik në rajon. Më përpara, më është dashur, për shkak të një qëndrimi objektiv dhe detyrimit për ta shprehur këtë qëndrim, që të vë në dukje pikërisht atë pjesë të avancimit dhe reformave institucionale që po bëhen edhe në vendin fqinjë, në Kosovë. Sot e shoh të tepërt këtë, pasi më vjen mirë që në këtë tryezë të nderuar, do të ketë mundësi për ta shpalosur Presidentja e nderuar e Kosovës, e cila që në hapat e parë të misionit së saj, e ka demonstruar vizionin e bashkëpunimit. Unë besoj se të gjithë jemi dakord për këtë, pasi duke pasur si pikë referimi Evropën, në mënyrë absolute bien të gjitha referencat e retrospektivës së errët, që lidhet me betejat ndëretnike dhe të gjithë së bashku e shikojmë veten në standardet evropiane.

Natyrisht, të nderuar kolegë, ne jemi të vetëdijshëm për sfidat që na presin për të jetësuar ftesën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe nesër, procesin pasues të bashkimit real me familjen evropiane. Shqipëria ka mundësinë sot të demonstrojë elementë pozitivë të arritjeve të veta. Ajo ka një sistem drejtësie funksional. Pavarësisht debateve politike që ekzistojnë në vend, siç ekzistojnë në çdo vend tjetër demokratik, vizioni i të gjithë politikës shqiptare në unison nuk është në asnjë moment kontestues ndaj politikave madhore të integrimit. Kjo është arsyeja që rritja e demokracisë së brendshme, forcimi i shtetit të së drejtës, ndërtimi i politikave ekonomike, të cilat çdo ditë vijnë e konsolidohen, bëjnë të mundur që ne të jemi optimistë që marrja e statusit kandidat për Shqipërinë, do të jetë një moment kohor i afërt.

Situatat dhe sfidat e reja evropiane dhe euroatlantike prekin fusha të reja ndërveprimi me efekt global, që nga përsosja e sistemit demokratik, parandalimi i krizave ekonomike, sigurimi i burimeve të qëndrueshme energjetike, ambienti, lufta ndaj terrorit e krimit të organizuar dhe deri tek sulmet kibernetike. Shqipëria do të vazhdojë të japë kontributin e saj modest në realizimin e kësaj agjende të përbashkët, si pjesë e kontributit për paqen, stabilitetin dhe demokracinë afatgjatë. Ne mbështesim agjendën prioritare të Polonisë si kryesuese e radhës së BE-së, siç presim dhe kemi besim se gjatë mandatit të saj dhe më tej, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të vazhdojnë të ndjekin politikën e afrimit dhe të dyerve të hapura për plotësimin e familjes evropiane me të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Të nderuar Presidentë,

Jam krenar të sjell në kujtesë rolin dhe kontributin real e të vazhdueshëm që Shqipëria jep për forcimin e paqes, miqësisë dhe bashkëpunimit rajonal, në një pjesë të Evropës, që sikurse e thashë pak më parë, kanë qenë të shoqëruara me probleme dhe ndarje të mëdha gati historike. Sot, sikurse u shpreha, marrëdhëniet që ekzistojnë midis këtyre vendeve, por edhe rritja e kujdesit të vendeve të Evropës Qendrore, të Bashkimit Evropian në përgjithësi dhe institucioneve të tij, na bën që të jemi më optimistë dhe të jemi më të motivuar, që të shtojmë ritmin e reformave dhe bashkëpunimin bilateral dhe multilateral në funksion të demokracisë të vendeve tona, por edhe të Evropës në përgjithësi.

Edhe një herë më lejoni t’ju falënderoj për vëmendjen dhe t’ju falënderoj gjithashtu për klimën e mikpritjes që dëshmuat ndaj nesh!

Ju falemnderit!
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi