Share
Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

default Fortesave e kishave, nga martesa e Skënderbeut te hijeshia e Bajronit

prej Mon 30 May 2011 - 21:02
“Nuk lejohet të fotografoni dhe as të xhironi brenda manastirit. Është një vend i shenjtë dhe si i tillë duhet respektuar”!

Fortesave e kishave, nga martesa e Skënderbeut te hijeshia e Bajronit  Fortesave_e_kishave_nga_martes_1
Kështu thotë “ciceroni” i Manastirit të Ardenicës përballë një grupi gazetarësh dhe punonjësish të Ministrisë së Kulturës që shkuan për ta vizituar këto ditë atë, në një tur dyditor të ndërmarrë nga MTKRS-ja në disa prej monumenteve të kulturës në jug të vendit. Mes shkrepjeve të aparatit dhe kamerave që vështirë të mos ndaleshin shpesh përgjatë rrugës jo pak të bukur që të fal natyra në këtë cep të Shqipërisë mundëm të vizitojmë dhe njohim nga afër historinë e manastirit të Ardenicës, Apollonisë apo të Pashë Alimanit në Vlorë.

Megjithatë rruga deri tek këto monumente kulture që shumë mirë mund të shërbejnë si pika për të tërhequr turistë, nuk ishte shumë e shkurtër.

Nisjes sonë së ngadalshme nga Tirana, iu bashkangjit “kureshtja” e gazetarëve dhe kameramanëve për “të prekur” nga afër natyrën apo detaje të veçanta në këtë cep të Shqipërisë.

Te “murgjërit” e Ardenicës

Pas disa orësh udhëtimi, i pari vend ku ndalëm ishte Ardenica.

“Një vend i shenjtë”, siç e cilësoi pikë së pari ciceroni që na udhëhoqi brenda manastirit dhe na bëri një guidë të shkurtër të tij. Në të strehohen madje edhe katër murgj të rinj që kanë kryer shkolla teologjike, të cilët nuk mundëm t’i takonim.

Historia e këtij manastiri është shumë interesante. Një detaj që ia vlen të shënohet është se në altarin e Kishës së manastirit është bërë kurorëzimi i martesës së Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti me Donikën.

Në kohën e diktaturës Ardenica ka qenë kazermë ushtarake. Për këtë arsye muralet e saj janë dëmtuar, aq sa në disa pjesë muri afresket janë fshirë krejt.

Manastiri, tanimë nën varësinë e Kishës Orthodokse, është i tipit bizantino-ortodoks e mendohet se themelet e tij janë hedhur në vitin 1282 me nismën e perandorit Andronik II Paleolog të Bizantit, i cili e ngriti këtë tempull pas fitores mbi anzhuinët në Berat. Ka shumë për të folur për Ardenicën dhe “ciceroni- roje” nuk ia përton. Ai “rrëfen” duke folur si përmendësh që nga ikonostasi, nga kalendari i gjendur në mes të dyshemesë së kishës e që pasqyron ngjarje nga “Dhiata e Vjetër” dhe “Dhiata e Re”, dogmatika, liturgjia, jeta e shenjtorëve etj. Disa nga skenat janë “Festat e Virgjëreshës”, skenat nga “Jeta dhe vuajtjet e Krishtit”, “Fjetja e Shën Mërisë”, “Zbutja e shpirtit të shenjtë tek apostujt” etj. Në brezin e fundit, ndërmjet figurave të shenjtorëve është pikturuar muzikologu i shquar bizantin nga Durrësi, Jan Kukuzeli. Në narteks, në të gjithë faqen lindore paraqitet skena e madhe që titullohet “Gjyqi i Fundit”.

Kisha e Shën Mërisë përmban me afreske të mrekullueshme nga veprat e piktorëve Kostandin dhe Athanas Zografi. Manastiri i Ardenicës ka qenë mjaft i përmendur për pasurinë e bibliotekës së tij. Deri nga Greqia vinin në Ardenicë murgj dhe priftërinj për të studiuar në këtë bibliotekë. Kjo u pasurua me një fond të madh librash gjatë shekujve XVII-XVIII, sidomos nga ndihmat e shoqërisë voskopojase “Shoqata e Manastirit të Ardenicës”, e cila i sillte librat jo vetëm nga Evropa Perëndimore, por edhe nga Hungaria e Polonia. Kjo bibliotekë me 32.000 vëllime, u dogj nga zjarri në vitin 1932.

Pasi bëmë disa shkrepje në oborrin plot me vazo lule të Ardenicës, mezi pritëm të uleshim në ndonjë lokal aty afër të gjerbur kafen që nuk e kishim pirë në mëngjes apo për të thyer urinë përpara drekës. U ulëm në një lokal aty afër e “kënaqëm” deri diku kërkesat tona për të vijuar më pas drejt Apollonisë.

Një zonë e mbrojtur për breshkat

Në këtë qytet antik, i dyti më i vizituar pas Butrintit siç na thotë ciceroni, specialist i turizmit, Admir Zelaj, vijnë vizitorë deri nga Australia apo Japonia.

Për pasurinë arkeologjike të Apolonisë është folur shumë dhe dihet, megjithatë siç vërejnë arkeologët është zbuluar vetëm 5% e qytetit antik. Një “vërtetim” për këtë është edhe fushata arkeologjike e ndërmarrë nga një ekspeditë shqiptaro-franceze e përfaqësuar prej Jean-Luc Lamboley dhe nga Faik Drini e Agron Islami. Ata ndodheshin në Apolloni për restaurimin e një prej mozaikëve më të rrallë të Apollonisë dhe për studimin e gjetjeve arkeologjike të vitit të kaluar. Një gjë interesante është se Apollonia do të jetë një zonë e mbrojtur jo vetëm për monumentet, por edhe për breshkat. Këto të fundit, por edhe lulet janë disa “të veçanta” të qytetit antik që sipas ciceronit Zelaj i tërheqin mjaft turistët. Përsa i përket problematikave apo mureve të rrënuara të Apollonisë janë një temë më vete, për të cilat është folur dhe më parë… Qyteti antik i Apollonisë ka qenë kryeqendra e historisë së Fierit dhe është themeluar në shekullin e VI para Krishtit nga kolonë korkyras. Apollonia jetoi rreth 1200 vjet dhe në kulmin e lulëzimit të saj, në një sipërfaqe prej 140 ha banonin 60.000 banorë.

Qytetërimi i Apollonisë lulëzoi në periudhën midis shek. III para.l.k. deri në shek. IV pas.l.k., duke u shfaqur si qytetërim iliro-helenik si dhe qytetërim romak.

“Peshqit“ e Orikumit

Padyshim një nga zonat më interesante në krejt bregdetin është ajo e Orikumit, ku dhe u ndalëm për të drekuar me prodhime deti.

Për të gjithë bregdetin e Orikumit, rreth 1200 hektarë, sapo ka përfunduar edhe një studim urbanistik. Turizmi është sigurisht një nga pikat kyçe të zonës, që synon të tërheqë investimet vendase dhe të huaja. Vende tërheqëse janë Dukati i vjetër dhe kalaja e Gjon Boçarit. Bashkia është marrë këtë periudhë edhe me infrastrukturën e qytetit të Orikumit. Ka nga ata vendas që edhe kanë “huazuar“ ndërtime të tipit alla“hollandez“, tepër interesante. Shtëpi të vogla druri të ndërtuara njëra mbi tjetrën, që ofrojnë një pamje krejtësisht të veçantë.

Lehtësuese për vizitorët është një rrugë që lidh shëtitoren me unazën e Orikumit, por dhe një shëtitore gjatë bregdetit që shkon deri në shëtitoren e Pashalimanit.

Nga qafa e Llogarasë, ku si për të treguar pasurinë dhe “ pastërtinë“ e zonës disa burra ofrojnë për turistët mjaltë, propolis, çaj mali apo sherebel- karakteristik për zonën, me aromë të tillë që zor se e gjen në vende të tjera. Itenerari ynë përfshin gjithë zonën e Llogarasë, kalimin nëpër fshatrat e Dhërmiut dhe në rrugën e Jalës.

Jo “ushtarake“...

Ndërsa destinacioni i fundit ku u ndalëm për të qëndruar“më gjatë“ ishte kalaja e Porto Palermos.

Kalaja e Ali Pashës në Porto Palermo ka një arkitekturë bizantine. Dhomat e saj janë shumë të ngjashme me njëra tjetrën. Një vend i veçantë është haremi, ku dallohen shkallaret e pashait dhe skena e kërcimtareve që mbaheshin në harem. Tjetër dhomë e veçantë është dhoma e pashait, dritaret e së cilës në ndryshim nga dritaret në pjesën ballore që janë të pjerrëta, për tu mbrojtur nga sulmet, janë të drejta sepse përballë tyre janë ngritur kullat e rojës. “Lord Bajroni është pritur në këtë kala në vitin 1809“, na thotë ciceroni i kalasë, Klearko Koçi, i cili është njëkohësisht edhe roje e kalasë dhe personi ivetëm që kujdeset për të. Ai e quan madje veten pasardhës të Ali Pashës. Nuk përton aspak të na tregojë edhe dhomën e pritjes, e cila si të gjitha të tjerat ka pasur oxhak por që me kalimin e viteve është transformuar. Po në këtë kala gjendet një depo që në kohën e Ali Pashës përdorej për depo baruti, ndërkohë që në diktaturë është përdorur për internim. Sipas Koçit ajo që është problematike është rruga. “Kam propozuar të bëhet me kalldrëm os të bëhet një shëtitore përgjatë gadishullit që të jetë i vizitueshëm”. Një vizitori i duhet të paguajë biletën prej 1000 lekësh të vjetra për të vizituar kalanë dhe numri i vizitorëve sipas tij ka ardhur duke u rritur. Vitin e kaluar ky numër arriti në 6000 të tillë.

Dy ditët e ngjeshura u dukën “të pamjaftueshme” për “të pjekur” qetësisht vizitat në këto monumente me mendimet për të folur për ta. Por rruga me autobus ishte thuajse e mjaftueshme për “të sistemuar” përshtypjet e marra nga një bregdet blu, gjarpërues dhe i ngrohtë./Yll press



Fortesave e kishave, nga martesa e Skënderbeut te hijeshia e Bajronit  Engjuj17
Portali ~ Forumi ~ St@ff ~ Rregulloria Forumit

Keni paqartesi... Me kontakto ne PM
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi