Share
Shko poshtë
Luan_Valikardi
Luan_Valikardi
Komplet
Komplet
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 34
<b>Postime</b> Postime : 21327
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 28/08/2010

default FEJA DHE PSIKOLOGJIA (I)

prej Thu 24 Nov 2011 - 16:46
Për të sqaruar lidhshmërinë mes fesë dhe psikologjisë, pikësëpari duhet bërëpërkufizimin e fesë. Feja si term i ndërlikuar në gjuhën arabe emërtohet me termin “din” i cili sipas asaj që transmetohet në literaturën fetare mban kuptimet siç janë “traditë, doke, borxh, respekt, rrugë e cila mbahet dhe ndiqet, dënim, shpërblim, popull”.

1 Në Kur’anin Famëlartë me termin “fe nënkuptohet jeta e cila kalon me
rregullsi dhe plan jetësor siç është të përkulurit ndaj një autoriteti, përshtatja dhe respektimi i urdhrave dhe ndalesave të atij autoriteti; në qoftë se këtyre urdhrave dhe ndalesave u përmbahet ka shpërblim, e në të kundërtën, të besohet se do të ketë dënim”.

2 Në gjuhët e Perëndimit termi “fe” më së shumti njihet me emrin “religjion”. Në qoftë se e shikojmë nga aspekti etimologjik, do të vërejmë se termi fe është në lidhshmëri me termin e gjuhës latine “religio”. Ky term si i këtillë më së shumti përkufizohet si:
fe, fetarësi, të lidhurit për Zotin me dashuri e respekt.

3 Vështirësitë që hasen në përkufizimin e fesë janë të natyrës siç është njohja e karakterit thelbësor, cilësitë e personit i cili i jep përkufizimin, botëkuptimet, profesioni në të cilin vepron, periudha në të cilën bëhet përkufizimi, gjendja sociale, politike, ekonomike, veçoritë kulturore dhe njohja e mënyrës se si bëhet përkufizimi i
saj.

4 Krahas të gjitha këtyre vështirësive, ne këtu do të japim disa nga ato përkufizime që i janë bërë fesë. William James-i termin “fe” e percepton nga tre aspekte siç janë “ndjenjë, sjellje dhe përvojë”.

5 Sipas James-it, feja është “besimi i njerëzve në gjërat, të cilat i njohin si hyjnore, të medituarit gjatë kohës kur gjenden para tyre, të përjetuarit e përvojave personale të njerëzve, aktivitetet dhe ndjenjat e tyre”.

6 Prej mendimtarëve të njohur të fesë Regis Jolivet-i në fjalorin filozofik e ka përkufizuar fenë nga dy aspekte edhe atë:

a) Nga aspekti subjektiv: “Feja është dashuria e ardhur nga brendia e njeriut, të lidhurit për Zotin me lartmadhërim dhe mbështetje(mirëbesim); pranimi dhe respektimi i asaj se njeriu është i detyruar të jetë i lidhur për Allahun dhe ndaj të gjitha ligjeve, parimeve dhe qëllimeve të tij me mendje të shëndoshë dhe ndjenja të pastra.

b) Ndërsa nga aspekti objektiv: Të shprehurit me vepra dhe aktivitete të asaj subjektives që ndihet me ndjenjat fetare dhe besohet siç janë: ritet fetare, sakrificat, duaja dhe adhurimet, sikur edhe obligimet morale-etike”.

7 Një ndër përkufizimet është edhe ky: “Feja është ajo që i sjell në lidhshmëri vetë individët me Zotin, me një jetë mbinatyrore dhe në marrëdhëniet e tyre shoqërore; ajo sjell vendime dhe bën vlerësime për gjërat e paraqitura në botë dhe si e tillë është një sistem traditash, manifestimesh, ritesh dhe besimesh”.

8 Të zbuluarit e tezës në filozofinë moderne dhe psikologjinë e fesë “qartë e sqaruar” (eksplicite) ose “kuptim i fshehur” (implicite), është tregues i vazhdueshmërisë së fesë. Kjo do të thotë se feja është diç permanente, e përhershme dhe e pashkatërrueshme. Shkaku i kësaj qëndron pikërisht aty se i është inherente(karakteristikë e lindur) natyrës së njeriut dhe çdo humbje e saj prej shikimit, në të vërtetë është mënyrë e një transformimi të ri të përhershmërisë së saj.

9 Antoine Vergote në librin e tij të emërtuar Religion, Foi et Incroyance: Etude Psychologique (Feja, besimi dhe mosbesimi: Një hulumtim psikologjik), përkufizimin e fesë e bën kështu: “Feja ka të bëjë me një qenie (ose më shumë) mbinatyrore dhe është një tërësi në lidhje me disa shenja (indikacione), sjellje, ndjenja dhe gjuhë”. Në
këtë mënyrë Vergote duke e pranuar pozitivitetin kulturor të fesë, mendon si nëpërmjet lidhjeve psikologji, fe dhe disa gjërave të tërësishme që shprehin ngjashmëri me fenë, do të gjejë mundësinë e hulumtimit të këtyre lidhshmërive.

10 Sa i përket Freud-it, ai mundohet që zanafillën e fesë ta largojë nga botëkuptimi se mund të jetë diçka e mbinatyrshme ose e lindur në njeriun. Ai fenë mundohet ta përkufizojë si fryt të mendimit të njeriut rreth asaj se është figurim i babait nga frika apo nga shkaqe të tjera. Për të me rëndësi është se feja është lindur dhe përhapur me paraqitjen e kulturave të ndryshme.

11 Sipas Freud-it, sikur që janë ngjarjet e sublimacionit në shkencë, moral, art, gjithashtu edhe feja është një fryt i tillë dhe është superego. Para se të bëjë ndërrimin e lëkurës dhe të dalë sipër superegos, në themel ka komponentë të tjerë. Shenja e vërtetë e Zotit është babai. Me të vërtetë Zoti, sipas tij, është babë i sublimuar (lartësuar).

12 Freud-i ka pasur për qëllim që përjetimin e fesë ta sqarojë nëpërmjet komplekseve dhe ndjenjave instinktive të brendshme. Mendimeve të Freud-it i pari që u është kundërvënë ka qenë Jung-u, i cili zanafillën e fesë e ka kërkuar në nënvetëdijen kolektive.

13 Psikologjia, jetën fetare të një individi e pranon dhe e bën lëndë studimi, sikur që e studion vetëdijen ose nënvetëdijen e individit, po ashtu edhe sikur të gjitha sjelljet edhe fenë apo jetën fetare e studion në të njëjtën mënyrë.

14 Si për fillim, meqë feja ka ardhur bashkë me njeriun, atëherë çdo gjë fetare është psikologjike; mirëpo kjo assesi nuk jep të kuptojmë se feja rrjedh prej psikologjisë. Feja si një sistem simbolik, nuk është e njëjtë me psikologjinë. Atëherë obligim i psikologjisë është që të studiojë çdo gjë psikologjike në fe, të krijojë mjete dhe metoda
matëse, ndërsa për materialet që janë tubuar gjatë hulumtimeve, të ndërtojë një sistem teorik në lidhje me termat dhe si përfundim të jetë në gjendje që mundësisht dhe në bazë të së perceptuarës të shprehë dhe të marrë vendime.

15 Sado që feja është një e vërtetë objektive, ajo po ashtu është edhe një e vërtetë psikologjike. Sikur që zë vendin më të rëndësishëm në sistemin e vlerave të përgjithshme, në të njëjtën kohë për shpirtin e njeriut është dhe paraqet një fuqi superiore. Feja drejtpërsëdrejti mbështetet në gjërat e përjetuara dhe përvojat individuale.

16 Në këtë kontekst feja është një asociacion që përcakton dhe nga i cili ndikohen qëndrimet dhe sjelljet njerëzore, marrëdhëniet ndërnjerëzore dhe jeta individuale dhe shoqërore.

17 Po qe se fenë dhe jetën fetare e marrim si një të vërtetë sociale dhe psikologjike, atëherë jemi të detyruar që brenda psikologjisë sociale dhe psikologjisë së fesë ta cekim rëndësinë e jetës fetare në jetën shoqërore dhe në marrëdhëniet ndërnjerëzore.Meqë feja është një e vërtetë brenda kulturës, atëherë medoemos që individët dhe grupet shoqërore duke e pasur ndikimin fetar, atë e shprehin në veprat dhe sjelljet e tyre.

18 Feja si e tillë, me ndikimin e saj në jetën shpirtërore dhe morale të individit apo shoqërisë, në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve dhe në disa ligje me të cilat e rregullon shoqërinë, i mundëson njerëzimit dhe shoqërive të ndryshme në botë një jetë të lumtur dhe të qetë.

19 Ai që funksionin social të fesë e vë në shprehje më së tepërmi është Durkheim-i, i cili fenë e përkufizon në këtë mënyrë: “... është sistem i përbashkët i plotësuar me gjëra të shenjta, ose thënë thjesht, me gjëra të ndaluara dhe të lejuara. Ky sistem përbëhet prej besimeve dhe disa praktikave të cilat i vë në shprehje popullata”.

20 Vetëm se këto praktika fetare nuk janë të veçanta vetëm për fenë, por si të tilla edhe respektimi dhe përshtatja e ligjeve të një individi bien në këtë grup. Sipas Durkheim-it burimi i fesë janë faktet psiko-sociale.

21 Në përkufizimin që e bën T. Parsons-i, thekson se: “Feja është një botëkuptim dhe proces i zhvilluar mbi gjithësinë, pozitën e njeriut në gjithësi, marrëdhëniet e individit me të tjerët, me rrethin dhe shoqërinë; mbi gjëra të dëshiruara apo jo, mbi atë që ekziston ose nuk ekziston, e kështu me radhë”.

22 Si përfundim mund të themi se feja, me atë formë me të cilën e ekspozon veten brenda jetës kulturore paraqet një sistem simbolik,

23 një institucion (asociacion) social dhe është e përbërë nga jeta subjektive. Atëherë, me të studiuarit e fenomenit fe nga jashtë në jetën sociale dhe kulturore të njeriut, edhe përbrenda me të studiuarit e fushës psikologjike mund të arrihet në të dhëna më frytdhënëse.

24 Në qoftë se i afrohemi temës sonë, atëherë do të shohim se të marrët me të studiuarit më tepër të anës përjetuese dhe përvojës së fesë është më rezultuese, sepse përbërja shpirtërore e individit, bota e brendshme e tij, të ngjallurit e ndjenjave dhe mendimeve fetare dhe nga këto të ardhurit e gjithë veprimtarisë së tij fetare, janë pjesët përbërëse
të jetës fetare në përgjithësi.

25 Të studiuarit dhe të sqaruarit e besimit si një fakt shpirtëror (psikik), vatërzimi i adhurimeve (lutjeve) që janë vepër e vullnetit dhe dëshirës, qëndrimeve fetare me ndikimin e tyre në jetën fetare dhe shoqërore, memetoda psikologjike sado që janë temë e Psikologjisë së Fesë, po aq janë lëndë e studimit të Psikologjisë Sociale. Studimi i jetës fetare, besimit, ibadeteve (lutjeve) dhe ndikimit fetar duke e lënë mënjanë aspektin individual, aspekti social i këtyre dukurive hyn në fushën e studimeve shoqërore-psikologjike.

26 Për këtë arsye, në studimin tonë jeta fetare (fetarësia) me të gjitha aspektet është menduar si “një synim qëndrimi” dhe është studiuar me metoda të psikologjisë sociale, që do të thotë se mundësia e studimit të jetës fetare me këto metoda, na i bën me dije gjërat e përbashkëta dhe lidhjet që ekzistojnë ndërmjet psikologjisë së fesë dhe asaj sociale. Në nëntitullin që vijon, do të përpiqemi që në mënyrë sa më të thuktë t’i paraqesim çështjet e studimit të këtyre dy drejtimeve të psikologjisë.

VAZHDON...


FEJA DHE PSIKOLOGJIA (I)  6ds9w0
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi