Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Ekonomia, peng e shifrave të rreme dhe keqqeverisjes Empty Ekonomia, peng e shifrave të rreme dhe keqqeverisjes

Sun 8 Jan 2012 - 15:59
Ekonomia, peng e shifrave të rreme dhe keqqeverisjes 43262_1TIRANE - Në analizën për zhvillimet kyçe ekonomike të vitit që sapo lamë pas, deputetja socialiste Mimi Kodheli hedh poshtë çdo pretendim të qeverisë për rritje ekonomike “të krahasueshme me atë të Gjermanisë”. Rritja e ekonomisë sipas Kodhelit, njëherësh edhe nënkryetare e komisionit parlamentar të Ekonomisë, as që i afrohet kuotës prej 3.9% të servirur nga qeveria, por realisht është edhe më pak se 2%. Në intervistën për ‘Gazetën Shqiptare’, deputetja e majtë fajëson shifrat e rreme të qeverisë bashkë me korrupsionin, mungesën e efektivitetit dhe strategjive për ngërçin ekonomik, i cili me shumë gjasa do të përkeqësohet për vitin që sapo filloi. Sipas Kodhelit për vitin 2012 ekonomia e vendit është në situatë kritike. Kjo pasi ekonomia nuk rritet, nuk prodhon dhe kërkesa konsumatore vazhdon të bjerë, ndërkohë që do vazhdojë të vuajë pasojat e keqqeverisjes, korrupsionit dhe monopoleve.
Si do ta përmblidhnit situatën ekonomike për vitin 2011?
Ndjej shqetësim të madh për gjithçka e pengon tashmë prej shumë kohe Shqipërinë të bëhet vendi që meriton të shkojë si i barabartë në rrugën e hapur europiane. Kjo është një rrugë ambicioze të cilën shqiptarët e meritojnë, por që politika e mbrapshtë qeverisëse e ka deformuar. Përtej parashikimeve absurde të qeverisë për një vit ekonomik të krahasueshëm me atë të Gjermanisë, Shqipëria mbeti edhe vitin që shkoi peng e shifrave të rreme, e korrupsionit, e mosefektivitetit të shpenzimeve dhe investimeve kapitale në veçanti, peng e mungesës së strategjisë për të përballuar efektet e krizës globale e rajonale.
Pretendimit të ministrit të financave dhe të kryeministrit për rritjen me 3,9 për qind të prodhimit kombëtar, në daljet e tyre publike këtë fundviti, i dha përgjigje vetë Instituti i tyre i Statistikave. Sipas INSTAT në gjashtë muajt e parë të vitit të kaluar rritja ekonomike krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë ka qenë më e vogël se 2 për qind. Kjo është shifra më e ulët që nga koha kur në Shqipëri filloi të publikohej rritja ekonomike me bazë 3 mujore. Nëse në 3-mujorin e tretë të vitit 2011 do të llogaritet që kemi pasur të njëjtat ritme të rritjes ekonomike si të atyre paraardhës, atëherë rritja ekonomike do të rezultojë shumë larg vlerësimeve zyrtare të qeverisë, por për fat të keq shumë afër vlerësimeve të institucioneve financiare ndërkombëtare. Ky pohim do të thotë se edhe ne kemi pasur të drejtë kur debatonim për riskun që ka e që do të ketë qëndrueshmëria e financave publike përgjatë vitit 2012 madje edhe më tej.
Këtë e them me përgjegjshmëri të plotë dhe po mundohem ta shpjegoj. Edhe një rritje vjetore e nivelit 3,9 për qind (në rast se do ta kishim), do konsiderohej e pamjaftueshme në rrethanat kur e gjithë kjo rritje do të shkonte për të shlyer këstet vjetore të borxhit, pasi kostoja jonë e borxhit ka shkuar në 4 për qind e PBB. Kjo do të thotë që rritja ekonomike në terma realë për vitin 2011 është zero.
Në një raport të Bankës Botërore të para pak kohëve thuhet se “Shqipëria paguan çmimin më të lartë në rajon për borxhin. Në vitin 2010, qeveria shqiptare pagoi 3.4 për qind të PBB vetëm për interesat, thuhet në raport, kur në ekonomitë e tjera të ngjashme të Ballkanit Perëndimor, ato variojnë nga 0.6 deri në 1.3 për qind”. Ndaj tkurrja e rritjes ekonomike do t’i imponojë qeverisë shqiptare të tjera ndërhyrje tek financat publike.
Nëse rritja ekonomike do të llogaritet të jetë më pak nga sa vlerëson qeveria, atëherë edhe borxhi publik i vendit është automatikisht më i lartë sesa shifra zyrtare duke rrezikuar të kapërcejë kështu kufirin ligjor prej 60 për qind.
Diçka tjetër që mendoj se duhet përmendur është dhe shifra prej 1 miliardë dollarë që kreditë me probleme cekën në fund të muajit tetor 2011, gjithmonë sipas të dhënave zyrtare. Sot, kreditë që nuk do mund të paguhen, përfaqësojnë gati 8 për qind të PBB të parashikuar për vitin 2011.
Cilat janë zhvillimet kyçe për vitin që lame pas?
Viti 2011 filloi me një ngjarje tronditëse për të gjithë ne, atë të 21 janarit, datë e cila padyshim ndryshoi rrjedhën e ngjarjeve si politike ashtu edhe ekonomike të Shqipërisë. Kjo u pasua me presionin e jashtëzakonshëm të kësaj qeverie mbi institucionet e pavarura kushtetuese dhe gjyqësorin si lidhur me hetimin e ngjarjes ashtu dhe me hetimet që lidhen me të gjitha proceset korruptive, të cilat vazhdojnë të jenë peng i këtij presioni të paskrupullt edhe sot. Jo më kot Shqipëria u përkeqësua me 8 vende në klasifikimin botëror të Indeksit të Korrupsionit duke lënë pas nga vendet e rajonit vetëm Kosovën.
Ngjarjet të cilat më pas vranë plotësisht shpresën tonë europiane ishin padyshim zgjedhjet e 8 majit. Këto zgjedhje dëshmuan edhe një herë se kjo qeveri dhe vetëm kjo nuk është as e zonja dhe as dëshirëplotë për të zhvilluar zgjedhje të drejta dhe të ndershme në vend. E në fakt, përgjigja europiane për çka nuk mundi qeveria të bënte apo garantonte erdhi shumë shpejt. Notë pakaluese. Jo për shqiptarët, jo për opozitën, por për qeverinë dhe kryeministrin e saj.
Ndërsa si zhvillim pozitiv për vitin që sapo kaluam do të rreshtoja të gjitha përpjekjet, mundin, djersën dhe pasionin që çdo qytetar i këtij vendi derdh dhe jep çdo ditë në funksion të së mirës personale dhe asaj të përbashkët.
Sa është ndjere kriza globale në ekonominë tonë dhe cilat kanë qenë sektorët më të prekur?
Minimalisht Shqipëria ndodhet nën presionin e dy vendeve fqinjë Italisë dhe Greqisë, vende këto të prekura thellë nga kriza financiare. Së pari, në këto vende jetojnë mbi 1 milionë shqiptarë, të cilët rrudhin për çdo ditë remitancat. Së dyti, Shqipëria e ka të lidhur tregtinë, tregun e saj të punës apo dhe atë bankar me tregjet e këtyre vendeve, ndaj prekja nga kriza është më e drejtpërdrejtë.
Ka një vlerësim të FMN-së të para pak muajve, ku flitet për mënyrën se si qeveria shqiptare duhet ta përballojë krizën. Ky institucion financiar flet për përkeqësimin që u është bërë financave publike, sidomos në vitet e fundit. Gjithmonë sipas FMN-së kjo që ndodh me Shqipërinë nuk ndodh me asnjë vend tjetër europian, të cilët kanë marrë masa drastike për forcimin e sistemit fiskal.
Si FMN dhe Banka Botërore e kanë paralajmëruar qeverinë, në më shumë se një rast, për ndryshimin e politikave fiskale me qëllim ruajtjen e stabilitetit dhe sovranitetit fiskal. Ju përmend një sektor, atë më të rëndësishmin: Industrinë. Vetëm në tremujorin e dytë të 2011 prodhimi industrial ra me rreth 8.5 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Por padyshim që kriza ka prekur edhe sektorë të tjerë vital të ekonomisë sonë siç janë energjia, ndërtimi dhe bujqësia.
Si do ta komentonit situatën e sektorit privat dhe rolin e administratës publike gjatë vitit 2011? Çfarë mund të kishte bërë më mirë njëra palë apo tjetra?
Administrata publike lë shumë për të dëshiruar. Por kjo nuk vjen për shkak të aftësive të munguara të saj, por për shkak të politikave që ndiqen nga titullarët dhe titullarët e titullarëve. Korrupsioni dhe mungesa e transparencës e kthen këtë armatë nga një ushtri në shërbim të njerëzve dhe interesave të vendit, në një kazermë abuzive që nuk mbërrin dot të realizojë asnjë prej detyrimeve ligjore, apo pse jo edhe morale.
Si e shihni ekonominë në tërësi për vitin 2012? Cilat do të rendisnit si zhvillimet e mundshme dhe sfidat kryesore për këtë vit, si për ekzekutivin, ashtu edhe për sektorin privat?
Projektbuxheti i vitit 2012 është mbështetur në parashikime makroekonomike të pasakta, ndaj dhe për ne është e vështirë të nxjerrim konkluzione të drejta bazuar në analiza të mirëfillta shkencore. Por, ajo që mund të them me siguri sot është që ekonomia jonë është në situatë kritike. Brenda vendit, ekonomia nuk rritet, nuk prodhon dhe kërkesa konsumatore vazhdon të bjerë. Ekonomia e vendit edhe gjatë këtij viti do vazhdojë të vuajë pasojat e keqqeverisjes, korrupsionit dhe monopoleve. Ndaj asaj i duhet një ristrukturim i plotë dhe i nevojitet domosdoshmërisht një model i ri ekonomik, me qellim që të mund të realizohen reforma të mëdha dhe afatgjata, të qëndrueshme dhe me prioritete të qarta. Financat e vendit duhet të reformohen thellë, duke filluar nga sistemi i taksimit të të ardhurave personale, tek Tatimi mbi Vlerën e Shtuar e deri tek sistemi i sigurimeve.
Kjo sigurisht nuk mund të realizohet as me demagogji e as me arrogancën e atij që qeverisjen e ka kthyer në mekanizëm fitimprurës në kurriz të shqiptarëve që për fat të keq varfërohen çdo ditë.
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi