Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

“Femijet qe rriten me gjyshe llastohen me shume” Empty “Femijet qe rriten me gjyshe llastohen me shume”

Wed 29 Feb 2012 - 19:04
“Femijet qe rriten me gjyshe llastohen me shume” 1329308776-rritja_dhe_llastimiNë kopshtin 42 në Tiranë ishte qetësi, ngaqë ishte orar dreke dhe fëmijët ishin në gjumë. Tavolinat dhe karriget e vogla mbushin sallën e madhe të lojërave, dhoma e tyre e gjumit është më e futur ku ka edhe më pak dritë. Janë të mbuluar të gjithë me batanije, por ka dhe nga ata ‘hileqarët” që bëjnë sikur flenë dhe përpëliten nën kuvertën e tyre. Aty kalojnë dhjetë orë të ditës, hap pas hapi, ndërsa edukatoret punojnë me turne. Disiplina me fëmijën fillon që në moshën tre vjeç kur ai nis e shkon në kopsht. Është e vërtetë që atë dashuri që të jep gjyshja në shtëpi nuk ta jep edukatorja, por kur vjen puna që një fëmijë të jetë i shkathët ai duhet të shkojë në kopsht ku ka më shumë mundësi të zhvillohet nga ndërveprimi edhe me fëmijët e tjerë. Ndërsa flasim me edukatoret për këtë gjë, ato shprehen se është kategorike për to: “kopshti i bën shumë mirë fëmijës, e socializon, e shkathtëson…”

Edukatore Tana, punonjëse në kopshtin nr. 2 na tregon se, “kopshti nuk barazohet farë me shtëpinë. Në kopsht fëmijët përshtaten me ambientin, më shokët, bëhen zotër të vetes, shkojnë vetë në tualet, mësojnë t’i shërbejnë vetes më mirë dhe të jenë më të pavarur”. Edhe nga ana mësimore ka tjetër program, se nga “programi” që konsumojnë me gjyshen në shtëpi. Kemi biseduar me prindër dhe gjyshe të cilat vinin për të marrë nipërit dhe mbesat e tyre në kopsht. Edhe pse do të donin që ti rrisnin vetë, përsëri janë të mendimit që kopshti bën mirë.

Punonjësit socialë janë përgjithësisht të të njëjtit mendim se “Fëmijët që janë çuar në çerdhe apo kopsht janë më të shkathët dhe më të aftë për të marrë informacion, pasi me ta është bërë një punë e kujdesshme, e ndjekur hap pas hapi. Përveç të tjerave, kategoria e fëmijëve që nuk shkojnë në shkolla apo kopshte, por janë nën kujdesin e gjyshërve, kanë edhe probleme të tipit qaraman, të përkëdhelur apo që nuk pranojnë këshilla,” thotë Ermira Kurti, punonjëse sociale. “Zhvillimi psikomotor i fëmijëve që frekuentojnë institucionet e lartpërmendura është shumë më i zhvilluar se i atyre që rriten me gjyshërit në shtëpi, pasi informacioni që ata përthithin është shumë më i kufizuar,” vijon ajo. Problemet e para të këtyre fëmijëve shfaqen dukshëm në momentin kur ata fillojnë klasën e parë, pasi nuk janë më gjyshërit që të kujdesen për gjithçka. Kjo çon edhe në mbylljen e këtyre fëmijëve në vetvete, si dhe distancimin e tyre nga bashkëmoshatarët e tyre.

Merita, një prind mendon se: “është më mirë që fëmija të rritet në kopsht, pasi shpesh gjyshërit e “çedukojnë” një fëmijë, në vend që ta mësojnë, në kopsht fëmija është më i lumtur, rritet shëndetshëm, bën jetë sociale, mëson”. “Ne gjyshërit i kemi përzemër”, shton ajo, “por fëmija kur rritet me gjyshërit llastohet më shumë, prandaj mendoj se kopshtin duhet ta provojnë të gjithë fëmijët, pasi socializohen më shumë dhe kur shkojnë në shkollë e kanë më të lehtë pastaj në përshtatjen me kolektivin, si dhe rezultatet i kanë të një niveli më të lartë se moshatarët”.

Shega: “Nga eksperienca ime, mendoj se fëmija është më mirë të rritet në kopsht, sepse aty, së pari, do të parapërgatiten për jetën në komunitet, se dyti, fiton imunitet nga sëmundjet, së treti fillon të kuptojë se është i barabartë me të tjerët. Ndryshe me gjyshërit. Me gjithë dashurinë e madhe që kemi për nipërit apo mbesat, pa dashje i bëjmë ” monopol” që askush të mos na i prekë, kujdesemi më shumë për shëndetin (frikë nga mikrobet), se sa për t’i stërvitur me lodrat, apo t’i aftësojmë për jetën në komunitet. Megjithatë, përrallat e gjyshes nuk do të mungojnë asnjëherë, edhe pse rriten në kopsht.

Kopshtet

Kopshtet janë hallka më e rëndësishme e fillimit të jetës së një fëmije. Edhe pse në kushtet ekonomike të sotme, ku shumë prindër janë të papunë dhe merren vetë me rritjen e fëmijëve të tyre, edukimi për ta çuar fëmijët aty dhe për të marrë sa më shumë informacion është shumë e rëndësishme.

Sa duhet të paguash?

Fëmijët në çerdhe dhe kopsht paguajnë vetëm për ditëngrëniet.Vlera e shërbimit e ofruar në çerdhe është 130 leke ne ditë, e përcaktuar në bazë të ditëve të frekuentimit të çerdhes nga fëmija juaj. Vlera e shërbimit të ofruar në kopsht është 160 leke në ditë.

Të jetosh d.m.th të vdesësh, të vdesësh do të thotë të kesh jetuar… A e kuptojnë dot fëmijët këtë?!

Të flasësh për vdekjen në një ditë çfarëdo në familjen shqiptare nuk është diçka e zakonshme. Së shumti, kjo temë hapet kur dikush lëngon në shtrat ose kur një i afërm është larguar nga kjo jetë. Tradita shqiptare na orienton t’ua fshehim ose ta shtrembërojmë të vërtetën fëmijëve duke gënjyer, me qëllim mbrojtjen e tyre.

Por a ndihmon kjo fëmijën (por edhe të rriturit) në kuptimin dhe pranimin e situatës? A i ndihmon kjo fshehje apo shtrembërim i së vërtetës fëmijët të rriten në një botë reale? A kupton fëmija çfarë do të thotë “të jetosh” apo “të vdesësh”?!

Alketa Berzani – Psikologe

Për shumë familje diskutimi mbi vdekjen është tabu, sikurse diskutimi mbi seksin apo shtatzaninë. Kur u drejtohen pyetje, prindërit përgjithësisht i shmangen dhënies së përgjigjes ose e qortojnë fëmijën që të mos flasë më tjetër herë për gjëra të tmerrshme, si vdekja. Eufemizmat, si “gjumë” apo “pushime” përdoren shpesh nga prindërit për të zbutur realitetin e fundshmërisë së jetës. Ndërkohë eufemizma të tjerë, si “tërhoqi këmbët zvarrë”, “u ktheu nga ana tjetër” apo “i ktheu patkonjtë nga dielli” përpiqen t’i japin pak humor kësaj mënyre me të cilën prindërit tentojnë të fshehin realitetin.

Prindërit përpiqen t’ua mbajnë të fshehtë fëmijëve të vegjël faktin e vdekjes, së pari sepse besojnë që fëmija nuk kutpon, së dyti sepse kanë frikë se mund të dëmtojnë zhvillimin normal të fëmijës.

Të dashur prindër, mos kini frikë të flisni për vdekjen me fëmijët tuaj, edhe pse të vegjël. Pa dashur, pa e kuptuar, duke ua fshehur të vërtetën, duke i shmangur nga kjo temë, ju vetëm i shmangni nga realiteti dhe nuk e ndihmoni zhvillimin e tij.

Asnjë prej nesh, të rritur apo fëmijë, nuk është i mbrojtur nga zbulimi i vdekjes. Ajo është përreth nesh: ngjyra që ndryshon, rënia e gjetheve në vjeshtë, një kafshë shtëpiake që ngordh, vrarja e një mize. Çdonjëra nga këto ngjarje dëshmon përvojën e humbjes dhe jep mundësinë për të diskutuar mbi vdekjen. Programet televizive, përfshi këtu edhe filmat vizatimorë, kronikat e zeza apo loja “Polici dhe hajduti”, të gjitha këto ofrojnë një shembull shkatërrimi dhe vdekjeje. Madje edhe muzika, sidomos ajo rock dhe rap, flet për tema të dhunshme apo për seksualitetin e shtrembëruar, pornografinë, vrasjen, vetëvrasjen, luftën, drogën.

Duke mos u treguar të vërtetën, ju pengoni zhvillimin normal të fëmijës. Kur fëmijët dëgjojnë për ndarjen, zhdukjen apo vdekjen e dikujt, mendjet e tyre pushtohen nga mendime magjike, frika dhe shumë pyetje. Nëse ju nuk u përgjigjeni pyetjeve të tyre apo deformoni realitetin, nuk bëni gjë tjetër veçse shtoni ankthin dhe frikën e fëmijës, madje edhe ndjenjat e fajit e dyshimit. Fëmijët deri në 5-7 vjeç fantazojnë se mendimet e tyre janë magjike: çfarë ata dëshirojnë apo mendojnë, mund të bëhet realitet. Imagjinoni fëmijë të cilët të lodhur nga morali apo detyrat e shkollës, thonë me vete “Ah sikur kjo mami të zhdukej e të më linte rehat” apo “Epo edhe ky gjyshi, më mërziti. Pse s’ikën fare nga shtëpia?!” dhe papritur ky njeri i dashur sëmuret rëndë e vdes. Nëse ju nuk i shpjegoni fëmijës se mami vuante nga një sëmundje e rëndë prej kohësh apo se gjyshi ishte shumë plak, atëherë fëmija do të fantazojë se mendimet e tij shkaktuan vdekjen, si pasojë do të ndjehet në faj dhe stres.

Nga ana tjetër, ndryshe nga ç’mendoni ju, fëmijët e kuptojnë konceptin “jetë” dhe “vdekje”, por sipas mënyrës së tyre, në varësi të moshës. Sepse pranimi i vdekjes përfshin dy dimensione: konfrontimin mendor ose intelektual (vdekja është një fakt i pashmangshëm për të gjithë) dhe integrimin afektiv ose emocional (edhe njerëzit tanë të dashur, edhe unë vetë do të vdes një ditë).

Fillimisht fëmija i vogël nuk është i vetëdijshëm për vdekjen; gradualisht ai fillon të ndërgjegjësohet (mendërisht), por e ka të vështirë ta pranojë (emocionalisht).

Për fëmijët 0-2 vjeç, jeta është një fenomen universal, pra çdo gjë (njerëz, objekte, kafshë) gjallon dhe jeton, si pasojë ata nuk janë të vetëdijshëm për konceptin e vdekjes.

Për fëmijët 2-4 vjeç, jetë ka çdo gjë aktive dhe e dobishme. Ata kanë frikë nga dëmtimet, por në fakt ende nuk janë të vetëdijshëm për vdekjen. Për ta “i vdekur” do të thotë “më pak i gjallë”.

Për fëmijët 5-6 vjeç koncepti i jetës dhe i vdekjes lidhet me lëvizjen. Ata ende nuk janë totalisht të vetëdijshëm për vdekjen, por janë duke u ndërgjegjësuar, ndaj edhe revoltohen. Në këto moshë ata e lidhin vdekjen me ndëshkimin, si pasojë e një sjellje apo vepre “të keqe”. Për ta, “vdekje” do të thotë të ndalësh lëvizjen, por jo të menduarin.

Në moshën 7-9 vjeç, fëmijët fillojnë të përshtaten me konceptin e vdekjes në aspektin mendor ose intelektual, por emocionalisht janë ende të dobët e të revoltuar. Ata besojnë se vdekja shkaktohet nga forca të jashtme, si sëmundjet apo aksidentet. Në këtë moshë fëmijët e kuptojnë se prindërit e tyre mund të vdesin, por nga ana tjetër ata besojnë se vetë janë aq të fuqishëm ose të magjishëm sa ta mposhtin vdekjen.

Vetëm rreth moshës 10-12 vjeç fëmijët fillojnë të ndërgjegjësohen, përshtaten dhe pjesërisht të pranojnë se jeta është e kufizuar dhe se vdekja është një fund i natyrshëm biologjik për të gjithë. Duke kuptuar pra, që kjo do t’u ndodhë edhe atyre vetë.

Me hyrjen në pubertet, zhvillimin e arsyetimit dhe thellimin në konceptet filozofike, fëmijët (mbi 10-12 vjeç) fillojnë ta pranojnë vdekjen mendërisht dhe emocionalisht, duke kuptuar që edhe ata vetë janë subjekt i vdekjes në çdo çast. Për këtë arsye, adoleshentët thellohen dhe tërhiqen aq shumë nga filozofi e feja duke kërkuar aty kuptimin e jetës dhe vdekjes.

Megjithatë, edhe kur prindërit apo familjarët e rritur ua fshehin vdekjen si fenonomen apo si ngjarje familjare fëmijëve të vegjël (deri në 6-7 vjeç), fatmirësisht fëmija nuk mbetet !#*. Fytyra të mërzitura, njerëz me veshje ngjyrë të errët, fjalë “T’ju ketë lënë uratën” apo lotët që rrëshqasin herë pas here, të gjitha këto, madje edhe ndryshime më të holla në qëndrimet, ndjenjat dhe trajtimin prindëror, e bëjnë fëmijën të kuptojë se diçka nuk shkon, familja nuk është njëlloj si më parë.

Si të reagoni në të tilla raste?

Shpjegojuni fëmijëve çfarë ka ndodhur, me fjalë të thjeshta sipas moshës së tyre. Tregojuni aryen e vdekjes së personit të dashur, duke theksuar që pavarësisht kësaj kujtimet dhe momentet e kaluara me të do të jetojnë brenda nesh. Lejojeni fëmijën të ndjehet keq, të pyesë, të qajë apo të kryejë rutinat e tij. Lejojeni fëmijën të marrë pjesë në zinë familjare dhe në disa momente të ceremonisë. Kjo është e shëndetshme.

Mos i gënjeni fëmijët se “gjyshja ka ikur në Amerikë”. Mos e shtrembëroni të vërtetën “Babi po fle”. Në këtë mënyrë veçse i shmangni fëmijët (dhe veten) nga një e vërtetë e madhe, me të cilën të gjithë duhet të përballemi dhe ta pranojmë: të gjithë një ditë vdesim.

Dhe ta kuptosh e ta pranosh këtë fakt, nënkupton të integrosh në një koncept të vetëm jetën dhe vdekjen, të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen, pra të besosh se “Të jetosh (sot) do të thotë të vdesësh (në të ardhmen) dhe të vdesësh do të thotë të kesh jetuar (në të kaluarën)”.
Silvana
Silvana
Princeshe Forumi
Princeshe Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
 <b>Mosha</b> Mosha : 32
<b>Postime</b> Postime : 9370
<b>Hobi</b> Hobi : moda,leximi,poezia..ecc
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : In Italia
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 03/10/2011

“Femijet qe rriten me gjyshe llastohen me shume” Empty Re: “Femijet qe rriten me gjyshe llastohen me shume”

Wed 29 Feb 2012 - 20:22
shembulli jam un vet..esht shum e vertet...
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi