Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Facebook-u ne celular: Mësuesit: Na e hëngri shpirtin, çdo orë debat me nxënësit për këtë fakt. Empty Facebook-u ne celular: Mësuesit: Na e hëngri shpirtin, çdo orë debat me nxënësit për këtë fakt.

Mon 5 Mar 2012 - 2:39
Sot jetojmë në epokën e informacionit modern, e njohur ndryshe edhe si mosha e internetit. Të gjithë e dimë shumë mirë së çfarë impakti e rëndësie kanë në jetën e kujtdo mjetet e komunikimit masiv dhe ato të teknologjisë së informacionit. Nuk mund të mendohet se si do të ishte bota pa internet, televizor apo celular sot, ndërkohë që mund të kujtohet se si ka qenë ajo jo më herët se katër apo pesë dekada më parë. Brezi i adoleshentëve të dyzet viteve më parë sot përfaqëson elitën, pjesën intelektuale të shoqërisë. Të zhvilluar e të formuar aq e ashtu si duhet, të rinjtë e atëhershëm, sot burra e gra në moshë, kanë pasur një jetë sociale e virtuale krejt të ndryshme nga ajo që kanë të rinjtë e sotëm. Ndërsa sot ndodh ndryshe: Nuk mund të quhet i informuar apo shoqërisht i zhvilluar një i ri që nuk bën pjesë në një rrjet social virtual, apo që në vend të internetit përdor libra për të fituar dije, njohuri dhe kulturë. Një sondazh i realizuar mes të rinjve të sotëm dhe prindërve të tyre, tregon diferencën në botëkuptimet dhe mënyrën e të qenit të këtyre dy brezave krejt të ndryshëm nga njeri – tjetri.

Grupmosha e parë e intervistuar (40 vjeç e lart) pranon se në kohën e rinisë së tyre nuk kanë ekzistuar as telefoni, as interneti dhe as televizori personal. “Mbaj mend se për të parë një emision televiziv të gjithë fëmijët mblidheshim në një shtëpi, e vetmja shtëpi e lagjes me televizor”, – tregon një prej të intervistuarve. “Unë shoh djalin tim që rri gjithë kohën përpara televizorit dhe në internet dhe shpeshherë më ndodh të debatoj me të sepse në moshën e tij unë e kaloja kohën me aktivitete shumë herë më frytdhënëse dhe më të shëndetshme”, – tregon një tjetër prind i shqetësuar për jetën sociale aspak të shëndetshme të fëmijës së tij. “Brezi ynë e ka kuptuar se ç’do të thoshte të jetoje në një shoqëri vërtet dinamike”, – nënvizon një prej të intervistuarve, duke vazhduar, – “brezi i sotëm mendon se bën një jetë shumë aktive dhe dinamike, por në fakt është krejt e kundërta”. Këto janë përgjigjet sipas së cilave brezi i sotëm është dinamik dhe aktiv, por jo në masën që duhet të jetë. Këtë e thekson një prind relativisht i ri në moshë, 40 vjeç, i cili shprehet për vajzën 15-vjeçare se “shoh që vajza ime e kalon pjesën më të madhe të kohës së saj në internet për të chat-uar me shoqërinë e saj dhe harxhon orë të tëra për këtë, pa kuptuar se qëllimi i internetit është të mbarosh punë, dhe jo të bëhesh i varur nga ai”. “Në ditët tona ne e kalonim kohën duke lexuar, duke dalë shëtitje me shoqërinë në bulevard, duke u marrë me një aktivitet sportiv e gjëra të tjera të kësaj natyre. Me një fjalë, ishim gjithmonë në aktivitet dhe në lëvizje dhe bënim një jetë të shëndetshme, mund të them shumë më të shëndetshme nga ajo e fëmijëve tanë sot”, – përfundon ai. Por ndërsa, të shqetësuar për aktivitetin dhe jetën shoqërore të brezit të ri, disa prindër ngrenë këto shqetësime, në jo pak raste ndodh që të tjerë prindër kanë në emër të tyre një adresë në një rrjet social, në të cilën janë aktivë. Kjo tregon se të qenët virtualisht aktiv është një “virus” i përhapur në të gjithë masën e shoqërisë, ndonëse tek grupmosha e kategorisë së parë shfaqet më rrallë. Këta prindër janë të hapur ndaj idesë së zhvillimit të jetës sociale në rrugë virtuale dhe në pjesën më të madhe të rasteve pohojnë se u duket normale që fëmija i tyre të kalojë një pjesë të mirë të kohës në internet “djali im ka disa adresa në rrjete sociale të ndryshme dhe rri pothuajse gjithë ditën aktiv, gjë që mua nuk më shqetëson, përkundrazi më jep mundësi ta kem atë më në kontroll”. Një tjetër prind shprehet se “nuk ka asgjë të keqe që vajza ime të kalojë një pjesë të mirë të ditës në internet me shoqet. Kjo është mënyra e zhvillimit social sot, gjërat ecin dhe avancojnë dhe ne duhet të ecim me hapin e kohës”. “Mua më duket e kënaqshme dhe e pranueshme që vajza ime kalon kohën përpara kompjuterit dhe televizorit, sepse kjo është një mënyrë mjaft efikase që ajo të marrë të gjithë informacionin që i nevojitet për gjithçka”. Siç shihet pra, nuk ekziston një ndarje me thikë për të përcaktuar nëse nga këndvështrimi i prindërve, të qenit e fëmijëve virtualisht aktiv është diçka e mirë apo jo. Ajo që dihet me siguri është që secili prind përpiqet të gjejë mënyrën dhe rrugën më të mirë për të edukuar fëmijën e tij. Këtu qëndron edhe diferenca, teksa disa përpiqen të edukojnë fëmijët me sjelljet e tyre, të tjerë përpiqen të jenë më modernë dhe më afër kërkesave të fëmijës. Ajo që mbetet për t’u analizuar tanimë është ana tjetër e medaljes, pjesa më e rëndësishme e këtij diskutimi: vetë të rinjtë si e shikojnë botën virtuale sot?

Grupmosha e dytë e intervistuar (15 – 25 vjeç) është qartazi gati unanime në mendimin e saj lidhur me çështjen në fjalë. Një i ri i moshës mesatarisht 15 vjeç e ka më të zhvilluar prirjen për t’i dedikuar kohë jetës virtuale sesa një i ri i moshës 25 vjeç. “Si do e mbushja kohën nëse nuk do rrija në internet?”, – thotë një adoleshent i cili, i pyetur nëse ka menduar se mund të ketë edhe aktivitete të tjera të dobishme, shprehet se “unë përpiqem gjithnjë t’i përshtatem shoqërisë”. Kjo është përgjigja e masës së të intervistuarve, – “shoqëria ime është gjithnjë në linjë ndaj dhe unë duhet të jem pjesë e saj”. Ky fakt, tregon varësinë e këtyre të rinjve jo vetëm ndaj jetës dhe mënyrës virtuale të të qenit, por edhe ndaj rrethit shoqëror. Është një kompleks, i cili shfaqet gjithmonë tek të rinjtë. Shkenca e psikologjisë e ka vërtetuar se një i ri i cili mund të ketë shumë nga ana materiale asnjëherë nuk ndjehet i plotë dhe i kompletuar moralisht nëse nuk është shoqërisht i zhvilluar, nëse nuk ka shumë shokë e shoqe e nëse nuk ka një jetë sociale. Një i ri i cili mund të ketë anë të dobët ekonomike, por jetë të zhvilluar sociale fiton vetvetiu më shumë vetëbesim se një i ri që nuk ka një jetë të zhvilluar sociale, pavarësisht mirëqenies. Kjo ndodh sepse është komunikimi dhe jeta në komunitet ajo që e formon, edukon dhe ç’komplekson njeriun. Por, çështja është: A është jeta virtuale mënyra e duhur për t’u bërë shoqërisht aktiv? Disa mendojnë se kjo është rruga më e shkurtër dhe efikase, të tjerë thonë se shoqëria e vërtetë nuk mund të krijohet përmes rrugëve virtuale. Për shumicën e adoleshentëve e rëndësishme është të kenë sa më shumë “friends-a” në Facebook, sa më shumë “comment-e”, pra të kenë aktivitet. E gjithë kjo konsiderohet një mënyrë për të kaluar kohën. Nuk ndodh kështu me studentët e universitetit. Në bazë të studimit të kryer, kjo grupmoshë e pranon ekzistencën e jetës sociale virtuale, por jo në masën e një nxënësi të shkollës së mesme: “unë kam adresë në Facebook, por e hap shumë rrallë. Përgjithësisht më rastis që kur futem në internet hap e-mailin, shoh ndonjë informacion të vogël me rëndësi dhe e mbyll internetin. E kam kohën mjaft të kufizuar e nuk mund t’i dedikohem Facebook-ut”. A tregon kjo vallë se nxënësi duhet të shkojë në universitet për t’u ndërgjegjësuar lidhur me të mos qenit njëzet e katër orë aktivë virtualisht? Absolutisht jo. Studimi e ka treguar se ka mjaft studentë, madje edhe të nivelit master, që janë gjatë gjithë kohës shoqërisht aktivë. “Nuk është puna se unë nuk kam kohë të rri në internet, por njeriu duhet të kuptojë dhe të ndërgjegjësohet që ka prioritete të tjera në jetë, më të rëndësishme sesa interneti”, shprehet një student i cili thotë se “unë jam virtualisht aktiv për aq kohë sa ky aktivitet virtual nuk cënon të ardhmen time akademike”. Një tjetër student thekson se “unë rri pothuajse tërë kohën në internet, madje edhe nëpërmjet telefonit. Kur një leksion është i mërzitshëm unë nuk lodhem më duke dëgjuar, e kaloj kohën në Facebook”. Ky është në fakt virusi i vërtetë i përhapur sot, interneti në telefon. Njëkohësisht mësues në një nga shkollat e mesme më të njohura të kryeqytetit, një prind shprehet: “më ndodh përditë, e ndoshta edhe disa herë në ditë që të kap një nxënës me celular në orën e mësimit, çka krijon shqetësim jo vetëm tek unë, por edhe tek vetë procesi mësimor”. Një tjetër kolege e saj nga gjimnazi “Partizani”, shprehet për suplementin se: “kam pasur me dhjetëra raste kur kam qenë përpara një situate të tillë. Ndërsa më parë ua merrnim nxënësve celularin se dëgjonin muzikë, apo se shkruanin mesazhe, tani ua ‘konfiskojmë’ sepse kontrollojnë Facebook-un. Nuk e kanë fare mendjen në mësim dhe shpesh herë në orët e provimit e përdorin Facebook-un edhe për të bërë kopje. Mesazhet aty janë më të gjata dhe si pasojë e kanë më të lehtë të kopjojnë prej tij. Na është kthyer në tmerr, s’dimë si t’ia bëjmë me këta fëmijë, na e hëngrën shpirtin edhe pse ua marrim celularin derisa të vijë prindi, nuk pyesin e përsërisin prapë”, – përfundon mësuesja e letërsisë. Të pyetur se përse zgjedhin rrugën e internetit në telefon, nxënësit gjimnazistë përgjigjen se kjo është mënyra e vetme për të qëndruar gjithmonë në linjë dhe për të kaluar kohën e për t’u argëtuar. “Mua më është kthyer disi në ves, dhe në mënyrë të pavetëdijshme e hap telefonin dhe kontrolloj gjithmonë në blogjet e mia sociale për ndonjë të re”.

Sondazhet on-line në internet për llogaritjen e varësisë së të rinjve ndaj internetit dhe për nxjerrjen e faqeve më popullore tregojnë se sot faqet më të klikuara, tashmë njihen nga të gjithë: në rend të parë qëndron blogu social “Facebook”, i ndjekur nga sitt-i më i njohur i videove “youtube”, dhe i treti vjen motori gjigant i kërkimit “google”. Blogu social u trajtua edhe më sipër, është padyshim mënyra më e përdorur e ndërveprimit virtual mes të rinjve, por jo vetëm. Ndonëse janë vetë të rinjtë ata që e pranojnë se mënyra virtuale nuk është mënyra më e sigurt për shkëmbimin e informacionit në ditët e sotme, ata nuk mendojnë të heqin dorë prej saj. Të komunikosh virtualisht është mënyra më komode dhe e shpejtë për të pasur një dinamikë shoqërore të zhvilluar, pa u lodhur shumë. Për t’u theksuar është fakti se në jo pak raste ndodh që në Facebook të shohësh shprehje të tilla si “si do ishte bota pa Facebook” apo “nuk mund ta imagjinoj ditën time pa internet”. Në pamje të parë të pranueshme, kur i mendon me kujdes pyetje të tilla janë absurde dhe të papranueshme aq më pak për një brez në zhvillim e sipër. Shkenca të tilla sociale si filozofia, psikologjia, sociologjia, por mbi të gjitha edhe vetë jeta në praktikë, e kanë vërtetuar se në themel të suksesit qëndron racionaliteti. Njeriu duhet të dijë të jetë racional për të ndarë ato që janë më të rëndësishme nga ato që janë më pak të rëndësishme. Njeriu duhet të dijë të dedikohet aty ku ai e di se përfiton diçka. Pragmatizmi, racionaliteti dhe suksesi ecin mjaft mirë bashkë drejt rrugës së gjatë e të mundimshme të suksesit. Një njeri që nuk është aspirant, pragmatik apo racional nuk mund të çajë dhe të arrijë aty ku do sepse atij i mungon elementi esencial për ta realizuar këtë: egoja. Bëhet fjalë për ego të mirëfilltë, sepse egon në prizmin e dëshirës për sukses dhe famë e kanë të gjithë, por vetëm ata njerëz që e shoqërojnë atë me elementët e mësipërm arrijnë ta materializojnë duke e vënë në jetë përpjekjen për sukses. I madhi popull ka thënë se “dielli duket që në mëngjes”. Jeta e njeriut kalon në disa faza: në fëmijëri, që mund të paralelizohet me agimin, në adoleshencë që mund të paralelizohet me mëngjesin, në rini që mund të paralelizohet me drekën, në moshë të mesme, që mund të paralelizohet me pasditen, dhe në moshë të madhe që mund të paralelizohet me darkën. Të rinjtë, subjekt i sondazhit tonë, janë ende në mëngjesin e jetës së tyre, dhe mëngjesi është ai që i jep drejtim ditës. Nëse që në moshë të njomë ky brez është i varur ndaj botës virtuale dhe indiferent ndaj asaj akademike, ç’mund të pretendohet për të ardhmen? Duke u dedikuar në pjesën më të madhe të kohës në jetë virtuale, si do të mund të marrë formimin e nevojshëm një i ri që nesër në jetë të bëhet lider? Jeta është e gjatë dhe e vështirë, ndaj e vetmja gjë që nuk duhet të shpërdorohet është koha. Sot mendohet se është herët për t’i bërë adoleshentët të kuptojnë se sa e gabuar është mënyra e tyre e të pasurit të jetës sociale dhe sa i rëndësishëm është aktiviteti intelektual, por nesër do të jetë tepër vonë.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi