Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Lojë me mjerimin e romëve, bosh 400 apartamente Empty Lojë me mjerimin e romëve, bosh 400 apartamente

Tue 20 Mar 2012 - 3:10
Lojë me mjerimin e romëve, bosh 400 apartamente Femijet-ne-baraka-300x285Lindita Çela

400 apartamentet e ndërtuara nga Bashkia e Tiranës para vitit 2011 janë të zbrazura. Tek tuk shikohen njerëz që shkojnë e pastrojnë bojën e lënë pas nga ustallarët, por zyrtarisht Bashkia e Tiranës asnjë mjerani nuk i ka dhënë çelësat në dorë. Listat ende nuk janë miratuar nga Këshilli Bashkiak. Qeveria shqiptare edhe kryebashkiaku i zgjedhur me procedure thotë se disa prej këtyre apartamenteve do të jepen për komunitetin romë, një syresh prej tyre jetojnë rrëzë këtyre pallateve fringo të reja.



Në geton e romëve

Mbi 50 baraka shtrihen rrëzë lumit të Tiranës e karshi kanë apartamentet që presin të popullohen nga njerëzit në nevojë. Në këtë ngushticë gëlon në mjerim një komunitetit i tërë që të ndryshëm nga ne nuk i bën ngjyra e trupit. Jetojnë si në geto. Pa drita, ujë, rrugë e pa shtëpi. Bukën e përditshme e sigurojnë nga mbeturinat e kazanëve nëpër rrugët e qytetit. Fëmijët shtrijnë duart e vobekta nëpër trotuaret e Tiranës ku falë zemërgjerësisë së të bardhëve sigurojnë darkën për të mbushur barkun.

Këtë të thotë Gramoz Mustafaj, një prej banorëve të kësaj lagjeje në Shkozë të Tiranës. 45 vjeçari ka 7 fëmijë, por tregon se nuk ka asnjë dokument që ligjëron ekzistencën e familjes së tij. Mbajnë frymën gjallë me të lypur, duke mbledhur hekur e kanoçe që i shesin për dy kacidhe. Gramozi nuk di as se ku janë institucionet, jo më t’u shkojë pas për të siguruar të gjitha dokumentet që do t’i mundësojnë atij shtëpinë. E zor, se ndokush tjetër, në këtë lagje ku mendohet se jetojnë rreth 400 frymë, di për letrat apo dhe projektet e qeverisë, që me sa duket ekzistojnë veç ne letër.

Zana Shoshira, një tjetër banore të thotë se prej 10 vitesh askush nuk ka trokitur tek ata për t’i ndihmuar, ndërkohë, që asnjë prej fëmijëve të saj nuk shkon në shkollë. “Me se t’i dërgoj? Nuk kam as lekë për bukë, jo më të blej libra dhe fletore. Më shumë se sa shkollën ne kemi nevojë për ushqime dhe ilaçe ku shumica e fëmijëve këtu janë të sëmurë e vdesin nga i ftohti”-të tregon Zana. Fëmijën e saj të 5-të, Eraldin vetëm 3 muajsh, kështu e ka humbur në ditët e acarta të dimrit. E varrosi sa për të mos e lënë mbi dhe, e sot e kësaj dite, paguan arkëmortin e foshnjës së saj. Halli në këtë lagje është i përbashkët, në çdo barake që të trokasësh. Nuk bëhet fjalë për komoditet shtëpiak por për bukë të përditshme që ky komunitet e mban frymën gjallë në mbeturina që u sjellin vdekjen pa mbushur të 40-tat.



Premtimi për shtëpi, mashtrim apo…..

Që në nisje romët janë të përjashtuar nga statusi i të pastrehëve apo edhe nga lista e përfitimit të banesave sociale. Kjo për faktin e thjeshtë të dokumenteve që duhet të plotësojë çdo njeri prej kryefamiljarëve të këtij komuniteti, ku në të shumtën rasteve nuk dinë as të lexojnë, për të hartuar dosjen që duhet dorëzuar në Bashkinë e Tiranës. Kriteret e vendosura, duket ashiqare që më shumë e përjashtojnë këtë komunitet, edhe pse zyrtarisht qeveria shqiptare ka marrë përsipër ndërtimin e banesave për komunitetin romë.

Në kuadër të strategjisë kombëtare të strehimit është parashikuar një fond mbi 500 milion lekësh të reja për ndërtimin e banesave të komunitetit romë. Ndërkohë që publikisht janë premtuar që një syresh të strehohen pranë apartamenteve të ndërtuara në Shkozë, ku edhe jeton një komunitet romë. Zëdhënësi i Bashkisë së Tiranës thotë se ende nuk ka filluar shqyrtimi i dosjeve për përfitimin e banesave, por, sipas tij, do të përfshihen në lista edhe kryefamiljarë të këtij komuniteti.

Por, në Shkozë, të thonë se asnjëri prej banorëve nuk ka plotësuar qoftë një dokument të vetëm për të përfituar shtëpi. Madje as që kanë dijeni për planet dhe projektet e qeverisë, sado tallëse të jenë ato. Në një vend, ku qytetërimi të duket qindra vite larg dhe “haberet” vijnë nëpërmjet televizorit, ata nuk kanë as drita, por fjalë pas fjale, pas takimeve nëpër rrugët e Tiranës, ata kanë kuptuar diçka.

Ndaj dhe vetmen gjë që dinë në këtë lagje është se po të zësh dyert e institucioneve, edhe fiton ndonjë gjë. Këtë të thonë gra dhe burra. Por deri sa tani askush nuk i zbon do e ngrysin dhe darkën me paratë që Amarildo ka fituar në kryqëzimin e Lanës dhe atë pak kanoçe që Gramozi ka mundur të grumbullojë nëpër kazanët e plehrave të Tiranës.





Dokumentet për aplikim për banesa Sociale

Certifikata e lindjes e aplikantit dhe certifikata familjare e tre muajve të fundit nga institucionet përkatëse.

Kopje e noterizuar e dokumenteve të identifikimit (pasaportës, certifikatës personale).

Vërtetim që vërteton se jeni banor në njësinë bashkiake ku është paraqitur kërkesa.

Vërtetim punësimi nga punëdhënësi për çdo pjesëtar të punësuar ose të vetëpunësuar sipas kolonës 4 të nenit I të deklaratës. Vërtetimi duhet të shoqërohet me librezën e punësimit ose me kontratën e punësimit nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore.



Dokumente për statusin e strehimit

Vërtetim nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Patundshme që nuk ka të dhëna mbi

pronësinë e shtëpisë në emër të personit që kërkon strehim dhe pjesëtarëve të familjes së tij.

Vërtetim nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Patundshme për sipërfaqen e pronës që zotërohet nga familja ose nga ndonjëri prej pjesëtarëve të saj.

Vërtetim nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Patundshme mbi disponueshmërinë e pronësisë së çdo godine, e cila mund të përdoret si një godinë banimi.

Nëse është me qira, kontrata e qirasë e nënshkruar në praninë e Noterit.

Nëse jetoni në një banesë me kushte jo të mira ose që rrezikon shembjen, kopja origjinale e vërtetimit të lëshuar nga Shërbimet Teknike të Bashkisë.

Në rastin e çifteve të reja, aktin e martesës dhe certifikatat për llogaritjen e moshës totale.

Në rast lëvizjeje për arsye punësimi, vërtetim nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të

Patundshme e vendit të origjinës, që në emrin e aplikantit nuk ka asnjë të dhënë të ndonjë prone të regjistruar e cila mund të përdoret si banesë.





Raporti i KiE: Shqipëria, trajtim racist ndaj romëve

Romët përballen me racizëm të plotë në Evropën e sotme. Sipas raportit të publikuar nga Këshilli i Evropës, komuniteti më i madh e më i dobët minoritar i kontinentit të vjetër është më i prapambetur se të tjerët për edukimin, punësimin, të drejtën e një banese të hijshme dhe kujdesin shëndetësor. Komisioneri i të Drejtave të Njeriut, Thomas Hammarberg, ka studiuar situatën e tyre në 47 vendet anëtare të Këshillit të Evropës. Shqipëria përmendet disa herë në këtë raport.

“Në Shqipëri, për shembull, fëmijëve romë u është refuzuar pranimi në shkollë për mungesë të vaksinimit, një çështje që autoritetet thonë se nuk e kanë zgjidhur ende plotësisht”, thuhet në raport. Dokumenti vëren gjithashtu se, shpërngulje të dhunshme ndaj romëve ka pasur prej vitit 2008 në Shqipëri, Bullgari, Çeki, Francë, Hungari, Itali, Rumani, Rusi, Serbi, Sllovaki, IRJM, e Turqi. “Në Shqipëri, shumë romë jetojnë në zona me shërbime tepër të kufizuara të kujdesit shëndetësor”, thotë raporti, sipas të cilit, “të tillë njerëz nuk kanë ekzistencë administrative. Ky problem dëmton mijëra njerëz, veçanërisht në Shqipëri, Bullgari, Rumani, dhe në vendet e ish-Bashkimit Sovjetik”.

OSBE raporton se në Shqipëri romët janë shpesh të paregjistruar si banuesvendas, sepse ata dështojnë, apo refuzojnë në mënyrë të vazhdueshme t’i nënshtrohen regjistrimit të nevojshëm në gjendjen civile. Sipas raporteve, romët në Shqipëri u privuan në mënyrë disproporcionale nga e drejta e votës në vitin 2009, për shkak të pengesave financiare për marrjen e kartës së identitetit dhe nga masat kushtëzuese për regjistrimin e votuesve”, nënvizon dokument.

Në raport theksohet gjithashtu se Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës i ka rekomanduar qeverisë së Shqipërisë që “të marrë veprime urgjente për të korrigjuar mungesën e regjistrimit civil të shumë romëve, përfshirë nëpërmjet bërjes së një procedure më të thjeshtë regjistrimi dhe duke zhvilluar masa për rritjen e ndërgjegjshmërisë mbi rëndësinë e një regjistrimi të tillë”. Raporti cakton një numër hapash konkretë që duhen ndjekur nga qeveritë e përmendura, siç janë trajnimet e policëve për të parandaluar sjelljen e keqe; heqjen e racizmit nga shkollat dhe përmirësimin e cilësisë së arsimimit për romët.



PNUD bën dosjet 40 familjeve rome, bashkia nuk i fut në listë

Duke qenë se pjesa më e madhe e komunitetit romë, nuk dinë shkrim e këndim, një syresh i janë drejtuar PNUD-it për hartimin e dosjeve të përfitimit të strehimit. Zëdhënësja e kësaj organizate thotë projekti synon të ofrojë ndihmë ligjore, administrative në marrjen e plotësimin e dokumenteve ligjor të tilla si transferim vendbanimi, certifikatë lindje, kujdestari fëmije, plotësim dokumentacioni për përfitimit ndihmë ekonomike, regjistrim si i pastrehë, punëkërkues si dhe librezë shëndetësore. Të gjitha këto janë procedura të vendosura nga Bashkia e Tiranë për të përfituar statusin e të pastrehit apo dhe banesat sociale. “Në lidhje me banesat sociale, Bashkia e Tiranës ka ndërtuar një bllok me 400 të tilla në Shkoze, por deri tani bashkia nuk ka bërë shpërndarjen e tyre. Ndërkohe familjet në nevojë për strehim kanë dorëzuar aplikimet (një sërë dokumentesh) e tyre në bashki që prej disa muajsh tashmë. Programi ynë, nëpërmjet një organizate të specializuar në fushën e shërbimeve ligjore e administrative ka ndihmuar në përgatitjen dhe dorëzimin e 40 aplikimeve për banesa sociale nga komunitetet rome e egjiptianë të cilat kishin kërkuar ndihmën e organizatës në fjalë për t’i ndihmuar. Por vleresimi i aplikimeve nga bashkia nuk ka filluar për asnjë nga aplikantët”-thotë për gazetën “Shekulli”, zëdhënësja e shtypit e PNUD-it, Nora Kushti.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi