Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

Vilat e Bllokut dje dhe sot… Empty Vilat e Bllokut dje dhe sot…

Mon 26 Mar 2012 - 3:23
Magdalena AllaVilat e ish-Bllokut, ata që nuk e njohin mirë Tiranën, i hamendësojnë si ‘lulëzimin e luksit komunist’ e ‘shkëputjen nga masat e varfëruara’. Luks që ish-krerët e Byrosë Politike i bënë vetes, duke zgjedhur për të banuar nga një vilë për secilin. Por në fakt, së paku këta nuk shpenzuan për t’i ndërtuar, por vetëm për t’i përdorur. Pasi, për ata që nuk e dinë, vilat e Bllokut e kanë zanafillën e ndërtimeve të tyre të njëpasnjëshme në fillim të viteve ’30-të, duke përfunduar aty nga mesi i viteve ’40. Duke u rindërtuar kështu nga fillimi një zonë gati e pabanuar më parë. Arkitektët bien në një mendje, që përpara kësaj periudhe, zona që sot përbën zemrën e Tiranës ishte një periferi me ndërtesa të vjetra tipike fshatare deri njëkatëshe dhe pjesërisht bosh, e pabanuar. “Kishte atë rëndësi periferike, siç mund të ketë tani fjala vjen Paskuqani”, thotë arkitekti Aldo Merkaj. “Para viteve ’30, zonat e banimit të Tiranës qaseshin deri tek ajo që sot quhet qendër, dmth deri te bulevardi ‘Dëshmorët e Kombit’, që lidh sheshin ‘Nënë Tereza’ me Stacionin e Trenit”, shton arkitekti Gjovalin Shytani.

Në fillesat e tyre, vilat e Bllokut u banuan nga të tjerë ‘bllokmenë’, shtetarë të kohës, zogistë e fashistë, por edhe më pas u përdorën nga shtetarët e radhës, ata komunistë. Nuk janë vila vetëm ‘italiane’, siç edhe thuhet për to, por ndërtime të projektuara kryesisht nga arkitektë shqiptarë si Q.Butka, S.Luarasi, A.Lufi, por edhe nga italiani i njohur për ndërtime në Shqipëri, Geraldo Bossio Brazini. Pothuajse të gjitha ruajnë stilin neoklasik dhe frymën art-deco të shkollave italiane ku studiuan arkitektët shqiptarë të kohës.

Numërohen rreth 40 vila, secila me numrin apo emrin përkatës përsipër, të qendërzuara në zemër të Tiranës moderne, e të projektuara kryesisht uniformë, dykatëshe.

“Për 10 vjet këto vila bëhen shekullore. Pra ato mund të konsiderohen edhe si monumente kulture. Por të vjen keq që shumica e tyre janë transformuar në mënyrë të papërgjegjshme në lokale e bare”, shton arkitekti Aldo Merkaj. “Shndërrimin e vilave në vende argëtimi e shoh si një shfrytëzim pozitiv për fatin e këtyre vilave, të cilat kësisoj u restauruan e në të kundërt ndoshta dhe do të rrënoheshin krejt”, shpjegon arkitekti Artan Shkreli.





Shndërrimi gradual funksional

Ish-vila e Enver Hoxhës, Mehmet Shehut, Hysni Kapos, Rita Markos e me radhë. Sidomos këtë dekadën e fundit, ato kanë hapur dyert për të gjithë.

‘Zona e ndaluar’ për qytetarët e thjeshtë për pesëdhjetë vjet është bërë sot ‘top zona’. Më e frekuentuara, më argëtuesja, më energjikja dhe më e kushtueshmja e Tiranës. Jo vetëm sepse tashmë nuk është më periferi, siç ka qenë në vitet ’30-’40, por qendër, por falë edhe elegancës, traditës, intimitetit, komoditetit, ‘belvederes’, gjelbërimit dhe argëtimit që ofrojnë sot këto vila neoklasike bashkë me oborret e tyre. Është bërë e zakonshme që, kush ka në pronësi një vilë të vjetër, sidomos në qendër të Tiranës ose në anë të rrugëve kryesore, ta japë atë me qira për ta shndërruar sidomos në një nga bar-restorantet e shumtë e në modë në Tiranë. Ose t’i japë me qira për zyra, kryesisht ojq-ve e organizatave ndërkombëtare e ndonjë ka mbetur rezidencë qeveritare, si ish-vila e Enver Hoxhës.

Me përjashtim të dy-tri të vjetëruarave, të rrënuara për shkak të kostos së lartë të investimit që lipset për to, gjithë të tjerat në Bllok janë transformuar ‘nga e para’ e po njohin rinimin e tyre të dytë.



Shndërrimi pamor

Janë kryesisht dykatëshe, me sipërfaqe të brendshme 300-400 m² e me oborre edhe sa dyfishi i pjesës së brendshme. Ata që i kanë marrë me qira për t’iu transformuar funksionin ‘ i kanë kthyer përmbys’. Domethënë, kanë ripërtërirë e rinovuar përgjithësisht çdo gjë. Mure dhoma të vogla që prishen, duke zgjeruar hapësirat, dysheme apo tavane që restaurohen, objekte të panevojshme që hiqen, por gjen të kenë mbetur edhe parketë të vjetër, çimento nga koha ‘e Italisë’, dhoma të vogla, veranda ovale neoklasike, korridore të ngushtë, ‘dyer me bojë vaji’ etj. “Kemi ruajtur strukturën nga jashtë siç ka qenë dhe parketi ishte ende shumë i fortë, ndaj nuk e hoqëm. Shkallaret janë po ato, shumë nga dhomat janë po ato. Ndërsa oborri ishte si një xhungël. Riparuam shatërvanin ekzistues, ndërsa lamë palmat e larta, portokallet dhe mandarinat. Elementët e tjerë u ndryshuan krejtësisht. Kemi bërë shtesa, por në harmoni me pjesën ekzistuese”, tregon ish-menaxheri i njërit prej bareve të mëdha në Bllok, Nafiz Aska.

“Kemi riparuar tavanin me kallama të cilat u bënë me gipse. Kemi futur sistemin e ngrohjes në gjithë vilën, ndërkohë përdorim edhe oxhakun e vjetër. Hapëm muret që krijuam aneksin ku është vendosur banaku”, tregon menaxheri Fabion Hoxha për një tjetër vilë, sot bar. Në çdo vilë restaurimi është puna, por dhe andralla e parë për çelësin e suksesit. “Por gjithsesi, vila veç dhomave, ka kthina, kënde, oborre, hapësira që të jep mundësinë t’i trajtosh e t’i shfrytëzosh më bukur e mirë se në ambiente të tjera”, thotë menaxheri-barist, Denis Myrtezai.

Këto vitet e fundit vilat i kanë përforcuar shtesat, herë krejtësisht të xhamta, si veranda elegante dhe shkëlqyese, herë me kombinime të gurta dhe drunjta. ‘Është diskutim më vete ai nëse duheshin bërë a jo shtesa krejt të reja. Në vetvete këto përbëjnë zgjatime të bukura luksi të arredimit modern’, shpjegon arkitekti Gjovalin Shytani. Arkitektët e sipërcituar pohojnë se një risi e re që solli ndërtimi i vilave të zonës së ish-Bllokut ishte dhe një përkushtim i veçantë që iu bë interierit. Ajo çka solli të re interieri i ri është një sallon i madh në mes të vilës, ballkonet që nuk ishin të pranishme deri në atë kohë, tarracat dhe një sasi e madhe banjash në të njëjtën vilë. Koha ishte e tillë, që vilat nuk investoheshin me buxhete personale të shtetarëve e si të tilla kërkesat ishin shumë luksoze dhe ekzotike. Që u pasuruan nga ndërhyrjet bashkëkohore prej arreduesve shqiptarë në këto vitet e fundit, duke u bërë ndër ambientet më luksoze në Tiranë, me parametra të katalogëve më të fundit, që joshin dhe joshin nga mëngjesi në darkë ‘shqiptarët qeflij dhe zhurmaxhinj’.



Investimi dhe qiraja

Aty te 500 mijë eurot u ka shkuar mesatarisht investimi qiramarrësve të vilave, për t’ua ndryshuar atyre faqen si me një operacion plastik dhe shkëlqyer ato në çdo skutë e detaj. Me të drejtë përdorimi zakonisht brenda një dhjetëvjeçari.

Shifrën e pohojnë administratorë të ndryshëm baresh nga më të frekuentuarit në Bllok, pikërisht ata që kanë nxjerrë paratë, por që për diskutime të hollash, nuk prononcohen me emër. Pronarët e vilave janë ‘tironsit e vjetër’, bijtë e ish-pronarëve të parë, të cilët fusin çdo muaj në xhep fët fët pa u lodhur fare nga 5000-6000-8000 euro në varësi të sipërfaqes dhe pozicionit më të favorshëm të njërës apo tjetrës. Zakonisht në një vilë ka disa bashkëpronarë, të cilët vështirë t’i takosh e t’i gjesh shpesh nëpër pronat e tyre, të lëna tashmë në duart të tjetërkujt.

Fitimet e nxjerra nuk i tregon kush. Por pakkush është i pakënaqur nga thjesht ‘ujë dhe kafe’ për të nxjerrë paratë e investimit, edhe pse vetëm ujë dhe kafe dhe fatura vjen edhe te 250 lekëshi. Pjesa më e madhe ndihen mirë pasi punë ka përditë plot, sa mezi ua dalin klientëve, sidomos në pranverë dhe verë. Dikush thotë se fitimi në muaj e kapërcën vlerën e qirasë.





Stil italo-shqiptar i vilave

Aldo Merkaj /arkitekt

Për të ardhur deri në analizimin e zonës së ish-Bllokut duhet të kujtojmë historinë e krijimit të ndërtesave të para me kërkesa moderne, ato që klasa borgjeze e krijuar në vitet para ’20-ës, filloi të ndërtonte në zonën e qendrës së tanishme të Tiranës dhe zonës sipër saj. Ndërtesat deri në atë kohë ishin të tipit neoklasik, prej materiali guri dhe hekuri të farkëtuar për dekorim. Raporti i banesës me rrugën ndryshoi dhe në këto ndërtesa gjeje oborre të vogla, të hapura para tyre. Gjithë ky bum ndërtimesh solli për rrjedhojë që zona e ish-Bllokut deri në këtë vit të ishte zonë periferike e Tiranës dhe krejt e parëndësishme.

Kjo gjë solli të njëjtin stil ndërtimi që ndodhi në Tiranë dhe në vitet ’90-të. Pas ndryshimit të regjimit në vitet ‘30-’40, shtetarët e kohës e ndanë këtë vend të çmuar në parcela-parcela dhe filluan të ndërtojnë aty banesat e tyre. Por sado që përshtypja është se këtu futet për herë të parë stili racional italian i kohës në ndërtim, nuk është tërësisht e drejtë. Arkitektura e këtyre vilave është një imitim i atyre ndërtesave që thamë më sipër. Pra një stil racional italian, që konsiston në një simetri absolute ndaj sallonit qendror dhe verandës. Ambientet e qëndrimit përgjithësisht vendoseshin në katin e poshtëm dhe sipër vendosen ambjentet e fjetjes. Ajo çka solli të re kjo erë ishte një përzierje e çuditshme me arkitekturën alla shqiptare të kohës, e cila tentonte që përveç hapjes së strukturës me ambientin e jashtëm nëpërmjet verandës, ndërtesa vetë ishte një bunker në të cilin u minimizuan çarjet e strukturës. Ndryshimin mund ta bëjmë shumë qartë mes strukturave të tjera që kishin një fleksibilitet më të madh dhe iu la hapësirë më e madhe arkitektëve italianë për t’i projektuar, si Universiteti Politeknik i Tiranës apo ministritë.

Kjo ishte baza e arkitekturës moderne në Shqipëri. Së bashku me pallatet anash Lanës, të cilat janë në fakt dhe pallatet e para shumëkatëshe të banimit në Shqipëri, u soll dhe kalimi i vërtetë de facto i Tiranës nga një fshat me arkitekturë të paorganizuar, në një qytet me një rend të ri arkitektonik, i cili në më shumë se artet e tjera dilte jashtë kornizave të politikës.

Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi