Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Durrsaku
Durrsaku
V.I.P Forumi
V.I.P  Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Male
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
 <b>Mosha</b> Mosha : 47
<b>Postime</b> Postime : 12667
<b>Hobi</b> Hobi : bisedat e sinqerta
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : diku
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 04/12/2011

Kronika e një vrasjeje të paralajmëruar Empty Kronika e një vrasjeje të paralajmëruar

Tue 15 May 2012 - 15:25

Kronika e një vrasjeje të paralajmëruar Spacer
Kronika e një vrasjeje të paralajmëruar Spacer
Kronika e një vrasjeje të paralajmëruar 52346_36
27 prill 2012, Mirash Miza do të qëllonte për vdekje të motrën Shqipe
Miza, 27 vjeç, në fshatin Madhesht të komunës Ulëz në rrethin e Matit.
Kjo ngjarje e kobshme do të trondiste gjithë jetën e vendit. Mirash
Miza, 40 vjeç, do të vriste motrën e tij me automatik pasi sipas tij
fshati fliste keq për të dhe e motra kishte hapur adresë facebook-u. Si
kjo ngjarje e ndodhur, veshi i shqiptarëve ka dëgjuar mjaft.
Diskriminimi është shkalla më e ulët e mohimit të të drejtave të femrave
shqiptare. Vrasja (krimi) është kthyer në një gjendje normaliteti në
vend, aq sa meshkuj të tërbuar nga injoranca rendin për të vrarë femrën:
Motrën, gruan, nënën, fëmijën, të dashurën etj. Është folur shpesh se
këto ngjarje rrjedhin si rezultat i mbizotërimit në jetën e përditshme
të ligjeve kanunore mbi ato shtetërore. Por, kjo nuk është gjithë e
vërteta e hidhur. Autorët e këtyre krimeve të shëmtuara, në jo pak
raste, përligjin vrasjet e kryera duke përdorur si mjet justifikimi
kanunin. Në fakt, ajo çfarë i përmbledh këto ngjarje është mentaliteti i
prapambetur shqiptar. Dhe nga ana tjetër, shteti tregohet i pafuqishëm
në mjaft zona të skajshme të vendit, veçmas në veri, veri-lindje dhe
jug-lindje të Shqipërisë.
Vitin e kaluar (2011) krimi në familje ka
shënuar tregues alarmantë. Po ashtu edhe ky vit rend drejt shifrave
shqetësuese. Historitë janë nga më të ndryshmet dhe nga më tronditëset.
Opinioni vetëmjaftohet me dëgjimin e tyre përmes medias dhe nuk shfaq
asnjë masë reaguese, qoftë edhe përmes organizatave për mbrojtjen e
femrave. Janë këto të fundit viktima të pamëshirshme të paralajmërimit
të shpeshtë mediatik. Ngjarja e ndodhur në Mat, ku autori ka pohuar se e
ka realizuar vrasjen në gjakftohtësi e sipër, pasi për të motrën e tij
fliste keq e gjithë fshati, tregon qartë prapambetjen e thellë kulturore
dhe gjendjen vajtuese të mjedisit tonë social. Mungesa e edukimit dhe
institucioneve arsimore, papunësia dhe kushtet e rënda të jetesës në
këto zona kanë rënduar ndjeshëm mentalitetin e këtyre njerëzve, duke e
përkeqësuar atë. Shoqëria jonë tashmë është e zbuluar nga patriarkalizmi
dhe kjo i vjen krejt natyrshëm edhe pse Europa e Bashkuar, të cilën e
aspirojmë, çdo ditë lobon dhe jep jehonën për mbrojtjen dhe barazinë
gjinore.
Po në muajin prill të këtij viti, krimet në familje nuk
kanë pasur të sosur. Në Lushnje 60-vjeçari, Shaze Sina, ka vrarë me
çifte bashkëshorten e tij, Lahe Sina, 52 vjeç. Sipas policisë, ngjarja
ka ndodhur nga kushtet e vështira ekonomike. Në mars të po këtij viti në
fshatin Luz të Tropojës, Xhemal Abazi ka qëlluar për vdekje gruan e tij
Naimen, pas një zënke mes tyre. Autori është vetëdorëzuar në polici dhe
ka pohuar se e ka vrarë të shoqen, pasi ajo e ka kundërshtuar gjatë
debatit që kishin pasur. Ditën Ndërkombëtare të Gruas, 8 mars, një
26-vjeçar në Tiranë ka marrë automatikun për të vrarë ish-gruan e tij.
Ndërkohë, në Fier bashkëshorti 28-vjeçar vret me pistoletë gruan e tij,
24 vjeçe, shtatzënë me dy fëmijë. Në Patos burri vret gruan me rripin e
pantallonave për arsye xhelozie. Në Tiranë brenda një dite vritet një
arkëtare dhe një laborante. Krimet rendin me vrap njëri pas tjetrit,
duke kaluar drejt Shkodrës, ku zbulohen eshtrat e një vajze dhe policia
hedh dyshimet tek familjarët e saj. Në Lurë të Peshkopisë tre vëllezërit
(Selman, Urim dhe Ylli Buci) kanë vrarë motrën e tyre 17-vjeçare dhe
djalin që ajo dashuronte. Në fshatin Poshnje të Beratit dy vëllezërit
Besnik e Bedri Ibrahimi vrasin babain dhe plagosin me thikë dy bijtë e
tij, pasi njëri prej tyre, 20-vjeçari Sako Protoduari kishte ngacmuar të
motrën e tyre. Dy vëllezërit Leonard dhe Dritan Keka vrasin nënën dhe
motrën e tyre. Sipas policisë, ato e kanë kryer krimin me paramendim,
pasi kishin kohë që debatonin mes tyre. Në Krujë vëllezërit vrasin
motrën e tyre, ndërsa i ati jep intervistë në TV duke gënjyer se vajza u
vetëvra. Në Milot një bashkëshort ka therur gruan e tij në mes të
rrugës, në prani të kalimtarëve. Një nënë vret dy fëmijët e saj dhe më
pas i varros ato. Një gjimnaziste nga fshatrat e Kukësit rrëmbehet dhe
pas disa ditësh gjendet e vdekur në kazanin e mbeturinave. Në Klos të
Burrelit burri vret gruan dhe të dashurin e saj, pasi i gjen në shtëpinë
e tyre të banimit. Të gjitha ngjarjet e cituara më sipër kanë ndodhur
gjatë muajve mars dhe prill të këtij viti. Kështu me të drejtë mund të
shtrojmë pyetjet: A kemi të bëjmë me ndryshim sistemi apo çrregullime
mendore? Kush mban përgjegjësi për gjithë këto vrasje të ndodhura,
përpos autorëve të tyre? Kush mund t’i ndalojë këto gjakpirës në
kronikat e tyre tragjike? Cilat janë shkaqet e rritjes së krimit në
familje?
Krimi po stimulohet dukshëm, edhe si rezultat i pasqyrimit
të vazhdueshëm nëpër media. Kjo është një thikë me dy presa, pasi: a)
Mospasqyrimi i lajmeve të tilla do të thotë heshtje ndaj krimit dhe b)
Publikimi i tyre do të thotë rritje e krimit përmes dukurisë së
vetësugjestionimit. Shteti me mekanizmat e tij përballë një krimi në
përmasa të tilla është tejet i zbehtë. Ndoshta ka ardhur momenti që të
zgjedhim metoda të tjera efikase për parandalimin e mortajës në fjalë, e
cila po merr çdo ditë në kronikat e vdekjes së pamëshirshme: Fëmijë,
gra shtatzëna, bashkëshorte të pafajshme, nëna të gjora dhe motra të
brishta.
Në krahasim më të njëjtën periudhë të vitit të kaluar
(mars-prill), krimi këtë vit ka pësuar rritje. Nuk duhet harruar se
fundi i 2011-ës shënoi krime të njëpasnjëshme, veçmas gjatë periudhës
tetor-dhjetor. Ngjarja tronditëse në Shkodër me 15 tetor 2011, ku veç
ardhja e menjëhershme e uniformave blu ndaloi gjakderdhjen e mundshme,
ishte sinjali i parë që krimi nuk do të ndalonte me kaq. Dhe pikërisht
ashtu ndodhi. Pas rrahjes barbare në mes të kryeqendrës së veriut të
20-vjeçares Ina nga i ati i saj Pjetër Leka, 53 vjeç, pasi vajza kishte
lidhje me një djalë të fesë muslimane, ngjarjet e mëpasme do të kishin
viktima në njerëz. Ky do të ishte ndër rastet e pakta, ku policia do të
arrinte në kohë të parandalonte gjakderdhjen e mundshme, pasi ngjarjet e
tjera kanë shënuar vdekjen e menjëhershme të femrave të dhunuara.
Kështu 2011-ta u mbyll me një shifër të lartë të viktimave femra, duke i
lënë vendin 2012-ës, ku ritmi i kriminalitetit në familje po ecën me
ritme të larta drejt destabilizimit të jetës së vendit dhe duke e
tronditur atë.
Krimi në familje nuk është i sotshëm. Ai ka qenë prej
kohësh prezent në vendin tonë, por vitet e demokracisë shënuan shfaqjen
masive të tij dhe deri më tani ai ka njohur vetëm rritje. Kanuni i Lekë
Dukagjinit deformohet me qëllim për të përligjur vrasjet nga autorët e
tyre. Mentaliteti i rënduar shqiptar ka ardhur nga mungesa e edukimit
dhe varfëria e skajshme në disa zona të vendit, kryesisht veriore.
Tashmë krimi vjen si një çrregullim mendor, sfilitje dhe bjerrje morale,
mungesë edukimi dhe shembuj të trishtë social. Këto krime monstruoze
meritojnë shpatën e hekurt të reagimit social në vendin tonë, në mënyrë
që të minimizohen sa të jetë e mundur. Krimi në familje dhe dhuna
sistematike kundrejt femrave meritojnë ligje më të rrepta dhe dënime
maksimale për autorët e tyre, sikundër kërkojnë një edukim më të
shëndoshë në të gjitha nivelet e arsimit në vendin tonë.
Krimi ka
marrë jetë, freski dhe gjallëri. Tashmë ai po vërshon plot dinjitet edhe
drejt qendrave tona urbane. Ai nuk ka kufij, por ka vetëm viktima të
shënjestrave të pamëshirshme vrastare. Duket se thënia e Nënë Terezës
“Mos më thirrni të protestojmë kundra luftës, por më ftoni të lobojmë
pro paqes”, i përshtatet realitetit të sotëm shqiptar. Ndaj do të ishte e
udhës që shërbimet tona informuese të mos dënojnë ashpërsisht krimin në
familje, por të transmetojnë sa më tepër: Dashuri, respekt, mirënjohje
dhe harmoni tek familjet shqiptare. Ky është edhe çelësi i suksesit të
ndalimit apo zvogëlimit të gjakderdhjes së femrave shqiptare, përndryshe
pasojat priren të jenë të rënda për të gjithë ne. Dhe morali më i mirë
edukues do të gjendet në mbylljen e këtij reportazhi, në shprehjen e
Nënë Terezës “E djeshmja iku/ E nesërmja akoma s’ka ardhur/ Kemi vetëm
të sotmen/ Le t’ia fillojmë!”.
Pra, të gjithë së bashku të nisim të
transmetojmë tek njëri-tjetri: Dashuri, tolerancë, vëllazëri e harmoni
dhe pastaj shumë shpejt do të shikojmë efektin: Krimi në familje do të
rrallohet e zvogëlohet.
*Aida Frroku,Gazetare dhe Juriste

(er.nu/GSH/BalkanWeb)
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi