Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Shqiptare
Shqiptare
Princeshe Forumi
Princeshe Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
<b>Postime</b> Postime : 4177
<b>Hobi</b> Hobi : shqiptaria
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : Shqiperi
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 24/07/2011

Kryesahatçinjtë e kryeqytetit Empty Kryesahatçinjtë e kryeqytetit

Thu 31 May 2012 - 16:18
Entela Resuli Shumë pak mund të jenë ata që e dinë se ora në qendër të Tiranës, që ka orientuar kryeqytetasit sot e 190 vjet, është mirëmbajtur nga një familje e vetme për vite me radhë, deri sa erdhi një moment kur i pari këtij fisi nuk shkoi më ta kurdiste atë. Sahati i kryeqytetit, te Kulla e Sahatit, pranë Bashkisë, tiktakun e parë e ka dhuratë nga familja tiranase Tufina.
Syri Tufinën, 65 vjeç, e gjejmë në mes orësh në dyqanin pranë pazarit të vjetër. Mes shumë sendesh të imta, me një lupë në sy është duke ndrequr orën e një klienti që e ka sjellë vetëm pak minuta më parë.Në faqen e murit në vendit ku ai punon, qëndrojnë krenarë në fotografi edhe dy burra të tjerë. Ata janë gjyshi dhe babai i Syriut, të parët që kanë ngjizur në gjakun e këtij fisi pasionin për orën.

Syriu ka arritur të gërmojë për prejardhjen e familjes së tij deri në vitet ‘800. Asokohe kjo familje nga fshati ka ardhur në Tiranë. Fillimisht të parët e tij janë marrë me riparimin e armëve të gjuetisë e më pas kanë filluar me orën. Profesioni u trashëgua, nga gjyshi Arif, tek babai Shaban dhe nga babai te Syriu dhe nga Syriu tek djali i tij, Albani.

Sot në fisin Tufina, nuk gjen një ri që të mos dijë të ndreqë një orë. Jo vetëm djemtë, por pa përjashtim edhe vajzat e familjes e kanë trashëguar të gjitha këtë profesion. Në këtë rrëfim për “Jetën”, Syri Tufina, ndan me ne dhe lexuesit tanë rrëfime vërtet interesante për veten dhe historinë e një familjeje të lidhur ngushtë me një nga simbolet e qytetit të Tiranës.Kryesahatçinjtë e kryeqytetit Syri-300x198Z. Syri, nga është origjina e familjes Tufina?

Si origjinë, ne e kemi nga fshati Zall Mneri i Tiranës, këtu bëhet fjalë për katragjyshin. Kur kemi zbritur në Tiranë, rreth viteve ‘800 kemi kaluar në Tufinë, ku kemi marrë edhe mbiemrin pasi më parë e kemi pasur Qefalia.



Po lidhja juaj me orën, kur ka filluar?

Fillimisht ishte xhaxhai i babës tim ai që është marrë për herë të parë me orën. Ka qenë tre vëllezër, Ismaili, Et’hemi dhe Isufi. Më herët këta janë marrë me riparimin e armëve të gjuetisë pastaj kanë filluar me orën. Iniciator ka qenë gjyshi im, dhe më pas profesioni ka kaluar te dy xhaxhallarët dhe të babai im.



Lidhja juaj me orën vazhdon të jetë kështu edhe te brezat e rinj?

Është në gjak kjo punë. Unë jam brez i katërt. Stërgjyshi, gjyshi, babai, unë dhe djali im. Fëmijët tanë kur lindin, lindin me orë në dorë. Të gjithë ata me mbiemër Tufina merren me orën, pa përjashtim, vetëm në kohën e komunizmit jemi shkëputur pak, por jo tërësisht edhe atëherë kemi punuar në mënyrë private. Për disa vite që unë nuk kam punuar sahatçi, kam punuar në shtëpi, privatisht, fshehurazi.



I keni numëruar sot në fis sa sahatçinj bëheni?

Po ja t’i numërojmë… Rreth 20.



Po ku punoni kaq shumë?

Por nuk punojnë të gjithë, tre dyqane janë tani tonat. Që në 97-ën unë kam këtë dyqanin ku gjendem sot, por unë e kam filluar zanatin që 13 vjeç.



A i rregullojnë njerëzit orët tani?

Po, sigurisht, vijnë, askush nuk e hedh një orë të shtrenjtë poshtë, vjen dhe e mirëmban. Ora është edhe fiksim.



Ju ja i sugjeroni fëmijëve tuaj këtë zanat?

Dua nuk dua unë ata sahatçinj do bëhen. Shkon mbas traditës së gjyshit e stërgjyshit. Djali im ka përfunduar juridikun, por dhe është sahatçi. Ne edhe nuseve që vijnë në derën tonë ua mësojmë zanatin. Ne nuk e ndiejmë detyrim, por kjo i tërheq vetë.



Cili është orari juaj i punës?

Po vij në mëngjes e iki në darkë. Por më tepër më punon djali tani, sesa vet. Kam punuar 40 e ca vite dhe punoj akoma. Nuk është ndonjë profesion i lodhshëm dhe sytë vazhdoj t’i kem mirë nga shikimi.



Por duhet të kesh durim ama…

Patjetër. Janë gjëra shumë të imta dhe të vogla. Nëse nuk ke durim nuk ia del dot.



Ju keni përfunduar një shkollë?

Kam përfunduar dy shkolla të mesme. Gjimnazin dhe shkollën e mesme teknike. Kam mësuar edhe në mënyrë autodidakte, por ajo shkolla teknike që kam bërë unë më ka mësuar shumë.





I rrethuar ditë-natë nga orët, por vetë… nuk mban orë”

Syriu është i rrethuar gjithë kohën me orë. Dhe jo vetëm në punë. Kur e pyesim a mban orë në shtëpi, ai thotë: “Kam shumë. Kam ora edhe të viteve 900”. Bëjmë shaka me të dhe e pyesim a e bezdis ndonjëherë tik-taku i orës që e dëgjon nga mëngjesi në darkë. Syriu përgjigjet: “Të më bezdis tiktaku!? Absolutisht fare. Unë kam dhe një orë të madhe në shtëpi që ka kambanë, e cila bie çdo orë. Kjo nuk më bën përshtypje fare. Me atë tiktakun na zë gjumi”. Vërejmë jo pa çudi që Syriu vetë nuk ka orë në dorën e tij. Ai qesh sapo ja themi këtë vëzhgim: “E vërtetë, nuk mbaj orë fare. Në raste të rralla e vendos”.



*******

Rrëfimi për orën e madhe në qendër të Tiranës: “Babai më merrte me vete kur isha i vogël. Erdhën para disa kohësh, ma ofruan, por kur filluan me politikë iu thashë: Ikni se nuk merrem me këtë punë”



“Erdhën për Sahatin e Tiranës, e nisën bisedën me politikë, u thashë ikni”

Shaban Tufina është babai i Syriut. Shabani ka qenë ai që ka mbajtur në gjendje pune sahatin e Tiranës në qendër në Kullën pranë Xhamisë. Syriu na tregon se kur ishte i vogël i ati e merrte me vete dhe ai shikonte tek kurdiste me peshë orën e kryeqytetit. Kurse sot….



Z.Syri, dihet që familja juaj ka një lidhje të fortë me sahatin në qendër të Tiranës. Cili nga ata e ka pasur nën kujdes atë?

Familja jonë ka kontribuar në ndërtimin e Sahatit e Tiranës. Një nga ata ka qenë gjyshi im, Arifi dhe vëllai i tij Ismaili, më pas e ka mirëmbajtur babai dhe më pas vëllai im, deri nga vitet ‘50.



Ju keni ndonjë kujtim nga puna e tyre me sahatin?

Kam qenë fëmijë, rreth 7 apo 8 vjeç, kur më merrte im atë me vete ndërsa shkonim për të bërë kurdisjet te Kulla.



Sa herë shkonte, si ishte procesi i mirëmbajtjes?

Procesi i mirëmbajtjes ishte i tillë, që detyronte tim atë të shkonte të paktën njëherë në muaj. E kurdiste nga poshtë, nuk ishte e nevojshme të shkoje deri sipër në majë. Ishte më pesha. Peshat luanin rolin e baterisë që i jepnin fuqi. Ndërsa tani nuk është më ashtu, është prishur. Në kohën që u lidhën me Kinën e hoqën sahatin, se ku e dërguan nuk e di dhe nuk jam interesuar më. I vendosën sahat elektronik.



Pse u zgjodh familja juaj për mirëmbajtjen e tij?

Po nuk kishte tjetër. Familja e parë që merrej me riparimin e orëve ishim ne. Dhe dyqanet tona kanë qenë në qendër të pazarit te vjetër. Aty ka punuar gjyshi. Kur u prish pazari i vjetër u prishën dhe dyqanet tona.



Po tani kush e mirëmban sahatin e Tiranës?

Nuk e di. Erdhën para disa kohësh, para se të restaurohej. Ma ofruan, filluan ta kalonin në politikë, jo po ta bëjmë kështu apo ashtu.. Kur filluan me politikë iu thashë: Ikni se nuk merrem fare me ketë punë. Nuk e di se kush e riparon dhe as nuk jam interesuar më fare.



Ju vjen keq?

Më vjen keq se kur e shoh që nuk punon, nuk ndihem mirë. Po të ishte ashtu si më parë, mekanike, do e kisha mirëmbajtur më gjithë qejf.





Kulla e Sahatit

Kulla e Sahatit u përfundua në vitin 1830 me ndihmën e familjeve të pasura të Tiranës, rreth 8 vjet pas fillimit të ndërtimit të saj nga Haxhi Et`hem Beu. Montimi i Sahatit u bë nga Familja Tufina, Familje e njohur në Tiranë me traditë orëndreqësish. Një sahat modern u ble ne vitin 1928 në Gjermani nga shteti shqiptar dhe kulla u ngrit ne lartësinë 35 m. Sahati u dëmtua gjatë luftës së dytë botërore, por u rivu përsëri në punë në korrik të vitit 1946. Ora e sotme është vendosur në vitin 1970. Kulla e Sahatit është e hapur për turistët që prej vitit 1996. Ajo është gjithashtu simbol në emblemën e Bashkisë së Tiranës.



Babai, orëndreqësi i Enverit dhe Bllokut, i biri, orëndreqësi i Presidentit dhe shtetarëve të sotëm

Babai i Syriut, Shaban Tufina ka mirëmbajtur gjithashtu orët e bllokut të udhëheqjes në atë kohë, që nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu e shumë të tjerë, jo vetëm orët e dorës, por edhe orët në shtëpi. Syriu nuk ka trashëguar vetëm profesionin nga i ati, por edhe rangun e klientelës. Sot na rrëfen për “Jetë” se është ai që rregullon orën e dorës të Presidentit Bamir Topi sa herë që prishet dhe është po ai, që sjellë vetë orët e institucionit të kryeministrisë dhe presidencës. Po ashtu, klientela e tij është edhe “garda” e ministrave të shtetit, duke filluar që nga Ruli e Bode.



Syri, duke parë se familja juaj ka pasur ekskluzivitetin e rregullit të orëve, çfarë bëhej më orët e bllokut të udhëheqjes?

Po, këtu tek ne i ka rregulluar orët. Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe gjithë blloku i udhëheqjes. Edhe sot, Sali Berisha e Bamir Topi i riparojnë tek unë, orët që kanë në hollët e tyre.



Flisni për orët që kanë në zyra apo orët personale?

Për orët që kanë në zyra, por edhe orët personale të Bamir Topit. Orën personale të Berishës nuk e kam rregulluar ndonjëherë, por të institucionit të kryeministrisë po. Ndërsa me Topin kam filluar të rregullojë orën që para se ai të bëhej president dhe e kam ende klient.



I prishet ora shpesh Presidentit?

Jo shpesh.



Po nga këta ministrat e sotëm, cili vjen më shpesh, cilit i prishet ora më shpesh?

Po vijnë edhe ministra, edhe këta zv.ministrat, vjen Starova, Bode, Ruli.



Enver Hoxhës dikur ia keni riparuar orën ju apo babai?

Enverit i kemi rregulluar jo vetëm orën por edhe syzat e diellit. Ia rregullonte babai. Unë kam arritur deri tek Pilo Peristeri, atë e kam pasur klient.



Enver Hoxha, çfarë marke e kishte orën?

E ka pasur “Longine”



Për sa vite me radhë keni rregulluar orët e bllokut të udhëheqjes?

Gjatë gjithë kohës. Ata vetëm tek ne vinin.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi