Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Anabel
Anabel
Fondatore Forumi
Fondatore Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Greece
<b>Postime</b> Postime : 88355
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 22/01/2010
http://www.engjujtshqiptare.com/

“Made in Albania” sipas Stefania Casinit Empty “Made in Albania” sipas Stefania Casinit

Sat 2 Jun 2012 - 2:43
“Made in Albania” sipas Stefania Casinit Stefania-Casini-2-251x300Magdalena Alla

Ndoshta mund të quhet filmi i dytë italian më i rëndësishëm për Shqipërinë dokumentari ‘Made in Albania’ i regjisores Stefania Casini, i shfaqur mbrëmë si premierë në Tiranë. Pas filmit ‘L’America’ të Gianni Amelios, realizuar gati njëzet vjet më parë. Nisur nga karriera e suksesshme e dy autorëve dhe ambiciet për t’i shpërndarë këto filma nëpër festivale ndërkombëtare e korrur në to trofe. Por edhe asistentë/regjisorët çuditërisht i kanë të dy shqiptarë. Gianni Amelio pati Piro Milkanin, ndërsa Stefania Casini, Sabina Kodrën.

Filmi i parë u kritikua shumë atëkohë, sidomos nga shkrimtari ynë Ismail Kadare, por dhe nga një opinion i gjerë shqiptar për ‘imazhin e keq dhe të cunguar të shqiptarëve’. Po i dyti, pas gati njëzet vjetësh, çfarë këndvështrimesh e ndryshimesh sjell? Si ‘L’America’ e Gianni Amelios? “Jo. Nuk ka fare lidhje. Nuk ngjan fare me ‘L’America’-n”, kundërpërgjigjet Stefania Casini.



Shqipëria sipas Stefania Casinit

Një Shqipëri të cilës rreket t’i zbulojë stereotipet e saj. Dhe duhet medoemos ta bëjë këtë, e imponuar edhe nga titulli i filmit ‘Made in Albania’. Një Shqipëri të cilën ajo vetë e ka shkelur për vite të tëra me këmbë skaj më skaj, në vende dhe kohë. Një Shqipëri të cilën e rrëfen në shumë plane, e ku zbulon pak mesjetë, pak parakomunizëm, tepër komunizëm, por edhe më tepër postkomunizëm. “Doja të tregoja një vend përmes memories, me gjithçka të tij, vendet dhe njerëzit”, thotë Casini për ‘Shekulli’n pas shfaqjes. Dhe..



Me kala, por edhe rrakatina

Ka fokusuar një Shqipëri edhe me kala madhështore si ajo e Shkodrës, me vilat elegante të viteve ’30-të, të rrënuara bashkë me aristokracinë shqiptare brenda tyre, deri te trenat rrakatinë, ndërmarrje socialiste të shkatërruara dhe gjurmët që ato lënë pas, rrugica të pashtruara dhe pluhurosura, gra me bidona uji në duar, portrete të rreshkura nga mjerimi të minatorëve të shfrytëzuar dhe mjeruar të Bulqizës bashkë me rrëfimet e tyre, qytete të harruara tipike si Kurbneshi. Nuk kishte si të mungonte stereotipi i skafeve dhe gomoneve në Vlorë bashkë me pasojat e ‘97-ës. Apo dukuria e burrneshave dhe dramat personale të atyre që në Shqipërinë e Veriut vuajnë ende gjakmarrjen. Dhe..përthyerje me bujarinë alashqiptare, mikpritjen, pak nga Riviera e bukur shqiptare. Pak modernitet nga Tirana. Por pak..Pamjet të lidhura gjithmonë në simbiozë me njerëz të zakonshëm, të cilët e kanë gjithmonë gati një rrëfim real për dy personazhet kryesorë, Rubinin dhe Borën. Dy të rinj modernë shqiptarë nga Tirana, të cilët udhëtojnë dhe eksplorojnë në kahe të kundërta. Vajza niset të zbulojë Veriun dhe djali Jugun. Pasi, siç është edhe fraza që mbyll filmin: “Shqipëria nuk është vetëm Tirana”. Edhe një personazh tjetër, një djalë i ri italian, Vito, i cili niset të eksplorojë Shqipërinë, pasi i kanë thënë se aty do ta jetë motori i tij i vjedhur. Por që në fakt e rigjen në Itali..



A është vërtet kjo “Albania”?

Shfaqja në Tiranë u duartrokit. Jo fort, por gjithsesi nuk pati reagime të forta kundërshtuese, siç pati në premierën e filmit ‘Tickets’ të Ken Loach po në Tiranë. Por në biseda të ngushta pas shfaqjes pati të pranishëm që shprehën pakënaqësitë e tyre se ‘filmi edhe këtë herë nxiu’, ‘nuk dha Shqipërinë e plotë në vërtetësinë e saj”, “nuk ruajti ekuilibrat mes të bukurës dhe të shëmtuarës që ofron Shqipëria, por anonte nga mjerimi, edhe pse ky i dyti ishte dhënë realisht”, “Nuk pamë as ndonjë copë Berat, as Butrint, as Gjirokastër, as ndonjë familje të hajrit!”, “Së paku në filmin e Stefania Casinit, edhe pse me kursim, ka ndonjë kala madhështore, njerëz që argëtohen në parqe me shatërvane, kulla binjake edhe në Shqipëri apo rini avantguard që ëndërron” etj.

Ndërsa Stefania Casini kundërpërgjigjet kështu: “Dikush mund ta bëjë ndryshe, por ky ishte filmi im. Secili preket nga një lloj poezie në një vend. Ka disa gjëra që më prekin, ka të tjera më pak. Unë marr çfarë më prek. Dhe ajo që më ka bërë më fort përshtypje është mikpritja juaj befasuese. Dhe këtë e kam dhënë me detaje gjatë filmit. Apo edhe mjerimi. Nuk më interesonte të jepja luksin. Por zgjedhja e dy të rinjve ka qenë me qëllimin për të dhënë Shqipërinë e re, forcën e re të këtij vendi, progresin. Janë inteligjentë, tepër të arsimuar, të bukur, modernë. Djali shqiptar merret me aktivitete kulturore dhe është dhjetë herë më inteligjent se sa djali italian, që në fund të fundit mendon vetëm për motora. Vajza shqiptare është shumë befasuese në gjithçka. Ata nisen të zbulojnë një Shqipëri përtej Tiranës, që as vetë nuk e njohin”. “Një panoramë e gjerë, që hyn thellë deri në venat e Shqipërisë, duke u munduar të tregojë në mënyrë të thjeshtë aspektet kontradiktore, dhimbjet, sakrificat dhe vlerat e mëdha njerëzore dhe civile”, do ta përmbledhë filmi asistent/regjisorja e tij, Sabina Kodra.



Tetë vjet me Shqipërinë

Stefania Casini nuk është ndonjë që merr guximin ta dëftojë Shqipërinë pa e njohur. Madje mirë e mirë. Pavarësisht se si e përzgjedh dhe e paraqet atë pas gjithë kësaj. “E kam përpunuar idenë për plot tetë vjet rresht, që nga koha kur erdha për herë të parë në Shqipëri dhe realizova një film për të rinjtë.”, thotë Casini. Dhe për të realizuar “Made in Albania” e ka vizituar tokën e shqiponjave çdo vit për pesë-gjashtë vjet rresht. Duke qëndruar çdo herë nga një muaj e gjysmë. ‘E ndihmuar nga miq gazetarë shqiptarë apo kolegët e mi artistë po shqiptarë. Sa herë vija dikush më tregonte diçka, dikush diçka tjetër”, shton Casini. Pastaj për këtë projekt gjeti mbështetje nga BE, Rai Cinema, ‘Era Film’, ‘Bizef Production’. “Por kam vënë edhe nga paratë e mia, sepse kam vënë punën time këtu”, thotë.



Frikë nga publiku?

“Jo. Aspak. Ngaqë së pari në Leçe të Italisë, në praninë e shumë shqiptarëve, ai u duartrokit. Po kështu edhe këtu në Tiranë”. Çfarë i ka mbetur pa shfaqur në film? “Ka shumë gjëra që do doja të tregoja më shumë. Janë të vjetrit që kanë një kujtesë të mrekullueshme. Filmi ishte 90 minuta, por janë prerë rreth 50 orë xhirime. Me të gjitha këto do të krijoj një sit në internet, ku do të vendos gjithë materialet”.



Nga RAI në Çikago dhe Torino

Stefania nuk e di saktë se kur. Por thotë se filmi ‘Made in Albania’ do transmetohet në një nga kanalet RAI. Në tetor ai do të marrë pjesë në dy festivale, në atë dokumentar të Torinos, të Çikagos dhe më pas në atë të Lisbonës. “Shpresoj që ta pranojnë dhe në festivalin tuaj, TIF”, thotë regjisorja Stefania Casini.



Jeta

Mosha: 64 vjeçe

Vendlindja: Villa di Chiavenna, Itali

Vendbanimi: Romë

Arsimi: Arkitekturë në Politeknikumin e Milanos.

Përvojë pune: Asnjë ditë si arkitekte. Por aktore me regjisorë si:

Pietro Germi, Bernardo Bertolucci, Peter Greenaway dhe Dario Argento dhe wm pas regjisore . Drejton “Lontano da dove” (1983), “Un Paradiso di Bugie” (1997). Ka bërë gjashtë filma për Rai, Mediaset dhe Sky.
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi