Engjujt Shqipetare Forum/portal
Would you like to react to this message? Create an account in a few clicks or log in to continue.

Shko poshtë
Shqiptare
Shqiptare
Princeshe Forumi
Princeshe Forumi
 <b>Gjinia</b> Gjinia : Female
<b>Shteti</b> Shteti : Shqipëria
<b>Postime</b> Postime : 4177
<b>Hobi</b> Hobi : shqiptaria
 <b>Vendndodhja</b> Vendndodhja : Shqiperi
<b>Anetaresuar</b> Anetaresuar : 24/07/2011

Studenti i anglishtes që ia del mbanë pa sy dhe pa duar! Empty Studenti i anglishtes që ia del mbanë pa sy dhe pa duar!

Wed 13 Jun 2012 - 17:27
Marvina MemollaDorian Daci është një i ri me origjinë nga qyteti i Burrelit i cili aktualisht ndjek studimet për gjuhën angleze në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja në Tiranë. Deri në moshën 15 vjecare ka qenë një i ri si gjithë ët tjerët. Në këtë moshë një aksident i rëndë i mori sytë dhe gjymtyrët e duarve. Që në atë kohë ai ka fituar statusin e të verbërit. Por…Ai është një i verbër që nuk përdor dot alfabetin Brail, sepse ka humbur edhe duart. E megjithatë ai është student sot në Fakultetin e Gjuhëve të huaja, pasi arriti të mbarojë me sukses Shkollën e Mesme të Gjuhëve të Huaja. Ai është fëmija i dytë i familjes Daci. Edhe vëllai dhe dy motrat e tij ndjekin studimet në degë të ndryshme të Universitetit të Tiranës. Si mund t’ia dalësh mbanë pa sy dhe pa duar, në një vend ku edhe “njerëzit normalë” e kanë vështirë? Doriani tregon sot për “Jetë”, historinë e tij të një jete që ka brenda sfidën e përditshme.
Dorian, si ishte rifillimi i jetës pas aksidentit?
Shumë i vështirë. Për mua dhe sidomos për familjen time. Lëvizja nga një qytet në tjetrin ishte akoma dhe më e vështirë. Si pasojë ndërpreva arsimimin tim për dy vite deri në momentin që ne u transferuam në Tiranë. Më pas thashë “mjaft”. Dhe vendosa që të vazhdoj shkollën e mesme për gjuhë të huaja.



Cilat ishte vështirësia më e madhe?
Unë kam linur në një qytet të vogël, në Burrel ku kam jetuar 15 vjet dhe pas aksidentit jam zhvendosur në Lac. Në këto dy qytete shoqëria ka një nivel të lartë paragjykimi. Për mua dhe familjen time ishte e vështirë, pasi veç problemit që ne kishim duhet që të dëgjonim edhe fjalët që njerëzit thonin.
Më pas vëllai im filloi studimet në Tiranë dhe ne menduam që për të mirën e vëllait , për të mirën time dhe që familja të mos ndahej të zhvendoseshim në Tiranë. Tirana është e madhe dhe paragjykimet ishin më të pakta, sidomos tek të rinjtë.



Ishte inisiativa jote që të rifilloje shkollën?
Normalisht që iniciativa ishte e imja por mbështetjen më të madhe e kam marrë nga familja, sidomos nga mami e cila ka qenë shumë këmbëngulse. Por dua të theksoj që vetëm iniciativa ime nuk ishte e mjaftueshme që të ndiqja shkollën pasi unë jam një njeri me aftësi të kufizuara dhe e kam të pamundur të lëviz i vetëm. Gjithmonë jam shoqëruar nga mamaja ime apo motrat. Madje edhe shokët dhe shoqet më kanë ndihmuar me lëvizjen nëpër shkollë.



Pas zhvendosjes në Tiranë, gjërat ndryshuan?
Në fillim kisha shumë vështirësi. Kisha dy vjet që isha shkëputur nga shkolla. Në shkollën e mesme të gjuhëve të huaja isha në një ambient që nuk e njihja. Dhe pastaj bëhet fjalë për gjuhët e huaja..Vetëm me të dëgjuar është shumë e vështirë për tu mësuar. Unë nuk mund të përdor as Brailin për mungesë të duarve. Shumë e vështirë.. (pauzë) Pastaj nisa të ambientohesha, të integrohesha…



Të verbërit zakonisht përdorin sistemin Brail… Por nëse nuk keni as duart, kjo është e pamundur. Si i mësoni mësimet?
Kjo është çështja që më ka shqetësuar dhe që më shqetëson më shumë. Pasi për mua dhe për njerëz si unë nuk egziston një infrastrukturë e caktuar. Unë mësoj nëpërmjet dëgjimit. Duhet që librat, si shkollorë ashtu edhe ato jashtë shkollorë të jenë të vokalizuara, pra në formatin audio. Jam interesuar se ku mund t’i gjej këto libra por në Shqipëri nuk egziston asnjë i tillë.
Isha informuar që Qendra Kombëtare e Rehabilitimit të Verbërve ishte institucioni që duhet të ofronte librat e leksionet e vokalizuara. Për katër vite rrradhazi jam interesuar e kam shkuar disa herë tek kjo qendër por kam mbetuar pa zgjidhje.Tashmë u bënë dy vite që kam hequr dorë dhe mësimet i kam mësuar edhe i mësoj me ndihmën e familjes. Unë përpiqem të fiksoj sa mundem me atë që dëgjoj në shkollë dhe pastaj pjestarët e familjes m’i lexojnë disa herë në shtëpi.



Ju studioni për anglisht. E ka të vështirë familja për të të ndihmuar?
Ata nuk më janë shprehur asnjëherë , por e di dhe e kuptoj që e kanë të vështirë të mi mësojnë mësimet në anglisht për vetë faktin se ata nuk janë ekspertë të gjuhës. Problemi kryesor ka të bëjë më shkrimin, leximin e shqiptimin e fjalëve duke qenë se është gjuhë e huaj. Të gjithë pjesëtarët e familjes sakrifikohen , heqin dorë nga koha e tyre e më përkushtohen mua. Madje motra ime e vogël ndoqi shkollën e mesme të gjuhëve të huaja për të më ndihmuar mua sa më shumë. Unë nuk kam sesi t’ua shpërblej atyre gjithë këtë përkushtim që kanë treguar kundrejt meje…



Po me shoqërinë si i keni marrëdhëniet?
Disa prej tyre janë shumë të rëndësishëm për mua pasi më ndihmojnë të lëviz nëpër shkollë dhe për këtë i falenderoj shumë. Pa familjen dhe pa shoqërinë unë nuk do të bëja dot asgjë. Kundrejt meje sillen shumë mirë madje më mirë se sa duhet dhe kjo më shqetëson paksa. Do të dëshiroja që të më respektonin si Dorian dhe jo të kenë mëshirë.



Ku e sheh veten në të ardhmen?
Unë jam krenar për çfarë kam arritur dhe i shoh gjërat me mjaft pozitivitet, pavarësisht mungesës së disa aftësive. Në qoftë se ia arrij qëllimit , pse jo, do të kisha shumë dëshirë të punoja si përkthyes.



Ka një mesazh Doriani për ata që pësojnë në jetë një aksident dhe humbasin aftësi të caktuara?
Nuk duhet të izolohen. Mos të mbyllën në shtëpi. As të sprapsen për shkak të paragjykimeve. Nisur nga eksperienca ime , arsimimi është mënyra më e mirë për t’u riintegruar në shoqëri. I ftoj të gjithë personat që kanë të njëjtin problem si unë të ndjekin të njëjtën rrugë.



Apeli që vjen nga kjo histori: Mungesa e librave format-audio

Historia e Dorianit nuk është vetëm një histori kurioze. Përveçse është një histori sfide dhe shembull i vullnetit për të mos u dorëzuar në jetë, ajo ngre edhe një shqetësim politik që ka të bëjë me këtë kategori personazh që janë disa mijëra në Shqipëri.



Libra të vokalizuar
Ata kanë nevojë për libra të vokalizuar. “Unë mësoj nëpërmjet dëgjimit. Duhet që librat, si shkollorë ashtu edhe ato jashtë shkollorë të jenë të vokalizuara, pra në formatin audio. Jam interesuar se ku mund t’i gjej këto libra por në Shqipëri nuk egziston asnjë i tillë, – thotë Doriani.
Dhe kur e pyesim “po në fakultet a e keni folur me pedagogët se ndoshta leksionet mund t’jua japin më të përmbledhura”, ai përgjigjet prerë:
“Kjo është një gjë që nuk dua të ndodhë kurrë. Unë nuk dua që pedagogët të jenë më tolerantë me mua se sa me të tjerët. Unë jam si të gjithë studentët me të drejta të barabarta. Pastaj unë zgjidhjen nuk e kërkoj nga pedagogët por nga struktura më të larta…”



Ministria e Arsimit
Ai thekson se nuk është i vetmi person në Shqipëri me të tilla aftësi të kufizuara. “Aktualisht në Shqipëri numerohen mbi 10.000 persona që kanë fituar kete status . Problemi për mendimin tim fillon që nga Ministria e Arsimit. Është ajo që duhet t’i japë zgjidhje këtij problem, që duhet që të na plotësojë edhe kushtet e nevojshme. Unë ndihem si barabartë mes të barabartëve por jo në kushte të barabarta.
Shoh që as mësuesit e as pedagogët nuk janë të informuar e nuk kanë një rregullore sesi t’i zhvillojnë provimet me personat si unë. Gjithmonë më pyesin dhe e kërkojnë përgjigjen nga unë për mënyrën se si duhet ta kryejmë provimin” – tregon Doriani, duke formuluar kështu një apel që duhet të çojë në vendim-marrje të shpejta politike.


HISTORI SFIDASH

Avokati i verbër u arratiset 100 policëve

Një aktivist i verbër kinez u shpëtoi 100 rojeve të tij duke u arratisur nga arresti shtëpiak. Chen Guangcheng, 40 vjeç, ishte nën mbikëqyrje të rreptë në shtëpinë e tij në fshatin Dongshigu, pasi kishte publikuar fakte për abortet e detyruara si pjesë e politikës kineze për një fëmijë në familje. Por pasi kreu katër vite në burg dhe u burgos sërish në shtëpi, avokati autodidakt arriti të arratisej edhe pse më shumë se njëqind policë e ruanin shtëpinë e tij.



I verbër, por stërvitet për super maratonën
Një sëmundje në sy i hoqi mundësinë në moshën 18-vjeçare që të shihte. Por, tashmë në moshën 29-vjeçare, Simon Ëheatcroft ka ndërmarrë një nismë të jashtëzakonshme, pasi po stërvitet për një super maratonë, e cila është e gjatë 42,195 km. Ai stërvitet në fusha të hapura, fusha futbolli, por edhe autostrada të mbyllura për trafikun, duke fiksuar dhe memorizuar sidomos kthesat.



E verbër 93 vjeç: 927 mijë km me makinë
Një 93 vjeçare nga Florida ka bërë plot 927 mijë km për 48 vite me makinën e saj. Më 9 mars ajo hoqi dorë nga timoni pasi legalisht është e verbër. Rachet Veitch e bleu makinën në shkurt 1964. Veitch thotë se është kujdesur shumë për makinën, prandaj ajo ka rezistuar kaq shumë. Megjithëse gruaja ka bërë kaq shumë kilometra, rekordin e mban Irv Gordon që me makinën e tij Volvo ka hyrë në Guinness pasi kishte bërë me të mbi 1.2 milion km që nga 1966.



Google shpik makinën për të verbërit?
Gjigandi Google ka ndryshuar mënyrën se si ne kërkojmë në internet, se si navigojmë dhe se si shikojmë video. Por arritja më e fundit e firmës mund të jetë ndoshta më e madhja. Bëhet fjalë për një makinë që nuk ka nevojë të kontrollohet nga njerëzit, por vetëkontrollohet. Për projektin po punohet prej vitesh, po së fundmi Google ka publikuar një video ku shfaqet një i verbër, i quajtur Steve Mahan, i cili kryen punët e tij falë makinës së Google. Makina e kontrollon rrugën me kamera, radar dhe lazer. Ajo lëviz me siguri në vende të paraprogramuara.
********

Vendi që eksporton sy në mbarë botën

Sri Lanka, një ishull me rreth 20 milion banorë në bregun lindor të Indisë, është vendi që dhuron më shumë sy se çdo vend për numër banorësh. Rreth 3 mijë kornea dhurohen çdo vit nga Sri Lanka, – bën të ditur Shoqata për Dhurimin e Syve, sipas të cilës, interesi i njerëzve për të dhuruar sytë është i jashtëzakonshëm.
Rreth 900 mijë njerëz janë regjistruar për të dhënë sytë e tyre kur të vdesin. Madje, edhe kur janë ende gjallë. “Njerëzit më thonë, a mund të dhurojmë njërin sy ndërsa jemi gjallë? Për shkak se kemi dy, një mund ta japim,” – thotë doktori Sisira Liyanage.
Që kur është ngritur Shoqata për Dhurimin e Syve, në vitin 1964, ajo ka dhuruar 60 mijë kornea. Drejtuesit e shoqatës thonë se ata nuk fitojnë para nga dhurimet. Ata marrin thjesht 450 dollarë për operacionin dhe për kostot e ruajtjes së syrit.
SHBA mbetet ofruesi më i madh i syve në botë me 16 mijë kornea të dërguara në vendet e tjera. Por krahasuar me numrin e popullsisë, Sri Lanka jep tre herë më shumë. Madje i dhuron. Pakistani, një vend islamik, merr më shumë sy nga Sri Lanka për shkak se aty është traditë që njerëzit të varrosen me gjithë pjesët e trupit.Shekulli
Mbrapsht në krye
Drejtat e ktij Forumit:
Ju nuk mund ti përgjigjeni temave të këtij forumi